Taip Sulko/ Kadare dhe çmimi Nobel

812
Që prej shumë vitesh, më saktë që nga viti 1901, Akademia Suedeze, shqyrton, mblidhet dhe vendos se cilit do t’i jepet Çmimi Nobel në Letërsi. Ne si shqiptarë kemi një lidhje të fortë me këtë ngjarje të përvitshme e tepër të rëndësishme kulturore. Mbase arsyeja kryesore është se çdo vit, një nga shkrimtarët më të mirë shqiptarë, por edhe europianë e botërore, I. Kadare, është vendosur në listat e quajtura të shkurtuara. Me sa shohim çdo vit, tashmë, listat përfundimtare të Nobelit letrar i ngjajnë dyluftimit të vlerave, kur, si gjithnjë, përsëritet e njëjta pamje: nga një anë Kadare dhe nga ana tjetër, dikush, më fatlum (deri tani) i cili vjen, përballet me të caktuarin e kahershëm Kadare, të cilit ia di me siguri vlerat dhe më pas shpallet fitues, i jepet Çmimi Nobel. Ne ndërkaq presim, kemi kohë që presim, por jo vetëm shqiptarët presin; shumë dashamirës në dhjetëra gjuhë dhe në më shumë vende po ashtu presin…Ne të gjithë e dimë se për dhënien e këtij Çmimi kaq të lartë të artit të të shkruarit, më të rëndësishmit, ka një parim kryesor, – vlera letrare e mishëruar në vetë fjalët e Alfred Nobelit i cili ka thënë se çmimi duhet të jepet për veprën më të shquar në një drejtim ideal. Tani, për shumëkënd, (e padyshim edhe për Këshillin e Nobelit) është e qartë se, Ismail Kadare e ka merituar dhe po ashtu e meriton pa asnjë mëdyshje këtë vlerësim, para së gjithash, gjykuar prej vlerave letrare. Kjo për disa arsye kokëforta të cilat me kalimin e kohës, si një mrekulli e kësaj bote, bëhen edhe më kokëforta; ai është një shkrimtar i njohur dhe përkthyer në të gjithë botën në rreth 50 vende, botimi dhe përkthimi i veprave të tij është shoqëruar me një ngazëllim dhe brohori prekëse jo vetëm në Shqipëri, Kosovë e mbarë trevat shqiptare, por kudo në Europë dhe botë. Po ashtu, emra të spikatur të letrave dhe kritikës e kanë radhitur atë me yjet më të ndritur të letërsisë botërore, që nga Shekespeare, Dostojevski, Orwelli dhe Kafka. 
Vlerësimet për Kadarenë
Ky vlerësim katërçipërisht i merituar është vulosur edhe me çmimet e rëndësishme që ka marrë Kadare, si Man Booker International Prize, Princi i Asturias, Çmimi i Jeruzalemit etj etj. Po ashtu edhe vetë përfshirja në listat përherë e më të shkurtuara të Nobelit është një dëshmi kokëfortë e këtyre vlerave të pamohueshme. Dhe ajo që është më e rëndësishmja, veprën e Kadaresë e kemi në duar, atë mund ta lexojnë dhe ngazëllehemi prej saj, por edhe t’i krahasojmë veprat e tij më të mira me veprat e shkrimtarëve më të mëdhenj botërorë. Padyshim që “Kronikë në gur” si dhe “Pallati i ëndrrave”, do të qëndronin në themelin më të rëndësishëm të trashëgimisë letrare botërore. Eshtë e njohur se, në disa raste, vendimi për Çmimin Nobel në letërsi, është trajtëzuar nën trysninë e gjykimeve politiko-kulturore, gjithnjë, duke i njohur letërsisë atë vlerë të padyshimtë të ndikimeve në frymën njerëzore, në nxitjen dhe forcimin sjelljeve të reja qoftë shoqërore apo edhe parapolitike. Për fat, edhe në këtë këndvështrim që sikur rri jo në zemër, por në skaje të letrares, vjen një arsyetim tjetër kokëfortë në pohim të vlerave të Kadaresë. Le t’i themi gjërat siç janë, ashtu sikurse do t’i kuptonte fare vetvetishëm edhe një mendje mesatare në Europën e sotme. Kadare është shkrimtari i adhuruar i një kombi i cili jeton i shpërndarë në disa shtete në Ballkan dhe