Suplementi “Pena shqiptare”, 21 dhjetor 2015

1740
Sigal

Karl May
Karl May lindi më 25 shkurt 1842, si i pesti, ndër 14 fëmijët e një familjeje tejet të varfër, nga një zonë në afërsi të qytetit të Dresdenit, në lindje të Gjermanisë. Ai punoi si mësues, qysh në moshën 19-vjeçare, por e humbi sërish vendin e tij të punës, vetëm pak javë më pas. Nga vështirësitë e jetës, atij iu desh të vuante edhe tetë vjet burg, si pasojë e zgjedhjes së gabuar që bëri ato vite, duke kryer akte ordinere, si vjedhje, rrahje etj. Pas lirimit nga burgu në vitin 1874, May i hyri profesionit të shkrimtarit, pasi zbuloi se kishte talent për këtë punë. Karl May është padyshim shkrimtari i romaneve me udhëtime, më i lexuari në hapësirën gjermanofolëse dhe vepra e tij ndoshta më e lexuara, pas Biblës së Martin Luther-it. Megjithëse ai shkroi më shumë se 150 vjet më parë, për gjeneratat e reja, librat e tij vazhdojnë të jenë shumë të dashur. Në fillim ai shkroi disa novela të shkurtra dhe më pas disa romane anonime. Por fama e tij erdhi kur ai shkroi “Tregime me udhëtime”, që i botoi për herë të parë në vitin 1892. May, duke folur në vetën e parë, rrëfen për aventurat e bëmat e heroit të vet në vende ekzotike, para së gjithash në “Perëndimin e egër” të Amerikës Veriore dhe në orient. Ai ia doli që këto raporte fiktive (pasi ai nuk kishte shkelur vetë në ato vende, në të cilat zhvilloheshin ngjarjet e veprës së tij) të përcilleshin në mënyrë shumë sugjestionuese te lexuesit dhe rajonet gjeografike, ku jetonin popuj të ndryshëm, në libër të shfaqeshin plot fantazi me aq shumë ngjyra, saqë tregimet “Winnetou”, “Old Surehand”, “Në shkretëtirë” – megjithëse vlerat e tyre letrare për shumë kritikë janë të debatueshme – për gjeneratat e sotme vlerësohen si shumë informative, interesante dhe plot jetë.

Sami Frashëri
Lindi në Frashër të Përmetit, më 1 qershor 1850. Ishte një nga djemtë e Halit bej Dakollarit. Mësimet e para i mori në fshatin e lindjes. Më 1865-ën së bashku me pesë vëllezërit e tij dhe dy motrat u vendos në Janinë. Këtu së bashku me vëllanë, Naimin, Sami Frashëri kreu shkollën e mesme greke “Zosimea”, ku përveç kulturës së përgjithshme, përvetësoi krahas greqishtes së re e të vjetër edhe gjuhën latine, si dhe gjuhën frënge dhe atë italiane. Në Tetovë, nga Mahmut Efendiu (Kalkendelenli Mahmut Efendi), mësoi arabisht, persisht dhe turqisht. Më 1872 u vendos në Stamboll, ku zhvilloi një veprimtari të gjerë patriotike për çlirimin dhe bashkimin kombëtar të popullit shqiptar dhe bashkëpunoi me përfaqësuesit më përparimtarë të lëvizjes demokratike-borgjeze turke. Ishte një ndër organizatorët kryesorë të “Komitetit Qendror për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare” dhe me themelimin e “Shoqërisë së të shtypurit me shkronja shqip” (1879) u zgjodh kryetar i saj. Sami Frashëri drejtoi revistat e para në gjuhën shqipe “Drita” dhe pastaj “Dituria” (Stamboll, 1884-85) ku shkroi një varg artikujsh. Për nevojat e shkollës shqipe hartoi librat “Abetare e gjuhës shqipe” (1886), “Shkronjtore e gjuhës shqipe” (gramatika, 1886) dhe “Shkronjë” (Gjeografia, 1888) në gjuhën shqipe. Nga veprat më të shquara të këtij mendimtari të shquar, patriot, demokrat dhe iluminist është “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”, botuar më 1899 pa emër autori në Bukuresht. Ky traktat u bë manifesti i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, vepra që sintetizoi programin e lëvizjes, strategjinë dhe taktikën e saj. Në të u shprehën idealet demokratike të zhvillimit politik e shoqëror të vendit, të zhvillimit të arsimit, të kulturës e të shkencës. Sami Frashëri hartoi dhe një fjalor të gjuhës shqipe që mbeti i pabotuar, ai la gjithashtu në dorëshkrim një përmbledhje këngësh popullore shqiptare. Çështjen shqiptare Sami Frashëri e mbrojti edhe në organet e ndryshme të shtypit që drejtoi, sidomos në gazetën turke “Terxhuman-i Shark”. Sami Frashëri është autor i 57 veprave në gjuhën shqipe, turke dhe arabe duke përfshirë këtu edhe revistat e gazetat që i drejtoi duke botuar vetë në to. Çështjen shqiptare dhe historinë e popullit shqiptar Sami Frashëri i trajton edhe në veprat në gjuhën turke e sidomos në artikujt e botuar në shtypin e kohës, si edhe në veprat letrare me motive nga jeta shqiptare.

“Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”

Pjesë
Ilyrianët e Epirotëtë, si qëndruanë shumë kohë kuntrë Romanëvet, më në funt forc’ e madhe e këtyre e shumica i mundi, si edhe kaqë kombe të tjerë që kishin poshtuarë këta.Epiri atëherë ish i bashkuarë me Maqedoninëe, me të qenë q’u mbajtnë shumë kohë e i vranë shumë ushtëri Paul Emilit, kreit të ushtëris së Romanëvet, ky njeri i egërë e zemërgur dolli e prishi tetëdhjetë qytete në Toskëri e shpuri kaqë mijë skllef në Romë!Kështu humbi dliri’ e Ilyrianët e Epirotëvet, edhe këta vende, do-me-thënë Shqipëria, hynë nënë urdhërit të Romanëvet. Po shqiptarëtë, sado q’u muntn’ e u vranë, nuk u poshtuanë e s’u bënë robër.Ishinë prapë e gjthnjë zotërinj në vëndit të tyre e Romanëtë s’kishinë përveç se emënin’ e zotëris së vendit.Për të pasurë pakë fuqi në Shqipëri, kishinë sjellë disa kolonja Romanësh e i kishinë vendosurë nëpër vende të fortë të Shqipërisë. Far’ e këtyre kolonjave janë Vllehtë a Xinxaretë, që gjendenë edhe sot në vëndit tënë. Edhe udhën’ e gjatë, që kishinë goditurë që nga Durrësi gjer në Salonik për të shpënë ushtëritë e për tregëri e të cilënë e quaninë Ignatius nga fjala shqip e gjatë , mezi e ruaninë. Në vëndit të mbretërvet t’Ilyrisë e t’Epirit ish’ mbretëri e Romanëvet, po Shqipëtarëtë qerisëshinë prapë prej parësis’ e prej pleqësisë së tyre si gjithë jetën. Kështu qe Shqipëria e kështu roninë Shqipëtarëtë nënë Romanëtë. Kur u nda mbretëri’ e Romanëvet më dy, Shqipëria i ra mbretërisë së lindjesë që kish qëndrënë në Konstantinopojë. Edhe nënë mbretëret të Konstantinopojës Shqiptarëtë ishinë, po thua, të dëlirë e qeverisëshinë në mesit të tyre; ishinë zotërinj në vënt të tyre e jo robër. N’ato kohëra hyni Krishtërimi në Shqipëri e më pakë kohë gjithë Shqipëtarëtë u bënë të krishterë, po pa ndruarë vetiat’ e zakonet’ e vjetëra të tyre. Duke dobëtuarë’ Mbretëri’ e Konstantinopojësë, shtohësh fuqi’ e dliri’ e Shqipëtarëvet. Po më të shtatët shekull të Krishtit mizëri Shqhsh e Bulgarësh u sulë prej veriut e prej lindjesë e hynë me hir e me pahir në dhet të Byzantinjet. Nga këta Sërbëtë mbushnë vëndet e veriut të Ilyrisë, do-me-thënë Bosnjënë, Herzegovinënë, Dalmatinë, Mal e Zi e Sërbinë, edhe Bulgarëtë përzjerë me Shqeh zunë Maqedoninë. Shqiptarët’ e maqedonisë u hoqnë n’anët të veriut e të perëndimit në malet nga vend’ i tyre, po u përzjenë me aqë shumë Shqeh, sa i humpnë gjuhën’ e tyre e zunë të flasin serbisht. P’andaj mundimë të themi se Bosnjakëtë, Herzegovinasitë, Dalmatëtë e Mal-Zestë janë më tepërë Shqipëtarë se me Shqeh’ kanë shumë gjak Shqipëtari në rëmbat të tyre; shtati, fytyra, zakonetë, këngët’ e vallet’ e tyre e çdo gjë i afron më shumë me Shqipëtarë se me Shqeht’ e tjerë, të cilëtë s’kanë atë shtat e atë fytyrë. Po me të qënë që sot flasinë sërbisht, quhenë Shqeh e jo Shqipëtarë; se gjuha ësht, e para shënj e të çquarit të kombevet. Pra, me këtë mëndyrë u nda gjymës’ e Ilyrisë edhe gjymës’ e Maqedonisë nga Shqipëria e u bënë Shqehëri; edhe Shqipëria mbet një vënt i vogëlë, që pushton gjymësën’ e jugës s’Ilyrisë, gjymësën ( anën’ e veriut e të perëndimit) e Maqedonisë edhe gjithë Epirë. Në kohët e Romanëvet e të Byzantinjet u lan’ e u haruanë emënatë Ilyri, Maqedoni e Epir edhe Shqipëria, që mbet, si thamë, zu të quhesh në botët Albania, prej emërit shqip Arbëni. Q’atë her’ e tëhu Shqipëria s’ka ndruarë kufi, ësht’ edhe sot ajo, përveç pakë vende q’i dhanë Serbis’ e Malit të Zi pas kuvëndit të Berlinit, si Vranja, Leskovaçi, Kurshunlia, Ulqini etj. Nga të shumët’ e këtyre vëndeve Shqipëtarëtë bënë faj të madh t’iknë e lanë vendin’ e tyre për jetë Shqehet, përveç Ulqinit që ka qën’ edhe është gjithë jetënë Shqipëri edhe që pandryshim do të kthehetë një ditë e të bashkohetë me Shqipërinë.

Elbasani, djep personalitetesh të kulturës sonë kombëtare

Mustafa BERATI

Prej vitesh, të etur për kulturë dhe dije, elbasanasit kanë kënduar e vazhdojnë ende së kënduari:
Elbasan i bukur,/ Në kërthizë të Shqipërisë./ Djemtë dhe vashat porsi flutur/ Rrokin librat e ditunisë…
Elbasani, nga vetë pozita gjeografike kaq qenë dhe është një qendër e shkëmbimit kulturor e artistik të shqiptarëve. Pikërisht ky faktor ka ndikuar ndjeshëm në brumosjen e njerëzve më të shquar të tij, që kanë lënë gjurmë të spikatura në letërsi, mësuesí, art, shkencë, politikë e kudo. Emrat e personaliteteve të nderuara si patrioti e mësuesi i shquar Dhaskal Todri; babai i gjuhës shqipe, Kostandin Kristoforidhi; gjuhëtari i shquar Aleksandër Xhuvani; veprimtari i lëvizjes kombëtare dhe studiuesi Lef Nosi. Ky i fundit, që përfshihet në plejadën e rilindësve të mëdhenj shqiptarë, nuk është i shpalosur si e sa duhet nga regjimi i kaluar diktatorial. Aktiviteti i tij është sa politik aq edhe shkencor e hulumtues në fushën etnografike dhe në atë folklorike. Biblioteka e tij përmbante mbi 10 mijë volume librash me vlerë albanologjike e ballkanologjike. E vjen më pas, për nga rëndësia tragjediani i spikatur, i quajtur Eskili i Shqipërisë, Et’hem Haxhiademi, i cili zë kryet e vendit për artin dramatik. Po kaq të shquar mbeten bij të kësaj treve, të njohur në fushën e shkencave gjuhësore e të letrave shqipe, figura të tjera, si Prof. Dr. akademiku Mahir Domi, shkrimtari dhe historiani i shquar i letërsisë shqipe, akademiku Dhimitër S. Shuteriqi etj. Mjaft i rëndësishëm është kontributi i elbasanasve edhe në fushën e albanologjisë, të historisë dhe arkeologjisë, duke filluar me të madhin, kreun e Akademisë së Shkencave, Prof. Dr. Akademikun Aleks Buda; ndjekësin e tij më të afërt, akademikun Kolë Popa; kreun e arkeologjisë shqiptare, themeluesin e kësaj shkence, të mirënjohurin Hasan Ceka, rrugën e të cilit e ndoqi i biri, arkeologu dhe politikani i mirënjohur, Neritan Ceka. Elbasani i ka dhënë mbarë vendit studiuesin e mbledhësin e shquar të folklorit shqiptar, profesorin e pashpallur, por plotësisht të merituar për fushën e folkloristikës, etnomuzikologjisë dhe etnografisë, Qemal Haxhihasani; prof. e shkencave mjekësore, kirurgun Kolë Paparisto; profesorin dhe kirurgun e mirënjohur në rang Republike, kardiologun Petrit Gaçe, apo për diagnozat tuberkulare, Dr. Stilian Nosi etj. Nuk mund të lë pa përmendur një figurë tjetër të shquar të arsimit kombëtar, botanistin më të madh shqiptar, doktorin dhe profesorin e asociuar Mustafa Demiri. Ky ishte i pari që hapi parcelën eksperimentale studimore për të zhvilluar praktikën mësimore studentët e Shkencave të Natyrës dhe më pas na la Kopshtin Botanik në qendër të Tiranës. M. Demiri ishte autori i parë i librit për florën shqiptare dhe i disa botimeve të tjera shkencore në këtë fushë, deri te kryevepra e tij “Flora ekskursioniste e Shqipërisë”. Këtu përmendim edhe botanistin tjetër të shquar, Xhafer Qosja etj. Me krenari përmendim edhe njerëzit e fushës së artit e të muzikës, të krijimtarisë popullore e artistike me përmasa kombëtare Artistin e Popullit, Isuf Myzyri e duke vazhduar më pas me Mustafa Bodinin dhe Aleks Vinin. Së bashku, tre kolosët e këngës dhe muzikës popullore elbasanase, kanë krijuar, kompozuar e kënduar mbi 400 këngë – perla të kësaj fushe. Këngët e tyre këndohen edhe sot në mbarë trevat e Shqipërisë, por edhe në diasporë, ku shqiptarët e hershëm dhe ata të sotmit me nostalgji i kujtonin e i kujtojnë, i këndonin e i këndojnë në koncerte e festivale. “I kënduam me shpirt e zemër Elbasanit/ I kënduam të bukurës lule/ I kënduam bujarisë,/ Bukurisë elbasanase/ Portës së kalasë e selvive të namazgjasë”… Elbasani përmend me nderim Thanas Meksin, etnografin, etnologun, publicistin dhe autorin e disa botimeve serioze, të vlefshme për kohën dhe për brezat e ardhshëm, menaxherin e artit dhe krijuesin e ansamblit “Isuf Myzyri” dhe të ansamblit “Elbafolk”. Përmes të tyre ky intelektual shumë dimensional ka nxjerrë në pah vlerat e veçanta shpirtërore dhe artistike të popullit elbasanas, duke e ruajtur dhe forcuar emrin e këtij qyteti si “vatër e pashuar” e folkut shqiptar. “Elbafolku” është fitues i Çelësit të Artë në Moskë, si dhe i disa çmimeve në Francë, Holandë, Turqi, Bullgari, Rumani, Gjermani etj. Elbasani nuk mbahet vetëm si qyteti i Ditës së Verës, me ballokumet e mrekullueshme të tij, por edhe si qyteti i mirësisë, i arsimit, i kulturës, i shkencës, i tolerancës, i vetëpërmbajtjes, i korrektesës, i paqes dhe i kontributeve të jashtëzakonshme të mendjeve të zgjuara, që kanë rrezatuar në qytet e në çdo krahinë si dhe në të gjitha qytetet e krahinat e mbarë vendit, e më tej. Elbasani ka qenë vatra ku lindën, jetuan e kontribuuan me artin dhe aftësinë e tyre piktori dhe ikonografi i madh i Mesjetës, Onufri, bashkë me djalin, Nikolla si dhe nipin e tij, Konstandin Shpataraku, të tre ikonografë të mëdhenj të shkallës botërore; ikonografi e studiuesi me vlera të veçanta në fushën e studimeve të këtij arti Theofan Popa; vëllezërit Shpataraku; arkitekti Sadefqar Biçakçiu, piktori i mirënjohur Bukurosh Sejdini… (Artist i merituar). Lista e personaliteteve kulturore, letrare dhe artistike elbasanase mund të vazhdojë me shkrimtarin e publicistin e mirënjohur, Filip Papajani (Lipi – emër në krijimtarinë e tij letrare); me shkrimtarët Ali Abdihoxha e Dhimitër Xhuvani; aktorët Demir Hyskja (Artist i Popullit), Shpëtim Shmili (Artist i merituar), me muzikantin Mit’hat Stringa (Artist i merituar), kitaristin më të madh shqiptar e muzikantin ekselent Alfons Balliçi (Artist i merituar), i cili u nda nga jeta disa muaj më parë, violinistin virtuoz Ibrahim Madhi (Artist i Popullit)…Në këtë listë përfshihen me meritë dhe dinjitet shkrimtarët dhe poetët e mirënjohur Musa Vyshka, Behxhet Çerma, Shefki Karadaku, Beatriçe Balliçi, Milianov Kallupi, Lirim Deda, Astrit Bishqemi e shumë të tjerë. Me krijimet e tyre ata pasurojnë pa reshtur gjerdanin e bukur me perlat e qytetit, duke ruajtur edhe qenien si krenarí e këtij qyteti dhe duke shtuar numrin e adhuruesve e të lexuesve në mbarë vendin e përtej. Elbasani ka nxjerrë edhe këngëtarë të mëdhenj e me auditor, jehonë dhe pëlqyeshmëri shumë të gjerë. Nga kjo fushë mund të përmenden Artistja e merituar Marie Dhama, Tahir Gurakuqi, Albert Tafani, vëllezërit Mehdi e Demir Zena, Zina Zdrava, Zeliha Sina, Suzana Qatipi, Mustafa Mehja, Kastriot Tusha, Eglantina Toska e mjaft të tjerë. Unë si autor i këtij shkrimi e mjaft shokë të mi të fushave të ndryshme, i kujtojmë ata me plot dashuri, mall e dëshirë teksa këndojmë, ashtu, nën zë, këngët e tyre.

Enrieta Sina

SIKUR TË MUNDJA…!
Ah, sikur lot jetës mos t’i shoh
Me vesë trendafili të laja ëndrra

Ah, sikur zjarr tokës mos t’i njoh
Me ylber të ndriçoja natën

Ah, dhimbja mos të mbrinte tek fëmijtë
Në prag do lusja ngrohtësi nga shpirtra

Sikur të mundja të ndryshoja orët
Kur plagë zemre marrin njerëz n’botë

Do t’i lutesha Zotit për dashurinë e qiellit
E zemrat mos të mbillnin kurrë më lotë..

