Suplementi Pena shqiptare, 28 dhjetor 2015

1089
Sigal

Hermann Hesse
Hermann Hesse lindi, më 2 korrik 1877, në një qytet pranë Calw dhe vdiq, më 9 gusht 1962 në Lugano të Zvicrës. Hermann Hesse është njëri nga shkrimtarët më të shquar gjermanë të shekullit të njëzet. Përveç shkrimeve në prozë, Hermann Hesse shquhet si poet me më shumë se 680 poezi të përmbledhura në 12 vëllime. Ishte djali i një pastori (prifti) dhe nipi i një misionari kalvinist. Ky ambient familjar ndikoi në formimin e personalitetit të tij. U dërgua të studionte për teologji, por mësimet fetare i braktisi shpejt! Punoi si mekanik dhe librar në Tübingen. Në botëkuptimin e tij moral e filozofik ishte natyralist, mistik, budist, aktivist faustian, por gjithmonë intimërisht fetar. Lufta e Parë Botërore i shkaktoi një krizë të rëndë shpirtërore. Doli haptas publikisht kundër dallgës së barbarive që përshkoi Evropën dhe madje arriti ta ndiente veten fajtor për të këqijat e kohës. Edhe më vonë, nga vetë formimi i tij shpirtëror, ishte që në fillim kundër nazizmit dhe adhuronte kulturën angleze. Hermann Hesse është poet e prozator me prodhimtari me vlera artistike të larta e sasi të jashtëzakonshme. Librat e tij me romane, poezi shkrime kritike politike, kulturore dhe letrare, mesatarisht arrijnë në 80 milionë ekzemplarë në të gjithë botën, duke e bërë kështu njërin nga shkrimtarët evropianë më të lexuar të shekullit të njëzetë. Më 1921, u bë qytetar zviceran dhe 1946, iu dha çmimi “Nobel” në letërsi.

Nasi LERA
Nasi LERA lindi më 29 Shtator 1944 në Korçë. Është shkrimtar bashkëkohor shqiptar dhe përkthyes. Ai kreu shkollën fillore dhe të mesme në Korçë, kurse studimet universitare në Tiranë. Nasi LERA njihet si prozator. Ka botuar vëllime me tregime, novela dhe romane. Nasi LERA ka bërë të njohur në gjuhën shqipe shumë autorë të huaj me përkthimet e tij.
Mikel Gojani: “Një botë letrare e pasur, e nuancuar dhe shumështesore”

Nasi Lera, shkrimtar shumë i afirmuar në letërsinë shqipe. Njihet nga prozatorët më kualitativ dhe më të frytshëm në letërsinë tonë bashkëkohore. Ka shkruar tregime, romane, por edhe ka përkthyer nga disa gjuhë të huaja shumë vepra letrare. Ka botuar këto vepra: “Duaje emrin tënd” (1999), “Të jetosh kohën” (1884), “Njeriu pa stinë” (1997), “Ana ZH” (1995), “Ulërimë e heshtur (1996), “Ngjallja e diktatorit (1992), “Bora e fundit” (1972), “Nisemi, djema! (1977), “Balada e vetvetes” (1990), “Orët e qytetit tim” (1986), “Era e pishave” (1976), “Tregime të zgjedhura” (1985), “Duaje emrin tënd (1981) etj. Jeton dhe vepron në Tiranë.

Bota letrare e tregimit të Nasi Lerës

Ngjarja plekset me lirizmin, duke e shtruar ritmin poetik të rrëfimit, thur me zotësi subjekte dramatike, fabulat janë të thjeshta e pa ndërlikime, gjë që tregon pjekurinë e tregimit letrar të asaj kohe. Këto cilësi hasen që në vëllimin e parë me tregime “Era e pishave”. Tregimet e Nasi Lerës shquhen për nga begatia e përmbajtjes e larmishmëria e trajtave stilistike, për nga procedimet e pasura narrative dhe nga trajtat e organizimit të subjektit e të kompozicionit. Nëse detajet e përzgjedhura, si element kryesor i poetikës së tregimit, bota letrare e tregimit të Nasi Lerës është e pasur edhe me procedimet e ndryshme narrative: me lirizmin narrativ, me zbërthimet dialogjike të botës intime të personazhit e, më së shpeshti, me depërtimin monologjik e me prirjen për përshkrim e vrojtim të botës përreth personazhit. Krahas shumë prozatorëve që u paraqiten në fillim të viteve ‘70 në botën e prozës shqiptare, tregimtari Nasi Lera përpos mjeteve shprehëse, përdor më mirë dialogun dhe shquan ndjenjën poetike Kështu, me tregimin “Era e pishave”, titull që mban edhe libri, autori në qendër të trajtimit artistik merr një temë dashurie: një mësuese është e zhgënjyer nga i dashuri. Përshkrimet jepen të bukura, kurse jeta e përditshme e mësueses paraqitet me detaje të përzgjedhura, të dhëna mjeshtërisht. Mësuesja gjen përkrahje te njerëzit e mirë. Këta njerëz, të ngritur moralisht e shpirtërisht, e ndihmojnë mësuesen të ringrihet përsëri e të zërë vendin e saj në jetë. Nëpërmjet vëllimit tjetër me tregime “Dita e tretë”, ky vëllim, jo vetëm që e arrin ta prezantojë denjësisht këtë tregimtar, mirëpo paraqet edhe fizionominë krijuese të tij, freskimet e temave, për zgjedhjen e lakmueshme të detajit të subjekteve. Lexuesi i mësuar me tregime të nivelit të reportazheve, të një subjekti të sforcuar me hepiende socrealiste, me montime, po ashtu të sforcuara subjektore-tematike, kësaj radhe ai po përjetonte një përmasë tjetër estetike, të çliruar përmasë që depërtonte në anën psikologjike të personazheve e në anën e brendshme të fenomeneve. Personazhet e tregimeve ligjërojnë kryesisht në veten e parë. Tri tregimet e ciklit të parë “Gëzhojat e pushkës”, /me tematikë nga Lufta e Dytë Botërore/ në Shqipëri, shquhen me vlera të theksuara përmbajtjesore e estetike. Ngjarjet e luftës i japin fytyrë dhe fizionomi karaktereve të njerëzve, por ato gjithashtu zbërthejnë edhe botën e brendshme të këtyre karaktereve, zbërthejnë psikologjinë e tyre. Në tregimin “Shiu fillon kur bashkohen retë”, shoferi i ballafaquar me shtrëngesat ekonomike, blen një makinë për të siguruar ekzistencën. Makina bëhet pjesë e jetës së tij. Kështu, shkallë-shkallë Nasi Lera me vëzhgime të holla psikologjike krijon atmosferën e ftohtësisë në mes të shoferit e familjes, sepse kujdesi për familjen dashuria prindërore e bashkëshortore zëvendësohet me kujdesin për makinën e me luftë për ekzistencë. Ndër tregimet më të bukur, jo vetëm të këtij libri, po përgjithësisht të tregimtarisë së Lerës, është ai me titull “Dita e tretë e luftimit, që ka për bazë tematike konfliktin e lindur me dy vëllezërve në fillim të luftës. Omer Halili, vëllai i Mujo Halilit, nuk ka pranuar të dalë partizan me vëllanë, prandaj gjendet në anën e forcave të rekcionit, sepse partizan qenkan djemtë e Isuf Mejdanit, vrasësit të babit të tyre. Sprova është dramatike dhe madhështore. Ndarja vjen nga jehonat e rënda të të kaluarës, por jo edhe si ndarje e prerë shpirtërore. Më shumë se sa përshkrimeve e zhdrivillimit të ngjarjeve, autori u lë hapësirë shpalimeve të brendshme. Kështu, kjo ndarje , duke u inkorporuar fare lehtë dhe disktretshëm jehonat mitologjike kombëtare, vjen si jehonë nga thellësitë vitale të qenies sonë kolektive të ekuilibruar dhe të harmonizuar përmes një mjeshtërie të rrallë tregimtare. Tregimi del si rrëfim parabolik dhe përmes emrash nga e kaluara jonë legjendare-mitologjike. Si në këngët tona epike legjendare, edhe në këtë tregim përmasat e shpalimit të brendshëm janë me përmasa mbi njerëzore, me përmasa të tilla janë edhe kur shpalohen zemërimi, dashuria, krenaria, urrejtja dhe vaji. Të duket sikur jeta në mes tyre ka krijuar një humnerë që nuk mund të kapërcehet. Dhe, pikërisht, këtu do të vendoset poenta e tregimit: a do të ngadhënjejë tërë ajo trashëgimi e pasur shpirtërore nga babai dhe Tradi, që përplasen dhe gjejnë pikëtakime me vizione madhështore të kohës, apo do të mbetet përsëri në mes tyre humnera? Mujo Halili është plagosur në një betejë dhe shërohet në një spital. Aty përballë vëllait gjendet Omeri, po ashtu i plagosur për vdekje. Takimi në lokalet e ambulancës nuk ka kurrfarë improvizimi sentimental, por dramatik, krejtësisht në heshtje. Takim sikur do të takohen dy bjeshkë, të ngarkuara me trashëgimitë historike të kolektivitetit shqiptar. Problemet morale, si dhe problemet familjare e ato të dashurisë përbëjnë boshtin tematik të pjesës së dytë të librit /tregimet:” Në hotelin e qytetit të largët”, “Nën çatinë e re në dimër”, “Mbi urë”, “Bora e fundit” dhe “Shqetësimet e skulptorit të ri”/. Nëse në lexim të parë të duket sikur këto tregime nuk kanë konflikte të brendshme, ato në vete bartin një dramacitet të fortë e të kondensuar. Te tregimi “Bora e fundit”, Sandri nuk e lë të fejuarën e tij, Teftën, të ndjekë mësimet në universitet. Mirëpo, Tefta e ka personalitetin e saj të pavarur, e cila e prish fejesën, duke sakrifikuar dashurinë ndaj Sandrit ziliqar. Te Tefta jehojnë përmallimet e të kaluarës, kurse Sandri, sado që hiqet i emancipuar, iu bindet konventave të tij. Ndërkaq, një shpalim shqetësimesh të pasura e të ndjeshme të krijuesit në aktin e krijimit, përkatësisht të skulptorit të tregimit. Shqetësimet e skulptorit të ri përbëjnë thelbin e tregimit, me poentën për ta paraqitur të vërtetën e për t`i dhënë shpirt e trajtë materies. Në tregimin “Në hotelin e një qyteti të largët”, biseda e zhvilluar gjatë një udhëtimi me një të panjohur, të duket se është aq temë e njohur dhe aq e freskët: secili prej nesh i ka rastisur të zhvillojë të tilla, por këtu ndjehet fuqia e bukuria e rrëfimit. Katër tregimet e pjesës së tretë / “Atje ku zbresin ujëvarat”, “Ti s`duhej të qaje”, “Udhëtim në dimër” dhe “Dy njerëz mes acarit:/, trajtojnë ndodhitë dhe përjetimet e jetës së shoferëve. Nëse të duket se rrëfimet janë të njëllojta dhe të përsëritur nga aspekti tematik. Lera arrin që të japë esencën e mesazhit artistik dhe poentën origjinale.

Vladimir Bizhga

Rosa e daulleve të ëndrrës…

Hënën
Si bukfike,
Mbaja,
Në duar
Dhe nata kaçurrele,
Heshtjen pikonte,
Në gjethet e limonit.
Xhironim në fushat erëmira,
vaporin e betonte,
në dete gruri…

Me një thes
ngarkuar,
me gjithë meloditë e botës
dhe një rosë arrakate,
në dasmë vrapoja.

Vapori betonit
në detegruri,
me mua
Shën Kozmai fluturonte.

Era u bie,
daulleve, të dasmës
dhe rosa në thes
egër këndonte.

Qyteti,
për dritën qëndisur,
të ëndrrës,
Dashuri e pafund,
në shpresat e çmendura..
Në fjalët e zhveshura
Ku nata shijen, humbet..

***************************
Manushaqe Çela (Moni)

O jetë!

O jetë në krahët e tua,
unë rritem pak nga pak,
me brengë në zemër,
gëzim dhe vaj.

Jam e gjitha lëng dhimbjeje
që kërkon të dalë,
por unë lotët si lë të ikin,
jetën e mburr dhe e shaj…

Ç’është një premtim?

Më the të premtoj…
E çfarë është premtimi?
Unë që prisja sot,
buzë këtij harrimi…

Ne premtojmë çdo ditë
dita sot, një premtim,
ne harruam sot premtimin,
bëmë gabim.

Ne ishim njësoj
si premtimi dje.
Buzë këtij harrimi
shpresa bën fole…

Humbas

Humbas…
Në diferencën e ngritur midis nesh…
Humbas…,
Në çdo betejë ku s’ka fitues…
Disfatë…,
Kur s’gjen dot humbës dhe fitues…
Disfatë…,
Të gjithë janë shtegtues…

S’ka gjumë

Enkas më le etur,
që gjumë mos të fle,
Hënën e bukur e vështroja dje…
Ti që shuan etje si burim i rrallë,
dhuroma gjumin me puthje në ballë…
Ti po prisje zgjimin ndaj s’me puthe shumë,
por harrove se pa puthje s’ka as gjumë…

Puthmë

Buzëqeshmë, jepëm shpresë!
Puthmë, falëm vesë!
Forca e shpirtit le të pres,
Eh,shpresa kurrë nuk vdes…

Të kërkosh falje, bëhet ves,
premton në darkë, harron në mëngjes.
Tryeza e darkës vazhdon të pres,
Puthmë, falmë vesë…!

Klaudia Malaj

Pesë minuta
Ishin thjesht pesë minuta,
në takimin e radhës.
Të shihja në sytë e tu
se dashuria nuk ka moshë.
Të shihja që aty nuk perëndonte.
Kohën, me orën, më nuk e masja.
E harrova.
Diçka ndizet përbrenda, dhe unë
emër, kam frike t’i vë.
Po, ndiej mungesën kur të largohem, ndiej.
Ti i hap krahët me forcë, me përqafim malli.
Më shpëto edhe mua në një përqafim.
Pesë minuta të takimit të radhës,
po njoh një njeri special.
Ku koha nuk ka më kohë të pres kohën
për një pesë minutë të ardhshëm…

Fshihesh
Fshihesh pas një presje,
e cila kuptimin gjithçkaje i ndryshon.
Fshihesh pas dy thonjëzave,
të cilat mijëra kuptime shtojnë.
Fshihesh pas një fraze të thjesht kuptimplote.
Fshihesh pas një pike e cila fundin tundonte.
E kështu, mijëra fjalë, tregim përshkruajnë.
Mijëra fjalë të cilat ndahen me presje.
Mijëra fjalë të futura nën thonjëza.
E shumë fraza, që u mbyllën nga ty.

Mendimi yt, është vendimi im
Nëse nuk më buzëqesh mua, nuk do qaj.
Për pak kohë do ngjall të shkuarën.
Nuk do zemërohem me stinën që na ftohi.
Në mes të nxehtit, dielli nuk ngrohte për ne.
Mos më thuaj që më harrove.
Se e kam ndjerë harresën tënde,
me kohë, e kam qarë largimin tënd.
Edhe tek mua i harruar je.
Nëse kthehesh, e më thua se më mendon,
Në krah do të të hidhem përqafuar.
Pa harrur ti hap krahët e mi.
Me një fjalë, emocionin do kthesh.
E nëse shikimi yt më vret, më thuaj si të veproj.
E nëse thua se toka nuk na mban të dy, do të bindem.
Do iki, diku larg teje, rrënjë të reja do çel.
Edhe ajër të ri do thith.
Nuk do lahem në të njëjtat ujëra si ti.
E nëse më harron, edhe unë tashmë të kam harruar.
Po nëse kthehesh se më do,
unë s’kam reshtur së dashuruari.

Mate jetën me lumturi
Mos e mat jetën me kohën e minutave të orës.
Ajo nuk i memorizon sekondat që shkojnë.
Mate me buzëqeshjet e dhëna e të marra.
Të jetë një kujtim i lumtur.
Mate me të gjitha librat që ke lexuar.
Që nuk u pluhurosën kot në bibliotekën tënde.
Mate kohën me çdo rrahje të fort zemre
Qoftë ndjenjë frike a dashurie.
Mate me gjëra të bukura.
Të këqijat mati me kohën kalendarike.
Dhe shumë shpejt do të harrohet.
Mete jetën me të pamatshmen,
që të kuptosh sa ke jetuar.

Mimoza Çobo
Ta dua fjalën trëndafil
Fjalën e trëndafiltë prej teje e dua,
nuk kam pse e fsheh aspak këtë dëshirë,
sikur çdo ditë vetëm një të më thuash,
pluhur u bëfshin të gjitha pasuritë.
S’kam qenë e pasur e s’kam kërkuar,
pasuri milionash të kem në këtë jetë,
as shtëpinë nuk kam ç’e dua,
jam mësuar edhe sipër gurit të fle.
Ndaj të lutem fjalën e mirë e dua,
në mos më ngrohtë,të më përkëdhel,
se boll të zeza veshët më kanë dëgjuar,
të më ngopet shpirti njëherë,pa le të vdes.

Për ty bija ime…
Me gjunjët përtokë si përulem askujt,
vetëm ty gjak dhe mish i shpirtit tim,
kështu të qeshur dua të të shoh gjithmonë,
si rrezja e dritës që ndriçon gjithësinë.
Ti mos u frikëso nga asgjë bija ime,
se jeta çapitet ngadalë strehës së saj,
ti përkëdhelë siç të përkëdhel unë,
rrëmbeja zemrën me dashuri dhe fjalë.

Pas teje do vijë e qeshur si manare,
dhe do të ulet si flutur mbi qerpikë,
pa do t’i puthë lehtë sytë edhe faqet,
atëherë bija ime do ndjesh mrekullitë.
Nëse udhëve të jetës gjembi të shpon,
ti mos u mërzit,por hiqe ngadalë,
se rrugës së jetës ndesh me ndonjë ferr,
që është mësuar të çjerr të tjerë.
Kur ndonjë fëshfërimë të prek me fjalë,
ti dëgjojë si fëmijë teksa e këqyrë,
nëse ja ndjen shpirtin të bardhë,
bëj mikeshën ku të derdhësh mërzinë.
Bukurinë e shpirtit e ke një armë,
që të mbron bija ime kurdoherë në jetë,
forcën më të madhe ke mendjen tënde,
përdore mirë në çdo pengesë!
Uroje jetën bijë, për çka të ka dhënë,
kërkoji me zemër një fat të mbarë,
se ti e di që ajo të mban tek sytë,
nuk do ngurojë ta sjellë të bardhë!

Ti çele herët moj bajame
Mbi sythin tënd vuri dorën më parë pranvera,
siç të prekin dashnorët në stinën e brishtë,
ta puthi sythin me afshin që ndez zemrat,
petalet i hape ngadalë ndaj të gdhirë.

Ti çele pak më herët moj lule bajamja,
paçka se shoqet akoma s’kanë çelur sythe,
do ta shijoj freskinë e pafajësisë nga brenda
por t’i mos ki frikë se petalet s’ti prish.

E zgjove natyrën dhe mua nga ëndrrat,
me vrull ja përkëdhele gjinjtë nëpër ngricë,
përsipër i derdhe aromë lulesh të bardha,
dhe syve ju pikturove rozën që jep ngjyrë.

Po kush nuk i puthi petale praruarat,
dhe mori ëmbëlsinë e jetës nëpër shpirt,
kujt nuk i fal dashuri kur të merr ndër duar,
dhe gjoksit të fut si mrekulli të bukurisë.

Mbi ty derdhi piktori më të bukurat ngjyra,
ta rrëmbeu dhe shpirtin në gji të dashurisë,
aromën e treti parfum që deh shpirtra,
me majën e penelit mbi telajon pa ngjyrë.

Në gji të natyrës pak kohë do rrish lulëzuar,
ti mos u mërzit do ta ruaj freskinë në shpirt,
e tillë do të mbetesh në afresket e pikturuar,
ku njerëzia të shijojë dhe në stinët kur s’çel ti.