Europë, me mbi 10 milionë frymë. Si shkrimtar gjenial, Kadare e ka kapur më së miri dhe më bukur nga të gjithë frymën e vendit, të komunitetit të cilit i përket, dhe sigurisht, kombit të tij. Ai fort dhe pa asnjë epje apo dridhje mosbesimi, jo vetëm është shprehur, ka marrë qëndrim por edhe thjesht ka luftuar me mjetet e prijësit shpirtëror, që shqiptarët si komb të shkojnë në kahjen perëndimore, aty ku e kanë në fund të fundit zanafillën dhe burimin e përparimit, mirëqenies dhe mbijetesës. Kundërvendosja Perëndimi- Ekstremizmi Fetar, i cili, për fat të keq, po merr frikshëm çdo ditë e më tepër ngjyra të luftës ndërmjet besimeve dhe qytetërimeve, nuk është një gjë e vogël dhe kalimtare; ky është një nga problemet më madhore që shfaqet fort në Ballkan, Europë, në botë dhe, e duan apo s’duan, i prek edhe shqiptarët. Tek ne, tek shqiptarët, ka jetuar, jeton e do të jetojë një mrekulli e cila quhet: mirëkuptimi dhe bashkëjetesa e shkëlqyer ndërbesimore. 
Një Nobel për Kadarenë, një dritësim i Shqipërisë
A do të vihet në provë kjo mrekulli shqiptare? Po, sigurisht, si në gjithë Europën. Ndërkaq duhet theksuar se shqiptarët janë të përgatitur për këtë përballje dhe Kadare është përfaqësuesi më i parë dhe tashmë i gjithë kohshëm i tyre. Një Nobel për Kadarenë do të thotë një dritësim i Shqipërisë dhe shqiptarëve, vënia në pah e një shëmbëlltyrë të jashtëzakonshme për këtë kohë me erë përplasjesh. Arsyetimet mbi këtë çështje mund të zgjateshin edhe më tej dhe mendoj se ia vlen. Që nga fillimi i krizës në 2008, është zbehur disi zjarri mbështetës i Europës ndaj Ballkanit. Këtë çarje, këtë zbrazëti, sado të vogël, menjëherë u vërsulën ta mbushin qarqe të tjera jashtëperëndimore, të prira nga pararoja osmanomadhe (e njohur për grykësinë e saj). Thjesht, vënia në pah e veprës së I. Kadaresë, e vlerave që ai sjell e forcon mburojën perëndimore në Ballkan. Nuk është ndonjë e fshehtë, sikurse u tha më sipër, që në disa raste të vetëkuptueshme, vendimet për Çmimin Nobel kanë pasur edhe shtysat e tyre, ndonjëherë të dallueshme të frymëzimit parapolitik. Kjo është e natyrshme. Politika nuk është jashtë letërsisë. Letërisa nuk është jashtë politikës. Veprat e mëdha kanë ndryshuar vetëdijen e kombeve dhe njerëzimit dhe duke bërë këtë ndryshim ato edhe kanë ndryshuar mjedisin politik dhe kanë hedhur farën e së ardhmes. Pra është e natyrshme që në vendimin për Kadarenë, Këshilli i Nobelit të marrë parasysh edhe këtë shtytje të jashtëzakonshme që do t’i jepte dhënia e Çmimit Nobel asaj beteje që duket ende e pambaruar si për Europën ashtu edhe për botën shqiptare, që të ndjekin yllit e fatit të tyre. Ndërkaq, duken qartësisht të vogla ato kodërzat e kritikës mbi jetën jashtëletrare të Kadaresë në komunizëm, si dhe ato kapulet me fjalë për të metat qesharake në vepra dytësore, përpara majës së lartë të vlerave të jashtëzakonshme letrare kadareane, të cilat lartësojnë njeriun, janë një gur i dallueshëm, i palëvizshëm në themelin e shëndoshë të së ardhmes së tij. Jam i sigurt se një Kadare me Çmimin Nobel, po ashtu, do t’i bashkonte më shumë shqiptarët në mesvedi, do ta mbyllte një herë e mirë rrjedhën e marrëzisë dhe thirrjet shterpe që kërkojnë të gjejnë dhe krijojnë ndasi gjuhësore (të cilat, deri tani, për fat, vetëm se e kanë fuqizuar shqipen, rrjedhën e saj gjithëpërfshirëse), dhe do të forconte afrimin, ndërlidhjen, në një bashkim Europian. 