Sikur të mundja…

MBRËMË…

Mbi këllëfët e jastëkut
Flokët po tjerin bardhësi
Rrënjët e tyre kërkojnë të djeshmen

Më vjen keq t’i prek
Mollëzat e gishtrinjve mbajnë kaçurrelat
Larguar ndër stinët që ikën pa kuptuar

Mbrëmë kërkova kujtime të largëta
Trokita në dyert e tyre hermetike
Nuk ndodhi aspak çudia

“Fli…!më pëshpëriti heshtja
Ndofta ëndrra do të jetë e bukur
E për ty do të sjell tjetër jet’

Mbrëmë, mbi këllëfët e bardhë
Kuptova sa larg isha nga e vërteta
Me gënjështër po shkoj në ëndërr…

Në minutat e mesnatës
Orët po sjellin një zë të ëmbël
Ëngjëlli i jetës s’më la vetëm…

Në sa pranvera e kisha rritur
Duke e veshur me petale trendafili
Mbrëmë më solli buzëqeshje yjesh…

TË JETË E VËRTETË…?!

Po më pushton një qiell kaltërosh
Ku shoh të fluturojë një pulëbardhë
Me krahun e saj po qëndis yje

Erdhe kaq bukur në një ditë dimri
Duke lënë pas për mua furtunën
Me një buzëqeshje mbjellë në re

Të jetë e vërtetë që çel bukur qielli
Mbjell kaq shumë atje lulshqera
Për të më dhënë petale fati!?

Po më pushton një marrëzi e lehtë
Ngrihem lart me të duke puthur shiun
Që të troket ty në dritare shpresash

Ndofta një ditë bekuar do jemi
Atje ku pulëbardha përplas rreze dielli
E shkund për në tokë zëmërim nate

Eja po të pres, në çdo orë jete
Të jemi të dy nën një shtromë zjarri
Të dy të na djeg ëmbël dashuria…

TI E DI….

Nëse trendafili hap petalet
Në pistil të tij ulet bleta
Duke marr nectar
Nëse nata përcjell yje
Mbaje yllin e fatit tek bie
Aty gjen shpresën tonë
Nëse dallgët ngrihen
Për tu përplasur shkëmbit
Zgjate dorën drejt valës
Nëse dje s’u takuam dot
Kërko çastin e bardhë ditës
Shkruaj fjalët e pathëna
Nëse mbrëmjes je vetmuar
Duke kujtuar një takim të hershëm
Puthe Hënën të sjell vajzën
Ti e di jeta është e tillë
Ndryshe si do të mbante mistere
Për tu nderur në lot dashurie.

**********************************

Sportistë bolenas që shpalosën vlera kombëtare dhe ndërkombëtare

Prof. Asoc. Dr. Bernard ZOTAJ
Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI

Më se 17 vjet më parë, në të largëtin vit të mundimshëm 1999, në një ditë të këtij viti, një bir i Bolenës, Servet Tartari, që kishte dalë në pension, mbledh të dhëna dhe organizohet për botimin e një libri për sportistë, të cilën kishin bërë emër në historinë e sportit shqiptar dhe ishin nga një fshat. Sportet e të gjitha fushave kishin gjetur zhvillim, përhapje dhe djemtë dhe vajzat bolenase kishin bërë emër në Shqipëri dhe në Evropë. Pa e zgjatur shumë, Serveti fton në intervista një nga një të gjithë të mëdhenjtë e sportit të Bolenës, që ishin bërë të dëgjuar dhe krenarë për vite me radhë, duke parapëlqyer t’i takonte dhe të shkruante diçka për ta. Ai vendos që të përfaqësohte me një libër, për të sfiduar, siç kishin sfiduar dhe këta bij e bija të këtij fshati në fushat e ndryshme të sportit. Ai vendos që Bolena të dëgjohet dhe të përfaqësohet nga një libër i veçantë për sportin shqiptar.Në të vërtetë, ndonëse vendosi të titullohet “Bolena në sportin shqiptar”, Vëllim II dhe i tillë ngeli dhe do të ngelet në histori ky libër. Do të kalonin vite dhe ky libër do të merrte vlera dhe sot i janë shtuar edhe sportistë të tjerë gjatë këtyre viteve. Më tej këtij libri iu kushtua dhe një dokumentar për të gjithë këta sportistë të vlerësuar dhe të nderuar. Kanë kaluar 17 vjet nga botimi i parë dhe ky libër shkëlqen si vet shkëlqimi i të gjithë sportistëve në vite. Dhe Serveti në këto vite përsëri dhe përsëri është futur në historinë e tyre deri në detaje. Libri “Bolena në sportin shqiptar” është një libër që të befason. Në listën e gjatë sportive dhe që kanë bërë emër në sportin shqiptar, shquhet një fshat me emërin Bolenë që të befason me këtë galeri të sportistëve në vite. Në këtë libër vëmendje ju kushtohet sportistëve kampionë dhe që kanë lënë gjurmë në historinë e sportit shqiptar, të cilin tashmë nga lartësia e këtyre viteve është shtuar me kampionë të tjerë, duke rritur lavdinë e të mëdhenjëve të fshatit si Bejkush Birçe, Perlat Musta apo Elisabeta Karabolli, Afërdita Leskaj dhe Ariana Birçe, Kastriot Malajt e deri te gjyqtarët Hajro Leskaj e Pajtim Aliko e të tjerë. Servet Tartari dashurinë për Atdheun e ka nisur nga dashuria për fshatin. Libri paraqet interes të veçantë, pasi ai promovon talentet shqiptare, qoftë edhe të një fshati të dëgjuar, si është Bolena. Këta sportistë të shquar të fshatit, duke qenë bij e bija të Bolenës, ndihen krenarë për prindërit e paraardhësit e tyre dhe kanë manifestuar shpirtin lab, pasionin, guximin dhe këmbënguljen për t’u bërë sportistë të dëgjuar dhe të famshëm. E të gjithë këta kanë lënë gjurmë të pashlyeshme për sakrificat, pasionin dhe talentin e treguar, por mbi të gjitha dëshirën e tyre të ndezur, për të përfaqësuar sportin sa më denjësisht në arenën ndërkombëtare. Duke bërë të njohur historinë e sportit dhe gjenezën e lindjes e të zhvillimit, jetën dhe aktivitetin e çdo sportisti, autori ka prurë veprimtaritë sportive, emocionet e gjallërinë, të cilët bënë që në stadiumet olimpike e botërore të nderohet flamuri kombëtar. Servet Tartari i nxitur nga dëshira dhe pasioni për të pasqyruar kulturën sportive, kontributin në këtë fushë të mjaft bijve dhe bijave të Bolenës, e ka nxitur shkruaj një libër të pasur për përpjekjet e tyre dhe përparimin e sportit shqiptar. Por në zhvillimin sportiv shfaqen dhe vajza të Labërisë, të cilat janë ngritur në nivelet e larta të sportit shqiptar. Por, llojet e sportit të pasuruar dhe të zhvilluar në nivele të kohës, rezultatet dhe rekordet e tyre u bënë përfaqësue të zhvillimit të shoqërisë sportive, duke u krahasuar dhe ballafaquar me nivelet e Evropës dhe të botës. Në krenarinë sportive shqiptare, këta bij dhe bija të Bolemës dhe të Labërisë, u bënë ambasadorë të parë dhe anëtarët e parë të Shqipërisë në Evropës dhe botës, duke demonstruar se Shqipëria e dashuron sportin. Midis këtyre sportistëve “labë” u rreshtuan Bejkush Birçe, Perlat Musta, Elisabeta Karabolli, Mexhit Haxhiu, Ahmet Golemi, Isa Tare, Afërdita Leskaj, Hajro Leskaj, Teuta Birçe, Servet Alikaj, BesnikAlikaj, Latif Gjondeda, Hasan Luçi, Edmond Liçaj, Kastriot Malaj, Alban Bushi e shumë të tjerë.
**********************************************
Guri Stefani, u dhuroi lexuesve librin e gjashtë, prush, mall e mjaltues “Më thërret vendlindja”
PËR TY ATDHE…

Niko Ligori

Shkrimtari shqiptaro-amerikan Guri Stefani, biri fisnik i Shtikës-Kolonjë, aktualisht me banim në Boston të SHBA, botoi e u dhuroi lexuesve librin e gjashtë prush mall e mjaltues “Më thërret vendlindja” (i treti në poezi) N’atë libër “është” vendlindja e autorit “Mëmëdhe quhet toka/ku më ka rënurë koka” – Çajupi, është vetë Atdheu – i tokës baltë, më e ëmbël se mjaltë, në të kumbon fuqishëm dashuria e malli pafund i poetit për Shqipërinë, tonë, ashtu, e në vazhdim, si në këngën Himn e Flamur: “Për ty Atdhe”, të kënduar nga i paharruari Mentor Xhemali. Edhe ky libër poetik i Gurit, është një buqetë lulesh të bukura shqiptare, është si një dorë dhe’ apo gur “Çajupjan” që çmall çdo të mërguar me Atdheun tonë. Të 41 poezitë-këngë të botimit të ri, ua çojnë vendlindjen e Shqipërinë kudo nëpër botë ku jetojnë e punojnë shqiptarët, dhe janë një mesazh-amanet në vijim të vargjeve mall të Çajupit nga Misiri i largët:

“…Në dhe’ të huaj, dëgjomë:/ Zemra m’u mallëngjye,/ Dërgomë një gur, dërgomë./ Ta vë jastëk ndënë krye…”. Guri Stefani, 82 vjeçar, që tërë jetën për Atdheun punoi, sakrifikoi e u shkri si qiriri. edhe tani në pleqëri e larg vatanit, është një patriot e shqiptar i vërtetë, ku për vendin e tij shkruan e jep mesazhe, ndjehet krenar që kudo e kurdoherë ka “mbjellë virtytin e ka “korrur” nderin”. Është një intelektual i heshtur e plot merita, lavdinë kurrë s’e ka kërkuar, ajo shkon tek ai që s’e kërkon, po e meriton. I frymëzuar nga vargjet e mëposhtme të Naimit, që i janë bërë “pronë”, dhe me shpirt e mendje, por dhe me lotin e mallit, me vlagën, aromën, vesën, oksigjenin e uratën e vendlindjes, Guri Stefani, shkruan, thurr poezi e boton. Kur lexon me etje krijimtarinë e tij, uron: Shëndet e lumturi, o poet i përflakur e i paplakur, që jetën nuk e do për vete:
“Shqipëri, o mëma ime, ndonëse jam i mërguar,/dashurinë tënde, kurrë zemra s’e ka harruar…”. Dhe në poezinë “Një erë pranverore në Gramoz”, poeti dashurinë e mallin për vatan e shpreh me vargjet: “Do të vij përsëri pranë/në lëndinat, gërxhet e tua,/Do të çmallem me vatanë,/do të them me shpirt TË DUA!…” …”Udhëtojmë” në 41 lirikat e 65 faqeve të librit poetik “Më thërret vendlindja” të autorit e mikut tonë Guri Stefani, (ndoshta librit do t’i shkonin mirë e ëmbël edhe titujt “Për ty Atdhe” ose “Të dua Atdhe”) dhe në çdo poezi, strofë e varg, takohemi e bisedojmë ngrohtësisht e me mall me autorin. Në to lexojmë e njihemi me jetën e aktivitetin në vorbullat e viteve të tij, që fillojnë nga Shtika e bukur e me histori, ku kaloi fëmijërinë, mësoi abc-në, e u përgatit e fisnikërua nga ai fshat në gjoks të Gramozit hijerëndë e frymëzues, për të vazhduar më tej rrugën e jetës në Korçën e serenatave, në Durrësin e lashtë, dhe së fundi në Boston me aktivitet atdhetar si shkrimtar. Në poezitë e këtij libri autori me kujtimet për çdo gjë shqiptare, (kujtimet janë thesare të çmuara në jetë) jep mesazh, sidomos për rininë, larguar nga atdheu e vendlindja, që të mos i harrojnë, pasi atje i kanë rrënjët, origjinën ndaj të vijnë, t’i vizitojnë, të çmallen, t’u përfalen, t’u puthin pragjet, të marrin bekimin e uratën, e përsëri e përsëri, sa të rrojnë, t’i kthehen tokës shqiptare, ashtu siç i vjen shpeshherë, edhe pse larg, edhe autori i librit. Guri Stefani, kur vjen në Shqipëri dhe Shtikë, e kur pyesin: kujt i’a dedikon qënien e tij shkrimtar, jep po atë përgjigje jep po atë përgjigje që ka dhënë vite të shkuara, kolegu i tij, shkrimtari nga Shtika, THOMA KACORRI, që i’u shua jeta në Bullgari: – Unë u bëra shkrimtar se kam pirë ujë nga Gramozi, se kam vrarë gjunjët në gurët e Shtikës që kur isha fëmijë, se kam dëgjuar bilbilat e thëllëzat që këndonin në korije, në mal, në Kryq, në Ujët e Ftohtë, te Guri e Sëndyqit, në Ladirec, në Shënkoll e Kristoforicë, se jam vrarë e kam qarë kur kam rënë nga Mani i Coces, se jam fshehur kur loznim me shokët te Xhumblekët, ku ruhej lashtësia e pazbuluar…Jam ngrohur, atje në fshat, nën një diell të artë, jam shtrirë nën hijet e mahnitshme të pyllit me pisha, bredha e ahe, kam përjetuar errësirën që mezi e përzinte kandili, e pastaj e përzuri drita elektrike e çentralet që ngriti fshati në vitin 1957 (çentrali i dytë në Kolonjë) …Kam ndjerë edhe ftohtësinë që vinte nga Gurët e Zes e Shkëmbi i Bletës, kam çarë metalet e dëborës, për të shkuar në shkollë për t’u arsimuar…Kam mbledhur manushaqe e lule kaçe që ua jepnim “të vluarave”.
(“Seç këndon bilbili pllajës së Kolonjës/ Manushaqe e prillit në mes të dëborës”- vargje të një kënge të stilizuar e dehëse për autorin…). Guri me shokë ka pirë ujë në burimet e pafund të Shtikës, vinte gojën në lyfytet (“40 sylynjarë”) e kroit të fshatit ndënë Kishë, që buron nga rrënjët e bredhit 250 vjeçar, monument natyror-kulturor që ruhet nga shteti. Guri u mëkua me këngët (që në fshat ishte këngëtar i njohur) me trashëgiminë kulturore-artistike e zakonare të fshatit të tij të lashtë, që kurrë s’e heq nga shpirti. Ky autor Shtikën e ka me vete edhe në Amerikë dhe me krijmtarinë e tij letrare, në të 6 librat, e lartësoi në vendin e merituar vendlindjen shenjtore. Dhe poezitë e vargjet pambarim për Shtikën vërshojnë si ujrat e kristalta të Gramozit që derdhin në lumin Osum. Ja, vargje malli, loti, dashurie pakufi për nënën e tij që të vetmin djalë, Gurin e katër vajzat, i rriti me “thërrime e mundime”, sepse i shoqi, babai i pesë fëmijëve, dergjej larg, në kurbet. “…Nuk e harroj o nënë, kur isha fëmi,/Në Lëndinën e Lotëve shkoje e vajtoje,/Me duart që dridheshin, ndizje një qiri/Tët shoq, babanë tim, në kurbet, kujtoje…/Do të vij, të përulem, e të vë përmbi varr/Nënë e shtrenjtë, një tufë trëndelinash…!”
Edhe libri i gjashtë i Guri Stefanit është tërheqës, lexohet e pëlqehet nga çdo moshë. Poezitë janë shkruar me gjuhën e pastër shqipe. Punë me përgjegjësi e përkushtim kanë bërë me këtë libër, në ndihmë të autorit, edhe redaktori Kristaq Laka, përkujdesja e menaxhimi nga dr. Vasil Kacorri, grafika nga Nevila Nallbani, si dhe shtypja cilësore nga shtypshkronja përkatëse. Autori dhe bashkëpunëtorët e tij të mësipërm, e meritojnë të falënderohen, që na dhuruan një libër kujtimesh me poezi, me vlerë për çdo brez, për sot e për të ardhmen…