Vjollca Pasku

MAT’HAUZEN I VARFËRISË
Sot natën kam fjetur me vdekjen dhe u zgjova me retë,
teksa pashë njerëz që vuanin urie me zorrë të ngjitura,
kokë, qafë, flokë të rënë, varur si në ditët e fundit në jetë,
sy të nxirë, të ngjyer nga skëterrat mbi tokë të ngritura.
Kur yjet u shuan dhe toka u njom nga bryma e ftohtë,
dikush shpirtin bëri kurban të hakmerrej ndaj varfërisë,
në një pemë u var pesha e një jete, në lakun e fortë,
ku mbylli ditët brenda rrethit vicioz të botës së mizorisë.
Tremben se ç’mund të ndodhë pas diellit të mekur
me pesë lastarët e njomë që lëshoi rrënja jote, ku i le,
zëri yt endet në kraharorët e tyre, ku rrëshqasin lotët e thekur,
“Rrituni zogjtë e mi, mua mos më zgjoni dua sa më gjatë të fle!”.
Dua të hyj në tokën e verbër pa rrugë mes të vdekurve,
në rrjedhat e nxehta të fjalëve të pathëna në këtë botë,
është e padrejtë errësira mbushur me shpirtrat e të vobektëve,
që urinë e vulosën me heshtje, dhe skamjen me lot…
Bota e poshtme më tërhoqi me zërin në veshin e heshtjes,
më tregoi pemët që vajtonin gjelbërimin e braktisur,
shpirtra ku në gjuhët e tyre rritej një rrufe mallkimi,
ku bëheshin flutura zjarri në tokën e çarë e të dirsur.
Jo, nuk dua të dëgjoj, të shoh trupa që dridhen pa jetë,
mbarimi i kohës së Mathuazenit është një gënjeshtër,
se Mathuazeni i varfërisë është ngritur në këtë vend,
ku fuqia e madhe e fjalës së bashkuar ka vdekur e heshtur.
Dua të dëgjoj muzikën e paqes shpirtërore të mrekullisë,
era të lëshoj flladin e buzëqeshjeve të sinqerta njerëzore,
engjëjt të lëshojnë anembanë në tokë farën e begatisë,
jeta në tokë të ketë kuptim, për çdo qenie tokësore…
ËNDRRA TË VRARA
Sa ëndrra flenë, sa ëndrra u vranë në kraharorin tim,
stuhitë e përgjakshme i mbyllën në kapitujt e viteve,
një nga një ranë si pëllumba të plagosur e humbën,
copë e çikë nga këmbëza e fatit me erë të gurëzuar.
Dikur lumenjve të kulluar këndonin neraidat e ujit,
burimet e malit gurgullonin biseda me gurët e lëmuar,
fryma e ajërt ngjyhej e gjelbër nga virgjëria e natyrës
polenet e luleve qeshnin në këmbët e pranverës.
Ruajta viteve në mërgim ajër Shqipërie në mushkëri,
ndaj u ktheva me kraharor gjithë mall e duar plotë dashuri,
por nuk gjeta asnjë nerajdë në turbullirën e lumenjve,
dëgjohej vetëm çirrma e burimeve në pllajat qose që ishin djegur.
Asma e varfërisë endej në vetminë e shpirtrave,
fanellat e vuajtjes vishnin copëza jete helmuar,
turma psherëtimash të pandiera u nisen rrugëve të botës,
në kërkim të një xixe shprese në kurdisjen e orës së fatit.
Me dhimbje e dëshpërim kthej sytë në perëndim,
atje ku ëndrrat shpresat lindin nga një lot sysh fëmije,
do iki edhe unë por dashurinë për këtë tokë nuk e bëj haram
edhe pse ëndrrat këtu një nga një mu vranë.
RE E HESHTUR
O Zot!
Sa do të doja të shuhesha si një flakëz toke,
ku reja e tymit të udhëtonte drejt teje,
të gjeja pak prehje e qetësi që s’gëzova dot,
mes zërave të dehur pas ndonjë reje.

Lakmia dhe urrejtja ka dëbuar mirësinë,
nga gjokset e qenieve njerëzore,
kur qielli hap agun, bardhësinë,
i jep mesazhin e vet kësaj bote.

Sa herë kam dashur të zbuloj një mendim,
shoh pas syve me ngjyrimin kristalor,
zhbiroj si fijet që endin dashurinë,
e veshin shpirtin e bëjnë njerëzor.

Sa tmerr ishte të zbuloja krejtësisht,
mjerimin e shpirtrave të tokës lakuriq,
skllevër të sofrës dhe lugës së florinjtë,
gërmitës në ëndrra në parcelat hënore.

E lodhur stuhive dhe viteve në jetë,
ndihem si re e heshtur që ende jeton,
por në çast drita hyjnore më flet,
me një ëndërr të bardhë më skicon.

Dilemë: të hesht apo të luftoj në këtë botë,
për të arritur zbulimin e misterit te plotë!…

**************************************
Tyran Spahiu

MBRETËRESHA IME E JETËS

Arrestuar në mirësinë e saj
Shpesh uli kokën pyes vallë
Është princeshë zbritur nga parajsa
Apo sirenë ardhur me dallgë.

Kërkoj shtegun yllin e mbarë
Dritën hënën perëndimin e zjarrtë
Gjunjëzohem para pyes këtë shpirt bujar
Më trego çelësin e të bërit grua e artë.

Buzëqesh ngrohtë më sfidon modestia
Ul sytë thua se thotë jam e jotja
Ofroj dorën ledhatoj gishtat e mia
Buzët thërrasin rrjedhë puthja.

Rrëfehem kohës vendit pa zhurmë
Ndjenjat enden në oazën e dashurisë
Mbyllur në përjetësinë e lumturisë së amshuar
Shfryhen prekjet në trupin e ekstazës.

Shpesh shumë më mbulon krenaria
Jam unë fatlumi në këtë hapësirë magjike
Begat lundron përcjellë nga hirësia
Mbylli dyert frikësuar nga xhelozia kozmike.

JAM KUNDËR

Zbukurimit të ndyrësirave të fshehura
Martesave të rrejshme politike
Ndezjes së kandilave të mëshirës
Në kulm të dimrit polar.
Veshjes së pafund të intrigave
Robërimin e ndërgjegjes së nevojtarëve
Dhunimin e ligjeve të shkruara
Drejtësinë e peshoreve të shtrembëruara.
Servilët e politikës ditore
Zbrazëtitë e thesarit të djersës
Veshjet e rrejshme aristokrate
Tërmetet e mundshme sociale.
Zhveshjes së pafund të moralit
Fisnikërisë së mposhtur
Qëndrueshmërisë arrogante
Lojërave në kurriz të ardhmërisë.
Zërit të dobët të poetëve
Brushës së thyer të mjeshtërit
Roleve të shurdhër të skenës
Ndërgjegjes së vrarë artistike.

THESARI

Dhoma modeste më shoqëron
Rryma e papaguar
Fletët gjithandej
Gotat e derdhura njoftojnë.

Jam pesë gjashtë ditë pa ngrënë
Fuqia më derdhet
Këpucët e grisura janë
Ngopur me fleta të shkruara.

Ndjesia humbet
Vetëm dritarja më kujtohet
Tentoj të thërras
Ndihmë të kërkojë….

Kundërmon rëndë
Hapet dera trupi i mavijosur
Fundi i pafundësisë
Poeti prehet në varfëri.

Ngrita duart e arta
Të të falënderohem
Të kujtoj për fletat
Thesarin e lënë.

Palosur mirë
Fletat e zverdhura
Dritën e shijojnë
Në botimet e shumta.

Frikohem nga zëri im
Mendimet dhe ndjenjat
Mos vallë dëgjon kush
Për thesarin tënd të shkruar.

Në moshën e vonshme
Ndërgjegjja troket
Ndiej dhimbje të hatashme
Të poezisë së vjedhur.

Dëgjomëni ju të nderuar/a
Mëkatin tim të mëkatuar
Poezitë e poetit të ri
Unë i kam përvetësuar….

Alma Feruni
GJINKALLË…
Gjinkallë, sa fjalë, fjalë, nën strehën valë
Sheh dhe përqesh gjithë botën mbarë
Dhe burri i shkretë, i huaj në shpi
Ti bëke ligjin, ai heshtur rri…
Gjinkallë e dashur, kur ishe vajzë
S`të deshte fati, qeshje për hallë
Tani je kthyer, dame goxha dame
Dhe sheh dhe retë, sa vite marazë…
Gjinkallë e shtrenjtë, që gërryen çdo ditë
Kjo jetë s`ka besë, gjykim përditë
Pa vellon e nuses, kush natë ty ta hodhi
Tani sheh përbuzë, vështimesh përvoli?
Gjinkallë e dashur, në ke perëndi
Lëre pranverën…lulëzim ndër sy…
GJITHMONË…
Gjithmonë do kthehem aty
Në dhimbjen e brishtë.
Në lotin e patharë.
Në buzën mall sa mall
Ndërsa agu, era shiu.
Më bëjnë aleat…

Harallamb Kota

KËNDO PËR MUA

Ti vajzë këndo për njerëzit,
Buzëqesh për pranverën,
Këndo për diellin,
Vallëzo për lumturinë.

Ti vajzë këndo për mua,
Në agime lind me diellin,
Freskinë përtërije si lulet,
Që ç’do mëngjes, nga gonxhet dalin.

Ti vajzë këndo për mua,
Këndo për dashurinë,
Duke më vështruar,
Më ngjall përjetësinë.

Ti vajzë këndo për mua,
Një fjalë dua të them,
Shpërthimin e dashurisë,
Në këngë unë ta ndjej.

Këndo për mua o vajzë,
Për mua që rri dhe mendoj,
Kuptomë këngën e zëmrës time,
Të dua, të dashuroj.

Një fjalë të vetme, dua të them,
Dëgjomë në heshtje,
Një fjalë për dashurinë,
Një fjalë për lumturinë.

I çiltër jam, të çiltër të dua,
Dashuria, ne, të na përkas,
Perëndimet e diellit të shohim,
Agimet të na gjejnë bashkë.

URBANI I LARGËT

Larg e larg shkon urbani,
Ecën ai mbi asfalt,
Kokën e kam mbështetur mbi xham,
Sytë vështrojnë humnerat qark e qark.

Me shpejtësi ecën urbani,
Rreshket ai mbi asfalt,
Unë fundosem në mendime,
Shoh shkretëtirat e Saharas.

Mendimi shkrihet me të vërtetën,
Male, male, rreth e qark,
Ku po shkoj që s’ka të sosur,
Kaptoj mal’, e lë një mal’.

Ecën urbani, njerëzit lodhen,
Disa koten, e disa shtriqin trupin,
Muzgu bie dalëngadalë,
Rruga zgjat,e nuk mbaron.

Ku po shkoj kaq i mërzitur,
Përse mendohem kaq shumë vallë,
Kë lash mbrapa plot me derte,
Qe trupi zëmrën dot se mban.

Ikën trupi, mbetet zemra,
Në Tiranë mendjen kam,
Urbani rreshket mbi xhade,
Lëmë nga prapa gur dhe njerëz.

Ecim, ecim e s’ka të sosur,
Si s’mbaroi kjo xhade,
Më ngjan udhë e shkretëtirës,
Udhëtojmë mbi një deve.

Rruga zgjat, e nuk mbaron,
Autobusi, ecën mbi asfalt,
Kam harruar ku jam nisur,
Kam harruar për ku jam.

TË PRES

Ti larg do të më kesh,
E unë nuk do të shoh,
Mëngjesi që do të ndahemi,
Do të jetë mëngjes i ngrohtë

Ti larg do të më ikësh,
Në sytë e qeshur bulëzon një lot,
Do ta mbaj në pëllëmbë të dorës,
Në ç’do kohë do ta shoh.

Ti larg do të më ikësh,
Do ndahemi si dallëndyshet,
Që me ankth,
Presin pranverën,

Ti do jesh larg, unë do të pres,
Zëmrat kanë ndalur,
Më e përmallur do të më kthehesh,
Zëmrat do na rrahin fort.

Ti do të më ikësh, unë do të mendoj,
Mendimet do na shkrihen bashkë,
Mendimet do qëndrojnë të forta,
Mendime si vrulli jonë.

Kur të jesh atje tutje,
Për mua ti mendo,
Hidh vështrimin horizonteve,
Në qiell do fluturoj.

Pranë teje, atje larg do jem,
Prekmë, folmë, më shiko,
Mendimin, mbaje të lidhur tek unë,
Të pres, vrapo.

Të pres, ti shpejt do vish,
Në mbrëmjen e ngrohtë do kthehem,
Me krahët hapur do të pres,
Mbushur plot dëshirë.

Petrit Malushi

“Livadhet e dashurisë”, shpirttrazimet e Përparim Hysit
Krijimtaria e deritanishme e Përparim Hysit është një mozaik ku mund t’i gjesh të gjitha ngjyrat, nuancat e vezullimet. Shprehem kështu duke patur parasysh tematikën që ai rrok në prozë e poezi, me tregimet, esetë dhe vjershat e botuara në shtypin e shkruar (veçanërisht elektronik , “Fjala e lirë” zë vendin e parë), apo titujt e vëllimeve të përmbledhura herë pas here. Është vështirë dhe e pamundur që në një shkrim të analizohet e gjithë krijimtaria e këtij krijuesi që për çdo “fidan në parcelat e vreshtit të tij” punon me shumë merak, nga përzgjedhja e “varietetit” (temës, fjalorit, figurave letrare, elementet e metrikës, kuptimin gramatikor e funksionin stilistik) e deri në vjeljen e frytit të pjekur mirë (kompozimin e të gjithë elementeve), për t’ia servirur lexuesit. Të pretendosh diçka të tillë do ishte një sipërmarrje dhe modesti e tepruar. Shpirti krijues i Përparim Hysit mbresohet , regëtin e pulson edhe ndaj një vegimi, çasti, situate, mjedisi, personazhi apo gjithçkaje rreth tij, që për dikë tjetër nuk del mbi nivelin e të zakonshmes. Çdo lexues që ka patur rastin t’i përkushtojë pak kohë dhe vëmendje një tregimi, një vjershe, një vëllimi të këtij autori e vëren lehtësisht këtë veçori. Të tjerë , që nuk u është fashitur pasioni për letërsinë dhe ia kanë lexuar të gjitha titujt, mbase do të kenë të njëjtit mendim me mua, se lajtmotiv ka dashurinë, jo në kuptimin e ngushtë por në atë universal. Kështu, veç të tjerash, gjashtë vëllimeve të mëparshëm : “Rektimat e dashurisë”, “Prush i dashurisë”, “Më piku dashuria”, “Luftë me dashurinë”, “Mbeta dashurive”, “Eh, si qenka dashuria” , ai këto ditë u ka shtuar të shtatin, titulluar “Livadhet e dashurisë”, redaktuar nga Duro Mustafaj dhe botuar nga shtëpia botuese “ILAR”. Larmi çastesh e përjetimesh Këtë herë, brenda “vijës së verdhë” të livadheve të dashurisë së Papit, lexuesi gjen ngasje e përjetime emocionale të buisura, çelura, lulëzuara a të penduara gjatë një “Mbrëmje pranverore”, kur “Shikoj tënden fotografi”, “Mbrëmjen pres me frikë”, “Zë e zihem unë me vjershat”,kur e ha egërsisht “Një mendim”, tek “E, çfarë pastaj?!!!”, “Llamburit”, “Është me fat”, “Ky shtat”, “Më duket”, “Kur…”, “A…”, “Ja !”, “Një palë sy”, “E dashur”, “Diçka…”, ”Soditje”, “Më tërbove”, “Të dy vetëm”, “Si ?!!!”, “X”, “Kokë ! Moj kokë!”, “Dashuria”, “Je e bukur”, “Pllaja”, “Ku je sot?!!!?”, “Sa bukur kur ke të dashur”, “Mikja në klub”, “…dhe më thonë”, “Në dhomën time”, “A më lë ?!!!”, “Ti”, “Flladi I majit”, “Sa kam pritur !”, “Si s’mu ndave, o moj mike ?”, “E dashura ime”, “Dashuroj” “Letër për një mike të vjetër”, “Dalldi” , “Sa herë të kujtoj”, “Sa vendos …” (që të mos shkruaj…) f.82 “Dal e pres”, “Sytë e blertë”, “Livadhet e dashurisë” etj. Tërheqja e lexuesit Përparim Hysi në këtë vëllim arrin ta mbajë ndezur kureshtinë e lexuesit e ta tërheqë atë me ëndje nga faqja 3 deri në të 94-n, me të 86 vjershat duke e zbuluar “sekretin” e krijimit të tyre vetën në pesë strofat e vjershës së fundit, “Livadhet e dashurisë”, ku shprehet: “Livadhet e dashurisë I kullota/ atëherë kur qeshë djalë/ duket me dashuri nuk u ngopa/ dhe tash që jam kokëbardhë (strofa e parë)…. Tani I moshuar jam me thinja / Livadhet që kullota I kujtoj/ Oh, asnjëherë me dashuri nuk u nginja/ dhe, përmes vargjesh ,rënkoj ”. Pra atë që ndjen ai e shpreh në mënyrë të drejtpërdrejtë , me individualitetin e tij, pa stërhollime e artifica. Situatat janë të besueshme e jetësore , se gjithkujt ia ka ënda të jetë pak Përparim, para syve të bukur , buzëve të ëmbla, flokëve të farfuritur, fytyrës së pastër, trupi të hajthëm, të ëndërrojë, meditojë, të ahojë… Mesazhe të kapshëm Në këto poezi ritmi është I shpejtë, nuk ka stërzgjatje dhe lexuesi arrin pa u sforcuar e lodhur në thellësi të fabulës për të marrë mesazhin. “Nga larg … a më sheh ? Bëhem trim/ dua të më japësh një mundësi/ fale “adoleshentin” Përparim !/ se nuk ka trimëri në dashuri” (E kotë f.4), “E rivë fotografinë prapë në album/ e shpirti më dhemb si t’më bien me plumb” (Shikoj tëndej fotografi f.5), “Mëkat nuk është ; nuk dua ta besoj/ kjo ndjenjë lind si vetvetiu/ më jep të drejtë kush di të dashuroj/ se vjen papritur, tek ti çilimiu” (Më duket f.12) “ Zë këndoj bilbil gjyzar, me ngadalë e shtruar-shtruar/ dreq-o plak e mallpashuar; përjetësisht, I dashuruar” (Mos më thoni f.13), “Ky shtat hirëplot, ky shtat i derdhur/ dhe syri që kullot azat duke bredhur “ (Ky shtat f.18), “Se zogun e pata ndër duar/ dhe, sakaq atë e lëshova/ këtë vjershë për ty e kam shkruar/ moj mikja ime nga Drenova” (Kur…f.20), “Ja e hape kraharorin / ja e hape po tani ?” (Ja! F.24), “Pa hapi krahët moj e dashur/ hapi dhe zgjati nga unë… Po nëma atë buzën e nxehtë/ mbi të të vë buzën time…Zbërtheje të lutem fustanin/ ku fshihet gjiri i bardhë… Ah malli yt se ç’më bëri / Më çmende e dashur !Më çmende…” ( E dashur f.26). Pasuri figurash letrare dhe elementet e metrikës Nëpër vargje dhe strofa intensiteti i veprimit rritet duke i ngarkuar fjalët emocionalisht apo nëpërmjet kontrastit. “Mu afrove , mu afrove/ U tërbofsh! Më tërbove” (Më tërbove ?!!! f.33), “Fshatari me kokën si shpellë/ Përbri e shoqja si hënë” ( E shoqja e fshatarit !!! f. 46). Figura letrare mbizotëruese është epiteti që i përzgjedhur me kujdes e shije të hollë, në çdo rast i bën vargjet të lehtë dhe forcon muzikalitetin së bashku me aliteracionin, qoftë asonanca apo konsonanca. “Ti ke një nur mu si hënë e plotë/me buzët e kuqe e vetullat e harkuara” (Je e bukur f.52), “Hundë të hollë e buzë të plota/ dhëmbë të bardhë e krejt fildish” (Ku je sot ?!!! f.55). Në këtë vëllim autori nuk ka përdorur strofa monokolon, por ka punuar me vjersha me strofa katërvargëshe. Vargu më i pëlqyer është ai tetërrokësh, ndërkohë që ka edhe gjashtërrokësh p.sh te “Llamburit”f.16 (Qe si vetëtimë/ mu në mes të territ), dhjetërrokësh te “Më duket” f.19 (Më duket sikur kam shkelur një xhind/ dhe ky tanimë me mua po hakmerret), dymbëdhjetërrokësh te “Soditje” (Afrohem ngadalë mos të zgjoj nga gjumi/ tani më s’jam gjallë ika unë malumi) e gjashtëmbëdhjetërrokësh te “Është me fat” f.17 (Kush të sheh ty përditë, besë e Zotit, është me fat/se ti je porsi drita, të sheh ty dhe s’ka më natë).