Si përmbyllje mund të themi: Parimi kryesor për marrjen e Çmimit Nobel në Letërsi është se ky çmim i jepet çdo vit një shkrimtari prej kujtdo vendi, cili, sipas fjalëve të vetë Alfred Nobelit ka krijuar “në fushën e letërsisë veprën më të shquar në një drejtim (kuptim) ideal: (original Swedish: den som inom litteraturen har producerat det mest framstående verket i en idealisk riktning).
Ja disa fakte dhe arsye kokëforta
Kadare, në rrethanat e mungesës së plotë të lirisë, prodhoi vepra të një cilësie sipërane, që tashmë janë bërë pjesë e trashëgimisë më të mirë europiane dhe botërore të artit të të shkruarit, ç’ka shënon një arritje të padyshimtë ideale. Kadare, si rrallë më parë (mbase Singer jep një shembull sivëllai) e rigjallëroi shqipen, gjuhën krejt të veçantë dhe dikur të rrezikuar, duke e ngritur në majat më të larta të shrpehjes artistike, e, pa mëdyshje, kjo është në arritje tjetër ideale. Kadare, iu kundërvu dhe i dha goditje sistemit komunist të E. Hoxhës në kohën kur diktatori sillej si gjysmë-hyjni, pikërisht me botimin e “Pallatit të ëndërrave” (1980). (E.Hoxha vetëm një vit më vonë, për gjëra që asnjëherë nuk u bënë të njohura, çoi në vdekje bashkëpunëtorin e tij më të ngushtë, ish Kryeministrin M.Shehu). Botimi i “Pallatit të ëndrrave”, përbën qartazi një pohim kokëfortë, ideal të guximit shoqëror dhe krijues-artistik. Kadare është përfaqësuesi dhe përçuesi më i mirëfilltë i vlerave dhe prirjes europiane të kombit shqiptar, është frymëzues dhe mbartësi më ideal i atij pishtari të vlerave perëndimore, pikërisht, sot, në kohën e ankthit të përplasjes së vlerave qytetërimore dhe fetare. Është e arsyeshme të theksohet fort se dhënia e Çmimit Nobel për I. Kadare, e njeh këtë vlerë dhe e bën më të sigurt këtë prirje. Kjo është aq ideale saqë edhe vetë Alfred Nobel, po të ishte gjallë, do t’ia kishte dhënë votën e tij Kadaresë, për vlerën simbolike që ka vënia në pah e veprës perëndimorizuese dhe simbolikës paqtuese ndërfetare. Kadare jo vetëm e ka çuar përpara, por për disa dhjetëvjeçarë dhe e ka lëvruar më së miri dhe në mënyrë ideale emancipimin shpirtëror dhe shoqëror të vendit dhe kombit të vet, të cilit i dha besim dhe art të madh edhe në rrethanat e varfërisë së skajshme dhe mbylljes së frikshme, e tani, i ve në dorë një pishtar të sigurt në rrjedhat e pakthyeshme perëndimorizuese. Këto janë arsye mëse të mjaftueshme që, fjalimin për marrjen e Çmimit Nobel për Letërsinë, në Stokholm, për vitin 2015, ta mbajë I. Kadare. 
Sigal