Tahar Ben Jelloun, vjen në shqip i përkthyer mrekullisht nga Nonda Varfi

1112
Sigal

Tri vepra të tij të suksesshme: “Me zjarr”, “Nata e Shenjtë” dhe “Në vendlindje” me një përkthim brilant

 Shkrimtari  me origjinë  nga Maroku, Tahar Ben Jelloun, lindi në dhjetor të vitit 1944. Deri në moshën 18-vjeçare studioi në liceun “Regnault” të Marokut dhe më pas studioi për filozofi. Si shumë autorë të njohur, krijimtarinë e tij e nisi nëpër revista letrare, derisa arriti të botonte përmbledhjen e tij të parë me poezi në vitin 1971. Është pothuaj lëvrues i të gjitha gjinive, ku sot numërohen rreth 46 vepra. Edhe pse aktualisht jeton në Francë dhe formimi i tij akademik është dygjuhësh, të gjitha veprat e tij janë shkruar dhe botuar në frëngjisht. Por ajo çka e dallon këtë shkrimtar nga të tjerët, është vlerësimi i veprës së tij me shumë çmime të rëndësishme, ku vlen të përmendim: çmimi letrar “Goncourt” për romanin “Nata e Shenjtë”, 1987;  çmimi “Impac” në Dublin, më 2004; çmimi “Ulysse”, më 2005; çmimi “Argana” në Marok; çmimi “Erich-Maria Remarque”, më 2011 etj.

Që prej vit 2008 mban titullin më të lartë “Kalorësi i Legjionit të Nderit”. Ky autor nuk është i panjohur për lexuesin shqiptar, pasi në vitin 2012 kemi pasur fatin të kemi të shqipëruara prej përkthyesit të mirënjohur Nonda Varfi tri vepra të tij të suksesshme: “Me zjarr”, “Nata e Shenjtë” dhe “Në vendlindje”. Në tregimin “Me zjarr” rrëfehet një histori e shkurtër, realiste dhe poetike, duke rikthyer në fokus ditët përpara sakrificës ekstreme të Muhamedit, para se t’i vinte zjarrin  vetes për t’u vetësakrifikuar.  Historia e Muhamedi, në të vërtetë, nuk i përket askujt, është historia e një njeriu të thjeshtë, si miliona të tjerë, që, për shkak se u shkel me këmbë, u fye, iu mohua jeta; më në fund u bë shkëndijë që i vuri zjarrin botës. Me pak fjalë është një tregim kushtuar revolucioneve arabe dhe atyre miliona grave dhe burrave anonimë që u derdhën nëpër rrugë duke kërkuar liri dhe dinjitet për të gjithë në vendin e tyre. Ndërsa romani “Nata e Shenjtë” është vazhdim i rrëfimit të jetës së Ahmedit/Zahrës – nisur me botimin e romanit “Vajza e rërës” – një vajze së cilës babai i vet, i dëshiruar për të pasur një trashëgimtar mashkull, i mohoi pa u menduar dy herë të drejtën për të qenë një vajzë dhe për t’u rritur si e tillë, duke shkuar kundër natyrës. Pas vdekjes së të atit, vajza vendos të jetojë si një grua duke zbuluar ç’do të thotë të jesh vërtet femër, duke i bërë ballë të gjitha sfidave dhe imponimeve negative të një rrethi shoqëror tejet fanatik… Në romanin “Në vendlindje” përshkruhet malli dhe nostalgjia e madhe që Muhamedi ndien për vendlindjen e tij Marokun. Ëndrra e tij për të ndërtuar një shtëpi të madhe në vendlindje (duke përjetuar kthimin në të shkuarën si të jetë duke jetuar të nesërmen) është tema që mbërthen gjithë filozofinë e romanit. Në romanin e ri “Me sytë ulur”, që vjen i përkthyer po me kaq mjeshtëri sa librat e tjerë nga Nonda Varfi, Tahar Ben Jelloun shkëlqyen me rrëfimin e tij tejet të thjeshtë dhe filozofik njëherësh. Një roman i shkruar për të gjithë, pa dallim moshe, formimi apo kulture. Një roman që të rrëmben më përshkrimet tejet të hollësishme, tejet tërheqëse dhe tejet rrëqethëse.Në qendër të tij është historia e një vajze të rritur në një fshat të vogël të Marokut Jugor që nuk di as të shkruajë, as të lexojë: di vetëm disa shenja, të cilat i përkisnin vetëm asaj; vetëm ajo ua di kuptimin dhe përdorimin. I ati, i larguar prej kohësh nga familja, në një vend të quajtur “Lafrance”, vendos të kthehet në vendlindje për të marrë familjen e për të jetuar në Paris. Atje gjithçka përmbyset. Vajza e re hyn njëherësh në adoleshencë dhe në mërgim. Përplaset me njëfarë qytetërimi… i cili do t’i ndryshojë njëherë e përgjithmonë mënyrën e jetesës.

Përgatiti: Albert Z. ZHOLI