**************************************************

Joana Hada
“Trajtimi i minoriteteve në Republikën e Shqipërisë”
Ky studim synon të realizojë një vështrim mbi legjislacionin ndërkombëtar dhe të atë kombëtar rreth parimit të mbrojtjes së minoriteteve dhe problematikave që prekin drejtpërsëdrejti dhe tërthorazi të drejtat e tyre, duke e krahasuar këtë legjislacion me normat ndërkombëtare dhe të vlerësojë përqasjen midis tyre. nëpërmjet këtyre gjetjeve dhe rekomandimeve, studimi synon të kontribuojë në një zbatim më të mirë të legjislacionit përkatës, të inkurajojë ndryshime të mundshme të tij, për t’u përshtatur më mirë me normat ndërkombëtare. me synimin për të mos pasur një punim tërësisht doktrinar, studimi është gërshetuar shumë herë me raste konkrete, praktikë gjyqësore apo intervista, të cilat kanë shërbyer si një mjet në funksion të sqarimit të koncepteve dhe problemeve që ndeshen shpesh popullsia minoritare. studimi nxjerr përfundime dhe rekomandime të vlefshme për studiuesit e së drejtës. Kërkimet për realizimin e këtij punimi është zhvilluan në tri drejtime: së pari lidhur me doktrinën-literaturën shqiptare e ndërkombëtare, së dyti në drejtim të legjislacionit vendas dhe të huaj, dhe së treti mbi një pyetësor të zhvilluar mbi drejtuesit e minoriteteve dhe popullsinë minoritare. Pavarësisht faktit që ky punim synon t’iu japë një zgjidhje të arsyeshme të gjitha problematikave të kësaj popullsie, kjo varet edhe nga kultura politike, juridike, e të tjerë faktorë të një vendi të caktuar. Në studim është trajtuar gjithashtu angazhimin de jure i shtetit dhe respektimin de fakto i të drejtave të minoriteteve, si dhe rolin e Konventës Kuadër dhe Raportit të tretë të minoriteteve për vendin tonë. Gjithashtu dua të qartësoj se, sigurisht që ky punim mund të ishte akoma më i zgjeruar me raste praktike megjithatë ai nuk merr përsipër të trajtojë specifikisht vetëm këtë aspekt. nëse ky studim do të shihej thjesht si prezantim dhe analizim i rasteve praktike mbi minoritetet do ta shndërronte këtë libër në një raport vjetor të historive jetësore te minoriteteve, gjë të cilën kam dashur ta shmang si përqasje.Ky studim është e rendësishme të jetë pjesë e bibliotekave të disa institucioneve shtetërore që kanë lidhje të drejtëpërdrejtë me minoritetet dhe të drejtat e tyre, të tilla si : Avokati Popullit, Ministria e Punëve të Jashtëme, Ministria e Mirqënies Sociale dhe Rinisë, Ministria e Drejtësisë, …etj
Ajo që do parë si çështje shqetësuese është fakti se nuk ka pasur progres në drejtim të miratimit të një ligji për minoritetet, me gjithë angazhimet e marra nga shqipëria për miratimin e një ligji të tillë në kuadër të Planit Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizimit dhe Asociimit mes Shqipërisë dhe bashkimit Europian. Kuadri ligjor ekzistues nuk adreson me qartësinë dhe hollësinë e duhur një numër çështjesh që ndikojnë në zbatimin e Konventës Kuadër. Një ligj për minoritetet kombëtare do të plotësonte mangësinë ekzistuese dhe do të ndihmonte për qartësimin e politikës së shqipërisë kundrejt minoriteteve të saj.
Deri më sot nuk është arritur të jepet një përkufizim ligjor i nocionit të minoritetit, i cili të jetë pranuar përgjithësisht. Edhe pse janë miratuar një shumicë aktesh ndërkombëtare që i referohen kësaj teme, madje që e kane në qendër të vëmendjes së tyre, por as në këto tekste nuk gjejmë një zbërthim të nocionit të minoriteteve. Kjo shpjegohet shpesh me mungesën e vullnetit politik të disa shteteve për të arritur në një zgjidhje. është fjala për një numër shtetesh të cilat janë deklaruar prej kohësh, si shtete homogjene, unitare dhe që i druhen faktit se një përkufizim i tillë mund të nxitë rivendikimet territorial dhe tendencat separatist. Kjo është arsyeja që përpjekjet mbi përpunimin e përcaktimit ligjor të konceptit minoritet zhvillohen ende sot në një terren diskutimesh e kundërshtimesh pa dhënë ende një zgjidhje.
Studiues shkencor nga gjithë bota kanë shprehur herë pas here mendimi se kjo mungesë ka kushtëzuar në një masë të konsiderueshme edhe sjelljen e shteteve ndaj tyre. Studimet për të përcaktuar termin “minoritet” kanë hasur në shumë, një pjesë e të cilave rrjedh nga shumëllojshmëria e identiteteve të individëve që përbëjnë komunitetet minoritare dhe nga faktorët që ndikojnë në secilin prej tyre. Pengesa të tjera shkaktohen nga këndvështrimet e shumta doktrinare. Për kompleksitetin e tyre këto çështje mund edhe të studiohen: Si çështje të jurisprudencës, pasi minoritetet përbëhen nga individë, të cilët sit ë tillë, por edhe si qytetarë të një shteti, kanë të drejtat e tyre. Si çështje të shkencave politike, pasi minoritetet, si një grup, i cili ndryshon nga shumica e popullsisë për shkak të disa karakteristikave etnike apo kombëtare, ka problematika që lidhen me kombin, identitetin kombëtar dhe ndërgjegjen kombëtare. Si çështje të marrëdhënieve kombëtare, pasi minoritetet mund të jenë urë lidhëse në marrëdhëniet ndërmjet shteteve fqinje ose shkak mosmarrëveshjesh dhe konfliktesh ndërmjet shteti ku jetojnë dhe shtetit të tyre amë; Si çështje me karakter historik, pasi minoritetet janë një bashkësi individësh, që u nënshtrohen ndryshimeve gjatë periudhave të ndryshme kohore. si e tillë kjo bashkësi, krijon historinë e saj, e cila lidhet si me historinë e shtetit në të cilin jeton, ashtu dhe me historinë e shtetit amë. Pra është lehtësisht e konstatueshme se shkenca të veçanta i japin konceptit “minoritet” kuptime të ndryshme. Duke qenë se ne jemi një vend që po punojmë për integrimin e afërt në BE, si në shumë fusha të tjera edhe cëshja e minoriteteve kërkon vëmendjen e duhur për të plotësuar sa më mirë kuadrin ligjor si dhe implementimin e tij në relitetin e përditshëm, gjë e cila në përmbylljen e librit është sjell si një rekomandim modest që duhet të përmirsohet, në këndveshtrimin e juristes Hada. Disa prej rekomandimeve janë:
– Përmirësimi i kuadrit ligjor për minoritetet në mënyrë që të përmbushë kërkesat e Konventës Kuadër të Këshillit të Europës për mbrojtjen e pakicave kombëtare dhe garantimi i zbatimit të saj në të gjithë shqipërinë; -Zbatimi i strategjisë kombëtare për romët, si pjesë e strategjisë së qeverisë për të luftuar varfërinë dhe përjashtimin shoqëror, si edhe sigurimi i të dhënave të sakta për përqindjet e minoriteteve në shqipëri. Problematika e evidentuar nga Komisioni Europian në Raportin e vitit 2006 për shqipërinë për respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve konsiston në këto çështje kryesore: -Zbatimi në praktikë i Konventës Kuadër të Këshillit të Europës për mbrojtjen e minoriteteve Kombëtare është shoqëruar me vështirësi dhe mangësi.
**************************************
Zhvilloi punimet tribuna shkencore me titull “Gjergj Qiriazi dhe Kongresi i Manastirit”, në 150 vjetorin e lindjes
Botanika e papërfunduar e Gjergj Qiriazit
Në ambijentet e Muzeut të Alfabetit në Manastir, zhvilloi punimet njëditore tribuna shkencore me titull “Gjergj Qiriazi dhe Kongresi i Manastirit”, në 150 vjetorin e lindjes së tij, në të cilën morën pjesë studjues nga Maqedonia, Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pas fjalës përshëndetëse të drejtorit të Muzeut të Alfabetit, Nuer Asllani, kryetarit të komunës së Çairit, Izet Mexhiti dhe sekretarit shtetëror në Ministrinë e kulturës, Behixhudin Shehapi, u paraqitën 5 kumtesa mjaft interesante për jetën, veprën dhe aktivitetin e Gjergj Qiriazit. Dr. Skender Hasani, drejtor i Institutit të Trashigimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Maqedoni,, në kumtesën e tij mes tjerash theksoi: “Nga dhjetë fëmijët e Dhimitrit dhe Marijës, do të shquhet kontributi i Gjerasimit, Gjergjit, Parashqevisë dhe Sevastisë, të cilët përcollën dritën e diturisë gjithandej ku iu dha mundësia”. Një elaborim të veçantë i bëri studjuesi i veprës dhe jetës së Gjergj Qiriazit, sidomosnë aspektin e veprimtarisë së tij protestantiste, z. David Hosflok, i cili është edhe doktorant në jetën dhe veprën e Gjergj Qiriazit, duke mbledhur dokumente arkiviore dhe burime të tjera për këtë personalitet. Z. David Hosflok, referatin e tij e paraqiti në gjuhën shqipe, gjuhë të cilën ai e fliste për mrekulli.“Botanika e papërfunduar e Gjergj Qiriazit” ishte titulli i punimit të prof. Dr. Xhevat Lloshit, një nga studjuesit e mirfilltë të veprës së Familjes Qiriazi, e sidomos të Gjergj Qiriazit. Ai njëherit është edhe konsultat në disertacionin e doktoraturës së studjuesit nga SHBA, David Hosflok. Në kumtesën e tij, prof. Xhevat Lloshi mes tjerash tha: “Doli se kur vdiq Gjergji më 1913, la gruan me dy fëmijë. Një vit më pas, familja u shpërngul në Vankuver të Kanadasë. E bija, Viktoria i nisi për në Kanada gjithë materialet më të rëndësishme të lëna nga i ati. Dorotia, bija e saj-mbesa e Gjergjit, u mor me ndjekjen e trashigimisë. Xhon Kuanrudi e takoi ate dhe me pak ngurrime ajo pranoi të hapte arkat me materialet ku mes tjerash ishin edhe dy kopje origjinale të nënshkruara të Vendimeve të Kongresit të Manastirit, që Kuanrudi mi ka vënë në dispozicion e aty unë pashë edhe dorëshkrimin e botanikës së papërfunduar. …”. Prof. Dr. Nebi Dervishi u paraqit me kumtesën “Kontributi i Familjes Qiriazi, në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare dhe pas tij prof. Dr. Avzi Mustafa me kumtesën :Kontributi i Gjergj Qiriazit në Kongresin e ABC-së në Manastir dhe në fund të kësaj tribune shkencore, prof. Shefqet Zekolli e përmbylli tribunën me kumtesën “Veprimtaria atdhetare, kulturore e arsimore e Gjergj Qiriazit”.
***********************************************************
Artan Ballgjini

Në gjysmë ikje

Në gjysmëikje, ti qëndroje.
Në gjysmëardhje pastaj e menduar.
Në gjysmëardhje unë nguroj.
Të hedh një hap për të të përqafuar.

Detaje

Tani që më mungon heshtja jote.
Unë me boshllëqe jam pafund.
Shfaqu të lutem dhe pa detaje.
Të tjerat i formoj unë.

Mëngjesi

Unë diçka desha t’i vidhja mëngjesit.
Dhe kaltërsinë e tij të ta jepja ty..
Por sakaq, kuptova gjithnjë më tepër.
Se mëngjeset freskinë e merrnin nga ti.

Profetësi poetesh

Shpesh më duket sikur kam vdekur.
Né funeralin tim edhe ti ke marrë pjesë.
Ishe aty duke qeshur.
(Por kjo le të mbetet midis nesh)

Shpesh më duket sikur kam vdekur.
Ashtu siç kërkon tè vdes çdo poet.
Shumë, shumë miq mediokër kishin ardhur.
Sa pak, sa pak ishin të sinqertë.

Do nisin pak dhe t’më hedhin.
Veç nëna do t’më mbulojë me lot.
Për çudi dhe lule do t’më vendosin.
Dhe ata që dhimbjen ma bënë shosh.

Pastaj shoh se si njerëzit largohen.
Ashtu siç largohen nga çdo funeral.
Miqtë duke folur për batutën.
Veç nëna duke m’pçrkedhelur ngadalë.

Shpesh më duket sikur kam vdekur.
Né funeralin tim edhe ti ke marrë pjesë
Ishe aty duke qeshur.
(Por kjo le të mbetet midis nesh.)

Pak atdhe

Pak atdhe unë kërkoja.
Pak atdhe asgjë më shumë.
Por çdo pjese që i përshkoja
Gjeja një Afrikë të pafund.

Pak atdhe unë kërkoja.
T’më donte edhe si njerkë.
Por pranë tij ulur shikoja
Veç sharlatan dhe derbederë.

Sa më shumë që e doja.
Më shikonte me sy tjetër.,
Dhe brenda tij gjeja.
Çakej, hiena dhe ndonjë dhelpër.

Shikoja se si zgërdhiheshin.
Se si shaheshin dhëmb për dhëmb.
Se si maskat i nderonin
Tek uleshin në një kolltuk.

Në çdo hap që hidhja,
Më dukej si një tokë e premtuar,
Por një gjysmat dhe gjeja.
Gjysma tjetër ishte e shpërfytyruar.

Pak atdhe të imagjinar.
Me ëndrra jam ushqyer
Por atdheun ishte degraduar
Si një relikte e thyer.

*************************************************
Çerçiz N. Myftari

PËRGJIGJE SHKRIMIT “KUR NJE VEPËR GJYKOHET PA E LEXUAR” TË STUDIUESIT, POETIT DHE PUBLIÇISTIT NOVRUZ XH. SHEHU

Kritika të mëson, lëvdata të deh!

Librin “Rrënjësi” (poezi e poetëve tepelenas) hartuar nga Novruz Xh. Shehu ma dha poeti dhe mësues i letërsisë Luan Meta, kundrejt pagesës ( rekomanduar nga autori: për ne pensionistët 1000 lekë të reja, për të punësuarit 2000 lekë).Kur ishte në Memaliaj më kërkoi 5 poezi, për antologjinë. Më tregoi se mbesa ime, në Athinë të Greqisë, Flutura Katiraj, i kish dhuruar 200 euro për botimin e librit autobiografik ( vëllimi i parë) të titulluar “Jeta në skaner”. I thashë se poetët tepelenas duhet ta marrin falas antologjinë, por ai ma kthen – Më gjej sponsor, që t’ua jap falas. Puna ime duhet paguar.E bleva, e lexova brenda orës. Nxitova t’i telefonoj duke i dhënë dhe opinionin tim. Në Neës 24, në studion e gazetarit Rezart Xhaxhiu. Nokja (kështu i thërrisnin familjarët dhe miqtë e tij) dha intervistën mbi përmbajtjen e librit, studimin e bërë, u ndal me detaje te balada e Komitës dhe bejten e Qullapites, te disidenca e Pjetër Arbnorit dhe heshtja e sotme për të, etj. Unë e ndiqja mes ekranit dhe sa doli nga dera e studios, i telefonova. Faleminderit mu përgjigj.Ku qëndron akuza se unë gjykova pa e lexuar veprën?! Ende nuk e gjej shkakun e rebelimit ndaj shkrimit tim. Ende nuk e gjej shkakun e rebelimit ndaj shkrimit tim! Është në të drejtë të kujtdo të shprehet lirshëm për perceptimin e çdo vepre, atë që pëlqen e nuk pëlqen dhe për atë që kundërshton. Dhe unë i kam pëlqyer: Enciklopedia e Tepelenës, Ese për Sokratin( interpretuar nga Mjeshtri i Madh dhe Nderi i Kombit, Mirush Kabashi), disa monografi dhe veprën e fundit, “Rrënjësi”. Mos i ngeli hatëri që gazetën “TEPELENA”, që është vepër autentike e tij, nuk e përmenda për mirë? Në atë gazetë pasqyroi me vërtetësi ditëzinë e vdekjes së Enver Hoxhës: incizoi gratë e moshuara, shtëpi më shtëpi, të qanin me ligje, si studiues konstatoi uljen në shifra minimale të konsumit të bukës, në Gjirokastër lëshoi zemërimin për largimin në Francë të shkrimtarit Ismail Kadare. Kur kam dorëzuar teserën e Partisë së Punës, parti e cila e mbaroi misionin historik, ai shkroi artikullin” Iku jashtëqitja e partisë”, (emrin nuk ma përmendi, por nënkuptohej se unë, në atë kohë, kam qenë i zgjedhur: Anëtar Plenumi, N/Kryetar i Frontit Demokratik te Rrethit, Anëtar i Këshillit dhe Drejtor i Spitalit të Memaliaj.
Mos I ka mbetur hatri se unë i konstatova disa gabime drejtshkrimore, që dhe mund t’i ketë bërë shtëpia botuese? Kurrë nuk e besoj në shkrimin e drejtë të emrit, mbiemrit, emrit të babait të poetëve tepelenas!
Nuk ka njeri që nuk gabon. Kritika të mëson, lëvdata të deh. Edhe ti pranon opinionin tim se duhet ta ribotosh, se poetin Murat Memalla do ta futësh në antologji. Çudi o studiues, mos kandari që ke peshuar poetët tepelenas, ka qenë difektoz? Në shkrimin tënd ti thua se unë jam i braktisur nga shteti. Se vetëm unë! Janë gjithë pensionistët, ushtarakët në rezervë, të gjithë njerëzit që trajtohen me përkrahje sociale, etj. Noke, edhe pse jam i moshuar, leximin nuk e kam ndërprerë. Edhe në mungesë të kompjuterit, internetit, që nuk i bleva kur isha në punë, ngaqë rogën e kisha më të ulët se mjekët e tjerë, se pagesa bëhej në bazë të numrit të popullsisë. Ti do shkosh, siç shkruan, me një grup intelektualësh në NjuJork(Manhatan). Unë kam shkuar turist në maj 2007, me motër Hanon, i ftuar nga im vëlla, Hazizi. Janë çaste të paharrueshme . Vizitova, i shoqëruar nga Edmond Ismailati, dhe Statujën e Lirisë. Mbresat i hedhur në librin ”Çaste të jetës time”, që ta kam dhuruar.
Është puna jote, në na quan apo jo poet tepelenas, është në shijen tënde të përzgjedhësh cilindo në antologji, por si studiues, nuk të nderon të mohosh atë që ke pohuar.

Martin Cukalla

1. Apo thahen burimet?

Ca emra të çuditshëm më ngatërrohen nëpër këmbë
Spaç
reps
kollë
ka rënë e ka ngecur aty pikëllimi

Një curril uji del nga shkëmbi si të qe loti i tij
më bie në grushte e diç më mërmërit
nuk ia kuptoj gjuhën trishtohem
e për ti dhënë diçka nga vetja ngrohtësi ndoshta
e hedh mbi fytyrë

Ai bie në shkarrëzirë e më flet më shqip:
“kështu jeni ju njerëzit të jepni zhulin
më duhet të ngjitem sërish në qiell për tu pastruar”
dhe humb

2. Them në këtë festë

I zemëruar
një ujk i plagosur kishte kapërcyer rrugën
dhe buzëqeshte.
Unë përshëndesja diellin mbi autostradën
e lirisë.

Mos! –klitha, – Mos!
Zbrazëti e vetmi
qielli i Prishtinës qe errur
dhe rrugët e festës ishin zbrazur,
përplot policë trotuaret e kryqëzimet e rrugëve,
i kërcisnin eshtrat dhimbjes së hershme.

Një prerje e freskët kishte lënë njolla gjaku në shesh.
Flamujt ishin ulur e lexonin një libër të grisur.
Një sy i gjelbër
një sy i verdhë
shkelmonin të bardhën e dëborës
e qeshnin.

A e keni ende në shitje lirinë?
Zinxhirë çeliku baltëra rropamë lodhje
tru të çrregulluar
ënjtje dhe qelb sy të përsosur si tehë të përgjakur shpatash.
Fantazma e vjetër falënderonte që ishte gjallë
e mund të lumturohej tashmë.

Të fishkura pemët kërkonin një orkestër
dhe një fishkëllime ere tu trazonte degët.
Unë mendoja se kisha ardhur në shtëpi
të pija një gotë xhin e të zhurmoja me zë të lartë
përmes të kuqes së flamujve.
Zhgënjimi më ra ndër këmbë,
nuk e shkela…

3. Çfarë të them

Kam mbështetur pëllëmbët e plasaritura në fytyrën e saj
dita është e lodhur heshtja do të ishte ndoshta drita e të vërtetës
por dhe ajo është burg
bomba dhe burg flakërima urrejtje janë meridianët dhe paralelet
nata e zemëruar dita e paplotë kërkon dritën e të vërtetës
e unë çfarë të them

Çfarë të them

të gjithë kanë një njollë dhe qielli nuk mund të them më: është qielli
dhe yjet që brohorasin me gëzim ata që dua janë të zemëruar
të zemëruar janë dhe ata që nuk i dua nuk e shoh më në duart e tyre qëllimin
as në vështrimin e miqve një thatësi shkretimi ecën lakuriq ngado
dhe buzëqesh

Çfarë të them

poeti Hasan i miri nga Siria pyeti kështu ia prenë gjuhën
dhe besonte tek njerëzit për ata këndonte ushqyer në diellin e Mesdheut
si Lorka vdekja kish gjithë jetën që jetonte për një gënjeshtër
poezia nuk besohej as fjala parimet kërkojnë përgjigje në erë
poetet vriten dhe u vra poeti Hasan nga Siria
i miri

Zjarri i kërcen zjarrit lëndohen plagët e pikëllimit urat shemben
e rrugët nuk bashkojnë më ku vemi ku vemi ku vemi
kambanë e përjetësisë klith kështu mëngjesi i nesërm mbledh rraqet
dhe harron të buzëqeshë në të vërtetë ne jemi të gjithë parisienë
në të vërtetë ne jemi të gjithë arabë
dhe unë jam disi poeti Hasan i miri

Kam mbështetur pëllëmbët e plasaritura në fytyrën e saj
dita është e lodhur heshtja do të ishte ndoshta drita e të vërtetës
por dhe ajo është burg

4. Më buzëqeshi sot, bjeshkë e Valbonës

Nga dalin ujërat këtyre majave e këtyre lartësive?
arkitekturë e qiellit përmbys shkruan legjendat e hershme,
bardhësi e dëborës më vështron në sy,buzëqesh,
fëshfërijnë krahët e zogjve. ata nuk duken,
përshëndetja e tyre më rri mbi supe…
nga dalin ujërat këtyre majave e këtyre lartësive?

Gurgullon Valbona. shumë mllef ka shpëlarë,shumë mbetet
deri sa lulet të marrin ngjyrën e tyre
e shkëmbi të bëhet i brishtë e i bardhë…
është qetësuar balli, fjala e malësorëve ka marre peshën e burrit,
gjallëria e vajzave gris hapësirat e mëdha të ndrojtjes.
agimi ka dalë, shëtit nëpër lulet ngjyrëmarramëndëse të dritës.
Gurgullon Valbona…

Strukturat e shkreta të varfërisë si blegërima të vetmuara
sundojnë shkrepat,
një durim shekullor
tinëzisht hedh vështrime të hidhura mbi kalimtarët e panjohur:
këtu na ke këtu na ke këtu na ke nuk ikim
jemi rrënjët dhe brinjët e alpeve.

