Suplementi Pena Shqiptare/ Xhafer Meto Peçi, figura e shquar e LANÇ dhe drejtues i nderuar shtetëror

723
Personalitete të tilla meritojnë jo vetëm respektin e shoqërisë, por edhe vlerësimin e institucioneve
-7 korrik 1926 –31 dhjetor 2016
-Komandant i Gardës së Republikës 1972-1982
Një hyrje paksa jo e zakonshme
Vite të shkuara ndërroi jetë gjeneral Ilia Vasha, ish shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë pas vitit 1990; më vonë u fik para kohe oficeri madhor Xhenet Muçaj, i cili ka qenë komandant korpusi dhe këshilltar ushtarak i Presidentit të Republikës; kanë ndërruar jetë në krye të detyrës komisar Arben Zylyftari dhe disa të tjerë nga sistemi i Ministrisë së Brendshme. Njëherësh janë larguar nga kjo botë edhe disa ish ushtarakë të lartë të sistemit të Ministrisë së Mbrojtjes… Para pak më shumë se një muaj, ndërroi jetë edhe ushtaraku i lartë Xhafer Peçi: partizan në Luftën Nacional-Çlirimtare nga viti 1942, ish kuadër i karrierës në Ministrinë e Brendshme, ish komandant i Gardës së Republikës në vitet 1972-1982, veteran i respektuar dhe qytetar i nderuar etj. Fatkeqësisht, informacion në media, por edhe trajtim institucional sipas statusit të ushtarakut, nuk ka pasur pothuajse fare. Përse kjo shurdhëri?! Përse kjo heshtje dashakeqëse?! Ndërsa ngrihen lapidarë prej familjarëve për të humburit në aksidente rrugore, (dhe në fakt bëjnë shumë mirë, sepse kemi të bëjmë me një veprim përshpirtjeje, që të kujtojmë emrin dhe jetën e një njeriu, i cili shkon e nuk kthehet më); për një artist kur ndahet nga kjo jetë organizohen ceremoni përcjelljeje njerëzore dhe përkujtimore, mbillet një pemë si simbol i vazhdimësisë së jetës etj.; për ushtarakët, pothuaj në përgjithësi, edhe kur ata humbasin jetën në krye të detyrës, nuk mbetet asnjë shenjë përkujtimore. Ata nuk trajtohen si pasuri e vyer e kombit, si krenari e ligjshme e tij, por si një mjet, të cilët në disa raste bëhen therror në emër të interesave të ngushta politike partiake…Kështu ndodhi fatkeqësisht edhe me veteranin Xhafer Peçi, për humbjen e të cilit nuk pati asnjë info në media, pa pretenduar që të organizohej një ceremoni zyrtare sikurse e përcakton Statusi i Ushtarakut. Përse organizmat përkatëse nuk orientohen nga praktikat demokratike ndërkombëtare?!! Para pak vitesh humbi jetën kapiten Feti Vogli në misionin ndërkombëtar në Afganistan. Ambasada Amerikane ndërmori një sërë ceremonish vlerësuese për veprën e lartë të tij… Në rajonin e Baldushkut u ngrit edhe një përmendore! Ja kështu duhet vepruar edhe për ushtarakët shqiptarë, të cilët, të paktën, gjatë ushtrimit të aktivitetit si nëpunës të administratës shtetërore, privohen nga mjaft të drejta familjare e personale vetëm e vetëm se janë në shërbim të Atdheut, në një ndarje shoqërore të punës të domosdoshme dhe mjaft të shenjtë!
Po kush është Xhafer Peçi?