***************************************

“Sjellja e pëlqyeshme dhe mënçuria në komunikim. Çelësi i lumturisë dhe i humanizmit”.
SEFER PASHA

“Poshtë shkollës së fshatit Kakavijë një fshatar kishte një kopsht rreth 200 metra. Kopshtin e kishte mbjellë më grurë. Gruri qe në të pjekur. Fshatari e kishte tëharrur grurin dhe kallinjtë e tij ngjanin si napa djathi. Çdo ditë kopshtin me grurë e ruante djali i vogël i fshatarit. Ai i binte një teneqeje dhe u sokëllinte sorrave, të cilat vinin që nga fshati Mavropull i Greqisë dhe çukisnin kallinjë e grurit. I bukuri djalosh lodhej gjithë ditën në pikë të diellit gjersa zinte nata dhe tufat me sorra largoheshin për në pyjet e Mavropullit dhe të Aranistës.
Një paradite së bashku me Pilon po rrija poshtë kopshtit, ku luanin futboll një grup fëmijësh të fshatit. Djaloshi që ruante grurin e kishte braktisur urdhërin e të atit dhe kishte zbritur ne livadh e po luante me shokët. Ne atë fushë të thjeshtë luante dhe Vasili. Ishte viti 1983. I zoti i kopshtit vjen befasisht dhe vë duart në kokë kur shikon ushtrinë e korbave, që po e bënin lëmsh kopshtin me grurë. Ai i revoltuar i tremb sorrat dhe djalin që po luante futboll e fyen dhe e shtyn me duar. Unë nuk e harrova kurrë atë pamje të trishtueshme.”
Nga ditari

Rastësisht pashë në librarinë “Adrion” kopertinën e një libri ngjyrë qielli që më tërhoqi. Dhe emrin e Vasil Naçit në ballinën e librit. Më tërhoqi vemëndjen pamja e kopertinës dhe emri i autorit. Emri i Vasil Naçit ishte i njohur për mua, por jo si autor librash. Do të jetë ndonjë Vasil tjetër thashë me vete dhe mora një tjetër libër në dorë mbi intelegjencën e Leninit. Por pas pak u pendova dhe e mora librin me autor Vasil Naçin. E shfletova nga fundi. Kur pashë fotografinë u binda. Po thashë me vete. Qenka libri i Vasilit që njoh mërmërita dhe librin e bleva. Në bibliotekën time librin e lexova për tre ditë. Kur mbrrita kah fundi më lindi ideja për të bërë një ese, por brenda meje ndjeva një lëkundje nëse autori ishte autentik. Mos librin e kishte bërë tjetërkush. Dhe librit iu riktheva. Mbajta shënime për identitetin e filozofisë së rrëfimit, i pashë një për një kryetitujt, cytjet e fjalëve, antropologjinë e gjithë veprës, sinonimet, tharmin e gjuhës së kakaviotit, kremin e shpirtit, ndrydhjen për të mos dal jashtë realitetit, sensin personal të djaloshit ambicioz, lidhshmërinë emocionale, strukturën e fjalive të mirëmenduara, shumësinë e fakteve psikologjike, të qenurit tejet modest, stilin e thukët, sintaksën dhe strukturën e gjuhës, vijëzimet e fatit, kredon e të atit, Pilos: – “Jeto dhe fal”, të qenurit sharamant, skrupuloz në përqasjen e subjektit, i brisht dhe me ndjenja të natyrëshme, togëfjalshat si gur qemeri, struktura e fjalive pa retush dhe të gjitha idetë filozofike kishin tagrin për të përcjell mesazhe shprese. Nuk vihej në dyshim se përpara meje po shpalosej maksima e shkrimtarit dhe e filozofit Vasil Naçi. U binda që në krye të herës se kisha të bëja me penën dhe me një anë të panjohur të Vasil Naçit. Në çdo kapitull të librit që e lexoja dhe mbaja shënime sillja në mendje thënien e Dostojevskit se: – “Botën do ta shpëtojë e bukura”. I gjithë libri i Vasil Naçit në substancialitetin e gjuhës dhe të mendimit ka një strukturim të kombinuar me thekse profetike ndërmjet farës së modernitetit dhe forcës së shpirtit të autorit për të cilin nuk pati rrugë të mëndafshta. Udhët i ngjiti vetë me dhimbje. Dhe dhimbjet e traumat paçka se nuk duken gëlojnë në të gjithë fjalët, fjalitë dhe idetë filozofike të librit. Autori Naçi e hedh në treg këtë libër kur Shqipëria nuk po e kapërxen tranzicionin dhe në përditshmëri jeta është kaotike. Aristokrati Vasil Naçi nuk del me këtë libër rastësisht në tregun shqiptar. Virtuozi kakaviot e nxjerr librin: – “Sjellja e pëlqyeshme dhe mënçuria në komunikim” si një poemë epike pas një përvoje të gjatë në biznes dhe në kontakt me realitetin e ashpër, të cilin ai vetë e vuajti gjer në pikën më skajore. Nuk ka pikë dyshimi se esteti dhe filozofi Vasil Naçi shumësinë e burimeve e ka që në famijen e tij tradicionale. Aty fillojnë shtytjet fillestare siç është oda e Kakavijës si një “kuvend” i vogël i filozofisë. Prej andej vijnë metaforat e zakoneve të moçme, koloriti i gjuhës, ritet, doket, tradita kulturore, përvijojnë hyjnitë, autorët antikë, mitologjitë, risitë e sjelljes në shekuj, filozofia rracionale në mardhënie, ligjvënsit hyjnor, gjerdanët e dokumentave të arkivave, dëshmitë e vjetra të mirseardhjeve, ceremonitë në dasma e në morte, kultet fetare, theqafjet e të pabesëve, kodi etik i udhëtarit, fisnikëria e muzikantëve, burrat me qibër që dinë të thonë tunjatjeta, thëniet e korifenjëve të kulturës kombëtare dhe botërore, idhtarët e komunikimit mbarëplanetar, gojdhanat për sjelljet e njeriut, kompleksiteti i mardhënieve në shoqërinë pluraliste, përjetësimet në mëhallë, fis, fshat e qytet, mendësitë e emigrantit, epigramet filozofike epiriotikisht dhe të qenurit në identitet me fatet e vetes dhe të atdheut.
Duke i lexuar një për një pesë parimet bazë të sjelljeve të pëlqyeshme të cilat shqyrtohen në librin e Naçit si: – Respekti: – Ndershmëria: – Dashuria: – Shprehja e mirënjohjes dhe Falja, autori aktivohet jo i kodifikuar, por ai sfidon në mënyrë të rrokëshme vakumin që ka kjo lëndë në jetën tonë të tarzuar e të mbushur me ngjarje të rënda. Autori Vasil Naçi nuk rriskon, s’analizon ngjarje as në spektrin politik, nuk depërton tek vulgarja dhe as jep sirenat e alarmit për ato që ndodhin në vendin tonë. Jo. Ai pamëdyshje ridimensionon pakrahasueshëm idetë e tij psikologjike, filozofike, etike dhe shoqërore. Dhe kështu në çdo faqe e fjali të librit lexuesi gjen në përkryeshmërinë më të madhe të gjithë tragjikët e kësaj kohe të ashpër që ecin kuturu e shkelin çdo ligj e etik. Natyrisht që autori nuk merr përsipër rolin e “dhaskalit”, as fletë për medoda strikte. Por ai nëpërmjet muzës së tij i mëshon dijes, studimit, paqes, ligjit, drejtësisë, ndjenjave, gjuhës së folur, virtutit dhe fjalës së mirë mesveti. Në këtë libër Vasil Naçi e percepton realitetin e sotëm në mënyrë unikale. Në këtë këndvështrim autori të magjeps me mrekullitë e ideve për një shoqëri si jona në zgrip të ekzistencës. Në kapitujt e librit mungon falsiteti, lexohet mjedisi i ndotur nga mentaliteti dhe u lihet shteg i hapur linjave intriguese. Është risi e veçantë mishërimi i energjive të autorit edhe për momentet e begata, por edhe kur mbikqyr bëma sjelljesh të papranueshme. Vasil Naçi në veprën e tij është novator, frymëzues, i kundërpërgjigjet bastardit, që vepron dhelpërisht dhe me ngjyrime të theksuara, si natyrë e ndjeshme që është, pa komplekse ngjiz si vizionar ato ide që i duhen njeriut të thjeshtë dhe një parlamentari. Në kapitujt e librit shtrohen shumë “pse” nga lexuesi. Jeta vërtetë ka çaste misteri, por matja e suksesit, shpresat dhe ëndrrat vijnë si rrjedhojë e të qendruarit me këmbë në tokë. Pakkush si Vasil Naçi, i cili vetë nuk ka qëndruar në periferi të jetës, i sheh sukseset në çdo fushë si rrjedhojë e një disipline të fortë, të bësh kërkime të mirfillta e të ngulmosh tek dhuntitë. Arritjet vijnë nga engjëlli e jo nga djalli, nga thjeshtësia e modestia, ti besosh sjelljes, mendimit, qartësisë, bukurisë, qibrës, erudicionit, përjetimit, paanësisë, simpatisë, mospajtimit me të keqen, urimit dhe qortimit. Autori e thotë hapur se pa revolucionin mendor të sjelljes së nyjëtuar dhe pa ndërtimin e vetëdijes ndjenjore nuk mund të ndërtohet një shoqëri e shënjtëruar. Kur e lexon rresht për rresht e fjalë për fjalë kapitullin: – “Çfarë e dallon njeriun e sjellshëm” bindesh se autori Vasil Naçi ka si objekt adhurimi e përqasje biblike, klithjen emocionale se njeriu i shoqërisë pluraliste ka si formulë magjike thjeshtësinë, afësitë menaxhese, provën e qetësisë, përjetimet intime dhe shoqërore, ndjenjat dhe parandjenjat, qartësinë dhe sinqeritetin, mostronditejn nga zhgënjimet, besimin në vetëvete, energjitë dhe stilin, sfidat e kohës, jetën e rrjedhëshme, luftën me hipokritët, aventurizmin, instiktin vetëmbrojtës, taktikat me tinzarët, të jesh vetëvetja, të bashkosh vlerat, gjithçka ta zgjidhësh me studjot ligjore, emergjencat të mos çorjentojnë, cinikët t’i përballosh, të mos e ndash individin nga komuniteti, eksopzim modest i arritjeve, në mardhënie të mos krijosh atmosfërë luksi, qasju profesionistit, eksperimento, promovo talentet në punë, të jesh preciz në gjuhën e folur, autoritarizmit brutal vëri vizën, trumbeto natyrshmëri, mbaj larg mediokrit, mos i prano trafiqet e pushtetarëve, opsion i vetëm të jetë vullneti, larg shumave të majme pa djersë, analizë të ftohtë për dështimet dhe rezervo surpriza për kolektivin ku punon.
Autori i kësaj vepre Vasil Naçi e vë pikën mbi “i” tek mënçuria dhe arti i komunikimit. Kësisoj në komponentët e të gjithë veprës artikulohen nivelet e të gjitha mardhënieve. Autori është “zë” i mendësive moderne. Ai me sharmin e tij implementon në formë embrionale rregullin e sjelljeve në kuptimin tradicional, ku pikat më të rëndësishme janë respektimi i ligjeve, vështrimin kritik ndaj absurdit, arrogancës, monopolit, abuzimit, makutërisë e broçkullitjeve. Tema që rreh në këtë libër Vasil Naçi për ditët tona është delikate. Autori e dëfton dhe e analizon me kurajo e profil të lart tërë këtë lëndë, të cilën vetë e ushtron dhe është model i mendimit bashkohor. Çështjet analizohen me penën qiqër të një njeriu, i cili nuk është në zanatin e tij. Kësodore edhe për shkak të origjinës modeste, Naçi, në të gjithë kapitujt e librit nuk çalltis e as krekoset. I paisur me një numër përvojash ai shfaqet si një eseist origjinal e bash për këtë arsye indentifikon lirinë e shpërfaqur, tabllot tronditëse të realitetit të ashpër, zhytet në ferrin e mjeranëve me sjellje ordinerësh dhe në fletët e librit lexuesi nuk humbet kohë me moralizime të bezdisëshme. Domosdo që Vasil Naçi vjen me këtë libër filozofik e estetik nga anonimati. Dhe çuditërisht në trajtimin e kësaj lënde ai shfaqet i fildisht. Ai e fton lexuesin që në kohën tonë dramatike ta kuptojë sjelljen në shoqëri si detyrë e mision.

Përfundon Festivali i poezisë në Shkodër
Mes tingujve të kitarave në një ambient të veçantë, jashtë Kafes së Madhe të Shkodrës, EKO Mendje organizoi festivalin e Poezisë së Pabotueme (Dimër edicioni 5) nën kujdesin e gazetës “Telegraf”. Në dukje një vend paksa i braktisur dhe historinë që mbart brenda saj, u bë një përshtatje sikur të ishte një shtëpi e vjetër, u lexuan poezitë e këtij festivali që sa herë e më shumë po merr përmasa gjithëpërfshirëse për nga pjesëmarrësit të cilët janë edhe jashtë kufijve tonë. Edhe pse kishte shumë poet që paraqitën poezitë e tyre, organizatorët kishin vendosur që vetëm 21 të ishin konkurrentë, aq sa numri i ditës së parë të dimrit. Në çdo stinë tashmë poezia e pabotuar e ka gjetur një strehë ku mund të flasë, dhe kjo u bë traditë tashmë në qytetin e Shkodrës. Atmosfera artistike dhe vargjet e veçanta i përcollën ngrohjen ditës së dimrit, duke shënuar edhe fituesit e mëposhtëm:
Çmimin e interpretimit e fitoi Besart Jacaj
Çmimin e mediave e fitoi Egesta Trashani
Çmimin e kritikës e fitoi Melita Vjedha
Çmimin e festivalit të poezisë së pabotume e fitoi kosovarja Kaltrina Lohaj.
Ndërsa çmimin e dytë Erisad Lugja dhe të tretin Melita Vjerdha.
Si analistë të poezisë dhe juri të kritikës ishin profesor të letrave, si: Zija Vukaj,Valbona Karakaçi dhe Arjeta Kraja. Juri e interpretimit ishin aktori Agron Dizdari, poeti Pjaver Kroni dhe regjisorja Alma Hoti. Freskida Miloti

1-Fituesja e çmimit të parë Kaltrine Lohaj
ZANA ME EMNIN TEM
Prapë prite terrin e zi t’natës,
Me ardhë ngadalë te unë
E me trupin tân t’djersitun
M’i prek skutat e trupin tem,
Me mbush dashninë tânde prej burri
E prapë nëpër terr t’kthehesh hero Erosi,
Për t’ jetu n’maje t’Olimpit,
Ku çelin votë e dashnis tâne,
Votë e mkateve t’tua.
Sonte,
Copat e shpirtit tonë,
U thyn n’heshta t’zemrave,
Si n’kohën kur i bame bashkë
E tani prapë po don m’i plotsu
Me trupin tem shtalb,
Ani pse ia kam zhveshë teshat virgjinis
Te poezia jeme e fundit,
Me burrin e shekullit tem,
Kur ty t’pashë tue lujtë
Me gjinin e Razafës n’mur t’kalasë
Aty ku pinë qumsht fmijtë.
Ti kurrë nuk e ke ditë
Qi unë t’kam pa si vdes duke dashnu,
Pa zhveshë kurrë gru, as çikë,
Me atë gojë m’ke thânë atë natë,
Se ke dashnu Ajkunën e kreshnikve
Dhe i ke ra lahutës së Fishtës për telall.
Sonte,
Ti mu
Si zanën e malit dikur,
Po don mem dhunu n’plasë t’shkamit,
Po unë e kam kuptu
Qi ke pre malin me sopatë
Me t’pa të gjithë.
Sonte prapë prite terrin e zi
Dhe ik me virgininë teme t’prishun
Dhe ngjitu nëpër degë Olimpi,
E nesër t’troket n’harem
Zana me emnin tem –

2-Fituesi i çmimit të dytë Erisad Lugjaj.
Koha asht nji pê
I gjate sa jeta
E njeriu,
Nji gjilpane
Qe me pênin e kohes
Qep’ arnat e shpreses,
Lutjet drejt qiellit,
Nji jastek mbush me andrra
Ku gjume nuk ka,
Nji t’neserme
plot me t’sotme. –

3-Fituese e çmimit të tretë dhe të kritikës Melita Vjerdha
Tjetër
Nuk ma ka anda me
m’rremby nji poezi tjetër
Me u end nëpër hatlla metaforash
Me gropos andrra qe mbijnë ndër dej
e me u ba nji me deshirat
e ngujume nëpër frikna
As me u deh
e mos me njofte
gjakftoftësinë
në atë që quhet ndjenjë
e n’varg me e lanë t’lirë
Varg pa mbrojtje kundër
zgjimeve
Varg i pafund
Si rruget që më ndjekin
në terrinat e pavetëdijes
Varg i minum
me rrokje helmuese
ku pikat ne fund te tij
lindin ndijime te verbëta
Ashtu si vargu zinxhirë
me hallka mëkati
imorali, djalli…
Jo….
Asnji nga ata …
Sigurisht as nga këta ;
Skeletë narçistësh
si klloun veshun me
mantelin e mirësjelljes
Me bojë në vend të gjakut
ngjyre …
E une derdhem në himne qe trazojne shpirtin
kur vullneti thyen vullnetin
.. sepse edhe kjo mund te jete nji tjetër.
*****************************

Maki Canolli

PRISHTINA IME QYTET KRENAR
O qyteti im krenar
tek ti linda dhe u rrita,
shpirt e zemër tek ti i kam,
trupin e mbanë Amerika!

Tek ti qesha kur u gëzova
tek ti qava kur u lëndova,
ngado ika edhe shkova
kurrë për jetë nuk të harrova.

Amerikane më thonë në letër
jam shqiptare e Shqipërisë t’vjetër,
nuk të ndërroj as me ar
o qyteti im krenar.

Nuk më flenë shpirti as zemra
me bukuritë qe i ka bota,
ngrohtësi përherë më falë
e shtrenjta ime nënë Kosova!

Jo askund nëpër botë
nuk ka s’i vendlindja ime,
kryeqyteti i dytë shqiptarë
Prishtina ime, qytet krenar!

GJUHA JONË E LASHTË
Gjuha jonë shqipe
është për ne një thesar,
sa bukur e kanë stolisur
tridhjetë e gjashtë margaritarë.

Gjuha jonë e bukur
është me shkronja plot,
gjithë secila në vete
një histori na e thotë.

Xhelozonë e gjithë njerëzia
të gjithë xhelozojnë,
pse nuk janë të pasur
aq sa gjuha jonë.

Janë dëshmitarë
Dielli e Hëna dhe e tërë gjithësia,
se gjuhën tonë të lashtë
e flet edhe Perendia!