Një shqiponjë. një fluturim madhështor pret me krahët e vet
kaltërsitë e paana. poshtërimi dhe prangat klithin
ndrydhen nëpër ca shpella si neveri e ngjarjeve. i përcolli furtuna
e kërkojnë të ujitin fidanë ulliri për të trembur frikën…
Unë kërkoj rrënjët e ujit dhe çuditë e majave këtu…

Milazim F. KADRIU

NË DITËN E FLAMURIT

Në sytë tu
Pash se po vjen dita e lirisë
E pash Flamurin kuq e zi
Duke valëvit i lirë në tokën e Arbërisë.

Na u ngroh shpirti
E zemra ndjeu gëzim
Kur u shporrën hordhitë e egra
Nga atdheu im.

Fluturuan shqipet
Mbi qiellin e zi
Dhe pas fluturimit të tyre
Mbi tokë e qiell pati shkëlqesi.

E sot në Ditën e Flamurit
Të kujtojmë dhe të kemi lakmi
Se nuk ka vdekje më të mirë
Se rënia për liri.

LUFTËTARIT TË LIRISË

Shkelje nëpër borë
Nëpër male e bregore
Me këpucë të grisura
Në luftë për fitore.

Se ndjejë të ftohtit
Nëpër gjithë atë stuhi
Luftoje robëruesin
Që vendin të ketë liri.

Errësirën shekullore
Doje me e largua
Gjeneratat e reja
Të lirë me jetua.

DËSHMORËVE

Koha juaj
Ka veç lindje
Kurrë nuk perëndon.

Gjeneratat që vijnë
Nuk ju harrojnë
Në përvjetorë gjithë ju kujtojnë.

Jetoni në zemrat e popullit
Se ratë në lulet e rinisë
E Kosova sot i këndon lirisë.
LAPIDARËT KRENARË QËNDROJNË
Në luftë me bishat e tërbuara
Dhe e gurë u lanë me gjak
Nuk ishte e lehtë
Por për liri jeta nuk ju dhimbsej aspak.

E sot kudo në vendin tonë
Trimat e lirisë i kujtojmë
Afër rrapit, pranë shkëmbit,
Maje kodrës, … lapidarët krenar qëndrojnë.

Ata na kujtojnë atë kohë
Luftën me armikun shekullor
Fituan pavdekësinë
Bijtë e këtij vendi, kurrë s’do ti harrojmë.
************************************************************

ÇAMËT U MASKRUAN NGA GENOCIDI GREK, U PERSEKUTUAN EDHE NGA REGJIMI KOMUNIST NË SHQIPËRI

(Arben Kondi: “Mëhalla e Muhaxhirëve”, roman, ShB “ILAR”, Tiranë, 2013)

Shkruan: Adil FETAHU

Pas plot njëzet vjetëve, autori kthehet në Mëhallën e Muhaxhirëve në Tiranë, ku gjen shtëpi të braktisura, strehëprishura, porta e shtëpisë së vet, si porta e ferrit, që kur hapet i “kërcasin kockat prej dhimbjes”. Fushën e sportit, ku dikur luanin fëmijët e shkollës, e paskan copëtuar e ndërtuar godina të larta. Në moment i kujtohen shokët e shoqet e klasës e të lojës ( Gimi, Timi, Moza, Abi) dhe zyshja (mësuesja) Mynavere, prindët, motra, vëllai, gjyshja, fqinjët e mirë. Autori përmallohet nga gjendja që sheh dhe kujtimet e fëmijërisë, sa që lotët i pikojnë, si pikat e çezmës në oborrin e mbetur shkret.

Kështu disi, nisë romani i shkrimtarit Arben Kondi: “Mëhalla e Muhaxhirëve”, që është një roman historik, për historinë e banorëve çamër e dibranë të asaj lagjeje. Duke vazhduar romanin, në kapitullin e parë tregon trajtimin dhe persekutimin që pushteti komunist u bënte muhaxhirëve çamë, si të ishin spiunë amerikanë, anglezë e grekë. Nëse për dy të parat mund të “hahej” disi, ai grek nuk mund të arsyetohej kurrsesi, ngase çamët prej gjenocidit grek kishin lënë atdheun e tyre – Çamërinë, dhe ishin bërë muhaxhir në Shqipëri. Po edhe regjimi komunist në Shqipëri i persekutoi keqas. Si shembull, real, të persekutimit, shkrimtari Kondi e trajton gjykimin me pushkatim të grupit të Teme Sejkos, dhe internimin e familjes së tij, e shumë të tjerëve. Si roman historik që është, natyrisht që disa personazhe në te janë të jetës reale. Për ata që nuk e dinë, Teme Sejko (1922-1961), në realitet ishte admiral dhe komandant i Flotës Detare të Shqipërisë. Në korrik të vitit 1960, Teme Sejko, Tahir Demi dhe një grup i madh, prej 63 vetash, që ishin elita e çamëve, u arrestuan, të akuzuar si komplotist e spiunë të imperializmit amerikanë, revizionizmit jugosllav dhe monarko-fashizmit grek. Teme u akuzua si udhëheqës i grupit, dhe me disa prej tyre u pushkatuan më 30 e 31 maj 1961. Shumë prej tyre u gjykuan me pushkatim dhe u ekzekutuan, pas torturave çnjerëzore që iu bënë gjatë dhjetë muajve në hetuesi. Të tjerët vuajtën 1250 vjet burgim, ose “u vetëvranë” në burg. Dhe jo vetëm ata që u pushkatuan ose vuajtën burgun, por u persekutuan edhe familjet e farefisi i tyre. Ky është konteksti real dhe historik i romanit të Arben Kondit, i cili në mënyrë artistike-letrare shtjellon ngjarjet dhe krajatat e çamëve dhe të fqinjëve të vet nga Mëhalla e Muhaxhirëve. Është emocionues momenti i shpërnguljes nga shtëpia dhe internimi i familjes se Teme Sejkos. Kryepersonazhi i romanit, Pirro, asokohe ishte nxënës i klasës së parë. Në familjen e Sejkëve, që ishin fqinjë të afërt, kishte dy shokët më të mirë të shkollës e të lojës: Gimi e Timi. Kur ata u shpërngulën, me dhunë, për t’u internuar, Pirro u mërzit shumë, ua hodhi topin në kamionin me plaçka, por i ati i Gimit e Timit, xhaxhi Naimi ia ktheu topin, që ta mbajë për kujtim të shokëve. Të nesërmen, në shkollë kur mësuesja Mynavere mori vesh për shkakun e mungesës së Gimit e Timit dhe se ata kurrë më nuk do vinin në shkollë, e lëshuan këmbët dhe u ul në bankën e tyre boshe. Fqinja e tyre Nu-ja, që ishte një grua e mire, e vuajtur dhe e sjellshme, e cila jetonte e vetme ngase djalin (Kudretin) e kishte ushtar, çdo mbrëmje ndizte qiri para derës së mbyllur të familjes Sejko. Nga bisedat e gjyshes me Nu-jën, Pirro kishte dëgjuar se asaj grekët ia kishin vrarë e masakruar burrin, ndërsa vajzën katër muajshe në djep, e kishin shkuar në bajonetë e ngritur lart si flamur. Gjyshja e Pirros, Teuta, të cilën e quanin Tetua, i tregonte Nu-jës se si edhe kësaj ia kishin vrarë burrin (Ademin), ndërsa babain e paralizuar ia kishin djegë, bashkë me shtëpinë. Edhe prindërit e Mozës, shoqes së bankës të Pirros, ishin fqinjë të mirë. Ata (Donika e Tomorri) ishin profesorë universiteti, e donin Pirron dhe komunikonin me familjen. Por në mesin e fqinjëve kishte edhe njerëz të këqij, siç ishte kapteri Feridi, dhe i biri i tij (Beqiri), një djalë i mbrapshtë e grindavec, por edhe disa të tjerë të lidhur me pushtetin. Në shtëpinë e boshatisur të Gimit e Timit, ishin vendosur nëndrejtoresha e shkollës (Dita) me të shoqin (Vironin) dhe dy fëmijët e tyre. Nëndrejtoresha ishte një grua e pështirë dhe ishte sekretare e organizatës bazë të partisë. Ajo bashkë me kapter Feridin dhe disa tjerë, gati i përjashtuan prej shkolle Pirron dhe Turin, për shkak të një ngatërrese me djalin e Feridit. Motra e Pirros (Ela) që ishte gjimnaziste, shoqërohej me djalin e nëndrejtoreshës (Pandin) që ishte student. Kjo e kishte xhindosur Pirron dhe gjyshen e tij, dhe e kishte prishur harmoninë në familje, sa që gjyshja kërkonte që Elën ta mbyllnin në shtëpi, kurse Pirro nuk fliste, nuk hante dhe shihte ëndrra të këqija. Për ta qetësuar situatën, e ëma e Pirros bashkë me tre fëmijët, gjatë pushimit dimëror, vajti për dy javë te e motra (teta Sheqo) në Markat të Konispolit. Në ndërkohë, i ati i Pirros (Didi) dhe i ati i Pandit (Vironi), ishin marrë vesh që Ela e Pandi, pasi ta kryejnë shkollën, të fejohen e martohen dhe të jetojnë të veçuar, sepse familja e burrit do kishte telashe prej pushtetit, dhe e ëma e djalit, nëndrejtoresha Dita nuk donte që djali i saj të martohej me një vajzë çame.

Basir Bushkashi

SHKËMB, KU SHKREPIN VETËTIMA…
-Poetit Lirim Deda

Trete shpirtin nëpër vargje
Kaq vjet
Eh, kaq vjet!
Nëpër gaz e nëpër dhembje
Miku im i rrallë, poet.

Zemrën prush
Dhe vargun prush
Nëpër kohëra të vështira…
S’të përgjunji dot askush
Gurë stralli me shkëndija…

Fisnikëron si mal me borë…
Tutje larg
Ik pleqëria…
Lab i madh, këngëtor
Shkëmb ku shkrepin vetëtima…

ANKTH, A DASHURI?!

Fle dhe zgjohem
Me ty
Në qepalla…

Kaq net,
Në zjarrmi.
Për ty…

Po ç’dreqin
Po ngjet,
Ankth, a dashuri?!

QOFTË DHE NJË FJALË

Qoftë dhe një fjalë
Një buzëqeshje,
Po dhe thumbim
si ç di ti…
m’bëjnë djaloshar
e gjaku m’lëvrin
kur nëpër shpirt
ti vetëtin…

SYRI TJETËR

Nëpër jetë
Na ndodh
Herë-herë,
Ta mbyllim
Njërin sy…
Po, syri
Tjetër,
Mashtruar keqas,
Sa s’pëlcet
Nga kjo mashtri…

PA TURP

Ndjehem me fat:
Sorra,
S’m’i hëngri trutë,
Që të bëhesha politikan
I egër a i butë,
Si t’donte mushka
Drutë…

E mbi popullin
E mjerë
Pa turp
Me përmjerrë…

******************************
Valter Dauti
BRENDA VAJZËS QË DESHA TË PUTHJA

(Ti bën sikur s’do të puthesh…)

Ti, sërish do ta derdhësh shikimin,
Brenda,buza ,një puthje mban peng,
Urë e heshtjes,përsërit kërcënimin;
‘’Në një moshë,puthja tinëz, të djeg’’.

Është një stinë,kur ylberet të etur,
S’mund të rrinë pa u puthur me re,
Puthja-peng,nëpër etje është tretur,
O po ti, sigurisht, je atje !

Ti,sërish sheh dhe grindesh me veten,
Ç’po të ndodh?Etje e puthjes të mund!
Aty lindën ca zjarre dhe fjetën,
E të dogjën,të bënë hi gjer në fund…

Mbrëmja ime ndez yj të çuditshëm,
A e do një që të përvëlon ?
Të më vish,qetësisht,madhërishëm,
Hi dhe prush ,është ai që kërkon!

…Urë e heshtjes përsërit kërcënimin,
Aty brigjesh,ti më puth edhe qesh,
…Aty Brenda kërcëllin, dhe ndëshkimin,
…Je i fundit…veç në fund, po të jesh…!

Puthje 2.
Bryma bren brenda gjethesh çfarë gjen,
Ti je gjeth që në vjeshtë përskuq.
Kur të fryn një e puthur, e ndjen,
Një të puthur pa shkak,e nxjerr huq…

Ti je pema me gjethet si buzë,
Ti je pemë që ke buzë pa fund…
Në çdo buzë heshtur fle dhe një muzë,
Dhe në erë vetëm puthjet i tund…

Gjethet-buzë shtrihen,ah,nëpër vjeshtë,
Buzën tënde e shkelin,e shtrydhin…
Vetëm unë e rrëmbej,e bëj vjershë,
Dhe pse vargjet-ushtarë,pak më ndrydhin.
Buza jote,sivjet u bë pleh…
E pa puthur,regëtimë i jep rrënjës,
Stinës tjetër,ti sërishmi e sheh,
çfarë i bën buza-gjethe,times, zëmrës…
Puthje 3.
Trëndafilat kanë buzë,shumë buzë,
Petal-purpur,dashurojnë marrëzisht,
Është e mundur që një puthje-zjarr-shpuzë,
Nëpër stinë t’i qetësojnë ndershmërisht ?

Trëndafilat duan puthje pa fund,
Çdo petal brenda mban dashuri,
…unë s’e di…jo nuk mundem…nuk mund…
Në ç’petal,buzët peng ke lënë ti…

Stinët tallen,çelin gjethe-buzë pemësh,
Që harlisen nëpër re,sipër trungjesh…
…ti s’harron, dhelpërisht të më qeshësh,
…dhe pse bën… sikur s’do që të puthesh…

Brenda vajzës që desha të puthja,
Qenkan dy dhe nuk di kë të zgjedh…
Eh,asnjërën s’do doja të humbja,
Dhe pse buzët i kanë si një gjeth.

ANKESË NËNËS !

Më ke mbajtur, mbështjellë në shpërgenjtë e një reje,
Lart, atje, te sqepi i shkëmbit puthte Zotat.
Sillje muzat me ylbere, përqafuar me pranverën,
Një ninullë prej ëndrre më këndonin shqiponjat.

Unë jam ky tani, prej mishi dhe gjaku,
Shpirtciklon si poetët, kokëfortë si shkëmbinjtë.
Rri e qesh kur pranvera ledhatohet te pragu,
Rri e pres të bëj sfidë me rrufetë dhe stuhitë.

Jam Jezu, kryqëzuar madhërisë shkëmbore,
Vetë më rrite e mira, në pelena prej resh!
(Pak mëlçi le ta hajë si në mit,një shqiponjë,
Mjaft që luftë me Zotat, pak përditë të kesh.)

Veç…tani , ti je larg…në mëndafsh të një reje,
Më jep zjarr e më thua se askush s’do më mposhtë.
Qielli i ndezur këtu,zbret demonë rrufeje,
Paskam frikë! Qenka ferr i vërtetë në tokë !

APOLOGJI ANALOGE.

I hipnim të gjithë qershisë së butë,
Në hyrje të qytetit kishte mbirë si mikpritje.
E skuqur prej turpit si një nuse e urtë,
Çuditërisht, na mbante brenda të gjithëve.

I thyenim dhe krahët, fëmijërisht,pa inate,
I pështynim bërthamat, e rrihnim dhe me shkop,
Ajo, çuditërisht, përtërihej pas çdo nate,
Nëpër diellditët, sërish ishte rob.

Nëpër stinë, e vetme, prushëronte prej turpit,
Dhe sigurisht; na mbante brenda të gjithëve…
…Ka qenë një qershi në hyrje të qytetit,
Që përdhunohej keq nga moskujdesja e fëmijëve…

…tek ecën e ndrojtur në trotuaret e ngushtë,
Dëgjon pëshpërimat spërkatur me pështymë:
“…kjo biondja?! Eh,ç’mbahet! Dikur ka qenë kurvë!
Të bënte të dridheshe…të linte pa frymë…”!

…unë hesht!Fëmijërisht dua në dorë një shkop,
Jo për të qëlluar si dikur, qershinë e qytetit.
Një faj të dikurshëm s’di a mund ta ndreq dot:
-Të rrah kur pështyjnë:-demonët e qejfit!

VELLO NUSËRIE…

Nga AGIM JAZAJ

*Me nallane veshur,
Zgjon nga gjumi fshatin.
Çupa fytyrë qeshur,
Në thua të atin!

Me gjymin në dorë,
Fët ia bën dhe hënës.
E gjitha gatuar,
Si me duart’e nënës!

Në buzët e çupës,
Kosherja e bletës.
Ëmbëlsire buzës,
Aroma e jetës!

Dola një mëngjes,
Të prita në krua,
U zgjata serbes,
Këputa një “ftua”!

Poezitë ke hedhur,
Vello nusërie.
Ylber përmbi “Tartar”,
Diell- Labërie!…

NËPËR ËNDRRA

Ecëm nëpër vite,
Nëpër tramundanë.
Ëndrrat a i trete,
Po lotët u thanë?

Erës fortë i folëm.
Ku shkuan ata zëra?
Bisqe në shpirt mbollëm,
A u zunë të tëra?

Shkuan kaq vjet,
S’u pamë e dëgjuam.
E kishim të lehtë,
Vallë, kë mallkuam?

Para iknin shokët,
Në qëndronim mbrapa.
Rrugët mbajtën lotët,
Nuk i thahu as vapa.

Kë nuk kam pyetur,
Dhe erës i thash.
Pëllumbat kam ndjekur,
Letër për ty dhashë!

Engjëlli më foli,
Kur u pamë në sy.
Prapë të re e solli,
U puthëm të dy.

Në sy gjumë s’vura,
Edhe t’i besoj.
Plotë vargje thura,
Shpirti t’i këndoj!

Nëpër rrugë të gjata,
Ecëm nëpër hone.
Sikur me vjen mbrapa,
Më qepesh si kone.

Të të puth në buzë,
Se nuk më zë gjumi,
Janë ndezur shpuzë.
Nuk i shuan as lumi!

BUZË TRËNDAFIL

Mbi kokën tënde,
Ka folenë bilbili.
Në buzët e tua,
Çelur trëndafili.

Mbi gjoksin tënd,
Ka kosheren bleta.
Në gjuhën mjaltë,
Mer ymër jeta.

Nga fryma jote,
Jetën e shijoj.
Në zërin e dridhur,
Botën e shikoj.

Në çdo tregim,
Lëndon e vërteta.
Ti tek shpirtit im,
Tek shpirti yt mbeta.

KARTOLINA

Një bilbili po i lutem,
Ta dërgojë korrier tek ty,
Sikur jam ai unë dukem
Një natë të flini të dy.

Pëllumbi tek koks guis,
Ai kupton brengën time.
Më nxjer gjumin s’më bezdis,
Me të shpleks jetën intime!

Një tufë lule ty t’i sjell,
Ky e sos këtë amanet.
Dhe në shpirt do t’i mbjellë,
Të çelin në gjithë senet!

Pëllumbi zogu, simbol,
Le të flejë me pëllumbeshën.
Unë qiri e pres në mol,
Që andej të sjell peshqeshin!

Dhuratë pëllumbi të shpjerë,
Nga e imja një copë zemër.
Dhe një bisk andej të bjerë,
Nga ajo me të njëjtin emër!

DIL…

Dil moj dil, atje te shkalla,
Dil të të shikoj nurin,
Ke frikë se të sheh mëhalla,
Dil moj, se më luajte trurin….