Ka lindur më 7 korrrik 1926 në fshatin Kuç të Vlorës. Ka mbaruar shkollën e mesme të përgjithëshme, Kursin e Lartë Ushtarak, Akademinë Ushtarake “Frunze, Akademinë e Shtabit të Përgjithshëm “Voroshillov”, në ish-BS. Vjen nga një familje me tradita atdhedashëse, babai, Meto, në vitet 1913-1914 dhe 1920 ka qenë komandant i trupave kundër forcave pushtuese greke dhe italiane, ndërsa në vitet 1942-1945 ka qenë komandant i forcave territoriale të Kurveleshit. Në prill 1942 doli partizan në Çetën e Parë të Kurveleshit; më 15 gusht 1943 inkuadrohet në Brigadën e Parë Sulmuese. Më vonë caktohet zv/komandant dhe komandant kompanie në Brigadën e Parë Sulmuese. Ka marrë pjesë trimërisht në luftimet për çlirimin e Tiranës. Pas çlirimit ka një karrierë të gjatë dhe të larmishme, shërben gjatë në detyrën e komandantit të Batalionit. Më 1947-1966 ngarkohet me detyra në Divizionin e Mekanizuar dhe komandant Brigade në Tiranë, Mesaplik, Shkodër dhe Korçë. Në periudhën 1966-1972 e gjejmë zv/drejtorit drejtorie në Ministrinë e Mbrojtjes dhe atë të Punëve të Brendshme. Për periudhën që kanë ekzistuar gradat ushtarake ka pasur gradën e kolonelit. Për dhjetë vite radhazi (1972-1982) ngarkohet me detyrën e komandantit të Gardës së Republikës, kohë edhe kur pensionohet. Nga një bisedë e zhvilluar në qershor 2000, mësojmë mjaft të dhëna interesante për ecurinë e Gardës së Republikës. Kështu, në vitin 1976 ajo emërtohet “Garda e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, dhe ka patur këtë strukturë organike: komandant, komisar, shef shtabi; aparati politik me 7-8 veta, ndërsa në Mullet ishte Qendra e Instruksionit, e cila shërbente për përgatitjen e gjithë efektivave të sistemit të Ministrisë së Brendshme, dhe kishte dhjetë specialistë. Në shtabin e Gardës kishte sektorë kimie, xhenio, armatimi, ndërlidhje, shëndetësie, prapavije, sekretar rinie etj. por edhe artileri kundërajrore dhe tokësore të kalibrit 12,7 dhe 75 m/m, si dhe kompani flakëhedhësish, tankesh, togë transportuesish për mjetet e blinduara, kompani transporti, xhenio, kimie dhe ndërlidhje. Tërheq vëmendjen fakti që vepronin shtatë batalione, prej të cilëve tre ishin me efektiv aktiv për organizimin e shërbimeve të ruajtjes, dhe katër me efektiv rezervist të inkuadruar në Brigadën Rezerviste. Xhafer Peçi rezulton kuadër bashkëpunues. Ai shprehet me konsideratë për sakrificat e efektivit ushtar por edhe të kuadrove, midis të cilëve veçon: Eqerem Tusha, Xhemal Morina, Nikolla Shkurti, Vangjel Kondo, Avni Gurra, Ahmet Muho, Hysni Shehu, Peçi Laska, Lulo Skendo, Dervish Lloi, Hulusi Dauti, Avzi Ahmetliu, Izet Malaj, etj. etj. Repartet e Gardës kishin detyra qartësisht të përcaktuara: njëri përgjigjej për sigurimin e Personaliteteve të Larta Shtetërore; tjetri ruante Objektet e Rëndësisë së Veçantë, kurse njëri siguronte personalitetet në shoqërim në rrugëkalim.
