Tafil Buzi shpalli botërisht se Shqipëria duhet të çlirohej nga zgjedha turke dhe të qeverisej nga shqiptarët

2128
Nga Gëzim Zilja
TAFIL BUZI 1792-1844
Sipas epikës historike
O Tafil bir’ i Shanisë
Kapedan i Shqipërisë
Ç’i ktheve pallën Turqisë
Fillimisht emri i Tafi Buzit përmendet në vargjet kushtuar Ismail Bej Vlorës, para se ky të vritej tradhtisht nga valiu i Janinës. Çelo Picari dhe Tafil Buzi lajmëruan Ismail Beun, të mos shkonte në Janinë.

Dolën dervenit të prinë
Tafil’ e Xhelili ynë
Malo mos shko në Janinë
Mos e beso Osmanllinë
Se të kanë ngriturë pusinë. 

Tafil Buzi pas kësaj vrasjeje, i ndodhur në Egjipt, do të shprehej me keqardhje sesi nuk u gjend një lab, të merrte hakun e beut të Vlorës. Zenel Gjonleka, djal i ri, merr nismën e tij, hyn në çadrën e Valiut, e vret atë dhe i dërgon ‘’selam’’:

Dërgoi Gjonlekë spanoi
Tafil Buzit të mi thoi
Kaftanazin e martoi
Të shtata ia numëroi. 

Tafil Buzi shpalli botërisht se Shqipëria duhet të çlirohej nga zgjedha turke dhe të qeverisej nga shqiptarët. Mustafa Bushatlliu dhe kapedanët shqiptarë si Tafil Buzi, Zylyftar Poda, Abdyl Bej Koka, Cane Myftari, mbanin marrëdhënie të ngushta me sundimtarin shqiptar të Egjiptit, Memet Pasha. Në ushtrinë e këtij të fundit Tafili, kishte shërbyer si oficer me gradë të lart. I ndihmuar financiarisht dhe me porosi nga Memet Pasha, ai zbarkon në Jug të Shqipërisë. Kapedani nga Buzi i Tepelenës, ishte fare i qartë, në veprimet që do të ndërmerrte. Problemi i parë ishte të bashkonte forcat e kapedanëve shqiptarë dhe pastaj të përzinte qeveritarët turq, që drejtonin qytetet kryesorë të Jugut si Janinën, Delvinën, Gjirokastrën, Beratin dhe Çamërinë. Sipas të dhënave Zenel Gjoleka dhe Tafil Buzi, u hodhën menjëherë në veprim në Dyqeme dhe Çatallxhë. Në Grebene ata vranë sundimtarin turk Veli again. 

Tafili me kapedanë
Me Zenel Gjolekën labnë
Ndë Grebene u ngren’ e vanë
Të vrasën Veli Aganë.
Veli aga Grebeneja
Tu ngjinë nga penxhereja
Plot me gjak tu mbush shilteja.

Porta e Lartë ngarkon Emin Pashën e Beratit të asgjësojë forcat kryengritëse të udhëhequra nga Çelo Picari e Zenel Gjoleka. Në ndihmë këtyre u erdhën forcat e Mallakastrës të udhëhequra nga Tafil Buzi dhe ato të bregdetit të drejtuara nga kapedanët e Bregdetit:

Dielli që lëshon çika
Ju kërkon kapedan Gjika
Kumiu me shtatë drita
Vishni armët e florinjta
Të shkojmë ku është e liga

Forcat e bashkuara të Jugut arritën të çlirojnë qytetin e Gjirokastrës, Vlorës dhe atë të Delvinës. Të inkurajuar nga fitoret e arritura iu drejtuan qytetit të Beratit, që do kurorëzonte fitoren përfundimtare. Kjo ndodhte në vitin 1833.

Çelua arap’ i zi
Tafili një grusht njeri
Bashkë me Veiz Vasjarë
Iknë e zunë Beranë
Duan të marrin kalanë
Të zenë Emin Pashanë
Me biçak t’i marrin xhanë.

Tashmë forcat kryengritëse arrinin në 10.000 vetë. Pas luftimesh të përgjakshme kalaja e Beratit, do të binte në duart e tyre. E gjendur në një situatë të tillë Porta e Lartë shpalli shpalli amnistinë dhe anulimin e reformave. Kalaja iu dorëzua sërish pa luftë pashait turk. Si përherë Porta e Lartë nuk e mbajti fjalën. Mahmud Beu, krye serasqeri i ri, i përforcuar me ushtarë të ardhur nga Azia filloi menjëherë arrestimet e krerëve të kryengritjes, të cilët kaluan në Greqi. Tafil Buzi kaloi në Korfuz. Aty u gatit sërish të hidhej në Shqipëri dhe të organizonte kryengritjen. Kryeministri grek i asaj kohe i premtoi Tafil Buzit se do t’i ndihmonte me ushtarë dhe me të holla kryengritësit shqiptarë, sapo këta të fillonin luftën. Më 1834, Tafil Buzi, Zenel Gjoleka, Mahmud Bajraktari(Kollovi), largohen nga Korfuzi: 

Erth’ një kartë nga Korfuzi
Thonë doli Tafil Buzi
Thanë ky dolli në Vlorë
Me tre bajrakë në dorë
Erth’ bajraku te xhamia
Del Hodo(Nivica) nga shtëpia. Dhe më tej:
Tafil Buzi, Tafil Palla
Nga do ta shpiem Tafilë
Ku e ka Cania (Myftari)shtëpinë
Në rrëzë përmbi Smokthinë
Në shkëmb hedhur themelinë. 
Cmokthinjotë mirë e prinë
Bënë dasm’ e gostinë.