Luljeta Pashollari

MBILLNI O NJERËZ, VETËM DASHURI !
Kam shumë miq që mua më rrethojnë,
Vargjet m’i lexojnë dhe komentojnë,
Thonë: të duam të qeshur si gjithmonë,
Se impulse pozitive ti na transmeton…
Po të isha zanë mali me shkopin magjik,
Kudo do të mbillja si lule dashurinë,
Kurrë s’do të lëndoja asnjë njeri,
Se kam etikën time e rritur me dashuri.
Do krijoja parqe me lule plot aromë,
Kush të kish nevojë plagët t’u mjekoj,
Do të mbillja kudo vetëm mirësi,
Më shume se sot globi të kish harmoni…
Hallet s’më lodhin më shumë më forcojnë,
Festen, siç i takon, në koke ia vë kujtdo.
Para ca kohe kam bërë një poezi,
Virtytet e mija i kam rreshtuar një për një.
Unë jam bije Kanine, bijë Labërie,
Jam shqiponjë mali, që fluturoj në qiell lirie.
Nga tallazet e jetës s’kam frikë kurrsesi,
Mbillni, o njerëz në këtë tokë vetëm dashuri.

Ç’PO NDODH KËSHTU NË GLOB?
Pse po ndodhin në glob gjithë këto çudi?
pse u shkatërrua në masë çdo dashuri?
Pse njerëzit e sotëm janë tjetërsuar,
në përbindësha të çmendur janë shndërruar?
Të gjitha ndodhin nga injoranca e tyre,
dhe gjaku i tyre është bërë pa ngjyrë.
Për ta kuptuar nuk duhet shumë filozofi,
Kur njerëzit jetojnë pa ligje e pa dashuri.
Shumica nocionin e jetës asnjë nuk e di,
Jetojnë vetëm për një copë buke si bagëti.
Harrojnë çdo gjë, veç mashtrojnë e gënjejnë,
Por Zoti në derë ua çon e jeta ua shpërblen…
Gënjeshtra këmbët të shkurtra i ka,
mos u gëzoni që njeriun e bëtë fukara,
zemra juaj me faj e gjynahe është ngarkuar,
Dhe Zoti në derë ligësinë ka për t’ua çuar…
************************************

Risi të një tranzicioni poetik në përthyerje të befta poetike
( Mbi vëllimin “Herbariume dashurie” të Nazmi Rolit)
“Kur poezia nuk ka zhvillime, por ndryshime”
Ernesto Sabato

Vladimir Muça

Në vitet ’80 lexoja poezitë e një poeti të ri kavajas në gazetën “Drita”, “Zëri i rinisë” dhe revistën ”Nëntori”. Ngaherë e ngatërroja me një shkodran me mbiemrin “Rjolli”, ndoshta nga që poezitë e tij kishin një frymë moderniteti rreshpian dhe migjenian. Aso kohe më pëlqente ai koncept i të bërit poezi. Edhe sot mbas dyzet viteve kur në dorë mora njëra pas tjetrës librat poetikë ”Sibemol”, “ Tanka me sandalle pluhuri” dhe “Herbariume dashurie” u përfshiva nga të njëjtat perceptime, ndoshta dhe më të forta. Jam i sigurt se këto libra me poezi, pas një heshtjeje të gjatë akumuluese e përpunuese të poetit, janë arritja më e lartë poetike në këto dy jetë krijuese. Në to lexuesi do të ndjejë rilindje emocionesh në tema universale, me risi të reja moderniste, çka poezitë i ngre në një nivel të lartë, u jep vlera përjetimi, duke tejkaluar cakun informativ që e përjeton në poezi për ngjarje dhe fenomene. Poezia vjen e gatuar në magjen e universialitetit. Poeti Roli, tashmë i formatuar me këto nocione të reja, si ato manushaqet e para në dimrin e acartë, me koncepte të qarta, me vizion e stil, erëzon në hapësirat tematike të një lirizmi, me valenca të larta të një metaforizmi shumë funksional. Padyshim në vlerësimet e mia vëzhguese Nazmi Rolin e radhis në atë grup poetësh të cilët në luftë me vetveten ( se me dogmën po se po ), luftuan për të sjellë në poezinë shqipe nocione të reja moderne nëpërshtatje me realitetin shqiptar. Vëllimi “Herbariume dashurie” por edhe cikli “Herakliti i vonuar”, një buqetë prej tridhjetë poezish në vëllimin “ Tanka me sandale pluhuri”, më mbushën me refleksione. Kjo më bëri që t’i rilexoj, të merrem mëseriozisht me produktet poetike të “shkodranit” Nazmi Roli. Në një sentencë në prapaballinë të librit poeti definon “Poezia është frymë, është personale dhe orientohet gjithnjë me të paqenën.” Unë do të shtoj se për të ajo është ushqim shpirtëror, ndryshe autori s’do të kish mbërritur në këto nivele artistike në shumëllojshmëri, inovative, me shumë të fshehta, sepse siç e sintetizon poezinë Ernesto Sabato “Poezia nuk ka zhvillime por ndryshime”. Krahas këtij mendimi estetik unë do të definoja se për poetin Roli poezia është dhe lojë, mjet njohjeje, angazhim sociologjik, diçka hyjnore, zotërim apo kontroll i shpërthimit të ndjenjave. Në këto këndvështrime të shprehura me çiltërsi nga liriku ynë “ i përndjekur i dashurisë” fshihet në të vërtetë diçka më shumë përcaktuese. Fshihet ai koncept artistik, ku sindromi i kompleksitetit poetik i kërkuar me ngulm nga çdo poet, nuk ka vend në personalitetin poetik të Nazmi Rolit. Këtë poezi që rrjedh nga ky shpirt e mendje, nga ndërthurja e talentit me punën e lavdërueshme estetiko- stilistike, zgjedhjen dhe punimin e fjalës në rifinitura, do ta quaja poezi të thjeshtëzës në kuptueshmëri, format, natyrale e komunikuese me lexuesin, që përcjell shumë ndjenjë, mesazhe dhe ide. Në këto poezi, të vërtetat shpirtërore të tij, autori orvatet t’i bëjë pjesë shpirtërore të të gjithë të tjerëve. Këtë dëshirë autori e shpreh me zë të lartë, me qëllim që gjithkush ta njohë e ta presë me dyer të hapura të shpirtit si në poezinë “Po vjen ti”, ku: “ Ti nuk e di pse hëna u fsheh tutje/ Dhe gjithë kaçubet mbrëmë i ndezi zjarr/ Po ikte vjeshta e bukur pa një ngutje/ Dhe udhës gjer përtej i shtronte ar”. Këto burime ndjenjësore do të rrjedhin rrëke – rrëke në ekzistencën e përditshme duke e bërë vargun më autentik, më të qartë poetikisht, më të bukur artistikisht, duke notuar në një det dramacitetit sa lirik aq dhe shoqëror. Poeti, duke vëzhguar thelbin e imtësirave jetësore, i bën thirrje lexuesit për të njohur me thellë veten tonë, por njëkohësisht dhe botën e të tjerëve. Kjo përçapje poetike lind si një dëshirë e përbashkët: ta shtyjë secilin që të zbulojë përvetësinë e rrënjëve dhe botën e tij të brendshme. Në konceptin estetiko- stilistik, në tërësinë e produkteve, Nazmi Roli qëndron mbi dy rryma estetikisht si një domosdoshmëri e sotme në poezinë bashkëkohore: një rrymë që pranon vazhdimësinë e traditës, ku ai gjen farën dhe imputet artistike në ekstraktet popullore, orvatet t’u jap një konfiguracion të ri në kontekst të substancës të re kohore dhe rryma tjetër që të çon drejt horizonteve të reja artistike, drejt një moderniteti të natyralizuar, me brum- ardhje shqiptare, që s’janë ato” të qiejve që pikojnë yje”, as të liqeneve melankolikë me ngjyrë të gjelbër apo të trishtimit të maleve me borë e të katarakteve të akullt. Autori vjen me surealin e tij të dëshirueshëm, me vullnetin që spikat për të rendur një hap me substancialen e re kohore, duke çliruar poezinë nga vulgariteti i soc- dogmatizmit dhe nga arkaizmi trandeshent, nga hermetizmi vulgar, lënien e saj të lirë në ligjërimin shpirtëror, duke iu përgjigjur imazheve të reja shkaktuar nga ankthi i dramacitetit shoqëror.
Në këto poezi zen vendin e vet koncepti i filozofëve të vjetër: “se filozofia e jetës dhe poetika e saj janë të pandara, udhëtojnë në bashkësi”. Ky filozifikim, në trajtimin artistik të poezisë është një domosdoshmëri që vjen natyrshëm si një reaksion protonik i vetë bërthamës së jetës!

Gezim Llojdia
Humbën zogjtë
1.
Në rrëzë të borshe është Shën Prokopi
Iku njerëzia. Humbën zogjtë nëpër pisha.
U kyçën dyert. U vodh kryqi te kisha.
Fener i ndezur në Qafë të Mbretes,
Gurët e kroit lotohen,kristale drite në sy.
2.
U plak lumi duke pritur vashat.
Faqekuqja nuk vjen më në Gjomitë
të mbledhë shegët.
3.
Cullufe lëshuara iku e fundit.
Në kanistër kishte vjelë mërzinë.
U brengos mëhalla.

4.
Gërshetat e pa pleksur mbi supe,
këmisha e vjetër rënë mbi hardhi,
plakat e mëhallës në vivar,
shuanin kongjij për ty.
5.
Në xhivarin tonë rrëzohen meteor,
plakat e mëhallës me mandile të bardha,
thurin për dasmë me grep dantella nusërie,
ç’nur ka marrë sot Amanda!

Ndërmjetëse
1.
Në Kunjovën tonë ,mëhalla e largët s’ka kufij real,
pylli i ahishtës është atje ku ishte shekuj më parë,
busulla,fluturon në erë nga degët e ferrës,
pika e vesës në ag rrëshqet , rrjedhshëm në lugun e gjethes,
hojet e bletëve janë në strehë të strehës ,përgjysmë me ar,
zhaurima e cinxurëve dhe e korit të pyllit, një stinë zgjatë,
një oktav e zgjatur e bulkthit të natës,jo vetëm ndajë natë,
të tregon pasqyrën, këtej është drejtimi i parajsës.

Poezia Nr2

1.
Frymëmarrja ime e gjitha në mjegull,
këmisha ime e grisur e varur në këtë pjergull.
2.
Një zë i largët gris vetmin,
një qiri i ndezur diku shuhet në shi,
një thëngjill i ndezur mbetur nga ky prush
plakat e kanë mbuluar me hi.
3.
Më kishin thënë pleqtë e moçëm,
në mëhallën tonë,vashat në verë flenë jashtë në lëmë,
më kishin thënë gjithashtu,
ato se ndjejnë erën e kashtës së djegur,
as kuajt e zgjidhur si ndjejnë,
që shkrofëtijnë këmbët në tendë.

Remzi Gjika

KUPONI TATIMOR

Kanë vite që njerëzit hyjnë e dalin nëpër njësit e shitjes për të marrë mallrat e nevojës së parë. Sipas hallit, ca blejnë më shumë dhe ca më pak.Kjo është normale. Po cila ishte jo normale në ato marrëdhënie? Arka hapej më pak dhe fletorja e shënimeve më shumë. Si ndodh, kjo? Arka hapet e mbyllet sa herë bëhet llogaria, zhurma e monedhave bëjnë zhurmë kur përpjekin kokën me njëra-tjetrën, tingëllojnë. Shitësi gëzohet dhe klienti merr mallrat i shoqëruar nga një “faleminderit” ose “t’i hani gëzuar”! Ndodh ndryshe: shitësi bën llogarinë për çantat që janë mbushur deri në grykë me ushqime, pastaj merr bllokun ose fletoren dhe i shkruan… Ndahen nga njeri –tjetri në heshtje si në vaki. Ky ritual vijon, sirtari i arkës ka zënë shtrat merimange. Në ato skena u ndodh një turist i huaj, i shoqëruar nga një mik shqiptar, i cili do të merrte pak djathë. Shitësi nuk e njohu dhe në fund i kërkoi emrin. I huaji u çudit dhe iu drejtua shqiptarit: -Si është puna i kini hequr lekët dhe shpërndani sipas nevojave? Ne në vendin tonë paguajmë, pastaj marrim mallrat.Shqiptari, u zu ngushtë dhe po mendohej ç’përgjigje t’i jepte, për të dalë nga situata e trishtueshme.-Edhe ne me lekë i marrim, me çfarëdo monedhe që ka në botë, por shitësi regjistron klientët. -OK, – i ra shkurt turisti, – domethënë, unë duhet të vij vetëm këtu?…Ai na qenkësh gazetar dhe i bënte përshtypje ai sistem shpërndarjeje. Shkroi një shkrim me gjithë përshtypjet e mira të tij për tregtimin e mallrave në mënyrë shumë sociale. “Mirë, mirë, por i zoti e di ku i pikon çatia” – mendonte shitësi, që u kishte një barrë me borxhe tregtarëve nga merrnin mallra me shumicë. Telashi nuk ishte me kaq: Listat në fletore qenë pa fund dhe po bëheshin më volume. Kur dorëzonin ndonjë lekë klientët duhej të thoshin edhe numrin e volumit. Shitësit ishin bërë si punonjës të gjendjes civile. Gjithë dita u kalonte hap e mbyll volumet (fletoret) për të gjetur emrat e klientëve. Ajo punë nuk kalonte edhe aq qetë. Kishte shumë raste që konfliktoheshin: “Ato lekë i kam paguar atë ditë që ishte zonja juaj. Të lutem, fukarenj jemi , por jemi të ndershëm” – ishin dialogë të zakonshme. Shitësi nevrikosej, sepse nuk bindej dhe llogaria nuk i dilte mirë. Dhe, takoheshin me shoqi-shoqin e qanin hallet. Njeri thoshte më kanë aq lekë, tjetri : “ aq lekë unë ua fal për kafe”. “Me gjithë ato fletore stivë nuk gjejmë dot as emrat. Përditë bëjmë llafe për mallin tonë e për lekët tona”. As ne as klientët nuk ua gjenim dot fillin borxheve, që kishin zënë njëra-tjetrën. Musait, që është tregtar i vjetër, i shkrepi një mendim dhe ua tha dhe shokëve: -Për të zgjidhë problemin, unë kam menduar të futim kuponin e pagesës.. Shokët u hutuan, se kupon duhet t’u jepnin ata , jo klienti. -Po ua them unë, – këmbënguli Musai, – në çdo blerje klienti do na japë një biletë, a kupon, me vlerën e mallit. Ne do ti mbajmë, deri sa t’i shlyejnë, pastaj i grumbullojmë dhe bëjmë bilancin dhe i grisim. -Oh, uua! Kjo është zgjidhje, do të shpëtojmë nga telashet! – brohoritën tregtarët e zinxhirit të borxheve . Po shija e ëmbël e atij propozimi u tret shpejt. Njërit nga tregtarëve, i vajti mendja tek e keqja:- Po me tregtarët e shumicës si do ia bëjmë, edhe atyre do tu japim bileta? Ata duan lekët e mallit, pa një pa dy! Të gjithë mbetën si kamerdare e shfryrë, kur merr ndonjë gozhdë. Kishin të drejtë, gozhda u ishte futur thellë. As e hiqnin, por kujt t’ia ngulnin? Klientëve u ishin grisur me kohë xhepat.Më keq ishte shteti. Kishte vite që tregtarëve u kërkohej të lëshohej kupon tatimor. “Si do të bëhej”? Tregtarët merrnin kupona nga klientët dhe duhej të lëshonin kupon tatimor klientëve. Fjala lekë nuk përmendej në atë marrëdhënie. Në fund të fundit, në një shtet ligjor, do të veprohet si ka vendosur shteti. Dara u shtrëngua, duhej bërë si gjithë bota: Të vendosen kasa fiskale, të jepen kupona tatimor klientëve! Në rast të kundërt, klienti të mos paguaj! Klientët, edhe më parë ashtu kishin bërë, as kanë paguar dhe as kupon nuk kanë marrë. Koha ndryshoi. Një ngjarje bëri bujë! Pa lëre, ç’solli ndryshimi.Një klient kishte dëgjuar , nëse tregtari nuk jep kupon-tatimor, merr mallin dhe nuk paguan. Klienti në fjalë bëri një listë të gjatë, pa pasur asnjë lekë në xhep dhe u nis te supermarketi. Mblodhi mallrat që ishin të shtrenjta dhe kaloi te arka. – Dua kuponin!- i thotë me gjysmë zëri. – Ju e keni shkruar me germa të mëdha:”LUTEM MERRNI KUPONIN TATIMOR PARA SE TË LARGOHENI”! Ishte si pushka bosh që tremb dy veta. Në xhep nuk kishte asnjë monedhë…Arkëtari, bëri sikur nuk dëgjoi dhe këmbëngulte për lekët, kurse klienti këmbëngulte për kuponin. Njeri thoshte lekët, tjetri kuponin!Priti pak blerësi dhe mori mallrat që kushtonin jo pak dhe u nis jashtë me nxitim. Arkëtari u zu ngushtë. Preu një kupon dhe formoi numrin e policisë. Policia u nis në gjurmë të klientit. Dhe e zunë në një qoshe dhe e ndaluan si rebel. -Çfarë keni?-reagoi klienti që e dinte mirë përse e kishin ndaluar. -Nuk ke marrë kuponin-tatimor , lajmëroi arkëtari!
-Unë e kërkova kuponin, por nuk ma dha njeri. Mora mallrat dhe u nisa për në shtëpi. Cili është gabimi im! Arkëtari arriti me një frymë, duke tundur kuponin. -Zotëri! Veprimi yt është i dënueshëm, pa kuponin gjobitesh rëndë.-Po mua nuk ma dha njeri kuponin, e kërkova vet dhe u largova ,si ka porositur qeveria. Ndërhyri arkëtari që mbante kuponin në dorë:” Po si do ta jap kuponin pa më dhënë lekët? Ja kontrollojeni në ka një kokërr leku në xhep!
-Unë i thashë, shkruaje në fletore si kemi bërë gjithmonë.
-Shko në market dorëzo mallin ose paguaj lekët! Mallin e kuponin e merr kushdo, që më parë paguan !
Unazat e metalta të policit shkëlqyen verbueshëm para syve të klientit.