Çdo batalion kishte gati pavarësi veprimi, sepse kishte strukturë organike të plotë, dhe vartësi nga sektorët në Komandë dhe Shtab të Gardës. Ndërkohë, komandanti i Gardës, kur kishte probleme shërbimi, mund të komunikonte direkt me Komandantin Suprem, por edhe me Ministrin e Mbrojtjes, i cili kishte marrë detyrë nga Udhëheqja e Lartë e Partisë, sigurimin e Personaliteteve, kështu që ai edhe ndikonte te Ministri i Brendshëm. Njëherësh, me mjaft hollësi, zoti Xh. Peçi sqaron edhe marrëdhëniet dhe ndërvarësinë midis strukturave të ndryshme. P.sh Drejtoria e Dytë përgjigjej për sigurimin dhe ruajtjen e Personaliteteve të Larta të Partisë dhe të Shtetit. Ajo varej direkt nga njeri prej zv/ministrave, dhe komandohej prej atij, sepse ai njëherësh ishte edhe komandant (drejtor) i saj. Ajo kishte dy Grupet për sigurimin e Sekretarit të Parë të K Q të Partisë së Punës, dhe të Kryeministrit. Kuadrot për këto grupe kanë dalë nga efektivi i Gardës, psh. Sulo Gradeci, Ali Çeno etj. Drejtor i Drejtorisë së Dytë ishte edhe zv/ministër. Garda merrte detyra vetëm nga Ministri i Brendshëm, dhe në mungesë të tij, edhe nga Zv/ministri, që ishte edhe drejtor i Drejtorisë së Dytë. Garda merrte në ruajtje dhe administrim, helikopterin dhe avionët qeveritarë. Garda e Republikës kishte edhe nënreparte të përhershme jashtë territorit të Tiranës. Ato ishin të vendosura jashtë vend dislokimit të Gardës, vareshin direkt prej saj, dhe drejtoheshin e komandoheshin përmes Shtabit të Gardës. Konkretisht të tilla ishin në Durrës, në Pogradec, në Vlorë, në Lezhë, si dhe një vilë në Korçë. Komunikimi me ato mbahej përmes centralit të Ministrisë së Brendshme, komunikim që funksiononte shumë mirë. Ndërlidhje e pandërprerë mbahej edhe me batalionet me rezervistë, të dislokuar në rajone kyçe të vendit p sh. në Fier, në Lozhan dh e gjetiu tjetër.
Në këto vite Garda e Republikës rezulton Njësi Ushtarake e Armatosur, me organizim të lartë, e pajisur me armatim dhe mjete të tjera nga më të mirat e kohës, e gatshme në çdo moment të përmbushte detyrat, që vinin nga misioni i saj juridik dhe moral. Ajo gjatë këtyre viteve ka qenë njësia më efektive dhe cilësisht e dallueshme nga njësitë dhe formacionet e tjera në varësi të Ministrisë së Brendshme dhe asaj të Mbrojtjes. Për misionin e rëndësishëm që kishte, gjithherë ishte në qendër të vëmendjes të institucioneve qendrore shtetërore, por edhe të vetë drejtuesve më të lartë të Partisë-Shtet. Disa herë është vizituar prej tyre si dhe është trajtuar me stimuj të ndryshëm nxitës. Në këto arritje pozitive dhe në këtë udhëtim progresiv të Gardës së Republikës, krejt natyrshëm ka merita edhe drejtuesi kryesor i saj, Xhafer Peçi me përgjegjësinë e komandantit të Gardës së Republikës. Por, edhe pse i vlerësuar meritueshëm, si edhe disa të tjerë, nuk ka mundur t’u shpëtojë paradokseve të politizuara në këtë periudhë të stërzgjatur tranzicioni. Është anatemuar personaliteti dhe veprimtaria e tij deri edhe në akuza për krime, vetëm e vetëm se ka shërbyer në shërbimin e kufirit, një ndarje shoqërore ligjore e punës kjo në sistemin që përmbysëm në vitet -90-të. Sulmi ndaj personalitetit të tij ka shkuar mjaft larg, duke tentuar deri në bllokimin e dekoratave, të cilat krejt natyrshëm i ka merituar si pjesë e formacioneve partizane për çlirimin e vendit dhe si luftëtar apo si pjesë e Koalicionit Antifashist Botëror gjatë Luftës së Dytë Botërore. Por jeta ka shumë të papritura. Më 31 dhjetor 2016, kur ishte veç 90 vjeç e gjashtë muaj, në pritje të Vitit të Ri 2017, aksidentohet nga një mjet, dhe jeta e tij ndërpritet jo natyrshëm. Fatkeqësi, por edhe absurditet. Njeriun që nuk e kapën plumbat e armikut, e nënshtroi pabesisht rrota e një automjeti. Fatkeqësi, sepse para disa vitesh kishte humbur para kohe edhe djalin e tij! Por jeta fatkeqësisht mbart mjaft fatalitete dhe shumë pabesi !!!
HALIT M. GJEÇAJ: 
Gjeneral-Brigade (në pension), ish-kom. i Gardës së Republikës
SAFET N. RAMOLLI: Ish-efektiv i Gardës së Republikës.
Shkurt, 2017
Sigal