Ngado që shkon ky kapedan i Shqipërisë pritet si hero dhe shpëtimtar. Në këngët kushtuar Tafil Buzit tregohet pritja e ngrohtë dhe gatishmëria për tu inkuadruar në ushtrinë e tij: 

Na to të shkojmë Tafilë?
Labërisë posht e përpjetë
ta përpjekim me Gjonlekë.

Më tej vargjet japin qëllimin e lartë të bashkimit dhe vendosmërinë për ta arritur atë:

Gjonlekë e Tafili di
Bobo qenkan të këqi
Luftojnë me një vali
Me një goxha Rumeli
S’ë për mua dhe për ti
Po për gjithë Shqipëri
Foli Gjoleka e tha
O Tafil halla, halla
Yryç më këllëç mi ta
Ja shehit (dëshmor) ja gaza’ (fitimtar). 

Më 27 qershor 1834, sipas dokumentave të kohës, Tafil Buzi formoi në Tepelenë një ushtri prej 2.000 vetësh dhe së bashku me forcat e Zenel Gjolekës u nis të çlironte Janinën, duke shpresuar në ndihmën e premtuar nga grekët. Ai tërbohet nga pabesia e kryeministrit grek Jani Koleti, që nuk i ndihmoi në betejën afër Janinës në vendin e quajtur Zagorë, fshati Cërvar , ku shqiptarët të rrethuar nga forca të shumta turke pësuan humbje të mëdha. Për hakmarrje kërkon të kalojë në More (Greqi) e t’i verë flakën. Çelo Picari tashmë, në postin e derven agait në kufirin midis Shqipërisë e Greqisë nuk e lejon të kalojë kufirin: 

Ra një ves e zbuti dhenë
Ra Tafili n’Tepelenë
Selam për Çelo Memenë
Thoni të lëshoj dervenë
Se do të shkoj të djeg Morenë
Almironë e Dyqemenë
Do ta djeg se shkeli benë
More’ e zeza More’
Në të ardhça dot atje
Do të djeg si kallame. Dhe më tej: 
Me Jorgonë kamte dyfek
Se do ta bëj terbiet
T’i bëj vetëhenë synet 

Forcat shqiptare gati sa nuk u përleshën me njëra-tjetrën. Tafil Buzi u detyrua të kthehej e të nisej sërish për çlirimin e Beratit. Tashmë kryengritësit shqiptarë paraqiten të bashkuar nën komandën e Tafil Buzit, Zenel Gjolekës, Çelo Picarit, Veiz Vasjarit, Mete Jazos, Cane Myftarit, Pasho Kokës, Selfo Jaskëllarit etj. Ishte një forcë që bëri të dridhen jo vetëm Beratin e Jugun e Shqipërisë por gjithë Rumelinë. Thuhet se forcat kryengritëse si rrallë herë arritën shifrën e 25.000 vetëve. 

Berati me Toskërinë
Delvina me Çamërinë
N’Velabisht ngritën hordhinë… 
Myhyrdar mustaqeverdhë
Priti trimat se tu derdhë
Le (lëshoje) kalanë me gjithë rredhë
Dil me nder shpëto vetëhenë
Se të therrin posi kedhë
Le kalanë posi çupë
Shqipëria s’do halldupë. 

Sulmi i shqiptarëve mbi kështjellë ishte i papërmbajtshëm. Të shumta janë vargjet që përshkruajnë trimëritë e tyre. Sokëllimat dhe thirrjet e kryengritësve dëgjoheshin që larg.

Mete Jazua i gjakëtuar
Kullën e kuqe çe muar
U plagos në krahëruar
Dy plumba tej e çpuan.
Dukat’ e shpunë kaluar

Në fund të dhjetorit 1834, kalaja e Beratit ra sërish në duart e kryengritësve. Pas pak kohësh nga rrethanat e krijuara iu dorëzua Mahmud Pashës. 

Në fund të muajit shkurt 1835 trimi Tafil Buzi me 6.000 luftëtarë mëtoi sërish të merrte kalanë e Beratit por nuk ia doli. Më 1936 u shpall amnistia dhe u plotësuan disa nga kërkesat e kryengritësve sidomos mos shkuarja nizam dhe qeverisja e nëntë krahinave të Jugut nga shqiptarët. Porta e Lartë edhe këtë herë do t’i joshte krerët shqiptarë me grada e para. Të tjerë që nuk mundi i internoi ose i helmoi pabesisht si Ali Dervish Dukatin dhe Cane Myftarin. 

Hipe kali hergjele’
Cane Myftar o lule
Tre sahat Vlorën bëre’
Të hodh’helm në kafe’
Të plasnë syt’ e se pe.
Te xhamia te pazari
Është shtrirë Cane Myftari.

Zenel Gjoleka u dërgua komandant në Arabi (Jufrë), Tafil Buzi në Irak, kurse Çelo Picarin e internuan në Konjë. 

O Çelo, Xhelo, Xhelili
Gjuha jote si birlbili
Çelon e kërkon Tafili

Në kuvend e pret veziri. Dhe më tej bëhet e ditur:

Arapistan mbeçë për lumë
Ç’e gjet Tafil Buz’ hajdunë
I dhan’ Bagdan’ e Mosun(l)ë
Shkoi te Gjoleka në Jufrë.
Çelo Picarë fërtunë
Në Konjë syrgjyn e shpunë. 

Tafil Buzi vdiq në Siri si guvernator i Alepos, në vitn 1844. Po këtë vit Zenel Gjonleka dhe Çelo Picari do të ktheheshin në Shqipëri dhe do të organizonin kryengritjen e famshme kundër reformave të Tanzimatit, që do të kulmonte gjatë viteve 1847-1848. Populli e përjetësoi: O Tafil bir’ i Shanisë/ Kapedan i Shqipërisë/Ç’i ktheve pallën Turqisë.
Sigal