Ta ruajmë e ta duam
si një thesarë që e kemi,
para saj gjuhët tjera
kurrë mos t’i vemi!

DHIMITËR SHTËMBARI

Bluza e djalit rom

Nuz Zenuni, djalë i një familjeje rome, ishte grindur që në mëngjes në oborrin e shkollës me shokun e vet të klasës, Endrit Rolandin. Sebep ishte bërë bluza që Nuzi mbante veshur. Endriti pretendonte, se, në oborrin e vilës ku banonte, Nuzi ia kish vjedhur!
Në një kthesë të rrugës grindja kish arritur kulmin. Endriti e kish rrëzuar Nuzin përtokë, duke ia përplasur kokën në një mur prej gurësh. Dhe gjaku i kish skuqur fytyrën, madje edhe teshat deri posht.
Rasti e solli që aty të kalonte një punonjës Policie. Teksa e kish parë djalin rom në atë gjëndje, e kish ngritur, ish munduar t’i fshinte gjakun dhe e pat marrë me vete. Ndërkaq, kish marrë edhe djalin tjetër për në Komisariatin e Policisë. Dhe i kish futur në zyrën e shefit të Krimeve.
– Cilët janë këta djem?! – kish pyetur shefi i zyrës.
– Janë shokë të një shkolle, madje të një klase, – i qe përgjigjur punonjësi i Policisë, – por janë rrahur për çështjen e bluzës së këtij djali.
Dhe kish bërë shënjë drejt Nuzit.
Ndërkohë që e pat nisur Policin që të sillte ujë e ndonjë ilaç për të larë e mjekuar plagën e Nuzit, shefi i Krimeve kish filluar t’i merte në pyetje:
– Si ju quajnë? – i qe drejtuar djalit buçko që kish dëmtuar shokun e vetë.
– Endrit Rolandi.
– Ku punon babaj juaj?
– Në Kryeministri.
– Po juve si ju quajnë?
– Nuz Zenuni.
– Ku punon babaj juaj?
Djali kish heshtur. I bërë flakë në fytyrë, pat ulur kokën.
– Po ju pyes, ku punon babaj juaj? – pat ngulur këmbë shefi.
– Nëpër kazanat e plehrave …
Shefi qe ngritur nga vendi dhe i qe afruar Endritit.
– Përse e ke goditur shokun tënd?
– Nuk e kam goditur, zoti shef. Atij i rrëshqiti këmba dhe ra vet …
Nuzit nuk iu durua pa folur:
– Zoti Polic, ky më rrëzoi dhe ma përplasi me forcë kokën në mur!…
Dhe kish filluar të qante.
Shefi ia pat ngulur fort sytë Endritit dhe i qe drejtuar:
– Çfarë kërkon ti prej Nuzit?
– I kërkoj bluzën. Ma ka vjedhur te vila ime. Është hajdut i poshtër!
Ende pa e mbaruar fjalinë, kish ndërhyrë Nuzi:
– E dëgjon si më fyen, zoti shef?! Edhe pse detyrat e shtëpisë nga unë i kopjon rregullisht çdo ditë, kështu më fyen vazhdimisht …
Kish qendruar një hop dhe pat vazhduar:
– Nuk e kam vjedhur bluzën, zoti shef. Më besoni! Ma ka prurë babi.
Endriti e pat shikuar tërë urrejtje shokun e vetë dhe pat folur:
– Babi këtë bluzë ma ka blerë në Parisin e Francës…
– Gënjen, zoti shef. Babai e ka gjetur në kazanin e plehrave…
– Ma ka blerë babai në Parisin e Francës, – ngulte këmbë Endriti.
– Ma ka gjetur babi në kazanin e plehrave, – kundërshtonte fort Nuzi.
Shefi u bëri shënjë të heshtnin. Dhe pat shkuar në kolltukun e vetë.
– E ke numrin e celularit të babit tënd? – i qe drejtuar Endritit.
– Si nuk e kam!
Dhe ia pat treguar.
Shefi kish formuar një numër dhe pat filluar të fliste me të atin e Endritit.
– Si, si?! Djali im në Komisariat?! E përse?! – qe dëgjuar tjetri të fliste.
– Nuk është gjë për t’u shqetësuar, por, në qoftë se keni kohë, mund të kaloni këtej për një sqarim fare të thjeshtë.
Nuk kishin kaluar as dhjetë minuta dhe te dera e Komisariatit qe ndalur një “Benz” i zi. Qe hapur dera dhe nga brënda pat dalë një burrë i bëshëm. Pat përshëndetur oficerin e Rojës dhe pat ecur në drejtim të zyrës së shefit.
– Babaj i Endritit? – i qe drejtuar shefi.
– Po, ai jam; Alfred Rolandi.
Shefi i qe afruar të porsaardhurit dhe kish nisur t’i thoshte:
– Këta djem janë grindur mes tyre. Ja, për çështjen e kësaj bluze …
– Po, është e djalit tim, – nxitoi të thoshte Alfredi. – Ia kam blerë, më duket… në Londër.
– Jo, babi, – e pat korrigjuar i biri. – ma ke blerë në Paris.
– Po, po, saktë; në Paris ta kam blerë…
Kur dëgjoi të flitej kështu, Nuzi pat ndërhyrë pa marrë leje:
– Bluzën ma ka prurë babi. E ka gjetur në kazanin e plehrave.
Alfredi e pat shikuar me bisht të syrit dhe i qe drejtuar:
– Mirë që e ke vjedhur, mor djalë, po përse nuk e pranon?!
Shefi nuk kish dijtur si të vepronte. Dhe nuk kish munguar ta shprehte këtë mëdyshje. Mirëpo i pat ardhur në ndihmë vet i ardhuri prej Kryeministrisë:
– Këtë e zgjidhim tani, shpejt e shpejt.
Dhe pat nxjerrë celularin, pat formuar një numër dhe …
– Alo! Erestina?
Bashkëshortja i qe përgjigjur nga andej ku gjëndej.
– Në Bruksel jeni, apo në Londër? – e pat pyetur Alfredi.
Erestina pat vazhduar t’i përgjigjej nga larg.
– Të shqetësova, grua, për çështjen e një bluze të kuqe që kemi pas blerë në Paris … Si, si?! E keni hedhur ju vet në kazanin e plehrave! Si, si?! Nuk të ka pas pëlqyer ngjyra e saj! … Po, po; e kuptova. Hajde, mirëardhsh, e dashur!
Pat mbaruar telefonatën dhe Alfredi i qe kthyer shefit të Krimeve:
– Ta gëzojë bluzën! E paska hedhur vet bashkëshortja ime në kazan…
Sakaq, përmes dritares Alfredit i patën shkuar sytë në rrugë, te “Benzi” i tij. Në çast pat hapur derën e zyrës dhe kish nisur të gërthiste me zë të lartë:
– More maskara, a nuk e shikon se po ma bën pis makinën me atë palo
thes që mbake në krah?!
Dikush, që nuk i dukej as fytyra për shkak të thesit të madh që mbante mbi shpinë, mundohej të kalonte në rrugicën e ngushtë që ish krijuar prej “Benz” – it të ndaluar. Teksa qe kthyer në drejtim të atij që i pat gërthitur,atij i qe çarë thesi dhe disa kanaçe i patën rënë mbi veturë.
Nuzi pat ngritur sytë drejt shefit dhe, me ton lutës, i qe drejtuar:
– Më jep lejë të shkojë për ta ndihmuar?
– Atë maskaranë do të ndihmosh?! – qe dëgjuar të thoshte Alfredi.
Si të ishte zënë në faj, Nuzi pat ulur kokën dhe pat vazhduar:
– Ai është babi im!
Dhe pat nxituar drejt atij që vazhdonte të mblidhte kanaçet.
Me sy disi të përlotur, shefi i Krimeve pat vazhduar t’i ndiqte me vështrim, deri sa at e bir qenë zhdukur mbas një pallati.

MYRTEZA MARA SHKRIMTARI I VITIT NË GREQI

Gëzim Llojdia
1.

Shkrimtari dhe poeti nga qyteti i Vlorës Myrteza Mara është shpallur shkrimtari i vitit në Greqi,ndonëse jeton dhe krijon në Shqipëri .Shtëpia botuese “Kaskanidis” me qëndër në Athinë ,Greqi i jep Myrteza Mara çmimin: “shkrimtari i vitit ” për novelën “Lisiana”.Në fakt në 30 janar do të bëhet promovimi i tre librave të shkrimtarit dhe poetit vlonjat Myrteza Mara nga shtëpia botuese” Kaskanidis” në Athinë me shkrimtaret grek te Athinës, përfaqësues nga ambasada dhe krijues shqiptare që jetojnë në Greqi.Është kjo shtëpi botuese do të realizoj dhe do të hedhi në botim në anglisht,frëngjisht,turqisht tre libra të autorit vlonjat M.Mara. Pas një sërë suksesesh të shumë krijuesve vlonjatMyrteza Mara, mbetet një shkrimtar që po plotëson kuadrin e plotë të tij me botimet e fundit. Prej një periudhe 15 vjeçare ai sjell rreth 25 botime, që janë libra në gjinitë e prozës, poezisë. Shfaqet edhe romani,novelat apo gjinia e shkurtër tregimit. Myrteza Mara aktualisht është kryetar i një ndër klubeve më të gjallëruara në jug të vendit me emrin e shquar të shkrimtarit Petro Marko.
2.
Myrteza Mara merr çmim e madh ndër fund vitit 2015, me një një ndër romanet e botuar në Shqipëri në gjuhën e prozës, siç është romani ’Lisiana” dhe me dy botimet e tjera në prozë si dhe një përmbledhje me poezi. Përkthyesja e talentuar, Dr. Anna Ballabani (Balanou) e cila bëri të flas në disa gjuhë të Evropës prozën dhe poezinë e M.Marës,kA përkthyere dhe disa autorë të tjerë shqiptarë .Ç’është proza. Përkufizimi i saj tash prej vitesh gjendet në librat teorik të letërsisë shqipe. Mirëpo poetja M.Ahmeti ka bërë një përcaktim të shkëlqyer për të treguar se çfarë është në të vërtetë .Poezia e keqe është prozë dhe se proza e mirë është poezi.
Kryetari i klubit ‘Drita” në Athinë ,shkrimtari Nase Jani shkruan kështu për novelën Lisiana. Novela “Lisjana”, e botuar më 2007 dhe e ribotuar nga Shtëpia Botuese “Toena” më 2008, është dëshmia më e mirë e një proze të bukur poetike. Të bësh një përcaktim të tillë për një libër të tërë me 88 faqe, nuk është e lehtë. Duhet një artist i mirë i mendimit dhe i fjalës, që të arrijë të mbajë një novele të tërë me dallgë poetike brenda. Mund të them se është novelë e tipit Çehovjane, por e kohëve moderne të shekullit të XXI. Shkrimtari tregon në vetën e parë, komunikon me personazhet, ashtu siç do ai e ashtu siç di ai, ndërton marrëdhënie njerëzore të pranueshme nga lexuesi, por edhe të pa pranueshme nga lexuesi, (se ndryshe s’kishim pse të shkruanim për këtë shkrimtar) thyen “tabunë” e ndarjes së brezave me kryefjalën “dashuria nuk njeh moshë”, e respekton jetën në të gjitha etapat e saj, duke i dhënë asaj kuptim…“Gjëja më e mirë shkruhet kur je i dashuruar”-shkruan Ernest Hemiguej. Dua ta besoj Hemiguejn! Por shkrimtari nuk dashuron si njeriu i zakonshëm. Vetëm kur dashuria kthehet dhimbje dhe vuajtje, ai mund të jetë i sigurt për atë që shkruan. Dhe vepra e tij letrare gjen lexuesin që meriton. Novela “Lisiana”është bërë më tepër pronë e rinisë, duke kaluar nga njëra dorë tek tjetra, bile edhe duke e fotokopjuar. Kur ndodh kështu, në kohën që lexuesit i janë larguar shumë librit, është një sukses i kuptimtë i shkrimtarit dhe një mësim për shumë shkrues, që pandehin se bëjnë çudinë duke nxirë fletët me germa, pa bërë dot letërsi të vërtetë. Le të lexojnë “Lisjanën” edhe ata që të mësojnë si shkruhet bukur proza”.

Proza e Myrteza Marës është një poezi e bukur. Proza e Myrteza Marës në përgjithësi karakterizohet nga rrëfimi i sinqertë. Çdo tregim apo novelë e kësaj përmbledhje të fundit si te Lisian apo te Muzeu i dhimbjes ,ka një fabul ku shtrihen të gjitha linjat kryesore. Autori i përmbahet rregullit gjuhësor .Duke analizuar vëllimin Muzeu i dhimbjes . Dallon nga kjo krijimtari novela:”Rrëfimi i Havasë” te Muzeu. Ka një fabul të qëndisur si nure .Ka të stile bukuri fjale, çdo fjali është në vendin vet. Në thelb kjo novelë sjell fabulën e mentalitetit të vjetruar në katundet tona malore,në vitet e para të pasçlirimit.”Lënda e parë” me të cilën autori ka mbrujtur bukën është një rrëfim interesant dhe prej kësaj shtjellohen disa linja njëherësh të cilat përfundojnë në një pikë të vetme. Besa e dhënë dhe ajo e pa mbajtur. Novela ka në epiqendër Havanë, që nis të tregojë një ngjarje, që si zanafillë ka vitet pas çlirimit të vendit. Një djalë deli djalë por që ishte qeros,nuk gjente dot nuse. Një mblesë që për hir të përfitimit arrin të përmbush misionin e tij duke gjetur një nuse në një fshat të thelle dhe të largët .Ngjarjet zhvillohen në një kohë të zymtë. Në përmasat e kohës,kur erdhi në jetë, dasma e qerosit u gjet në një terren të përshtatshëm, gati prush e flakë mund të quhet në gjuhën vendase. Një “kohë e urie”,për shpirtin varfanjak,ndihej në ajër, atmosfera e dasmës. Nëse instrument e dasmës kanë nisur vallen tradicionale, duke shqyrtuar fillimin e një procesi të hareshëm, autori ka nisur të shqyrtojë një mundësi tjetër , atë të mos rrjedhjes normale të dasmës jo me dasmorë qejfprishur nga trutë por nga një problem gati madhor, mospasja flokë e djalit, që vishej dhëndër për të përjetuar me të vërtetë një traditë të bukur. Mirëpo autori e “gris” pikërisht këtë rrjedhë normale të damës .Autori si në kohë pritje të gjëmës, paralajmëron se diçka e zezë po avitet që të grish atmosferën. Që nga rrëfimi Havasë deri në fjalinë fundit, për autorin mbetet përcaktuese qëllimi .Kohë pritja si malli i nuses për burrin, ishte të vetmet lotët, që ajo fare bukurie , njomëzake përfundoi në derën e qerosit . Përmes atij terri, një burim drite. Shpëtimi dhe largimi nga shtëpia qerosit dhe përfundim i kameriere në vilat e qeveritarëve. E gjitha fabula e kësaj novele mbetet brilante për nga gjetja dhe realizmi me teknikat e të shkruarit.
*****************************************
Niko Gjoni

Kur grinden letrat
-Tregim humoristik-
Niko Gjoni
Mos t’ju duket aspak e çuditshme me këtë që po ju tregoj. E di që dhe ju do të mendoni të njëjtat gjëra si dhe unë. Në jetën e përditshme, në orë të ndryshme të ditës, pse jo edhe natës, na duhet të shfletojmë në duar shumë dokumente. A s’janë ato letra, letra të shkruara dhe firmosura që na shërbejnë por dhe na vënë para përgjegjësive? I shikojmë me shumë kujdes dhe veçojmë ato që janë më të rëndësishme…Kemi dëgjuar për letrat kredenciale, letra dashurie, letra bixhozi, letra ku janë lidhur kontrata, mbajmë nëpër xhepa bileta autobusësh, avioni, letra për të fshirë duart. Me letra na fillon jeta me lindjen tonë, duke u regjistruar në gjendjen civile, me martesën, divorcet e mundshme, marrjen e masterit e doktoraturës, deri në plakjen dhe shuarjen tonë. Gjithë kohës qëndrojmë me merak se mos na humbet ndonjë letër që përbën një dokument që ka lidhje me punën. /Studimet, karrierën, dashurinë, etj. Edhe kur japim shtëpinë me qira lidhim një kontratë shkruar në letër. Kur kërkojmë të na njihet dhe dokumentohet prona diskutojmë në seance gjyqësore dhe mbushen faqe të tëra letrash si për të na bindur për të drejtën apo të padrejtën. A s’janë në të vërtetë lekët që mbajmë në xhepa dhe me to kërkojmë të plotësojmë gjithë nevojat e qejfet tona, letër?! Çdo letër ka një funksion. Pa le të diskutojmë për ftesë-martesat…! Kur i shpërndajmë ato tek të afërmit dhe miqtë tanë, na duken letrat më të bukura dhe më me vlerë në botë. Por jo, jo për të gjithë ato letra që përcjellin mesazhin e një lidhjeje në çift përcjellin emocione të mëdha. Politikanët do të përqendroheshin gjatë fushatave për zgjedhje dhe rizgjedhje si deputetë, letrat që i shërbejnë fushatës elektorale.. .Copa bëhen për ato të shkreta letra që i qarkullojnë dorë më dore me premtime të shumta që fluturojnë si tollombazet.. .Nëse ato letra do të japin efektin e tyre ata “i shenjtërojnë” duke u dhënë peshqeshe me vlerë militantëve që janë përkushtuar…Një çift i ri, shkon në një agjenci udhëtimesh dhe merr dy bileta për në Paris…Atje kanë vendosur të kalojnë muajin e mjaltit. “Shiko i dashur, është vetëm një copë letër kjo biletë që po më sjell përpara në këtë martesë një mrekulli jete për ne sot… Po i vendos në çantën time, sepse një vlerë të tillë për mua nuk ka patur asgjë tjetër…”Po letra ime e parë e dashurisë?, pyet ai dhe buzëqesh.. .Letra që më djersiti dhe më mori një natë të tërë.
“Nuk e kam harruar, por e dija që do të ndodhte. Këto bileta janë ndryshe”…
Në çantën e saj bashkë me kartat e identitetit vendosi në xhepin e brendshëm dhe dy biletat. Ato do të qëndrojnë bashkë aty dhe do të përjetojnë momente 2emocionale. Ndofta do të bëhen dhe xheloze për njëra- tjetrën, por do ta gjejnë rrugën e pajtimit sepse bëhet fjalë për bileta dëfrimi.
Në apartamentin ku banojmë kemi shumë letra. Edhe kur duam të largojmë ndonjë të pavlerë për kohën e shikojmë mirë e mirë në çdo cep të saj. Luajmë me letrat e bixhozit dhe i numërojmë se mos kemi ndonjë mangët. Kur i lëmë Xholat mënjanë ata bëhen të duhur për lojën dhe dëgjojmë kundërshtimin e tyre nga përjashtimi. Edhe letrat e shkruara në seancat gjyqësore për divorce janë revoltuese. Çdo fjalë e hedhur mbi to kërkon të vërtetën dhe nëse mbahet njëanësi, ato grinden e zhubrosen derisa gjendet fjala e qetësisë dhe mirëkuptimi. Shikojmë nëpër gazeta portrete politikanësh, artistësh, biznesmenësh dhe vështrimet e tyre nga njëri-tjetri ndryshojnë. Disa kanë shikime lakmues, të tjerë për karierë apo të ëmbël…Ndërsa lexojmë, dhe na tremb një e pavërtetë, ndodh që i mbledhim zhug ato faqe gazetash dhe i hedhim në kosh… Letrat që kur dalin nga fabrika e prodhimit e deri sa kryejnë funksionin e tyre të plotë, janë përherë duke u grindur. Ata që merren me prodhimin dhe funksionimin e letrave u mblodhën një pasdite për të përcaktuar cilat janë më të dobishmet. Një copë letër nisi të flas…
“I dashur Artjol!
Prej ditës që jam njohur me ty, atij çasti fatsjellës dhe ë të bekuar, shpirti im fluturon duke ndjekur sytë e tu magjepsës, buzëqeshjen tënde që është më e shndritshme se dielli i mëngjesit.. ëmbëlsinë e buzëve të tua që është më tepër se ëmbëlsi e mjaltit… I dëgjoj çdo minutë tik-taket e rrahjes së zemrës tënde, sepse ato janë bërë një me tik-taket e zemrës time dhe po ndihen të lumtura në dashurinë e pafund… Të puth mijëra herë Ira. Në një anë tjetër të tavolinës ku ishin rreshtuar copat e letrave për t’iu nënshtruar testimit, një çift i njohur aktorë Hollivudian kishin dalë fotografi kurriz më kurriz si për të evidentuar ndarjen e tyre. Një çek ku ishte shkruar një shumë e mira lekësh, një ftesë martese.. një …
Si kryetare komisioni për të testuar vlerat e letrave, u caktua letra e mbërritur riga gjendja civile ku verifikohen datëlindjet e personave të ardhur në jetë…
Pas shumë debatesh, mes gjithë llojeve të letrave, si më e mira u zgjodh unanimisht letra higjienike, letra e lagur që pastron çdo pjesë të trupit, madje pa asnjë merak të pastron dhe prapanicën.
“Si mund të pranojmë këtë llqj letre të përzgjedhurën tonë, u hodh dhe tha letra e dashurisë.
“Edhe unë kështu mendoj, ngriti krye një ftesë- martesë.
“Mos vallë ka më shumë vlerë se unë?, ndërhyri çeku një milion.
“Do ta pranojmë se u zgjodh nga ne të gjithë, me votë…
“Në këtë përzgjedhje ka korrupsion. Votat janë të vjedhura, protestuan letrat me vlerë.
Letra e mbërritur nga gjendja civile i pa të gjitha me radhë dhe u tha:
“Jemi të detyruara ta pranojmë këtë vlerësim. Para kësaj letre nuk ka vlerën e duhur as dollari, as euro, korona, paundi, etj. Të gjithë duhet të qëndroni në opozitë dhe të shikojmë se sa e si rriten vlerat e kësaj letre..Ftesë-martesa buzëqeshi dhe tha: “Për këtë kohë unë po shkoj në një vend tjetër, atje ku dinë dhe më vlerësojnë…”Po vijë dhe unë me ty, tha çeku. Më vjen keq të më nënvlerësojnë kaq shumë… të na komandojë letra higjienike. Vetë e zgjodhëm. Kaluan muaj dhe ngado copat e letrave vetëm grindje dhe pakënaqësi. Xhelozia për të qenë në drejtim më e mira, la mënjanë bukurinë, drejtësinë, harmoninë. Ankohen dhe ankohen por më kot. Megjithatë vazhdojnë të enden duarve të njerëzve për tu dhënë diçka nga çastet, ditët, muajt. E tillë është jeta!