SHKRIMTARI SHPENDI TOPOLLAJ OSE ENCIKLOPEDIA QË ECËN

(Rreth librit “Stile & Lapsa”, kritika letrare dhe portrete)

SHEFKI STUBLLA

Mendoj se lexuesit tonë të nderuar nuk mund t`i japim informacion më të saktë sesa parafjala në hyrje që i bëri Luan Memishaj (Lepenica) librit “Stile dhe Lapsa”.Që në fillim të këtij shkrimi po deklaroj: se pas kësaj fjale të hyrjes, nuk e ndiej veten të kualifikuar që të jap ndonjë vlerësim më shumë për veprën e Shpendi Topollajt. Por, për këtë vepër të shkëlqyer, vetëm po shfaq disa mendime dhe përshtypje personale.Autori i librit, Shpendi Topollaj, emër i përveçëm, i cili lakohet në të gjitha rasat, përveç rasës emërore ku mbetet përherë në trajtën e shquar, si njeri dhe krijues me dije të madhe. Sipas meje, ky shkrimtar është enciklopedi që ecën. Është autor i dyzet veprave të ndryshme; nga të cilat, secila për vete tërheq lexuesin dhe inspiron se si duhet analizuar një çështje e caktuar nga jeta.Falë kulturës së gjerë të leximit dhe shkathtësisë së gjykimit gjakftohtë, lexuesit shqiptar i ofroi edhe librin “Stile dhe Lapsa”, në të cilin shkurt e shqip jep mesazhin e vështrimit kritik objektiv. Qasja ndaj shqyrtimit analitik të tematikës kam përshtypjen sikur Shpendi, bashkëpunon me autorin e veprës për të cilin flet dhe atë e konsideron si partner me të cilin kuvendon dhe haptas ia thotë anët e mira po edhe të metat eventuale të krijimit gjegjës. Askujt nuk ia fashit, përkundrazi, gjithsecilit ia ngjall dëshirën për t`u marrë me shkrime. Më pëlqen shumë mendimi i kualifikuar i shfaqur, me bazë. Po ashtu, më pëlqen që Shpendi nuk e shfaq mendimin me fjalë të rrumbullakosura. Flet duke mos eksperimentuar. Andaj, kjo qasje e trajtimit të çështjeve jep rendiment të lartë mendimesh të shëndetshme, dobiprurëse, të cilat motivojnë. Është një kallëzues i veçantë i vlerësimit. Shkruan pa zjarrmi. Asnjë mendim nuk e lë pezull. Përdor me vend mendimet e njerëzve të mëdhenj në armaturën e mendimit shqip, duke përforcuar shtyllat e vështrimit nga pika e vrojtimit objektiv.Tematika e kritikave letrare “Stile & Lapsa” është shumë e larmishme: në qendër ka vendosur trajtimin dialektik me të gjithë universalitetin e tij, për tematikën që analizon, si: dashuria nuk ka moshë, të krijosh duke krishtëruar, komunikimi muzeor, flakadanët e lirisë, në krah dhe përballë, Labëria në Kuvende, këtu bie erë, familja e atridëve, mall për Ulqinin në këngë, simboli i shpirtit të pastër strugan, më thuaj diçka të bukur, poeti i dashurisë pasionante, midis dy dashurive, njëqindenjëzet ekstra fabula, merr jetë ëndrra e përkthyesit të shquar, hapat e fitores së madhe, Moisi Elezi – një gjeneral i madh popullor, etj. Personazhet për të cilat flet Shpendi rrezatojnë dije, edukim, motivim, për ta shpënë lexuesin përpara dhe për ta nxitur për lexim. Gjuha e tij është e pasur, e stolisur me fjalë të bukura shqip, simfoni e shfaqjes së mendimit. Fjalëve u jep shpirtin, emocionin, ngrohtësinë, dhe afron lexuesin me autorin e veprës të cilën e shtjellon. Është një këshillë e mirë se si duhet lexuar dhe analizuar një roman, novelë apo tregim. Është një sprovë e leximit krijues. Tërë ky spektër temash të analizuara i shërbejnë misionit që ka kritika letrare për të prezantuar dhe ndriçuar të vërtetën e jo t`i përgjigjesh pyetjeve të përgatitura më parë, por të rievokosh një shikim të përgjithshëm të problemeve të mëdha të estetikës që shtrohet në tekst. Të ndriçosh çështje, që nga ana e tyre, të çojnë në ndriçimin e të tjerave. Të arrish një analizë të tillë të tekstit që janë shpjeguar edhe problemet e veçanta që përmbahen në të. Thënë shkurt, stili i Shpendit më bëri për vete. Më frymëzoi që edhe unë t`i kuptoj veprat që i ka lexuar ai. Më bindi me fakte dhe argumente, sinqerisht dhe përfundimisht. Ndezi tek unë kandilin e ndjeshmërisë reale, pa teprime. Më ngjalli botën e mendimit me qasjen didaktike, Kjo aftësi e tij për të depërtuar te lexuesi me vlerën e kritikës që bën ai, të përligj parapëlqimet, duke bindur lexuesin se nuk është fjala thjesht për këtë apo atë preference, por për vlera dhe forcën e shprehjes së mendimeve në një vepër letrare. Krejt këtë Shpendi e bën nga qëndrimi i tij i pavarur, sepse kemi të bëjmë me një njeri që nuk bie pre e ndonjë debati. Kjo është kompetencë e njeriut të ditur, si përfaqësues të një opinioni që punon pa hile apo dhe pa inat ndaj askujt. Është kompetencë e njeriut të lindur me këtë dhunti.

******************************************************

Mimoza Çobo
Ta dua fjalën trëndafil
Fjalën e trëndafiltë prej teje e dua,
nuk kam pse e fsheh aspak këtë dëshirë,
sikur çdo ditë vetëm një të më thuash,
pluhur u bëfshin të gjitha pasuritë.
S’kam qenë e pasur e s’kam kërkuar,
pasuri milionash të kem në këtë jetë,
as shtëpinë nuk kam ç’e dua,
jam mësuar edhe sipër gurit të fle.
Ndaj të lutem fjalën e mirë e dua,
në mos më ngrohtë,të më përkëdhel,
se boll të zeza veshët më kanë dëgjuar,
të më ngopet shpirti njëherë,pa le të vdes.

Për ty bija ime…
Me gjunjët përtokë si përulem askujt,
vetëm ty gjak dhe mish i shpirtit tim,
kështu të qeshur dua të të shoh gjithmonë,
si rrezja e dritës që ndriçon gjithësinë.
Ti mos u frikëso nga asgjë bija ime,
se jeta çapitet ngadalë strehës së saj,
ti përkëdhelë siç të përkëdhel unë,
rrëmbeja zemrën me dashuri dhe fjalë.
Pas teje do vijë e qeshur si manare,
dhe do të ulet si flutur mbi qerpikë,
pa do t’i puthë lehtë sytë edhe faqet,
atëherë bija ime do ndjesh mrekullitë.
Nëse udhëve të jetës gjëmbi të shpon,
ti mos u merzit,por hiqe ngadalë,
se rrugës së jetës ndesh me ndonjë ferr,
që është mësuar të çjerr të tjerë.
Kur ndonjë fëshfërimë të prek me fjalë,
ti dëgjojë si fëmijë teksa e kqyrë,
nëse ja ndjen shpirtin të bardhë,
bëhe mikeshën ku të derdhësh mërzinë.
Bukurinë e shpirtit e ke një armë,
që të mbron bija ime kurdoherë në jetë,
forcën më të madhe ke mendjen tëndë,
përdore mirë në çdo pengesë!
Uroje jetën bijë, për çka të ka dhënë,
kërkoji me zemër një fat të mbarë,
se ti e di që ajo të mban tek sytë,
nuk do ngurojë ta sjellë të bardhë!

Ti çele herët moj bajame
Mbi sythin tënd vuri dorën më parë pranvera,
siç të prekin dashnorët në stinën e brishtë,
ta puthi sythin me afshin që ndez zemrat,
petalet i hape ngadalë ndaj të gdhirë.
Ti çele pak më herët moj lule bajamja,
paçka se shoqet akoma s’kanë çelur sythe,
do ta shijoj freskinë e pafajësisë nga brenda
por t’i mos ki frikë se petalet s’ti prish.
E zgjove natyrën dhe mua nga ëndërrat,
me vrull ja përkëdhele gjinjtë nëpër ngricë,
përsipër i derdhe aromë lulesh të bardha,
dhe syve ju pikturove rozën që jep ngjyrë.
Po kush nuk i puthi petale praruarat,
dhe mori ëmbëlsinë e jetës nëpër shpirt,
kujt nuk i fal dashuri kur të merr ndër duar,
dhe gjoksit të fut si mrekulli të bukurisë.
Mbi ty derdhi piktori më të bukurat ngjyra,
ta rrëmbeu dhe shpirtin në gji të dashurisë,
aromën e treti parfum që deh shpirtra,
me majën e penelit mbi telajon pa ngjyrë.
Në gji të natyrës pak kohë do rrish lulëzuar,
ti mos u mërzit do ta ruaj freskinë në shpirt,
e tillë do të mbetesh në afresket e pikturuar,
ku njerëzia të shijojë dhe në stinët kur s’çel ti.

Vjollca Pasku

MAT’HAUZEN I VARFËRISË
Sot natën kam fjetur me vdekjen dhe u zgjova me retë,
teksa pashë njerëz që vuanin urie me zorrë të ngjitura,
kokë, qafë, flokë të rënë, varur si në ditët e fundit në jetë,
sy të nxirë, të ngjyer nga skëterrat mbi tokë të ngritura.
Kur yjet u shuan dhe toka u njom nga bryma e ftohtë,
dikush shpirtin bëri kurban të hakmerrej ndaj varfërisë,
në një pemë u var pesha e një jete, në lakun e fortë,
ku mbylli ditët brenda rrethit vicioz të botës së mizorisë.
Tremben se ç’mund të ndodhë pas diellit të mekur
me pesë lastarët e njomë që lëshoi rrënja jote, ku i le,
zëri yt endet në karaharorët e tyre, ku rrëshqasin lotët e thekur,
“Rrituni zogjt e mi, mua mos më zgjoni dua sa më gjatë të fle!”.
Dua të hyj në tokën e verbër pa rrugë mes të vdekurve,
në rrjedhat e nxehta të fjalëve të pathëna në këtë botë,
është e padrejtë errësira mbushur me shpirtrat e të vobektëve,
që urinë e vulosën me heshtje, dhe skamjen me lotë…
Bota e poshtme më tërhoqi me zërin në veshin e heshtjes,
më tregoi pemët që vajtonin gjelbërimin e braktisur,
shpirtra ku në gjuhët e tyre rritej një rrufe mallkimi,
ku bëheshin flutura zjarri në tokën e çarë e të dirsur.
Jo, nuk dua të dëgjoj, të shoh trupa që dridhen pa jetë,
mbarimi i kohës së Mathauzenit është një gënjeshtër,
se Mathauzeni i varfërisë është ngritur në këtë vend,
ku fuqia e madhe e fjalës së bashkuar ka vdekur e heshtur.
Dua të dëgjoj muzikën e paqes shpirtërore të mrekullisë,
era të lëshoj flladin e buzëqeshjeve të sinqerta njerëzore,
engjëjt të lëshojnë anembanë në tokë farën e begatisë,
jeta në tokë të ketë kuptim, për çdo qenie tokësore…
ËNDRRA TË VRARA
Sa ëndrra flenë, sa ëndrra u vranë në kraharorin tim,
stuhitë e përgjakshme i mbyllën në kapitujt e viteve,
një nga një ranë si pëllumba të plagosur e humbën,
copë e çikë nga këmbëza e fatit me erë të gurëzuar.
Dikur lumenjëve të kulluar këndonin neraidat e ujit,
burimet e malit gurgullonin biseda me gurët e lëmuar,
fryma e ajërt ngjyhej e gjelbërt nga virgjeria e natyrës
polenet e luleve qeshnin në këmbët e pranveres.
Ruajta viteve në mërgim ajër Shqipërie në mushkëri,
ndaj u ktheva me kraharor gjithë mall e duar plotë dashuri,
por nuk gjeta asnjë nerajdë në turbullirën e lumenjve,
dëgjohej vetëm cirrma e burimeve në pllajat qose që ishin djegur.
Asma e varfërise endej në vetmitë e shpirtrave,
fanellat e vuajtjes vishnin copëza jete helmuar,
turma psheretimash të padjera u nisen rrugëve të botës,
në kërkim të një xixe shprese në kurdisjen e orës së fatit.
Me dhimbje e dëshpërim kthej sytë në perëndim,
atje ku ëndrrate shpresat lindin nga një lot sysh fëmije,
do iki edhe unë por dashurinë për këtë tokë nuk e bëj harram
edhe pse ëndrrat këtu një nga një m’u vranë.
RE E HESHTUR
O Zot!
Sa do të doja të shuhesha si një flakëz toke,
ku reja e tymit të udhëtonte drejt teje,
të gjeja pak prehje e qetësi që s’gëzova dot,
mes zërave të dehur pas ndonjë reje.

Lakmia dhe urrejtja ka dëbuar mirësinë,
nga gjokset e qenieve njerëzore,
kur qielli hap agun, bardhësinë,
i jep mesazhin e vet kësaj bote.

Sa herë kam dashur të zbuloj një mendim,
shoh pas syve me ngjyrimin kristalor,
zhbiroj si fijet që endin dashurinë,
e veshin shpirtin e bëjnë njerëzor.

Sa tmerr ishte të zbuloja krejtësisht,
mjerimin e shpirtrave të tokës lakuriq,
skllevër të sofrës dhe lugës së florinjtë,
gërrhitës në ëndrra në parcelat hënore.

E lodhur stuhive dhe viteve në jetë,
ndihem si re e heshtur që ende jeton,
por në çast drita hyjnore më flet,
me një ëndërr të bardhë më skicon.

Dilemë: të hesht apo të luftoj në këtë botë,
për të arritur zbulimin e misterit te plotë!…

Poeti dhe shkrimtari që përcjell mesazhin universal të harmonisë dhe bashkëjetesës
Gëzim LOKA

Ferit Fixha, ish ushtaraku nga Librazhdi, poet, shkrimtar, përkthyes, gjurmues i visareve të folklorit dhe thesareve të shpirtit kolektiv, ka një jetë që shkruan e kontribuon në lëmin e letarve shqipe. Me emrin e tij lidhen qindra shkrime të botuara në shtypin e përditshëm, cikle me poezi, tregime, ese, shkrime kritike, libra me poezi, me hajk, tregime, novela dhe romane, që kanë zgjuar gjatë këtyre viteve intersin e lexuesit dhe të qarqeve letrare të kohës. Poet i kujtimeve, mallit, dashurisë, në një vështrim personal, autori shpalos një fluks të gjërë ndjesishë intime duke na sjellë përjetime të forta inkadeshente dhe impresionuese. Kështu, fjalë kyçe në poezinë e tij bëhen malli dhe dashuria për vendlinjen, njerëzit e afërt, rrugët dhe pragjet ku I ka shkelur këmba, femra, idili romatik etj.Poezia e Fixhës është një poezi që të tërheq me sinqeritetin e ndjenjës dhe shpalos raporte të njeriut me njerëzit më të afërt e në këtë lojë të trillit poetik, natyrshëm zbulohen gjithë ato grimca të shpirtit njerëzor që na japin pastaj grimcimin kozmik të botës që arrin të shkojë deri tek rrafshi filozofik duke i marrë idetë dhe këndvështrimet poetike për t`i ngritur në përgithësime dhe forcën detyruese që të thonë mesazhe për çdo njeri. Malli në poezinë e Fixhës nuk është një mall idilik, po një mall dhimbjeje, shkaktuar nga largësia, keqkuptimi, tradhëtia, jeta në raport me vdekjen, emigrimi, përmasa të njeriut të sotëm në raporte ekzistenciale, ku njeriu modern, ndonëse është i prirur për të jetuar globalitetin e një bote të çngjyrosur, vjen në një moment dhe kthjellohet për të gjetur atë që quhet ngjizja e tij, vendlindjen, prindërit, atdheun, vajzën e dikurshme, duke shprehur kështu një pendesë dhe dëshirë për rikthim. Po kjo mbetet e pamundur dhe si i tilllë ai është i detyruar të futet në plojën e një ëndrre mëkatare, mosrealizimi i së cilës i sjell aq e aq andralla.Poezia e Fixhës vjen me një lirshmëri të habitshme të vargut të lirë, me theksa ritmikë të shkujdesur në intonacine të filozofisë së dhimbjes; here i ngjan një bisede intime nën strehën e një kujtimi e herë një përpjekje të rëndësishme për të artikuluar mësime nga jeta. Ajo është një poezi e detajeve të holla, e figurave të gjalla, e imazheve që lëvizin dhe përcjellin një botë të thyer emocionale; në të vërshon një sinqeritet prekës dhe autori në emër të tij i shmang modelet e të shprehurit që konformojnë sintagma të njohura. Në vëllimet poetike “Dua”, “Rrënjët e kujtesës”, “Fllad ndjesishë”, poeti sjell një shprehje vetjake të trajtës poetike, një zë original e si tipar kryesor të këtij origjinaliteti është nevoja e tij e brendshme për të kumtuar ndjesi, trajta figurative dhe mesazhe. Si poet që e merr lapsin për të shkruar, ai e ndjen të nevojshme këtë si thirrje të brendshme, si një mundësi për t’u çliruar përmes vargut. Kështu uni lirik i autorit ngarkohet me mjaft e mjaft kokëçarje, me mjaft dëshira që duhen shprehur dhe duhet kuptuar se autori këtë e ndjen si nevojë e vetëshkarkesë që vjen nga lindja e ndjeshmërisë dhe përjetimi e rrethanat jetësore. Si çdo poeti i mire, ai nuk i ikën asnjëherë nevojës së të shprehurit lirshëm, nevojë që vjen nga mundësia e vetëshprehurit për të kumtuar ato ide, të cilat manifestojnë një shpirt të lirë që kërkon jo të ndreqë gabimet e moskuptimet, por t`i shprehë ato. Uni lirik i autorit ngarkohet kështu me intonime filozofike të brishta dhe portretizon një imperativ të ndjenjës subtile, të pastër e të bukur që ne e mbartim si frymë përmes trandeshencës. Kjo frymë e gjallë lirike dhe e pastër si zjarr i lotit vjen tek lexuesi për të dhënë dramën e jetës, dramën e ikjes, të dashurisë dhe tradhtisë, të jetës si jetë të thyer nga këto largime, ku, gjithnjë rri varur e pamundura që nga çasti në çast mund të bëjë një barrierë, që ti duhet ta sfidosh. Në përmbledhjet me hajke të Fixhës shpaloset një univers poetik i kondensuar, ku fuqia e emocionit jepet me tre vargje, sipas traditës së shkrimit ta hajkut, si një lloj i veçantë i vjershërimit. Në këto hajke poeti ka kufizim numerik vargu, por jo kufizim në shpalimin e shprehësisë dhe fuqisë së imazhit dhe gjendjes poetike. Edhe këtu ndjenja është burimi dhe vargu shtrati i saj. Në këtë pikëpamje, ai na sjell një varg të shtrirë,me figura e shprehje të thjeshta, po që plazmon natyrshëm forcën e jetës, dinamizmin e të përjetuarës. Në prozat “Urat e shpirtit”, Fixha ndërton një miniunivers dashurie, shpalos narracionin e beftë të një prozatori kualitativ, që komunikon me lexuesin kujtesë, mall, fiksion, realizëm dhe trandenshencë. Në prozat e tjera të shkurtëra, “Gruaja e kolonelit”, si ish ushtarak, që i mbart problematikat, hallet, përpjekjet e ushtarakut për të rrokur trenin e kohës me vete, i përshkruan me hollësi këto çështje, duke evidentuar me përparësi mesazhin se e kaluara mbetet dhe ajo është një shtrat mbi të cilin mund të ndërtohet e ardhmja. Romani “Jeta në lojë” është ndoshta kulmi i krijimtarisë letrare të Fixhës, ndërtimi nga ana e këtij autori i një jete në kërkim të vlerave të lirisë dhe qytetërimit, jetë kjo që bie ndesh me ingranzahet e ndryshkura të kohës dhe thyhet, por ngjitet përsëri, në një “jetë në lojë”, për të vazhduar “lojën”, mbijtesën etj. Personazhi kryesor është një punëtor që kërkon të ngrihet mbi paranojat e kohës, mbi rrethin e kufizuar të mundësive, mbi atë rreth gjysëm të mbyllur, ku vërtiten njerëzit dhe koha, duke kërkuar një fjollë dritë në tunelin e radhës.Në përmbledhjen me titull “Romuze Çermenike” Fixha me bashkëautorin e tij përcjell magjitë e shpirtit kolektiv të një treve si Çermenika që shquhet për të folurën me shëmbëlltyra, për të folmen qesh e ngjesh, për të folmen me rrotulla, ose “nën mutaf”, domethënë me mesazhe të fshehta, të mbuluara, në hije. Në monografinë “Bojka Shanto”, Fixha pasqyron jetën, bëmat, vuajtjet, persekucionin nazi-fashist dhe mosvëmendjen e regjimit monist ndaj motrës së Vasil Shantos, Bojkës, ish komuniste, veterane lufte, modele e gruas që u përfshi në sfidat e një shoqërie të re, por që kjo shoqëri, me ingranazhet e saj të mykura nuk e përfilli dhe ajo vuajti e vazhdon të vuajë idealitetin e saj dhe të brezit që përfaqëson. Bojka është simboli i gruas revolucionare, motrës së Heroit, shoqes së armëve të “Tarasait”, Vojos, Stafës, Shantos, në valët e rrëmbyera të ilegalitetit, ku të ruaje lëkurën nuk ishte dhe nuk konisiderohej e rëndësishme para ruajtjes së vizionit dhe idealitetit kombëtar.

**************************************
Tyran Spahiu

MBRETËRESHA IME E JETËS

Arrestuar në mirësinë e saj
Shpesh uli kokën pyes vallë
Është princeshë zbritur nga parajsa
Apo sirenë ardhur me dallgë.

Kërkoj shtegun yllin e mbarë
Dritën hënën perëndimin e zjarrtë
Gjunjëzohem para pyes këtë shpirt bujar
Më trego çelësin e të bërit grua e artë.

Buzëqesh ngrohtë më sfidon modestia
Ul sytë thua se thotë jam e jotja
Ofroj dorën ledhatoj gishtat e mia
Buzët thërrasin rrjedhë puthja.

Rrëfehem kohës vendit pa zhurmë
Ndjenjat enden në oazën e dashurisë
Mbyllur në përjetësinë e lumturisë së amshuar
Shfryhen prekjet në trupin e ekstazës.

Shpesh shumë më mbulon krenaria
Jam unë fatlumi në këtë hapësirë magjike
Begat lundron përcjellë nga hirësia
Mbylli dyert frikësuar nga xhelozia kozmike.

JAM KUNDËR

Zbukurimit të ndytësirave të fshehura
Martesave të rrejshme politike
Ndezjes së kandilave të mëshirës
Në kulm të dimrit polar.
Veshjes së pafund të intrigave
Robërimin e ndërgjegjes së nevojtarëve
Dhunimin e ligjeve të shkruara
Drejtësinë e peshoreve të shtrembëruara.
Servilët e politikës ditore
Zbrazëtitë e thesarit të djersës
Veshjet e rrejshme aristokrate
Tërmetet e mundshme sociale.
Zhveshjes së pafund të moralit
Fisnikërisë së mposhtur
Qëndrueshmërisë arogante
Lojërave në kurriz të ardhmërisë.
Zërit të dobët të poetëve
Brushës së thyer të mjeshtërit
Roleve të shurdhër të skenës
Ndërgjegjes së vrarë artistike.

THESARI

Dhoma modeste më shoqëron
Rryma e papaguar
Fletët gjithandej
Gotat e derdhura njoftojnë.

Jam pesë gjashtë ditë pa ngrënë
Fuqia më derdhet
Këpucët e grisura janë
Ngopur me fleta të shkruara.

Ndjesia humbet
Vetëm dritarja më kujtohet
Tentoj të thërras
Ndihmë të kërkojë….

Kundërmon rëndë
Hapet dera trupi i mavijosur
Fundi i pafundësisë
Poeti prehet në varfëri.

Ngrita duart e arta
Të të falënderohem
Të kujtoj për fletat
Thesarin e lënë.

Palosur mirë
Fletat e zverdhura
Dritën e shijojnë
Në botimet e shumta.

Frikohem nga zëri im
Mendimet dhe ndjenjat
Mos vallë dëgjon kush
Për thesarin tënd të shkruar.

Në moshën e vonshme
Ndërgjegjja troket
Ndiej dhimbje të hatashme
Të poezisë së vjedhur.

Dëgjomëni ju të nderuar/a
Mëkatin tim të mëkatuar
Poezitë e poetit të ri
Unë i kam përvetësuar….

Alma Feruni
GJINKALLË…
Gjinkallë, sa fjalë, fjalë, nën strehën valë
Sheh dhe përqesh gjithë botën mbarë
Dhe burri i shkretë, i huaj në shpi
Ti bëke ligjin, ai heshtur rri…
Gjinkallë e dashur, kur ishe vajzë
S`të deshte fati, qeshje për hallë
Tani je kthyer, dame goxha dame
Dhe sheh dhe retë, sa vite marazë…
Gjinkallë e shtrenjtë, që gërryen çdo ditë
Kjo jetë s`ka besë, gjykim përditë
Pa vellon e nuses, kush natë ty ta hodhi
Tani sheh përbuzë, vështimesh përvoli?
Gjinkallë e dashur, në ke perëndi
Lëre pranverën…lulëzim ndër sy…
GJITHMONË…
Gjithmonë do kthehem aty
Në dhimbjen e brishtë.
Në lotin e patharë.
Në buzën mall sa mall
Ndërsa agu, era shiu.
Më bëjnë aleat…

Flamur Luta

Thirrje zemre

Ejani, t’i mbledhim kohës dashuri lule më lule,
Që vetë fjala urrejtje do të pikonte mjaltë.
Besimet e njëri-tjetrit ngujuar në vetvete,
Si test do të na pastronte nga keqkuptimet tërë baltë.

Boll jemi të shpërndarë –mbledhur rreth unit me vese,
Të bëhemi të tërë –të shpërndarë te halli i vendlindjes,
Dashuria si hark ylberi i një dite pranvere,
Le të na harkohet nga plaku deri te përlotja e fëmijës.

Para ndodhive makabre, para një luleje të vyshkur,
Zemrat tona le të bluajnë çdo gur ftohtësie,
Kemi për të parë edhe tek e rëndomta e papërfillur
Të na dalin para syve nimfat si çudi bukurie.

Boll folën burrat nga qerpiku tërë dhimbje,
Nga lotët, boll folën shamizezat nëna!
Boll folën midis nesh bombat egoiste,
Boll, pra, po bëjmë të përlotet vetë hëna!

Ejani, t’i mbledhim kohës dashuri lule më lule,
Që vetë fjala urrejtje do të pikonte mjaltë.
Besimet e njëri-tjetrit ngujuar në vetvete,
Si test do të na pastronte nga keqkuptimet tërë baltë.

Këngë mjerimi

Me ca para të mbledhura së shituri luledielli,
Pas kaq kohe blej në treg pak djathë tërë shije,
Vrimëzat e kaçkavallit mbushur prej meje me pika loti,
Mikroliqene – bazareliev i një kopshti gjeografie.

Nga thellësia e xhepit nxjerr të fundit qindarkë,
Të blej të freskëtin peshk me luspat tërë shkëlqim,
Pas çantës sime i tiji bisht përplaset si lopatë
Të më nxjerr varkën e buzëqeshjes nga lluca – mjerim.

E vështira

Sa e vështirë qenka të jesh i shkujdesur, i gëzuar,
Zotëri i mirë para syve të së bukurës,
Ku në parvazin e një thënie të deformuar,
Nuancat e shpirtligësisë duken e prej gazit të fluturës.

Sa e vështirë qenka të jesh i ngrohtë para një akulli,
Dhe para një katrahure që bredh kodër më kodër,
Ku hobi i katandisje si mos më keq një spektakli,
Në duart e një ecurie breshkore prehet si lodër.

Prag pleqërie

Shqetësimet e ditës i zë prehja që na dhuron nata,
Kështu një e nga një ikin vitet deri tek e zymta pleqëri.
Mbi orët e ikura të shndërruara në gjethe të thata,
Lëvrijnë ecejaket insektore të simes nostalgji.

Më kot pres ardhjen e çdo viti të më shfaqet si flori,
Gjithnjë hidhërimet farmak më kanë trokitur në derë,
Në mes të sheshit të pragmbrëmjes mbushur plot me vetmi,
Të miat dëshira s’i kamikaz hedhin veten në erë.

Të tjerëve u dhuroj dritë, ndërsa vetë jam në terr,
Mëngjesin e një bamirësie me gjithë shpirt e përshëndes,
Nga frika e minave të hedhura prej banalit sherr,
Midis shkurreve të fundjavës hapin e hedh me kujdes.

Kështu më kalojnë vitet një e nga një si në mjegull,
Me një peng të madh në zemër e ndjej se do të vdes,
Me ndotje e prapësi njeriu e filloi dhe ky shekull,
Siç duket kështu do të mbarojë, siç e nisi, ters.

Shqetësimet e ditës i zë prehja që na dhuron nata,
Kështu një e nga një ikin vitet deri tek e zymta pleqëri.
Mbi orët e ikura të shndërruara në gjethe të thata,
Lëvrijnë ecejaket insektore të simes nostalgji.

Udha

Ec, bir!
Mos më pyet
Sa e gjatë është kjo udhë!

Ajo matet me përshëndetjet njerëzore,
Ose mbaron këtu,
Ose s’përfundon kurrë…

* * * *
Si mund të të fal dashuri pa marr prej saj asnjë gram,
Krishti të më shfaqet para syve gjithnjë si tejdurim,
Ku algat e kotësisë grindjesh të së përditshmes dramë
T’i shoh t’u përkushtohesh si të ishin prej grurit bimë.

Petrit Malushi

“Livadhet e dashurisë”, shpirttrazimet e Përparim Hysit
Krijimtaria e deritanishme e Përparim Hysit është një mozaik ku mund t’i gjesh të gjitha ngjyrat, nuancat e vezullimet. Shprehem kështu duke patur parasysh tematikën që ai rrok në prozë e poezi, me tregimet, esetë dhe vjershat e botuara në shtypin e shkruar (veçanërisht elektronik , “Fjala e lirë” zë vendin e parë), apo titujt e vëllimeve të përmbledhura herë pas here. Është vështirë dhe e pamundur që në një shkrim të analizohet e gjithë krijimtaria e këtij krijuesi që për çdo “fidan në parcelat e vreshtit të tij” punon me shumë merak, nga përzgjedhja e “varietetit” (temës, fjalorit, figurave letrare, elementet e metrikës, kuptimin gramatikor e funksionin stilistik) e deri në vjeljen e frytit të pjekur mirë (kompozimin e të gjithë elementeve), për t’ia servirur lexuesit. Të pretendosh diçka të tillë do ishte një sipërmarrje dhe modesti e tepruar. Shpirti krijues i Përparim Hysit mbresohet , regëtin e pulson edhe ndaj një vegimi, çasti, situate, mjedisi, personazhi apo gjithçkaje rreth tij, që për dikë tjetër nuk del mbi nivelin e të zakonshmes. Çdo lexues që ka patur rastin t’i përkushtojë pak kohë dhe vëmendje një tregimi, një vjershe, një vëllimi të këtij autori e vëren lehtësisht këtë veçori. Të tjerë , që nuk u është fashitur pasioni për letërsinë dhe ia kanë lexuar të gjitha titujt, mbase do të kenë të njëjtit mendim me mua, se lajtmotiv ka dashurinë, jo në kuptimin e ngushtë por në atë universal. Kështu, veç të tjerash, gjashtë vëllimeve të mëparshëm : “Rektimat e dashurisë”, “Prush i dashurisë”, “Më piku dashuria”, “Luftë me dashurinë”, “Mbeta dashurive”, “Eh, si qenka dashuria” , ai këto ditë u ka shtuar të shtatin, titulluar “Livadhet e dashurisë”, redaktuar nga Duro Mustafaj dhe botuar nga shtëpia botuese “ILAR”. Larmi çastesh e përjetimesh Këtë herë, brenda “vijës së verdhë” të livadheve të dashurisë së Papit, lexuesi gjen ngasje e përjetime emocionale të buisura, çelura, lulëzuara a të penduara gjatë një “Mbrëmje pranverore”, kur “Shikoj tënden fotografi”, “Mbrëmjen pres me frikë”, “Zë e zihem unë me vjershat”,kur e ha egërsisht “Një mendim”, tek “E, çfarë pastaj?!!!”, “Llamburit”, “Është me fat”, “Ky shtat”, “Më duket”, “Kur…”, “A…”, “Ja !”, “Një palë sy”, “E dashur”, “Diçka…”, ”Soditje”, “Më tërbove”, “Të dy vetëm”, “Si ?!!!”, “X”, “Kokë ! Moj kokë!”, “Dashuria”, “Je e bukur”, “Pllaja”, “Ku je sot?!!!?”, “Sa bukur kur ke të dashur”, “Mikja në klub”, “…dhe më thonë”, “Në dhomën time”, “A më lë ?!!!”, “Ti”, “Flladi I majit”, “Sa kam pritur !”, “Si s’mu ndave, o moj mike ?”, “E dashura ime”, “Dashuroj” “Letër për një mike të vjetër”, “Dalldi” , “Sa herë të kujtoj”, “Sa vendos …” (që të mos shkruaj…) f.82 “Dal e pres”, “Sytë e blertë”, “Livadhet e dashurisë” etj. Tërheqja e lexuesit Përparim Hysi në këtë vëllim arrin ta mbajë ndezur kureshtinë e lexuesit e ta tërheqë atë me ëndje nga faqja 3 deri në të 94-n, me të 86 vjershat duke e zbuluar “sekretin” e krijimit të tyre vetën në pesë strofat e vjershës së fundit, “Livadhet e dashurisë”, ku shprehet: “Livadhet e dashurisë I kullota/ atëherë kur qeshë djalë/ duket me dashuri nuk u ngopa/ dhe tash që jam kokëbardhë (strofa e parë)…. Tani I moshuar jam me thinja / Livadhet që kullota I kujtoj/ Oh, asnjëherë me dashuri nuk u nginja/ dhe, përmes vargjesh ,rënkoj ”. Pra atë që ndjen ai e shpreh në mënyrë të drejtpërdrejtë , me individualitetin e tij, pa stërhollime e artifica. Situatat janë të besueshme e jetësore , se gjithkujt ia ka ënda të jetë pak Përparim, para syve të bukur , buzëve të ëmbla, flokëve të farfuritur, fytyrës së pastër, trupi të hajthëm, të ëndërrojë, meditojë, të ahojë… Mesazhe të kapshëm
Në këto poezi ritmi është I shpejtë, nuk ka stërzgjatje dhe lexuesi arrin pa u sforcuar e lodhur në thellësi të fabulës për të marrë mesazhin. “Nga larg … a më sheh ? Bëhem trim/ dua të më japësh një mundësi/ fale “adoleshentin” Përparim !/ se nuk ka trimëri në dashuri” (E kotë f.4), “E rivë fotografinë prapë në album/ e shpirti më dhemb si t’më bien me plumb” (Shikoj tëndej fotografi f.5), “Mëkat nuk është ; nuk dua ta besoj/ kjo ndjenjë lind si vetvetiu/ më jep të drejtë kush di të dashuroj/ se vjen papritur, tek ti çilimiu” (Më duket f.12) “ Zë këndoj bilbil gjyzar, me ngadalë e shtruar-shtruar/ dreq-o plak e mallpashuar; përjetësisht, I dashuruar” (Mos më thoni f.13), “Ky shtat hirëplot, ky shtat i derdhur/ dhe syri që kullot azat duke bredhur “ (Ky shtat f.18), “Se zogun e pata ndër duar/ dhe, sakaq atë e lëshova/ këtë vjershë për ty e kam shkruar/ moj mikja ime nga Drenova” (Kur…f.20), “Ja e hape kraharorin / ja e hape po tani ?” (Ja! F.24), “Pa hapi krahët moj e dashur/ hapi dhe zgjati nga unë… Po nëma atë buzën e nxehtë/ mbi të të vë buzën time…Zbërtheje të lutem fustanin/ ku fshihet gjiri i bardhë… Ah malli yt se ç’më bëri / Më çmende e dashur !Më çmende…” ( E dashur f.26). Pasuri figurash letrare dhe elementet e metrikës Nëpër vargje dhe strofa intensiteti i veprimit rritet duke i ngarkuar fjalët emocionalisht apo nëpërmjet kontrastit. “Mu afrove , mu afrove/ U tërbofsh! Më tërbove” (Më tërbove ?!!! f.33), “Fshatari me kokën si shpellë/ Përbri e shoqja si hënë” ( E shoqja e fshatarit !!! f. 46). Figura letrare mbizotëruese është epiteti që i përzgjedhur me kujdes e shije të hollë, në çdo rast i bën vargjet të lehtë dhe forcon muzikalitetin së bashku me aliteracionin, qoftë asonanca apo konsonanca. “Ti ke një nur mu si hënë e plotë/me buzët e kuqe e vetullat e harkuara” (Je e bukur f.52), “Hundë të hollë e buzë të plota/ dhëmbë të bardhë e krejt fildish” (Ku je sot ?!!! f.55). Në këtë vëllim autori nuk ka përdorur strofa monokolon, por ka punuar me vjersha me strofa katërvargëshe. Vargu më i pëlqyer është ai tetërrokësh, ndërkohë që ka edhe gjashtërrokësh p.sh te “Llamburit”f.16 (Qe si vetëtimë/ mu në mes të territ), dhjetërrokësh te “Më duket” f.19 (Më duket sikur kam shkelur një xhind/ dhe ky tanimë me mua po hakmerret), dymbëdhjetërrokësh te “Soditje” (Afrohem ngadalë mos të zgjoj nga gjumi/ tani më s’jam gjallë ika unë malumi) e gjashtëmbëdhjetërrokësh te “Është me fat” f.17 (Kush të sheh ty përditë, besë e Zotit, është me fat/se ti je porsi drita, të sheh ty dhe s’ka më natë). Ashtu si në titujt e mëparshëm apo ciklet e herë pas hershëm autori u qëndron besnik rimave të alternuara ABAB , emërore , foljore, mbiemërore, ndajfoljore dhe të harmonizuara midis tyre. ( Mu drodh zemra nga një flutur/ nga një flutur të kem frikë?/jo moj jo qe ti e bukur / ti më drodhe …edhe pikë) “Letër për një mike të vjetër “ f.72. Ka edhe elemente të tjerë si, puna e bërë me përzgjedhjen e fjalëve, sinonimet e antonimet e përdorura, mosrënia në përsëritje etj. Por mendojmë se, ndoshta lexuesi do të arrijë ta kapë mesazhin nëpërmjet “Fjalës së lirë” për të mos e humbur rastin të marrë në dorë “Livadhet e dashurisë”, të Përparim Hysit, ndërkohë që autorin e urojmë të mos e ul ritmin e krijimtarisë.