*************************************

Nga RAMAZAN ÇEKA

Mendime për romanin “GUXO” të shkrimtarit Fadil Kraja

Në ambjentet e bibliotekës “Marin Barleti” të qytetit të Shkodrës, Shoqata “Atdhetare Dukagjini” dhe Shoqata e Shkrimtarëve Shkodër, organizuan promovimin e romanit me titull “Guxo”, të autorit Fadil Kraja. Romani “Guxo”, që pasqyron Sagën e një djaloshi shoshjan, mban firmën e dramaturgut dhe shkrimtarit të shquar Fadil Kraja “Mjeshtër i Madh”, i cili u paraqit në këtë vepër të re, para një auditori të ndryshëm nga herët e tjera, ku përveç kolegëve, merrnin pjesë edhe shumë miq e dashamir të z.Ndue Ftoni që kishte ardhur nga Amerika, për të qenë të pranishëm në këtë eveniment.
Z.Ndue Ftoni ka lindur në Shosh të Dukagjinit dhe si shumë bashkatdhetar të tjerë, emigroi në Amerikë, ku falë aftësive të tij intelektuale, guxoi të integrohej në jetën e zhurmshme amerikane, ku ndërtoi “një varkë” që i përballoi të gjitha tallazet dhe furtunat, duke u bërë kështu një shembull për të gjithë bashkatdhetarët e vet, jo vetëm si një biznesmen i suksesshëm, por edhe si një “mecenat” për të gjithë artistët dhe këngëtarët me origjinë shqiptare që jetojnë në Amerikë.
Këtë veprimtari, këtë guxim, pasqyron në librin e tij “Guxo” shkrimtari i shquar Fadil Kraja, ku një pjesë të kësaj veprimtarie të suksesshme ai e pa me sytë e tij dhe e përjetoi vetë në udhëtimin e tij në Amerikë, ku ishte dhe mik i nderuar i z.Ndue Ftoni. Hapjen e këtij promovimi e bëri shkrimtari Prelë Milani, që është njëkohësisht edhe autor i parathënies së këtij romani. Ai prezantoi para auditorit veprën më të re “Goxo” të shkrimtarit Fadil Kraja, por njëkhësisht solli përmes fjalës së tij edhe fragmente nga jeta dhe veprimtaria e protagonistit të romanit, Ndue Ftoni që në libër autori e quan Dash Kola. Nën prezantimin e moderators-aktores së teatrit “Migjeni”, Rajmonda Marku, për vlerat e romanit e të autorit ligjëruan redaktori i veprës e njëkohësisht kryetar i shoqatës atdhetare “Dukagjini”, Ndue Sanaj, autori i parathënies, poeti e publicisti Prelë Milani, kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve të Shkodrës, Skënder Temali, kritiku letrar-Kadri Ujka, studiuesja Arjeta Ferlushkaj, etj.
Aktorja e teatrit “Migjeni”, Rajmonda Marku në prezantimin e këtij takimi tha: “Këtë liber autori ia ka kushtuar z.Ndue Ftonit, një trashëgimtari të denjë të banorëve alpinë, i cili me shumë vullnet, me shumë dinjitet ka arritur të krijojë personalitetin e tij jashtë trojeve shqiptare, në Amerikë, si një biznesmen i suksesshëm, por edhe si një njeri human me vlera atdhetare…njeri nga miqtë me të mirë të artistëve shkodranë e jo vetëm, i cli ka dhënë pa ndërprerje ndihmën e tij bujare për t’i prezantuar ata me artin e tyre para bashkëkombasve tanë në Amerikë. Unë jam një prej shumë artistëve të ftuar prej tij, në aktivitete të bukura që ai organizon në Detroit e pikërisht në “The Imperial House” që e drejton me shumë sukses. Konsideratë për te dhe familjen e tij ,znj.File e femijët e për mikpritjen e veçantë. Suksese në jeten dhe punën e tyre”! Nga Anglia, anëtarja më e re e shoqatës së shkrimtarëve të Shkodrës, Amina Meshnuni, e cila studion atje, i kishte dërguar Mjeshtrit Kraja një tufë me lule të freskëta. Impresion solli para auditorit prania dhe dalja e Ndue Ftonit me bashkëshorten dhe fjala që ai mbajti, e cila u ndërpre disa herë nga duartrokitjet e të pranishëmve. Vetë Ndue Ftoni i pranishëm në promovimin e romanit që i kushtohet atij dha disa mesazhe. “Ka njëzet vite që unë jam larguar nga vendi im. Lot, mall, djersë, mund, pare, humbje, fitore. Është e njëzet e pesta herë që unë vij nga Amerika në vendlindjen time, e cila nuk ka mundur të ma mposhtë shpirtin të cilin për dyzet vite i kam kaluar me ju. Amerika me më dhanë tërë pasurinë e saj nuk mundet të ma barazojë me pasurinë që kam lënë këtu në Shqipëri. Ju jeni ata që peshoni në vendi tuaj, fëmijët tanë nuk mund të jenë shqiptarë të denjtë ashtu siç jemi ne, por është detyra jonë që ata t’i rrisim me dashuri për atdheun, për vendin e të parëve”. Në fund u dëgjua me interes dhe përshëndetja e shkrimtarit Fadil Kraja, i cili edhe nënshkroi autografe për romanet e dhuruara. E veçanta e këtij “romani”, qëndron në atë, që prof.Fadil Kraja shpesh e ka thënë … Pse nuk shkruajmë për njerëzit sa janë gjallë, por vetëm kur ata nuk jetojnë më!? Ketë ide, ka kohe që ky shkrimtar i madh e ka vënë në jetë. Para pak kohësh shkroi për futbollistin e madh, Ramazan Rragami, shkroi për femrat shkodrane që po bëjnë emër në jetën shkodrane dhe më gjerë, e të tjera e të tjera. Edhe në ketë roman, personazhi kryesor është një djalosh, që u bë një figurë e njohur, një dukagjinas i njohur dhe ndër të rrallët si njeri dhe nga vepra e tij. Është shumë i dashur, i respektuar, largpamës, i guximshëm, bujar, madje sikur bujaria ka lindur së bashku me të. Personazhet e Krajës janë gjallë dhe vijojnë të kontribuojnë, vijojnë të kenë suksese gjithnjë në rritje, siç është rasti i biznesmenit të njohur Ndue Ftoni. Por e veçanta e Ndojës nuk vjen nga hiçi. Ai vjen nga puna e pa ndalur. Ai është një biznesmen i suksesshëm në shtetin e Miçiganit në SHBA!
Kjo ikonë e letërsisë shqipe di ku t’i gjej heronjtë e veprave të tij.
Në gjurmët e Fishtës, në kullat e Dukagjinit dhe të Malsisë, në të gjithë hapsirën shkodrane, aty ku janë shkruar faqet me të lavdishme të historisë epike dhe sociale të këtij qyteti. Në mbyllje të këtij takimi, në “Grand Hotel Europa”, Ndue Ftoni shtroi një koktejl për të pranishmit. I gjithë aktiviteti ku morën pjesë edhe artistë të shquar nga Shqipëria dhe Kosova u regjistrua nga kamerat e stacioneve televizive lokale e kombëtare, por edhe nga vetë televizioni ACTV në Michigan që është pronë e z.Ndue Ftoni, në mënyrë që ky përurim të publikohet edhe në SHBA. Vetë z.Ndue Ftoni u largua nga Atdheu me mbresa të jashtëzakonshme, me frymëzimin dhe vitalitetin e tij që e karakterizon, për ta përçuar këtë atmosferë vllazërore mes bashkatdhetarëve të tij në Amerikë, i përgatitur për të festur festat e fundvitit me ta, ashtu siç u festua Dita e Flamurit në “Imperial House”, por që gjatë festimit dukej sikur po festohej në Shqipëri. Gjatë ceremonisë festive me 28 Nëntor 2015 pata fatin të isha i pranishëm edhe unë atje, me ftesën e tij dhe ta përjetoj këtë atmosferë patriotike, emocionale, të cilën nuk do ta harroj kurrë.

*******************************************

Zaho Vasili

PËRSE ?

I rashë telefonit tuaj
Asnjëherë nuk mu hap,
U detyrova t’ju shkruaj
Që t’u pyes se kam merak.

O Ëngjëll vajtën dy muaj
Që s’botoj më poezi,
Çka vallë kjo gazeta juaj
Mbylli derën,nuk e di…?

O Ëngjëll, o Ëngjëllush
Ëngjëllush e Ëngjëllor,
Me gëzim më keni mbush
Dorën vë në kraharor.

Me gjithë zemër unë të falem
Më ndihmove në gazetë,
E kisha një vend, pse ndale
Më nderove dhe ti vetë.

Në mes më mbeti gëzimi
Nuk ndjehem më i gëzuar,
Përse mu ndërpre botimi
Ende nuk e kam kuptuar

O Ëngjëll të përshëndes
Zemërgjerë si madem,
Mos ka vallë ndonjë ngatërresë
Shpifje apo thashetheme !?…

Më vure në grykë pushke
Gati për të më qëlluar,
Që më shpallët gjendje “lufte”
Ende nuk e kam kuptuar.

Çka ndodhur që nuk botoni
Poezitë pezull më mbetën,
Është njerëzore të ma thoni
Ta di dhe unë të vërtetën.

Dhe nëse unë kam gabuar
( Në adresën tuaj kurrë,)
Mos dikush na ka ngatërruar
Fshehtas na godet me gurë ?

Asnjëherë s’e shaj vlerën
Se veten e mbaj për burrë,
Atij që më hapi derën
Pragun nuk ja pështyj kurrë…

BIRI I ZJARRIT
-Vangjush Furxhiut –

Ca dru,ca pllaka, ca gurë,pastaj zjarr
Një bukë,një byrek,një lopatë prej druri,
Një kapak që mbyllet në dimër e behar
Dhe djersët rrëke që shpojnë gurin.

Që larg nga furra erdhi në jetë Vangjushi
Dhe furrën e kishte brenda në gji,
Dhe furrën plot me role e mbushi
Bukë e kulaçe rolesh poqi në hi.

Poqi,vetëm poqi dhe ne i shijuam
Furxhiu Vangjush me duart dhe zemrën e tij,
Me flori ishin ato që u gatuan
Rrallë do vijë një i dytë që t’i ngjajë atij…

Dhe furrë dhe furrtar mbetet Vangjushi
Mbetet dhe drita që vezullon,
Dhe hëna me ar, me ar na mbushi
Nga ari i artistit mbushim shpirtin tonë.

Zjarri i dil nga zemra, fjala i dil nga sytë,
Buza e tij do të buçasë,
Dy sy, një zemër, një gojë, një shpirt
Teprojnë që lavdia e tij të flasi.

VULLKANI
-Ndrek Lucës –

Vullkani e ka vendin thellë në shpirtin burrëror
Dhe llava i del nga pusi i thellë i syve të tij,
I shpërthen në role si përrua malor
Nuk do fashitet në shekujt që do vijnë.

Mbetet një mal i lartë me vullkanin brenda
Male ishin rolet që në shpirt ju mbrunë,
Malet dhanë vargmalin me kreshta të rënda
Mbeti vargmali me maja shumë…

MOKRRA RROTULLOHET
– Timo Fllokos –

Mokrrat e mullirit zhurmshëm rrotullohen,
Nga “dhembët” e gurit, drithi do dorëzohet.

Mokrrat e mullirit,rrotullohen rëndë,
Del nga mielli i bardhë, një pëllumb me këngë.

Mokrrat rrotullohen,dal e me ngadalë,
Vargu i gjatë i vjershës,sikur e hap vallen.

Mokrrat rrotullohen, të çeli gëzimi,
Pirgu i madh i miellit, mundimi një filmi.

Nga mokrra e rënda,Timo Fllokua del,
Herë si Hero filmi, herë si rebel.

Rrotullohen mokrrat, jeta rrotullohet,
Tek ky rrotullim, poeti lis lartohet.

Rrotullohen mokrrat, të prodhoi si pritet,
Zhurmërimë e mokrrave,janë duartrokitjet.

Duartroket zemra, tik-tak për lavdinë,
aktori s’ vuri gur, kat në këtë godinë.

Në lëndinën me lule,me përplot burbuqe,
Artisti i fisëm,është një lulëkuqe.

S’do të ndjehem mirë, Timua është frymë,
Timua s’është një lule,po është një lëndinë.

Ky mulli zhurmon, mokrat bëjnë këngë,
ngadhnjisi katet, i ngjit rëndë-rëndë.

***************************************
Shënime për librin “Modernët e kohës” të autorit Sejdo Harka.
Nga Kujtim MATELI
Sejdo Harka paraqitet para lexuesit me librin “Modernët e kohës” si kritik letrar, studiues dhe eseist. Në të tri këto pjesë, kontributi i tij është i ndjeshëm dhe tregon për përkushtimin dhe punën e kujdesshme për të sjellë një vepër të arrirë. Në këtë kuptim ia ka arritur qëllimit dhe libri i tij është mirëpritur dhe vlerësuar.
Në këto shënime do të ndalem vetëm për kontributin që ky autor sjell për letërsinë shqipe si kritik letrar. Ka përzgjedhur nga letërsia botërore dhe ajo shqipe disa nga këto vepra dhe i përcjell tek lexuesi me dashuri dhe profesionalizëm. Kritiku i një vepre letrare ka karakter të dyfishtë: nga njëra anë i drejtohet lexuesit për ta përzgjedhur këtë vepër në leximet e tij, nga ana tjetër i drejtohet autorit duke vënë në dukje arritjet dhe mangësitë. Duke lexuar analizat dhe komentet e kritikut Sejdo Harka, të lind dëshira t`i lexosh këta libra, të komunikosh drejtpërdrejt me këta autorë nëpërmjet veprës së tyre. Qëllimi i komentit apo i analizës së një vepre letrare është që të përcjellë tek lexuesi përgjigjen e pyetjes: Pse ia vlen që ky libër të lexohet? Ky libër fillon me poetin Iranian Molana Xhelaludin “Rumi”, i cili jetoi në shekullin e XII dhe në moshën 40-vjeçare u bë një nga poetët dhe dijetarët më të mëdhenj të kohës së tij. Universi i poezisë që ai krijoi u bë një urë e fortë midis Lindjes dhe Perëndimit. Në analizën e Sejdo Harkës janë evidentuar të gjitha këto vlera që poeti persian mundi t`i përcjellë jo vetëm lexuesit të kohës së tij, por edhe brezave pasardhës, vlera që i shërbyen kombit të tij dhe gjithë rruzullit tokësor, sepse ato janë vlera që i drejtohen cilitdo, pavarësisht se ku ndodhet apo jeton. Poeti shkruan me dashurinë e mendjes dhe të zemrës. Ai kërkon që dashuria e tij të gjejë vend jo vetëm tek bashkëkombësit, por dhe tek bashkëkohësit e tij, kudo që të ndodhen. Ai shkruan për brezat e shkuar, por dhe për brezat që vijnë. Shkruan për ata me të cilët ndan shqetësimet për vendin e tij si dhe në rrafshin global.
Poeti kërkon që çdo gjë e arritur të mos vyshket apo të thahet, por të ketë jetë sa vetë shoqëria njerëzore. Disa ia kanë arritur që mesazhet e tyre të jenë gjithëkohore dhe universale. Kritiku Sejdo Harka e evidenton poezinë e Rumit si një vlerë universale, që u drejtohen të gjitha vendeve të botës, si mesazhe paqeje dhe mirësie. Ai vëren se poezia iraniane, në rrjedhë të kohërave, ka nxjerrë vazhdimisht poetë të përmasave botërore, tek të cilët kanë gjetur pika kontakti dhe poetët e botës perëndimore. Kjo është përmasa universale që krijon letërsia e një vendi, e cila i drejtohet gjithë njerëzimit. Vetmia që krijojnë shtetet mes tyre apo dhe armiqësia e tejskajshme që i ka çuar ato në konflikte të përgjakshme, asnjëherë nuk e kanë pasur miratimin apo bekimin e letërsisë. Nëse mes shteteve numërohen raste të shumta kur komunikimi mes tyre ka qenë i ndërprerë, nuk janë të pakta rastet kur letërsia ka ngritur ura komunikimi mes popujve.

***
Pasi ka jetuar një jetë të tërë me veprën e Kadaresë, si mësues në shkollat e mesme në Përmet dhe Tiranë ku jeton aktualisht, ka shkëputur tri nga veprat e tij me të cilat kërkon të komunikojë me lexuesin dhe si kritik letrar, duke shpalosur vlerat reale që krijojnë këto vepra në fondin e letërsisë shqipe dhe asaj botërore. E fillon me romanin “Darka e gabuar” duke e njohur fillimisht lexuesin me përmbajtjen e tij për të depërtuar pak nga pak në thellësitë e kësaj vepre për të kuptuar mesazhet që ajo përcjell për periudhën në të cilën jetojmë.
Eseja ” Mosmarrëveshja, mbi raportet e Shqipërisë me vetveten” është një përpjekje e Ismail Kadaresë për të hedhur dritë mbi disa çështje që qëndrojnë ende me pikëpyetje. Edhe studiuesi dhe kritiku Sejdo Harka mundohet, ashtu si dhe Ismail Kadareja, t`i kthejë këto fjali pyetëse në dëftore. Po që të hiqet pikëpyetja, duhet të zbardhet çështja. Ja si mundohet t`i japë përgjigje njërës prej enigmave që shqetëson shoqërinë shqiptare.
“Sëmundja e shtrembërimit të realitetit te ne, për fat të keq ka lënë enigma për shumë ngjarje e probleme të rëndësishme për shoqërinë, kombin dhe historinë e tij. Historianët, të ndodhur përballë tymnajave dhe presioneve politike, kanë deformuar historinë. Albanologët e rinj kanë arritur të shtrembërojnë të vërtetën edhe për lëvizje epokale, si ajo e Rilindjes Kombëtare duke e quajtur atë ‘lëvizje të kokave të prera dhe e flamurëve të përgjakur “. (Sejdo Harka “Modernët e kohës, Tiranë 2015, fq. 81).
Interesant është dhe këndvështrimi i studiuesit dhe kritikut Sejdo Harka për librin e Kadaresë “Motive të Parisit”, ku fokusohen ngjarje politike e letrare dhe një përpjekje për zbardhjen e disa ngjarjeve historike për t`i dhënë Shqipërisë vlerën e merituar dhe siç thotë historiani Groult, në një bisedë me Kadarenë në Vatikan “Evropa duhet të mbështetet tek ky komb për emancipimin e Ballkanit. Kombi shqiptar është, në mos më evropiani, ndër më evropianët”. Ky konkluzion i historianit Groult, mbështet tek historia e Shqipërisë në mijëvjeçarët e shkuar, për të cilën ne shqiptarët, në vend që ta zbardhim, e mbajmë ashtu siç e kërkojnë fqinjët përreth nesh.
Dritëro Agolli ka zënë një vend të konsiderueshëm në këndvështrimin kritik të Sejdo Harkës duke na sjellë disa nga vlerat që ka poezia e tij humoristike, të cilat të bëjnë jo vetëm për të qeshur, por edhe të fshish nga mendja lakminë dhe ëndrrat e këqija. Nuk ka mbetur jashtë vëmendjes dhe motivi i dashurisë ,i cili konceptohet si produkt i harmonisë shpirtërore dhe asaj trupore. Në fokus të kritikut kanë ardhur dhe romanet e shkrimtarit Ben Blushi, të cilët në median e shkruar dhe atë televizive kanë qenë objekt i debateve të shumta, ku morën pjesë kritikë të letërsisë, opinionistë, shkrimtarë e gazetarë duke e përqendruar debatin në çështje të ndryshme që veprat e tij artistike kanë ngritur para shoqërisë shqiptare. Romani ” Të jetosh në ishull” solli para opinionit publik një realitet artistik për të cilin pati mjaft diskutime, të cilat kërkonin të zbardhnin, nëse shtrembërohej apo jo historia shqiptare në këtë roman. Debate ngjallën dhe romanet e tjera të tij: “Otello, Arapi i Vlorës” dhe “Shqipëria”. Analiza që Sejdo Harka u bën romaneve të Blushit tregon seriozitetin dhe profesionalizmin e tij edhe si kritik i letërsisë.

*****************************

Liliana Shkodrani
S’DI A DO MBETEM URAGAN NË KËMBË

Isha kanarinë
isha papagall
brenda murit të kafazit tënd,
gjithnjë e më shpesh
sqepit m’i tallnin këngë.

Nuk e mora kurrë vesh….

Isha trëndelinë
gonxhe nën gjemb
dikush aromën e mirë
e mori nëpër këmbë.

Pa denjuar gëzimin që ënd…

Po dhe peshk të jem
me hala nëpër dhëmbë
unë
do ta notojë në paqen që dhëmb.

Po s’di a do mbetem uragan në këmbë!

HISTORITË E PARANATËS

Që të vini tek unë
t’ju tregojë histori
mos kujtoni se them profka.
jetimen e së vërtetës
se shpëtokam dot.

Prandaj kam frikë t’ju ftojë
ajo ka aq krahë e sqep të zi
sa dhe në gjumë çorienton
harkun e artë të soditjes nën qiri.

Po paranata kështu e kërkon
ca të thëna si vdekje pa gojë
të tjerat rrojnë të skalitura mbi gur
që thembrat nuk çpojnë.

QEPËSIT E FJALËVE NËN BUZË

Në shikimin rënë përdhe
s’isha vetëm unë për ty
balli i errësirës së përkulur
mundi yt as mua s’më nxu.

Nën shollën e modës
shtyp ankth në ulërimë
të përzier me mospërfilljen
s’të shkon ti trajtosh mirë.

Qepësi i fjalëve nën buzë
tirani i njomësisë së embrionit
s’është ndryshe prej zymtësisë së rëndë
e fuqisë
që s’di më shumë
kur qiell të pamundur thërret
dhe refuzimin e verbërisë gjëmon.

Ata si unë
dritën përgëzojnë e lusin
që globi i arsyes të përmbysë qarkun e zverdhur
të mendësisë së ngushtë.

Po…PO…PO…

Po të banoja në notat e këngës
dhe cicërimë të mbështesja në sqep
gjelbërimin të ngjeshja në rrënjën e pemës
prapë pikëllim do kisha ,
se kongjijtë nën dëborë
nuk ngrenë dot kreshtën
sikur dhe me forcë ti bie këmbës.

HASAN GREMI
BABAGJYSHI I VITIT TE RI
-Tregim-
Sapo perëndimi i përndezur ylberian shuan rrezet e fundit, Tirana hedh supeve mantelin shumëngjyrësh të dritave vezulluese, në bulevard, sheshe, rrugë, parqe e kudo, të cilat ndezin atmosferën. Vërshojnë lumë njerëzish nëpër butiqe, për të kënaqur të dashurit e tyre me diçka për Krishtlindje apo për festën e Vitit të Ri, por më tepër kësaj i gëzohen fëmijët. U shkëlqen ngazëllimi nëpër fytyra, teksa mbajnë nëpër duar dhuratat e zgjedhura. Këtë ndjeshmëri e ka edhe Aldriti dhjetëvjeçar që ka dalë me mamin e vet, Erëmirën, për t’i blerë edhe ai babit një dhuratë të bukur për ditëlindje. E pret me padurim t’i vijë nga emigracioni. Ka një vit që s’e ka parë. Arrijnë në sheshin “Skënderbej”, sodisin pak pemën shtatlartë të Vitit të Ri që llamburiste nga xixëllimat shumëngjyrëshe të dritave dhe vazhdojnë rrugën drejt qendrës tregtare..Aldriti ecën dhe mendon për dhuratën, që do t’i blejë babit. Do që ta kënaqë sa më shumë, prandaj pyetje të shumta i bën së ëmës:-Mami, dhuratën do t’ia zgjedh vetë babit, atë më të bukurën, – dhe sytë i flakërijnë nga një ngazëllim i brendshëm.- Mirë shpirt, mirë! – përgjigjet e heshtur ajo. Hyjnë në qendrën e re tregtare dhe sytë e vogëlushit mbetën te një këmishë bashkë me kravatën që shkëlqenin nën ndriçimin verbues.- Këtë mami, këtë, – tregoi ai me gisht. E ëma nuk ia prishi djalit, i tha shitëses që t’ia paketonte. Kur shitësja po e paketonte, atij nuk iu durua pa i thënë:- Teta, ma paketo bukur, e dua për babin!- Ta paketon teta bukur, që ta kënaqësh babin!- ia ktheu ajo me ndjesi përkëdhelëse. dhe, duke i dhënë pakon, e uroi:- Ta gëzojë babai! -E falënderoi, mori pakon në dorë, pyetje të shumta i vinin në kokë: -Mami, dhuratës do t’i shkruaj bukur edhe një kartolinë urimi!. – Patjetër, zogu i mamit,- dhe në çast i rrëshqitën dy pika loti nëpër faqe, nga gëzimi që vinte i shoqi, apo se i biri ndjente shumë mungesën e tij, ose të dyja bashkë, por pyetjet e vogëlushit, e shkëputën nga ai përjetim jo i këndshëm. Arritën në shtëpi dhe u ulën të hanin darkë. Në çast,telefoni i befasoi. Ai fluturoi i pari te receptori dhe, sa dëgjoi zërin e largët, thirri:- Babi, babi! Si je? Hajde, më ka marrë malli shumë! Po të presim! E kemi rregulluar bukur pemën e Vitit të Ri – dhe nëpër tel vërshonin pyetje pas pyetjesh. Pastaj telefonin ia kaloi të ëmës, e cila e pyeti për shëndetin duke i thënë se ishin mirë, po kishin merak për të. Dritani u dha lajmin e gëzuar,se të premten do të vinte me avionin “Alitalia” që mbërrinte në Rinas në orën 14; 45..Vogëlushi hidhej si ketër duke thirrur:” Pasnesër vjen babi! Babi im! – Nuk pushonte. – Mami, do të shkojmë ta presim!. Vjen i lodhur nga rruga!.-…Dita e nisjes erdhi shpejt për Dritanin. Pasi bëri shoping nëpër dyqane, u kthye në dhomën e vet, ku rrinte me qira. filloi të sistemonte pakot e shumta nëpër valixhe, të cilat mezi po i mbyllte. Kurse, për Aldritin, kishte marrë një Babbo Natale të madh, gati sa vetë ai, me bateri që ecte dhe fliste. “Me këtë do të kënaqet duke luajtur”, mendoi ai dhe e vendosi me kujdes në një valixhe të veçantë. Kontrolloi edhe një herë, se mos kishte harruar ndonjë gjë, pasi u sigurua, u shtri të merrte një sy gjumë. Në mugëtirën e mëngjesit të akullt, në aeroport të huaj, hipi në avion qe nisej drejt Tiranës.. Hapësira gri nga dritarja e avionit, i fuste drithma në shpirt. Nuk e kishte ngrohtësinë e vendit të vet. Mendimet i fluturonin herë te djali e herë gruaja dhe një valë e ngrohtë ia përshkonte trupin. Donte t’i shikonte sa më shpejt. Ndërsa avioni çante qiellin dhe dielli ngjitej në horizont, atij i dukej sikur koha s’ ecte, Aldriti me të ëmën prisnin në Rinas. Ora po afronte, vogëlushit po i shtoheshin ankthet. Avioni mori kursin, u ul dhe e ndali vrapin në vendin e duhur. U grumbulluan njerëz në dalje, që prisnin të afërmit. U hapën dyert dhe një varg njerëzish po dilnin nga kontrolli, Aldriti dalloi të atin që shtynte një grumbull valixhesh. Nuk iu durua, thirri: “Babi, babi!”, dhe vrapoi drejt tij, iu hodh në qafë dhe me këmbët e vogla e shtrëngoi fort pas trupit të vet. Nuk pushonin së puthuri njeri-tjetrin. Lëshoi të birin, përqafoi të shoqen. Ngarkuan bagazhet në një taksi dhe u nisën drejt shtëpisë… Në shtëpi biseda rridhte e ngrohtë e plot mall. Pyetjet nuk i linin radhë njëra – tjetrës. Pasi u çmallën, i ati afroi valixhet dhe i hapi me radhë. Në fillim nxori ato që kishte blerë për të birin, ia vinte përpara. Ishin aq shumë, sa vogëlushi s’po i dallonte se çfarë ishin, se gëzimin më të madh e kishte për të atin, e jo për to.. Vazhdoi me të tjerat që kishte sjellë për të shoqen dhe të afërmit. Njëra nga valixhet nuk u hap. Kureshtja nuk e la vogëlushin të mos pyeste:- Po këtë, këtë babi?- prekte ai valixhen e pahapur..
– Pasnesërmbrëma, në darkën e Vitit të Ri dhe të ditëlindjes sime do ta hapim!- dhe ledhatoi të birin. Në korridor, diçka bisedoi me të shoqen, me zë të ulët dhe ajo mori valixhen e pahapur dhe e vendosi në një cep.
Të tre ishin tepër të gëzuar, ishin bashkë pas një viti. Një ditë më pas shkuan te tezja, po Aldriti nuk shkoi, se e kishte lënë me shokët të luanin. Mbeti vetëm në shtëpi. Kërshëria për valixhen e pahapur e brente. Mendonte: “Pse nuk e hapi babi“? U mundua ta hapte, po dryni ishte i pabindur. Kontrolloi nëpër sirtarë. Në letrën e bardhë te njeri sirtar, dalloi diçka poshtë letrës që ia prishte rrafshinën asaj. Ngriti cepin e letrës dhe çelësa të vegjël shkëlqyen. I mori dhe hapi valixhen rrufe pakon dhe u befasua, kur pa të shtrirë një goxha Babbo Natale. E rrëmbeu dhe e vuri në këmbë. Lëvizi një çelës që ishte prapa dhe Babbo Natale filloi të ecte duke folur. Aldriti u ngazëllye nga kjo dhuratë e rrallë që i kishte sjellë i ati. Mendoi një çast se ç’ duhej të bënte. Shpejt gjeti zgjidhjen. Mori pakon bosh e mbylli mirë me ngjitëse, ashtu siç ishte dhe e mbylli në valixhe, çelësat i vuri në vendin ku ishin. Kurse Babbo Natalen e shtriu prapa palltove të mëdha që vareshin në gardërobë, e mbuloi të të mos dukej dhe doli të luante me shokët. Erdhi darka e festës dhe Aldriti ndezi dritat e pemës së Vitit të Ri, Xixëllima të shumta flakëruan. Vogëlushi u ngrit me mamin, ajo mori lulet, kurse ai dhuratën me kartolinën. dhe Ia dhanë Dritanit, e përqafuan dhe e uruan. Ai u përlot dhe trupi i dridhej. S’ kishte ndjerë gëzim e dashuri kaq të ngrohtë. Mblodhi pak veten, u ngrit nga tavolina dhe shkoi te sirtari, mori çelësat dhe hapi valixhen që kishin lënë mënjanë. U shtang, kur e pa bosh. Tinas thirri të shoqen. Ajo, sa e pa, hapi gojën përgjysmë, nxori një “uaaa!” pa zë të fortë, që të mos dëgjonte i biri dhe i tha me zë të ulët:
– Mos e ke harruar në dhomë, ku rrije?- Jo!- u përgjigj i sigurtë ai. Përplasi lehtë duart dhe mendja i shkoi te ajo dhomë e errët, në atë vend të ftohtë. Mungonte Babagjyshi që kishte blerë me aq qejf për të birin, – Mos janë ngatërruar valixhet në avion?, – vazhdoi e shoqja gati me lot në sy. Ai mohoi me një lëvizje të lehtë kokës. Pasiguria qëndronte pezull, e pazgjidhshme përpara tyre. Të brengosur u ulën prapë në tavolinë. Gëzimi i festës u pre në mes. Hareja u fashit, gjithçka përreth tavolinës ngriu. ..Atëherë vogëlushi nuk duroi më. U ngrit dhe, pa folur, shkoi atje, ku kishte fshehur Babagjyshin, E mori, takoi butonin dhe, duke e mbajtur prej dore të dy po hynin në kuzhinë duke folur, po zëri i Aldritit ishte më i forte se ai i Babbo Natales: “Erdhi Babagjyshi i Vitit të Ri! Ja, po hynë në shtëpinë tonë!”. Nga kjo e papritur prindërve u shpërtheu një gaz i paparë. Dritanit nuk iu durua më, u çua në këmbë, kapi të birin, e ngriti në krah duke thënë: “Ah kolopuçi babit, kolopuç! Në vend të të bënim ne surprizë, na bëre ti!”. Puthi të birin dhe festa u bë më e hareshme!

**********************************************

NJË APOLOGJI
PËR KRIJIMTARINË E SHKRIMTARIT SHEFKI KARADAKU

Shkruar nga Mustafa BERATI

Shefki Karadaku me plot të drejtë vlerësohet si një nga gurët e çmuar të gjerdanit kulturor elbasanas dhe mbarëkombëtar. Kjo shprehet edhe në librin e tij të ri “Absurdi Mbretëror”, përmbledhje me shënime kritike, ese dhe recensione letrare për krijimtarinë e tij,botuar disa muaj më parë. Shefki Karadaku u lind në Elbasan në vitin 1941. Mbaroi studimet për gjuhë – letërsi në Universitetin e Tiranës. Për shumë vite punoi si gazetar në organe të ndryshme të shtypit, deri sekretar kolegjiumi i revistës politike, letrare, artistike, sportive e shoqërore “Ylli”
Ai rrjedh nga një familje e hershme elbasanase, patriotike dhe arsimdashëse. Babai i tij, Xhaferr Karadaku, ka qenë jo vetëm një mësues i apasionuar për dekada të tëra, por edhe një korrespondent tepër i zellshëm dhe i vëmendshëm i gazetës “Shkumbini”, gazetë e viteve 1921-1922 e qytetit të tij të lindjes, Elbasan.
Po me këtë emër, kjo gazetë shpalosi faqet e veta në vitet 1966 – 1990.
Veprimtaria krijuese e shkrimtarit dhe poetit Shefki Karadaku daton shumë herët, qysh në adoleshencën e tij. Me sinqeritetin që e karakterizon, në fillimet e para të krijimtarisë së tij do të thurte vargjet:
“… Unë vij nga qyteti i vjetër me qerpiç
Me zëra kalamajsh në muzgun vjeshtor.
Unë vij nga kalldrëmi i vjetër i etërve,
Nga kinemaja me filmat pa zë,
Nga shkolla pa xhama.
Unë vij këmbëzbathur”.
Shefki Karadaku nderoi edhe më shumë emrin dhe penën e vet si dhe qytetin e tij të lindjes, Elbasanin, edhe me baladën brilante për Haxhire Myzyrin:

“Në shtratin e saj të virgjër
Nga dritaret
Aromë e portokalleve hidhej lehtë.
Dhe mbi kaçurrelat
Si alabastër
Veriu fëshfërinte qetë – qetë.
Përtej deriçkës
Elbasani priste…”.
Aktualisht, elbasanasit krenohen me birin e tyre si autori i 33 veprave letrare në prozë e në poezi.
Ndër titujt më të spikatur të veprimtarisë së tij letrare rreth gjysmë shekullore mund të përmendim romanet “Puthja e ngrirë”, botuar më 1993 e ribotuar më 2008, “Një mijë vjet dashuri”(1995), Argonautët”(1995), “Vila e magjepsur”(1996), “Salamandrat”(1997), “Filantropi”(1999), “Panegjerikus”(2000), “Gjergj Elez Alia”(2004), “Sagë mbretërore”(2006); përmbledhjet me novela “Kur kërcasin bocet e pishave” (1973), ”Arkadia e largët”(1994), “Gjenerali nuk dëshiron të vdesë kot”, (1995), Krrillat e shiut”(1996), “Letra mbretërve”(2001) etj.
Shefki Karadaku është shquar dhe vlerësuar edhe për përmbledhjet e tij me poezi, ndër të cilat mund të përmenden si më të spikaturat për nivel artistik dhe risi në mesazhe e frymë novatore “Kënga e karrove të drithit”(1973), “Feniks”(1993), “Lumi me njëqind zemra”(1995), “Perëndim i gjatë”(1995), “Etnos”(2004), etj. Disa nga veprat më të mira të Shefki Karadakut janë përkthyer dhe botuar të plota apo të pjesshme jashtë vendit tonë, si në Gjermani e Francë.
Ashtu siç shprehet në librin “Absurdi mbretëror”, për veprimtarinë e pasur në fushën e prozës e të poezisë, Shefkiu është vlerësuar pozitivisht nga personalitetet tona letrare përmes recensioneve dhe analizave të tyre në shtypin e kohës si Dritëro Agolli, Petro Marko, Llazar Siliqi, Moikom Zeqo, Agim Cerga, Adriatik Kallulli, Konstandin Dhamo, Milianov Kallupi, Tomor Jolldashi, Petraq Risto etj. Në krijimtarinë e pasur poetike të Shefki Karadakut “Feniksi” mbetet një rebelim i heshtur kundër diktaturës mbytëse, për të cilën liria shpirtërore ishte një gjë tejet e dëmshme. Kjo përmbledhje me poezi sirtari, të shkruara andej nga viti 1972 e deri në vitin 1985, u prit me entuziazëm nga kritika letrare dhe lexuesit si një libër që pasuroi poezinë shqiptare me lirika brilante. Në prozën e Shefki Karadakut mund të vlerësohet sidomos romani “Puthja e ngrirë”. Ky është romani i tij i parë realist, larg skematizmit të letërsisë së realizmit socialist e që shënoi një pikë kthese në evidentimin e një letërsie reformatore të epokës së demokracisë. Kjo shpjegon edhe faktin shprehës që kopjet e botimit të parë, më 1993, u zhdukën shpejt nga raftet e librarive dhe mund t’i gjeje vetëm nëpër bibliotekat e qyteteve. Ky interes i dukshëm nga lexuesit e nxiti autorin ta ribonte këtë roman më 2008.
Edhe pse ka të drejtë të ndjejë qejfmbetje ndaj “harresës” prej autoriteteve të qeverisjeve në Elbasan, të paktën gjatë 25 viteve të fundit, Shefkiu po punon t’i kushtojë një vepër të re vendlindjes së tij. “Toraksi” do të jetë një përmbledhje me poezitë e tij më të mira kushtuar, Elbasanit, ilustruar, gjithashtu, me skica, grafika, akuarele dhe fotografi.

***********************************************

Orea Mullaymeri
– “Lamtumirë Madam”!

Qëndisur gri ky mëngjes parizien,
ajo ne qytet u ndje e panjohur.
Tek vjeshta krahët shtrinte mbi Sen,
mendimet trazonte ne kafen e ftohur…
Diku përtej xhamit vështrimin shëtit,
mbi rrugë ku heshtja nis të sfilojë.
Në atë qytet ku lindin dashuritë
ajo në çdo gjurmë kërkon të harroj.
Pas syve smeraldi thellë fshihte vitet,
bukuri e njëjtë ndoshta si më parë,
netëve përflakur aty ku malli rritet
kërkoj të digjej në afshin djaloshar.
Shpejt ndali hapat e valsit të nisur,
djemtë nuk u dogjën me prej asaj flake,
I lanë sytë e saj si kështjellë e bastisur ,
dhe u arratisen në dashuri njomëzake .
Dhe netët grisi si novelë lexuar,
vitet peshoj në mall dëshpërimi…
Si piano e vjetër melodi harruar
ata e braktisën në muze kujtimi .
Atje në qytetin ku lindin dashuritë…
mbi mure që gdhendën histori që s’panë,
Ne shtretërit e mëkatit ku ajo u ngjit
mbeti veç letra ‘Lamtumire madamë’

Flogerta Krypi
– Në funeralin tim

U vesha me të zeza hodha shaminë mbi krye
u nisa me hapa drejt funeralit tim
nga e zeza dhe drita e diellit u thye
vendosa një trëndafil tek emri im.

Përkëdhela foton e vjetër që kishin vënë
gishtat prekën sipërfaqen e lëmuar
Në gjithë atë mermer vend pak kisha nxënë
pak metra nën dhe isha shuar.

Askush nuk më pa në funeralin tim
tradhtaret, mashtruesit po qanin me lot
Të më donin pas vdekjes kishin guxim
sa e mirë isha bërë kur ika nga ajo botë.

Ata vuajtën sa për sy e faqe
më lavdëruan për atë çka nuk dija
Treguan sa shumë dhuroja paqe
sa fort më kishte pushtuar zgjuarsia.

Në funeralin tim të gjithë me lavdëruan
përmendën gjëra që i kishin harruar
Atë ditë pas vdekjes për mua u kujtuan
për mua që në jetë më kishin lënduar.

Në funeralin tim qava dhe unë
kisha jetuar vetëm për të tjerët
Nëse do jetoja prapë do të doja më shumë
në këtë botë të madhe njerëzish, të mjerët.
*************

Klea Dhima
– Kam vdekur…më qani!

A mund te vriten zemrat e thyera
Qe s’kanë më as lotin në sy?
Nuk ndjen më asnjë prekje fytyra
As rrokullimën e lotit, tashmë as ty!
Unë tashmë jam një e vrarë që ecën
Pa destinacion jam, s’di ku do të shkoj,
E kam humbur dashurinë e zemrës tënde
Nuk kam më as adresë, ku ta kërkoj.
S’kam as fjalë, as lot çfarë të nxjerr
Dhimbjen e madhe brenda vetes e mbaj,
Buzëqesh kur pranë njerëzve më duhet t’jem
E veten time, në errësirë të plot e qaj!
Kam vdekur dhe ata nuk e dinë këtë gjë
S’kanë mundur të kuptojnë që kam dhënë shpirt,
Jam veshur me të zeza, mbi veten kam hedhur dhe
E po pres dikë t’më sjellë lule një ditë!
Unë nuk shqetësohem më për gjërat që ndodhin
Kam vdekur, kam vdekur, kam vdekur përsëri,
Dikur më trembte ideja që mos të të kem pranë
Tani e kuptoj që vdekja më kthen tek ti!
Por ti derën s’do e hapësh më për mua
E unë si lypsare do të endem rrugëve pa kthim
Do të trokas në derën tënde çdo ditë
Do të të lutem që të ma japësh me pika dashurinë!
Eh ku është parë një fantazmë që kërkon dashuri?
Askund s’kam dëgjuar e as kam parë diçka,
Mendoja se njerëzit nuk mund të vdisnin në vetmi
Por duhet veç durim, të gjitha t’i tregon jeta!
Unë kam vdekur e vetme për pak dashuri
E të tjerët s’më qan, as nuk më dhanë lamtumirën,
Atë e prisja nga të gjithë, veç jo nga ti
Nga ti që për jetën më dhe e më more dëshirën!
**********************
Ermal Lala
– Ikje e Vonë
Dhe kështu kalojnë orët, rishtaz Agimi,
Rrëshqet, Rrëqethës, mbi trupin tim.
Zgjohem nën përkëdhelje të ftohta Ekzaltimi,
E si me përtesë, ndan qepallat syri im.

Pas dritares, buzëqesh Dielli plot jetë,
Rrezet e tij, hyjnë në dhomën time.
Mbushem me shpresë, trazoj shpirtin e qetë,
Rreh më fort, më shumë, kjo Zemra ime.

Puna, dëshira, shtyjnë më tej Gjallërinë,
Një fije Gëzimi, më japin ndër sy.
Por prapa s’mund ta lë Dashurinë,
Që gjithë këto kohë ndjeva për Ty.

Shtirem, sikur Jeta vazhdon po njësoj,
Duke i përrallisur natyrë e bukuri, vetes.
Mbi trupin tim, vazhdoj të mëkatoj,
Të dua Ty, s’i them ndryshe të Vërtetës.

Nuk e di ku je, ike kohë më parë,
Nga jeta ime, ike kur ishte vonë.
Larg njëri-tjetrit qëndrojmë të ndarë,
Në ekzistencën time do të mbetesh gjithmonë.
**********************

Manjola Markola
– Në nder
Në kotje pa frymë
u ndala…në lodhje pushova…
në tokë kish ra një brymë…
shtrirë aty ,lakmova…
lakmuar sa mote isha..
e rashë në mallëngjime…
dheun përzierë grisa..
zjarret shuar në mjerime…
po sytë ,shikimet ndalen…
pyjet e dheu prapë..
gjëmon ,heshtjet falen…
në shend s’bëj asnjë hap…
e shkreta mendje,më shumë
shkretuar është brendia…
përmallshëm e ndjej dhe unë
mizorisht më gënjen hija…
hije e vjetër, vjetruar…
pluhura të marrosura në vaj…
vel i zi mbuluar….
Zbrazëti mbushur me faj…
Në kotje sërish pa zë…
U vela me tuajën botë…
Sëndukët plot me asgjë…
Po prehem në një tjetër tokë….
***********************************
Elda Elezi
– Gazelë në shkretëtirë

Si pelegrin në shkretëtirë,
Ikjen qafove këtë mëngjes,
Në dorë më le një lule malli ,…
Lule që flakë shpresën ndez.!

Jo, kurrë, s’iu binda kthimit,
Sikur dëshiroja të të thosha:
“Më parë më vrit”?
Më le plagosur , pa më vrarë,
(Oh, ç’shpirt!) Sa i pashpirt!

Dhimbja, shpesh, më ka kapluar,
Panorama: Dhimbje , lot,
Ca gjëra, vërtet, na ndajnë,
Por, shumësin s’e ndajnë dot!

Vdekja pa dashur na bën ftesë,
Dhimbja sërish më kaplon,
Vërtetim: Gjëra na lidhin në jetë.
Të tjera na ndajnë… (Ç’ekuacion!)

Etje ndiej, të mbytem shiut tënd,
Në çmenduri, si pulëbardhë,
Por te ty do të jem ëndërr,
Gazelë, në shkretëtirën e “bardhë”.

GJUHA E KUMTIT POETIK

(Mbi eseistikën e shkrimtarit Pirro Loli)

Nga ZIMO KRUTAJ

“Drama e shprehjes” është libri më i ri i shkrimtarit, poetit e eseistit të njohur Pirro Loli, i botuar së fundmi nga Shtëpia Botuese “Bota Shqiptare”. Tashmë ky autor ka një kontribut të spikatur në eseistikën tonë. “Drama e shprehjes” është, me gjasë, vepra përmbyllëse e triptikut me përmbledhje esesh letrare, që nisi me librin “Duumvirati i një stine që shkoi” (2006) dhe “Sirenat” (2007). Libri i ri me tridhjetë ese është konceptuar si “tre libra në një” jo vetëm për lehtësi strukturimi e leximi (janë thuajse 340 faqe) por, më së pari, për të harmonizuar një tërësi trajtesash, ide, dukuri, vepra e autorë të ndryshëm, nën këndvështrimin e mëvetësishëm të një sivëllai të tyre të letrave. Të tria pjesët e librit, bashkë me një intermexo poetike në mes, “Për mësuesit e mi”, i bashkon harmonia e ndryshimit, përpjekja e njëkohshme dhe e përhershme për të hulumtuar thellësive të shprehjes letrare e poetike të materializuar në gjuhë, “mundësive dhe pamundësive të saj”, siç do të shprehej Borhesi. Në “Parafjalë”, poeti Stefan Martiko shënon se “pena e Pirro Lolit i ngjan një shpate të mprehur mirë, për një betejë jo të zakontë letrare”. Dhe shton se puna e këtij autori për të nxjerrë në pah vlerat e letërsisë i “ngjan një piedestali ku ai ngre tërë statujat e të tjerëve.” Pra, flitet për guxim dhe përunjësi njëherësh. Të dyja vijnë prej dhuntisë dhe prirjes krijuese, por kjo nuk mjafton. Sidomos kur jemi në zhanrin e esesë, kaq nazike, kaq e vështirë për t’u rrokur, e mbajtur në kufirin e hollë të shkrimit në zgrip: krijim-studim-mbresë-vramendje-sprovë-, qoftë për një strofë a për një varg; qoftë për një vepër a për një autor; qoftë për një dukuri, shkollë a kahje letrare. Esetë e “Dramës së shprehjes”, në më të shumtën e tyre, janë larg kuturisjeve, janë guxim i mirëfilltë krijues. Këto ese janë, gjithashtu, larg përsiatjeve e panegjirikëve që gëlojnë në botimet e faqet kulturore letrare të shtypit tonë të përditshëm a periodik. Pirro Loli duket se ka gjithnjë parasysh pohimin e Konicës se “kur më pëlqen a më çpëlqen një vepër, nuk arrin të këcej, a të shfryj; duhet të shfaq arsyet e pëlqimit a të çpëlqimit tim, në qoftë se dua të shokëzoj këndonjësit me mua”. Ndaj vlerësimet, analizat e përfundimet e këtyre eseve kanë në thelb argumentimin, kriteret estetike e artistike, zotërimin e lëndës e fuqinë e fjalës së profesionistit që, edhe nëse nuk na bind deri në fund, më së paku na vë në mendime e na fton për debat të një niveli jo të zakonshëm. Punimet eseistike të këtij autori dëshmojnë edhe për njohje, edhe për kulturë, edhe për ndjeshmëri të lartë estetike. Dëshmojnë para së gjithash për nderimin, përkushtimin dhe dashurinë me të cilat autori i qaset letërsisë, të vërtetave jetësore dhe artistike, sublimimit të lirisë dhe njeriut si ashti dhe fryma e krijimit, gjuhës poetike si lëndë, si mjet dhe si shenjë identifikuese. Dekada më parë, në esenë “Mbi komunikimin poetik” Anton Pashku shkruante: “Gjuha e veprave artistike nuk është dhe nuk mund të jetë një “gjuhë normale”. Ajo nuk është e tillë as atëherë kur, fjala vjen, artisti i fjalës merr e shkruan për “gjërat më normale” nga jeta e njeriut. Shenjat e gjuhës së tij janë shenja të gjuhës poetike.” Duke pranuar këtë të vërtetë të njohur, Pirro Loli nuk ngurron të pohojë se drama e shprehjes është e lidhur ngushtë me dyzimin e krijuesit dhe fatalitetin e ekzistencës, duke na sjellë “urtësinë agresive që Pesoa la pas: “Arti na çliron në mënyrë mashtruese nga ajo gjë e ndyrë që është fakti i ekzistuarit”. Në mënyrë të përmbledhur, mund të themi se, edhe pse në dukje kontradiktore, dy pohimet e mësipërme konvergojnë në esetë ku autori bën objekt të analizës dhe vëzhgimit të tij shkrimtarë e poetë “të sertë”e vepra “të rënda”, me ndikim të pazakontë në letërsinë shqiptare e botërore. Dhe këtu nuk e kemi fjalën vetëm për Eliotin e Kazanxaqisin (dy dashuri të hershme të autorit) as për esetë origjinale për Borhesin e Kafkën, por për trajtesat e veçanta për krijimtarinë e shkrimtarëve “të vështirë” si Marsel Prust, Xhojs, F. Ponge apo edhe Martin Camaj. Për Pirro Lolin, akti i krijimit letrar dhe fati i shkrimtarit nën diktaturë kanë vetëm një shteg për të mbërritur atë përmasë të domosdoshme të lirisë individuale që i kapërcen kufijtë e mosthënies: “Shtegun e lirisë, gjuhën e figurshme, ligjërimin artistik si shprehje e lirisë së brendshme që në esencë është kundër gjuhës së çdo diktature”. Në këtë këndvështrim autori, në esenë “Përfaqësuesi” trajton rishtas veçori të krijimtarisë së Ismail Kadaresë, ku gjuha artistike është sa shprehje e energjisë shprehëse të shqipes, aq edhe çështje estetike, etike e filozofike. Në një ese tjetër i rikthehet trajtimit të real-soc-it në letërsinë e shekullit XX dhe heq paralele te guximshme mes autorëve si Aragoni dhe Agolli; më tej zhytet në detin e simboleve dhe metaforave të “Dranjes madrigale” të Martin Camajt për të nxjerrë që andej perlat e “atdheut poetik”, të munguar. Një vend të veçantë zë, në pjesën e parë të librit, eseja për krijimtarinë e Moikom Zeqos, njëherësh sendërtim dhe personifikim i shkrimtarit që rri gjithmonë zgjuar, me shumë vepra që në thelb janë vetëm një, libri i hapur fletëshumë me peshën e metaforës, të fjalës që “përçon një prani të re qenies njerëzore”. Nga këndvështrime të tjera, por gjithnjë nën suazën e mëvetësishme të gjuhës e të shprehjes poetike e artistike autori shkruan për vepra e cilësi të autorëve të tjerë shqiptarë si F. Myrtaj, Xh. Spahiu, M. Meksi, S. Martiko etj. Krejt më vete tingëllon eseja “Vazhdimi i qytetit tim” ku autori ndërton një rilexim të romanit të tij “Qyteti me dy kate” një rravgim brenda procesit krijues, një raport vetjak dhe i ndërsjellë me miq, kritikë e lexues, përmes një dialogu a interviste sa reale aq edhe imagjinare… Kërkimi e zbulimi i elementeve të fshehtë, thuajse të mistershëm, të shprehjes artistike e të magmës poetike, që mund të njëjtësohet me “Alefin” e Borhesit”, me “çastin magjik” të Prustit, me “shkarjen” a rrëgjimin tonë në “Tokën e shkretë” të Eliotit, me “Procesin” e Kafkës, sinonim i shpirtit krijues “si një send në lëvizje” dhe me “ankthin e fjalës” (lexo: drama e shprehjes) të F. Ponge, është filli përbashkues i eseve të librit të dytë. Ndërsa, në librin e tretë, autori ndalet në çështje thelbësore të letërsisë e të kulturës bashkëkohore, të klasikes e modernitetit në poezi, të qëllimit e filozofisë së krijimit, të thelbit dramatik të kuptimësisë e pamundësisë së shprehjes poetike. Na duken veçanërisht të arrira esetë “Poetët me shenjë”, “Dhimbja e atij Kali (Pegasi)”, “Gjethja e fikut” si dhe eseja e thukët “Kapërcimi i të vdekurve”. Këto ese do të mjaftonin, përpos të tjerash, për të ripohuar pa frikë kontributin e mëvetësishëm të Pirro Lolit në eseistikën dhe kritikën letrare shqiptare. Duket se parapëlqimi për shprehjen e ligjërimin poetik (trajtesat për poetët e poezinë zënë kryet e vendit në librin ”Drama e shprehjes”) e ka shtyrë autorin të ndërkallë ndërmjet eseve një tufë poezish të vetat (“Intermexo” mes librit të dytë e të tretë) kushtuar mjeshtërve të mëdhenj të fjalës që ai i quan Mësues: Nga Zhak Preveri e Aragoni te Ungareti e Montale, nga Kavafis e Borhesi te Lorka e Octavio Paz… Këto poezi nuk janë psherëtima patetike, janë si një frymëmarrje e thellë pas ca fjalëve të ndjera përpara magjisë së artit të madh e të pavdekshëm. Përpara poetëve të ndritur, që sipas Isuf Luzajt, krijojnë “botë imagjinare dhe fisnikërojnë ndërgjegjen me ndjenja të reja bukurie, harmonie, dhe vërtetësie…”.
Pirro Loli është poet dhe kjo nuk mund të mos shënjonte edhe gjuhën e figurshme, përqendrimin e dendurinë e kumteve, sintaksën e ethshme, si dhe ritmin e vrullshëm të eseve të librit “Drama e shprehjes”. Sa për stilin, na duket fort i qëlluar përcaktimi i Moikom Zeqos, në shënimin që shoqëron librin: “Stili i Pirro Lolit është sinteza e guximshme e përsiatjeve, pa koncepte dogmatike apo arketipa të formalizuara, por thjesht dhe pandalshëm, si një shtysë dhe kërkesë e lirisë parake krijuese”.

Flamur Luta

Thirrje zemre

Ejani, t’i mbledhim kohës dashuri lule më lule,
Që vetë fjala urrejtje do të pikonte mjaltë.
Besimet e njëri-tjetrit ngujuar në vetvete,
Si test do të na pastronte nga keqkuptimet tërë baltë.

Boll jemi të shpërndarë –mbledhur rreth unit me vese,
Të bëhemi të tërë –të shpërndarë te halli i vendlindjes,
Dashuria si hark ylberi i një dite pranvere,
Le të na harkohet nga plaku deri te përlotja e fëmijës.

Para ndodhive makabre, para një luleje të vyshkur,
Zemrat tona le të bluajnë çdo gur ftohtësie,
Kemi për të parë edhe tek e rëndomta e papërfillur
Të na dalin para syve nimfat si çudi bukurie.

Boll folën burrat nga qerpiku tërë dhimbje,
Nga lotët, boll folën shamizezat nëna!
Boll folën midis nesh bombat egoiste,
Boll, pra, po bëjmë të përlotet vetë hëna!

Ejani, t’i mbledhim kohës dashuri lule më lule,
Që vetë fjala urrejtje do të pikonte mjaltë.
Besimet e njëri-tjetrit ngujuar në vetvete,
Si test do të na pastronte nga keqkuptimet tërë baltë.

Këngë mjerimi

Me ca para të mbledhura së shituri luledielli,
Pas kaq kohe blej në treg pak djathë tërë shije,
Vrimëzat e kaçkavallit mbushur prej meje me pika loti,
Mikroliqene – bazareliev i një kopshti gjeografie.

Nga thellësia e xhepit nxjerr të fundit qindarkë,
Të blej të freskëtin peshk me luspat tërë shkëlqim,
Pas çantës sime i tiji bisht përplaset si lopatë
Të më nxjerr varkën e buzëqeshjes nga lluca – mjerim.

E vështira

Sa e vështirë qenka të jesh i shkujdesur, i gëzuar,
Zotëri i mirë para syve të së bukurës,
Ku në parvazin e një thënie të deformuar,
Nuancat e shpirtligësisë duken e prej gazit të fluturës.

Sa e vështirë qenka të jesh i ngrohtë para një akulli,
Dhe para një katrahure që bredh kodër më kodër,
Ku hobi i katandisje si mos më keq një spektakli,
Në duart e një ecurie breshkore prehet si lodër.

Prag pleqërie

Shqetësimet e ditës i zë prehja që na dhuron nata,
Kështu një e nga një ikin vitet deri tek e zymta pleqëri.
Mbi orët e ikura të shndërruara në gjethe të thata,
Lëvrijnë ecejaket insektore të simes nostalgji.

Më kot pres ardhjen e çdo viti të më shfaqet si flori,
Gjithnjë hidhërimet farmak më kanë trokitur në derë,
Në mes të sheshit të pragmbrëmjes mbushur plot me vetmi,
Të miat dëshira s’i kamikaz hedhin veten në erë.

Të tjerëve u dhuroj dritë, ndërsa vetë jam në terr,
Mëngjesin e një bamirësie me gjithë shpirt e përshëndes,
Nga frika e minave të hedhura prej banalit sherr,
Midis shkurreve të fundjavës hapin e hedh me kujdes.

Kështu më kalojnë vitet një e nga një si në mjegull,
Me një peng të madh në zemër e ndjej se do të vdes,
Me ndotje e prapësi njeriu e filloi dhe ky shekull,
Siç duket kështu do të mbarojë, siç e nisi, ters.

Shqetësimet e ditës i zë prehja që na dhuron nata,
Kështu një e nga një ikin vitet deri tek e zymta pleqëri.
Mbi orët e ikura të shndërruara në gjethe të thata,
Lëvrijnë ecejaket insektore të simes nostalgji.

Udha

Ec, bir!
Mos më pyet
Sa e gjatë është kjo udhë!

Ajo matet me përshëndetjet njerëzore,
Ose mbaron këtu,
Ose s’përfundon kurrë…

* * * *
Si mund të të fal dashuri pa marr prej saj asnjë gram,
Krishti të më shfaqet para syve gjithnjë si tejdurim,
Ku algat e kotësisë grindjesh të së përditshmes dramë
T’i shoh t’u përkushtohesh si të ishin prej grurit bimë.

Ylli Musta

SILUETË GLOBALE

Jeta rend si e marrë
Me hamburger në dorë,
Pa shije dhe pa tharm,
Bluxhinset shpesh harruar zbërthyer
Sinjali: alarm!

Ç’të duhet të mendosh kush je e nga vjen,
As historira me gjyshër
Me etër
Dhe varre,
I zbrazur prej tyre, pa emër vrapon
Thjesht një siluetë globale…

Siluetat vetëm përtypen
Dhe fërkojnë barkun,
Thonë “të dua” dhe s’dashurojnë kurrë,
Edhe pse janë produkt i globales…
Bota për ta është ajo nën lëkurë…

INTERVISTË

E ftuan në studio bujkun e vjetër
Dhe i vunë përpara një foto të hershme
Kur ai, zbathur prashiste në misër,
Kooperativist i dalluar
Dhe qeshte…

Gazetarja, e kolme, por dhe pakëz e sertë…
Ia hodhi llafin enkas me majucë:
Çudi, si mund të qeshësh kaq i lumtur
Teksa ropatesh i zbathur, se s’ke as këpucë?…

Eh, të më dish moj mike, qeshi fshatari,
Një jetë plugova, prashita
Thellë edhe rëndë,
S’ngopesha ta korrja këtë tokë e ta vilja,
Ta përkëdhelja me dorë dhe me këmbë…

S’u ngopa dot me avujt e brazdës,
Me baltën e ëmbël, që kurrë s’të bën pis…
Dhe netëve, kur vija kokën te jastëku
Më dukej sikur vinte i tëri erë plis…

Ja dhe ti, fjala vjen, kofshët i mban jashtë…
Dhe gjinjtë e zbuluar i tund e i shkund,
Po kjo s’do të thotë se je aq e varfër
Për një palë sytjena, apo dy gisht fund…

FARE PAK SHQIPËRIZË

Në aeroport përcillnim tim vëlla
Me lotari për larg, në Amerikë,
Më shumë heshtnim, sesa këmbenim fjalë
Të ngazëlluar ishim, por dhe helm e pikë…

Dhe kur u ndamë, diçka më pëshpëriti
Tek çelësin e shtëpisë më la…
Më foli pak, ca gjysma fjalë
Gjysmat me shtrëngim në dorë m’i tha…

Iku ngarkuar me bagazhe
Çapitej rëndë, e ç’nuk kish marrë
Që nga faqorja e gjysh stërgjyshit…
Por edhe farë nga lule manxuranë…

Avioni u ngrit si shpend nga pista
Nga toka u shkëput, u nda,
Mua diçka sikur ma bëri “ting” ndër këmbë,
Mos më ra zemra
A çelësi që më dha?…

Si në ekran mu shfaq jeta që shkuam…
Ish tjetër jetë ajo
Kish frymëzim e krenari,
Por befas sot
U bëmë zogj shtegtarë
Dhe jeta vetë
Biletë e lotari…

Ikën të gjithë, u tretën ca nga ca
U rrallua familja, fisi, dega,
Kemi mbetur veç një grusht, fare pak,
Si fryte që era i rrëzon nga pema…

Ikin të gjithë,
Janë të lirë që të ikin…
Dynden me lotari,
Me vizë a pa vizë,
Dhe lënë pas
Gjithnjë e më pak Atdhe,
Dhe pak, oh sa pak Shqipërizë…
****************************

FASLLI HALITI

LAJMËRIM VDEKJEJE

Vdekja
Vdiq.
Njerëzimi
U vesh i tëri në zi,
Ngriti flamujt e zinj
Majëlisash në gjysmë shtizë,
Dhe ia nisi vajit
O ç’vaj ish ai:
Mjerë
Ne,
Të zinjtë, ne,
Si do ta mbajmë gjer në përjetësi, amshim
Barrën epërme të jetës sonë
Mbi shpatulla,
Mbi shpinë!

RËNKIMI IM

Si ti
Baba
Po rënkoj dhe unë:
Darkë
Drekë
Mëngjes
Zgjuar,
Në gjumë.

Por
Si ti, baba,
Vdekjen
S’e thërras kurrë si ti:
Eja moj vdekje më merr…
Vdekja të donte
Ty baba
Mua
Jo
As unë

S’e dua atë kurrë …!

SIGURISHT

Vetëm
Errësirë
Dhe dritë
Nuk ka
Në jetën tonë
Sepse dhe errësira dhe drita
Një ditë shuhet, zhduket, mbaron…

VETIA JONË

Vetia e materies
Lëvizja,
Rrjedha
Përherë në vrapim.
Kurse vetia jonë
Prehja
Gjer në përjetësi, gjer në amshim …!

KRAHËT E MI

Mu prenë krahët të dy,
Por më dolën si krahë të rinj
Fëmijët e mi:
Vajza,
Djali,
Vajza
E vogël
Si dhe dy nipat
E dy mbesat natyrisht

Edhe pse me krahë të njomë,të brishtë…!

Deri ketu

PROMOVOHET KRIJIMTARIA E POETIT AGIM MATO NË BARI TË ITALISË

Qyteti i Barit në Itali shquhet për jetën e gjallë letrare e artistike, falë grupit “La Vallisa” me president profesor Daniele Giancane, poet, studiues, me mbi 50 tituj librash. Grupi ka 30 vjet që boton revistën e tij letrare me të njëjtin titull rregullisht çdo katër muaj. Në këto vite ky grup, zhvillon një veprimtari të rrallë ditëve të hëna, që quhet “ E hëna letrare”, duke ftuar një poet, ose prozator evropian, apo italian në laboratorin e vet, me një trupë të sprovuar kritikësh e krijuesish që promovojnë në qytetin e tyre produktin letrar që marrin në shqyrtim.
Këto ditë u ftuan në Bari poeti Agim Mato dhe prof. Anton Nikë Berisha, nga letërsia shqipe. Njoftimet u kryen nëpërmjet “La Gaazzetta del Mezzogiorno” dhe portalit “Puglia Live” ku theksohej se takimet do të zhvilloheshin në Universitetin e Barit, në Librarinë Roma, në një nga sallat e saj, ku mblidhet shpesh grupi i njohur dhe të nesërmen në bibliotekën e Institutit “Gaetano Salvemini”. Në to theksohej se autori Agim Mato, me përmbledhjet “Jashtë eklipsit”, “Fundo” dhe “Lundrimet”, të përkthyera nga profesoresha Klara Kodra, dallohet për stilin energjik, dhe shpesh të ëmbël, që e bën atë të penelojë me elegancë bukurinë e peizazhit shqiptar, por edhe të denoncojë me forcë veprimet denatyrizuese të regjimit komunist, që çuan në burgosjen e të atit, një disident politik, kur shkrimtari i ardhshëm nuk ishte veçse tre vjeç. Gjithashtu bie në sy një qëndrim i shkëlqyer e vibrat mbi aktualitetin dhe historinë, ku nuk mungon përçimi i fillit të mitit, si një çelës sqarues me karakter antropologjik.
Takimet iniciohen nga profesor Daniele Giancane, drejtori përgjegjës i revistës “La Vallisa” dhe promotor i një bashkëpunimi midis Italisë dhe Shqipërisë. Në Universitetin e Barit takimi u zhvillua me studentët e shkencave të formimit, të psikologjisë dhe komunikacionit. Nicola Accettura, poet dhe aktor, lexoi me një intonim profesional disa nga poezitë me theks të ndjerë social, duke bërë edhe komentin e tyre. Profesor Anton Berisha u ndal në panoramën e poezisë shqipe, me një analizë historike të saj, deri tek poezia e sotme dhe ajo e autorit të pranishëm. Daniele Giancane vlerësoi shumë përmbledhjen e paraqitur, me poezi të një thellësie dhe muzikaliteti me të vërtetë të rrallë, duke e quajtur një poet të mahnitshëm. Takimi më i rëndësishëm ishte ai që u zhvillua në Librarinë Roma, ku morën pjesë, përveç grupit të Vallisës edhe të interesuar të tjerë nga Bari, të cilët ishin informuar nga “La Gazzetta del Mezzogiorno”. Takimi zgjati dy orë. Profesor Daniele prezantoi krijimtarinë e poetit, duke folur për jetën e tij dhe koloritin artistik. Të një niveli të lartë ishin ndërhyrjet kritike të Gianni Palumbos, i cili analizoi gjerësisht, me njohuri të thella motivet që merrnin shkas nga miti dhe elementet mitike që krijon nga aktualiteti poezia. Ndërhyrje u bënë nga Angela Giannelli, Enrico Bagnato, Renato Greco, Teodora Mastrototaro, Maurizio Evangelista etj. Prfesor Anton Berisha bëri një ekskursion elegant në hullitë e poezisë shqipe dhe analizoi vlerat poetike të autorit dhe lidhjet e tij me detin. Takimi i datës 1 dhjetor në institutin Salvemini të Molfettës, pas një udhëtimi të shkurtër me tren, mbushi me mbi 100 studentë sallën e bibliotekës së Institutit. Sërish këtu Gianni Palumbo tregoi erudicionin e vet dhe përzgjodhi motivet që u shkonin përshtat studentëve, përzgjedhur disa prej tyre për t’i lexuar para sallës. Ranë në sy ndërhyrjet e drejtorit të Institutit, që me shumë pasion u ngrit dhe i komentoi disa prej poezive. Folën Angela Giannelli, Marco de Santis, Daniele Giancane, Anton Berish, etj.
Agim Mato falënderoi të pranishmit dhe u ndje i vlerësuar nga numri i madh i ndërhyrjeve, duke shprehur se bashkëpunimi me “La Vallisën” do të konstituohet së afërmi me marrëveshjen për botimin e antologjive poetike me titull “Poetë të Jugut”, në shqip dhe në italisht.

******************************
QAZIM D.SHEHU
NETË KORÇARE TË POEZISË
Skënder Rusit
Në netët korçare të poezisë
Nuk di të dallosh kush më e bukur mbetet,
Poezia që i afrohet dashurisë,
Apo ky qytet mbi të gjithë qytetet.

Këtu metaforat zihen ngushtë,
Dhe marrin një rrobe nga qielli blu,
Dy lule bliri në një udhë,
Me motive floreale të fryjnë në gushë.

Dhe për të mos mbetur krejt lakuriq,
Ngaqë ky qytet ka furnizuar shumë poetë,
Poetët e rinj thirr si miq,
O netë korçare të poezisë,o netë…
RRËKEZA
Me hirin e mëndafshuar të këndelljes,
Një rrëkezë
Në barin mugullues shushërin,
Ajo mëkon afsh pa pendesë,
Gjarpër mëkati me pickim.

Shkopinj rrezesh si mbi tambur,
Trokasin mbi ujin e paktë,
Flamur instiktesh rrëkeza hurb,
Dhe bari s`mbetet i thatë…

Nga gjiri i tokës sjell mërmërimën
Ndjelljen e bekuar të dëshirës,
Të fortët para saj dridhen,
Të dobtit përtërihen…
KODRA
Në pritje që malin ta mbulojë mjegulla,
Kodra ngre kryet si koketë,
Ajo e di ,natyra ka të vetat rregulla,
Rastin pret të duket, ajo e shkretë.

Sa më gjatë mjegulla të ngjajë,
Ajo do duket më e madhe,
Dhe madhështinë të mos e ndajë,
As me fusha ,as me male.

Kur mjegulla ik e mali del,
Me lartësinë e vet të frikshme,
Me një lehtësim kodra e shtjell,
Një krenari të dhimbshme:.

Se njerëzit njëherë e panë,
Të famshmen e vet lartësi,
Mjegullat që erdhën e vanë,
Ua kujtuan me sekëlldi…
SOKAKU
Luspat e gurëve mbi trup gjigandi
Të ngjan u vendosën,
Koncerte gjethesh dirigjon mbrëmja
Mbi hapa që dridhen..

Nëse nën hapa ndonjë gjethe
Kërcet e ndez jetë,
Luspa e gurit del tepër
Hapit i jep fletë.

Luspat e gurit mbi këtë rrugë,
Mishin e kujtesës korracuan,
Që mbrëmja të binte më e butë,
Për kujtësn tek vuan…
BURIM I ZEMRËS
Zemra është një krua që rrjedh pareshur,
Një rrahje tingujsh plot fëshfërimë,
Duhet ta dëgjosh një mbrëmje të dehur,
Si në qetësi një burim…

Kristale buzëqeshjesh ajo mbledh,
Ajër dëshirash ndez me to,
Ashtu si burimi me rreze ngjeth,
Tinguj uji, dhe larg i ço…

GJAKOVËS PËR HERË TË PARË…
U shuan rrudhat e horizontit kur Gjakovën pashë,
Në indet e një dite që nuk kullonte gjak,
Kufiri i veremosur ishte një plagë,
Që u shërua pak nga pak.

Dhe shetita rrugëve të saj,
Me Muharrem Kurtin ,poet,
Ngaqë ishte herë e parë,
Humba në të krejt…

Ky qytet shqiptar më shqiptar
Se ç`duhej të ish qëndroi,
Në çdo ind një vatër zjarr,
Mban pa lëvdatë heroi…

******************************
NJOFTIM!
Të nderuar, krijues, poetë, shkrimtarë, kritikë letrarë dhe lexues të rregullt të gazetës “Telegraf”! Tashmë është vitit i tetë që gazeta jonë është pranë jush, pranë krijimtarisë tuaj, pranë çdo zhvillmi letrar në Shqipëri. Gazeta “Telegraf” është e vetmja gazetë e përditshme në Shqipëri që ka vënë në dispozicionin tuaj tetë faqe në javë, për të gjithë krijuesit shqiptar kudo në botë. Për të çuar më tej këtë bashkëpunim të frytshëm, për të rritur më shumë cilësinë e botimeve, për të krijuar një fizionomi më të spikatur në Rubrikën “Pena shqiptare”, jeni të lutur si më poshtë:
– Çdo krijues të paraqitet jo më shumë se me katër poezi, jo shumë të gjata, të cilat mund të formatohen deri në 1/3 e faqes së gazetës.
– U jepen përparësi tregimeve të shkurtra, jo më shumë se dy faqe Ëord.
– Kritikat letrare, ese-të, të jenë të shkurtra, orientuese, përmbledhëse dhe jo analizë e plotë ( deri 1.5 faqe Ëord).
– Të gjitha krijimet, të jenë të shoqëruara me fotografi cilësore, të autorit dhe të librave.
– Të gjitha krijimet të jenë të shkruara qartë (nuk pranohen me shkrim dore), mundësisht sipas rregullave drejtshkrimore.
– Kontaktet tona do të jenë të përhershme, njëherësh, në këto adresa elektronike:
[email protected], [email protected], [email protected]
Ju faleminderit!
Redaksia e gazetës “Telegraf”!

*******************************
Përshëndetje!
Gazeta “Telegraf” ju sjell pranë suplementin letrar “Pena shqiptare” nr 21
Datë: 18 maj, 2015
Në këtë numër do të lexoni:
01-Poezi nga Andon Zako Çajupi, Violeta Allmuça, Qazim Shehu, Martin Cukalla, Enrieta Sina
02- Ese dhe tregime nga Niko Gjoni, Remzi Gjika, Freskida Miloti, Pelivan Haxhiaj, Sokrat Ndreçka

03- Kritikë nga Prof. Sulejman Muça, Hektor Veshi, Hektor Veshi, Zyrafete Kryeziu
04- Botime nga Danel Cana, Vladimir Muça, Basir Bushkashi, Donika Rrethej, Nikolin Gurakuqi

Mirëkuptim!
Njoftojmë të gjithë shkrimtarët, poetët, kritikët e letërsisë, të gjithë krijuesit e të gjitha gjinive të letërsisë, se prurjet e kësaj jave janë të jashtëzakonshme nga të gjitha trevat dhe shtetet ku ka emigrantë shqiptarë, prandaj është i pamundur botimi në këtë numër. Por bëjmë me dije se, të gjitha krijimet, ndoshta të vonuara në kohë, do të botohen, pa asnjë përjashtim, pa asnjë paragjykim, pa asnjë mendim të njëanshëm. Këto faqe letrare janë të hapura për të gjithë krijuesit brenda dhe jashtë Shqipërisë, nëse përfaqësojnë letërsi të vërtetë. Kjo Rubrikë është e hapur, transparente për të gjithë krijuesit që përcjellin vlera, duke ruajtur rregullat dhe normat e botimit. Çdo krijues është i lutur të përmbahet në njoftimin e vënë një javë më parë, ku çdo krijues nuk mund të botohej në harkun kohor të një muaji e gjysmë.
Ju Faleminderit! Redaksia e “Telegraf”.