***************************************
Ese për librin e Vasil Naçit “Sjellja e pëlqyeshme dhe mënçuria në komunikim. Çelësi i lumturisë dhe i humanizmit”.
Një libër filozofik, estetik dhe psikologjik i shkruar thukët për dukuritë shoqërore.
SEFER PASHA

“Poshtë shkollës së fshatit Kakavijë një fshatar kishte një kopsht rreth 200 metra. Kopshtin e kishte mbjellë më grurë. Gruri qe në të pjekur. Fshatari e kishte tëharrur grurin dhe kallinjtë e tij ngjanin si napa djathi. Çdo ditë kopshtin me grurë e ruante djali i vogël i fshatarit. Ai i binte një teneqeje dhe u sokëllinte sorrave, të cilat vinin që nga fshati Mavropull i Greqisë dhe çukisnin kallinjë e grurit. I bukuri djalosh lodhej gjithë ditën në pikë të diellit gjersa zinte nata dhe tufat me sorra largoheshin për në pyjet e Mavropullit dhe të Aranistës.
Një paradite së bashku me Pilon po rrija poshtë kopshtit, ku luanin futboll një grup fëmijësh të fshatit. Djaloshi që ruante grurin e kishte braktisur urdhërin e të atit dhe kishte zbritur ne livadh e po luante me shokët. Ne atë fushë të thjeshtë luante dhe Vasili. Ishte viti 1983. I zoti i kopshtit vjen befasisht dhe vë duart në kokë kur shikon ushtrinë e korbave, që po e bënin lëmsh kopshtin me grurë. Ai i revoltuar i tremb sorrat dhe djalin që po luante futboll e fyen dhe e shtyn me duar. Unë nuk e harrova kurrë atë pamje të trishtueshme.”
Nga ditari

Rastësisht pashë në librarinë “Adrion” kopertinën e një libri ngjyrë qielli që më tërhoqi. Dhe emrin e Vasil Naçit në ballinën e librit. Më tërhoqi vemëndjen pamja e kopertinës dhe emri i autorit. Emri i Vasil Naçit ishte i njohur për mua, por jo si autor librash. Do të jetë ndonjë Vasil tjetër thashë me vete dhe mora një tjetër libër në dorë mbi intelegjencën e Leninit. Por pas pak u pendova dhe e mora librin me autor Vasil Naçin. E shfletova nga fundi. Kur pashë fotografinë u binda. Po thashë me vete. Qenka libri i Vasilit që njoh mërmërita dhe librin e bleva. Në bibliotekën time librin e lexova për tre ditë. Kur mbrrita kah fundi më lindi ideja për të bërë një ese, por brenda meje ndjeva një lëkundje nëse autori ishte autentik. Mos librin e kishte bërë tjetërkush. Dhe librit iu riktheva. Mbajta shënime për identitetin e filozofisë së rrëfimit, i pashë një për një kryetitujt, cytjet e fjalëve, antropologjinë e gjithë veprës, sinonimet, tharmin e gjuhës së kakaviotit, kremin e shpirtit, ndrydhjen për të mos dal jashtë realitetit, sensin personal të djaloshit ambicioz, lidhshmërinë emocionale, strukturën e fjalive të mirëmenduara, shumësinë e fakteve psikologjike, të qenurit tejet modest, stilin e thukët, sintaksën dhe strukturën e gjuhës, vijëzimet e fatit, kredon e të atit, Pilos: – “Jeto dhe fal”, të qenurit sharamant, skrupuloz në përqasjen e subjektit, i brisht dhe me ndjenja të natyrëshme, togëfjalshat si gur qemeri, struktura e fjalive pa retush dhe të gjitha idetë filozofike kishin tagrin për të përcjell mesazhe shprese. Nuk vihej në dyshim se përpara meje po shpalosej maksima e shkrimtarit dhe e filozofit Vasil Naçi.
U binda që në krye të herës se kisha të bëja me penën dhe me një anë të panjohur të Vasil Naçit. Në çdo kapitull të librit që e lexoja dhe mbaja shënime sillja në mendje thënien e Dostojevskit se: – “Botën do ta shpëtojë e bukura”. I gjithë libri i Vasil Naçit në substancialitetin e gjuhës dhe të mendimit ka një strukturim të kombinuar me thekse profetike ndërmjet farës së modernitetit dhe forcës së shpirtit të autorit për të cilin nuk pati rrugë të mëndafshta. Udhët i ngjiti vetë me dhimbje. Dhe dhimbjet e traumat paçka se nuk duken gëlojnë në të gjithë fjalët, fjalitë dhe idetë filozofike të librit. Autori Naçi e hedh në treg këtë libër kur Shqipëria nuk po e kapërxen tranzicionin dhe në përditshmëri jeta është kaotike. Aristokrati Vasil Naçi nuk del me këtë libër rastësisht në tregun shqiptar. Virtuozi kakaviot e nxjerr librin: – “Sjellja e pëlqyeshme dhe mënçuria në komunikim” si një poemë epike pas një përvoje të gjatë në biznes dhe në kontakt me realitetin e ashpër, të cilin ai vetë e vuajti gjer në pikën më skajore. Nuk ka pikë dyshimi se esteti dhe filozofi Vasil Naçi shumësinë e burimeve e ka që në famijen e tij tradicionale. Aty fillojnë shtytjet fillestare siç është oda e Kakavijës si një “kuvend” i vogël i filozofisë. Prej andej vijnë metaforat e zakoneve të moçme, koloriti i gjuhës, ritet, doket, tradita kulturore, përvijojnë hyjnitë, autorët antikë, mitologjitë, risitë e sjelljes në shekuj, filozofia rracionale në mardhënie, ligjvënsit hyjnor, gjerdanët e dokumentave të arkivave, dëshmitë e vjetra të mirseardhjeve, ceremonitë në dasma e në morte, kultet fetare, theqafjet e të pabesëve, kodi etik i udhëtarit, fisnikëria e muzikantëve, burrat me qibër që dinë të thonë tunjatjeta, thëniet e korifenjëve të kulturës kombëtare dhe botërore, idhtarët e komunikimit mbarëplanetar, gojdhanat për sjelljet e njeriut, kompleksiteti i mardhënieve në shoqërinë pluraliste, përjetësimet në mëhallë, fis, fshat e qytet, mendësitë e emigrantit, epigramet filozofike epiriotikisht dhe të qenurit në identitet me fatet e vetes dhe të atdheut. Duke i lexuar një për një pesë parimet bazë të sjelljeve të pëlqyeshme të cilat shqyrtohen në librin e Naçit si: – Respekti: – Ndershmëria: – Dashuria: – Shprehja e mirënjohjes dhe Falja, autori aktivohet jo i kodifikuar, por ai sfidon në mënyrë të rrokëshme vakumin që ka kjo lëndë në jetën tonë të tarzuar e të mbushur me ngjarje të rënda. Autori Vasil Naçi nuk rriskon, s’analizon ngjarje as në spektrin politik, nuk depërton tek vulgarja dhe as jep sirenat e alarmit për ato që ndodhin në vendin tonë. Jo. Ai pamëdyshje ridimensionon pakrahasueshëm idetë e tij psikologjike, filozofike, etike dhe shoqërore. Dhe kështu në çdo faqe e fjali të librit lexuesi gjen në përkryeshmërinë më të madhe të gjithë tragjikët e kësaj kohe të ashpër që ecin kuturu e shkelin çdo ligj e etik. Natyrisht që autori nuk merr përsipër rolin e “dhaskalit”, as fletë për medoda strikte. Por ai nëpërmjet muzës së tij i mëshon dijes, studimit, paqes, ligjit, drejtësisë, ndjenjave, gjuhës së folur, virtutit dhe fjalës së mirë mesveti. Në këtë libër Vasil Naçi e percepton realitetin e sotëm në mënyrë unikale. Në këtë këndvështrim autori të magjeps me mrekullitë e ideve për një shoqëri si jona në zgrip të ekzistencës. Në kapitujt e librit mungon falsiteti, lexohet mjedisi i ndotur nga mentaliteti dhe u lihet shteg i hapur linjave intriguese. Është risi e veçantë mishërimi i energjive të autorit edhe për momentet e begata, por edhe kur mbikqyr bëma sjelljesh të papranueshme. Vasil Naçi në veprën e tij është novator, frymëzues, i kundërpërgjigjet bastardit, që vepron dhelpërisht dhe me ngjyrime të theksuara, si natyrë e ndjeshme që është, pa komplekse ngjiz si vizionar ato ide që i duhen njeriut të thjeshtë dhe një parlamentari. Në kapitujt e librit shtrohen shumë “pse” nga lexuesi. Jeta vërtetë ka çaste misteri, por matja e suksesit, shpresat dhe ëndrrat vijnë si rrjedhojë e të qendruarit me këmbë në tokë. Pakkush si Vasil Naçi, i cili vetë nuk ka qëndruar në periferi të jetës, i sheh sukseset në çdo fushë si rrjedhojë e një disipline të fortë, të bësh kërkime të mirfillta e të ngulmosh tek dhuntitë. Arritjet vijnë nga engjëlli e jo nga djalli, nga thjeshtësia e modestia, ti besosh sjelljes, mendimit, qartësisë, bukurisë, qibrës, erudicionit, përjetimit, paanësisë, simpatisë, mospajtimit me të keqen, urimit dhe qortimit. Autori e thotë hapur se pa revolucionin mendor të sjelljes së nyjëtuar dhe pa ndërtimin e vetëdijes ndjenjore nuk mund të ndërtohet një shoqëri e shënjtëruar. Kur e lexon rresht për rresht e fjalë për fjalë kapitullin: – “Çfarë e dallon njeriun e sjellshëm” bindesh se autori Vasil Naçi ka si objekt adhurimi e përqasje biblike, klithjen emocionale se njeriu i shoqërisë pluraliste ka si formulë magjike thjeshtësinë, afësitë menaxhese, provën e qetësisë, përjetimet intime dhe shoqërore, ndjenjat dhe parandjenjat, qartësinë dhe sinqeritetin, mostronditejn nga zhgënjimet, besimin në vetëvete, energjitë dhe stilin, sfidat e kohës, jetën e rrjedhëshme, luftën me hipokritët, aventurizmin, instiktin vetëmbrojtës, taktikat me tinzarët, të jesh vetëvetja, të bashkosh vlerat, gjithçka ta zgjidhësh me studjot ligjore, emergjencat të mos çorjentojnë, cinikët t’i përballosh, të mos e ndash individin nga komuniteti, eksopzim modest i arritjeve, në mardhënie të mos krijosh atmosfërë luksi, qasju profesionistit, eksperimento, promovo talentet në punë, të jesh preciz në gjuhën e folur, autoritarizmit brutal vëri vizën, trumbeto natyrshmëri, mbaj larg mediokrit, mos i prano trafiqet e pushtetarëve, opsion i vetëm të jetë vullneti, larg shumave të majme pa djersë, analizë të ftohtë për dështimet dhe rezervo surpriza për kolektivin ku punon. Autori i kësaj vepre Vasil Naçi e vë pikën mbi “i” tek mënçuria dhe arti i komunikimit. Kësisoj në komponentët e të gjithë veprës artikulohen nivelet e të gjitha mardhënieve. Autori është “zë” i mendësive moderne. Ai me sharmin e tij implementon në formë embrionale rregullin e sjelljeve në kuptimin tradicional, ku pikat më të rëndësishme janë respektimi i ligjeve, vështrimin kritik ndaj absurdit, arrogancës, monopolit, abuzimit, makutërisë e broçkullitjeve. Tema që rreh në këtë libër Vasil Naçi për ditët tona është delikate. Autori e dëfton dhe e analizon me kurajo e profil të lart tërë këtë lëndë, të cilën vetë e ushtron dhe është model i mendimit bashkohor. Çështjet analizohen me penën qiqër të një njeriu, i cili nuk është në zanatin e tij. Kësodore edhe për shkak të origjinës modeste, Naçi, në të gjithë kapitujt e librit nuk çalltis e as krekoset. I paisur me një numër përvojash ai shfaqet si një eseist origjinal e bash për këtë arsye indentifikon lirinë e shpërfaqur, tabllot tronditëse të realitetit të ashpër, zhytet në ferrin e mjeranëve me sjellje ordinerësh dhe në fletët e librit lexuesi nuk humbet kohë me moralizime të bezdisëshme. Domosdo që Vasil Naçi vjen me këtë libër filozofik e estetik nga anonimati. Dhe çuditërisht në trajtimin e kësaj lënde ai shfaqet i fildisht. Ai e fton lexuesin që në kohën tonë dramatike ta kuptojë sjelljen në shoqëri si detyrë e mision.
*********************************

Maki Canolli

PRISHTINA IME, QYTET KRENAR
O qyteti im krenar
tek ti linda dhe u rrita,
shpirt e zemër tek ti i kam,
trupin e mbanë Amerika!

Tek ti qesha kur u gëzova
tek ti qava kur u lëndova,
ngado ika edhe shkova
kurrë për jetë nuk të harrova.

Amerikane më thonë në letër
jam shqiptare e Shqipërisë t’vjetër,
nuk të ndërroj as me ar
o qyteti im krenar.

Nuk më flenë shpirti as zemra
me bukuritë qe i ka bota,
ngrohtësi përherë më falë
e shtrenjta ime nënë Kosova!

Jo askund nëpër botë
nuk ka s’i vendlindja ime,
kryeqyteti i dytë shqiptarë
Prishtina ime, qytet krenar!

GJUHA JONË E LASHTË
Gjuha jonë shqipe
është për ne një thesar,
sa bukur e kanë stolisur
tridhjetë e gjashtë margaritarë.

Gjuha jonë e bukur
është me shkronja plot,
gjithë secila në vete
një histori na e thotë.

Xhelozonë e gjithë njerëzia
të gjithë xhelozojnë,
pse nuk janë të pasur
aq sa gjuha jonë.

Janë dëshmitarë
Dielli e Hëna dhe e tërë gjithësia,
se gjuhën tonë të lashtë
e flet edhe Perendia!

Ta ruajmë e ta duam
si një thesarë që e kemi,
para saj gjuhët tjera
kurrë mos t’i vemi!

ËNDRRA SHEKULLORE
Si fëmi kur isha,
babai më merrte për dore
më fliste përmallshëm
për ëndrrën shekullore,
më tregonte për trimat
që dhanë gjak e jetë
që ëndrra jonë kombëtare
të bëhej realitetë.
Ëndrronte pëmallshëm
babai përherë
me Shqipërinë nënë
të takohej një herë,
t’ia puthte tokën
e të pinte ujë Valbone
ta shuante mallin
e ëndrrës shekullore.
Iku nga kjo botë
me dhimbje në zemë
r duke e parë Atdheun
vetëm nëpër ëndërr,
në vend të lamtumirës
na e la amanet
ëndrrën shekullore
ta bëjmë realitet.
Mos kurseni xhepin,
as gjakun e jetën për kombin,
flamurin dhe Atdheun,
na ndanë padrejtësisht
na i vunë kufijtë
por Shqipërinë ne
e mbajmë në shpirtë.
Kujtojeni me sa gjak
u la toka jonë
që nga Molla e kuqe
gjer në Çamëri,
a nuk është mëkat o fëmijët e mij,
që e ndarë të mbetet nëna Shqipëri?
Po iku nga kjo jetë
si të parët e mi
duke ëndërruar nënën Shqipëri,
nëse kjo juve
ju vret thellë në zemër
ëndrrës shekullore
ia vini një emër.
Emrin e saj
ju stoliseni me arë
duke e bërë bashkimin kombëtarë,
vështirë do ta keni
për të jetuar Atdheun
çdo natë duke ëndërruar!

DHIMITËR SHTËMBARI

Bluza e djalit rom

Nuz Zenuni, djalë i një familjeje rome, ishte grindur që në mëngjes në oborrin e shkollës me shokun e vet të klasës, Endrit Rolandin. Sebep ishte bërë bluza që Nuzi mbante veshur. Endriti pretendonte, se, në oborrin e vilës ku banonte, Nuzi ia kish vjedhur!
Në një kthesë të rrugës grindja kish arritur kulmin. Endriti e kish rrëzuar Nuzin përtokë, duke ia përplasur kokën në një mur prej gurësh. Dhe gjaku i kish skuqur fytyrën, madje edhe teshat deri posht.
Rasti e solli që aty të kalonte një punonjës Policie. Teksa e kish parë djalin rom në atë gjëndje, e kish ngritur, ish munduar t’i fshinte gjakun dhe e pat marrë me vete. Ndërkaq, kish marrë edhe djalin tjetër për në Komisariatin e Policisë. Dhe i kish futur në zyrën e shefit të Krimeve.
– Cilët janë këta djem?! – kish pyetur shefi i zyrës.
– Janë shokë të një shkolle, madje të një klase, – i qe përgjigjur punonjësi i Policisë, – por janë rrahur për çështjen e bluzës së këtij djali.
Dhe kish bërë shënjë drejt Nuzit.
Ndërkohë që e pat nisur Policin që të sillte ujë e ndonjë ilaç për të larë e mjekuar plagën e Nuzit, shefi i Krimeve kish filluar t’i merte në pyetje:
– Si ju quajnë? – i qe drejtuar djalit buçko që kish dëmtuar shokun e vetë.
– Endrit Rolandi.
– Ku punon babaj juaj?
– Në Kryeministri.
– Po juve si ju quajnë?
– Nuz Zenuni.
– Ku punon babaj juaj?
Djali kish heshtur. I bërë flakë në fytyrë, pat ulur kokën.
– Po ju pyes, ku punon babaj juaj? – pat ngulur këmbë shefi.
– Nëpër kazanat e plehrave …
Shefi qe ngritur nga vendi dhe i qe afruar Endritit.
– Përse e ke goditur shokun tënd?
– Nuk e kam goditur, zoti shef. Atij i rrëshqiti këmba dhe ra vet …
Nuzit nuk iu durua pa folur:
– Zoti Polic, ky më rrëzoi dhe ma përplasi me forcë kokën në mur!…
Dhe kish filluar të qante.
Shefi ia pat ngulur fort sytë Endritit dhe i qe drejtuar:
– Çfarë kërkon ti prej Nuzit?
– I kërkoj bluzën. Ma ka vjedhur te vila ime. Është hajdut i poshtër!
Ende pa e mbaruar fjalinë, kish ndërhyrë Nuzi:
– E dëgjon si më fyen, zoti shef?! Edhe pse detyrat e shtëpisë nga unë i kopjon rregullisht çdo ditë, kështu më fyen vazhdimisht …
Kish qendruar një hop dhe pat vazhduar:
– Nuk e kam vjedhur bluzën, zoti shef. Më besoni! Ma ka prurë babi.
Endriti e pat shikuar tërë urrejtje shokun e vetë dhe pat folur:
– Babi këtë bluzë ma ka blerë në Parisin e Francës…
– Gënjen, zoti shef. Babai e ka gjetur në kazanin e plehrave…
– Ma ka blerë babai në Parisin e Francës, – ngulte këmbë Endriti.
– Ma ka gjetur babi në kazanin e plehrave, – kundërshtonte fort Nuzi.
Shefi u bëri shënjë të heshtnin. Dhe pat shkuar në kolltukun e vetë.
– E ke numrin e celularit të babit tënd? – i qe drejtuar Endritit.
– Si nuk e kam!
Dhe ia pat treguar.
Shefi kish formuar një numër dhe pat filluar të fliste me të atin e Endritit.
– Si, si?! Djali im në Komisariat?! E përse?! – qe dëgjuar tjetri të fliste.
– Nuk është gjë për t’u shqetësuar, por, në qoftë se keni kohë, mund të kaloni këtej për një sqarim fare të thjeshtë.
Nuk kishin kaluar as dhjetë minuta dhe te dera e Komisariatit qe ndalur një “Benz” i zi. Qe hapur dera dhe nga brënda pat dalë një burrë i bëshëm. Pat përshëndetur oficerin e Rojës dhe pat ecur në drejtim të zyrës së shefit.
– Babaj i Endritit? – i qe drejtuar shefi.
– Po, ai jam; Alfred Rolandi.
Shefi i qe afruar të porsaardhurit dhe kish nisur t’i thoshte:
– Këta djem janë grindur mes tyre. Ja, për çështjen e kësaj bluze …
– Po, është e djalit tim, – nxitoi të thoshte Alfredi. – Ia kam blerë, më duket… në Londër.
– Jo, babi, – e pat korrigjuar i biri. – ma ke blerë në Paris.
– Po, po, saktë; në Paris ta kam blerë…
Kur dëgjoi të flitej kështu, Nuzi pat ndërhyrë pa marrë leje:
– Bluzën ma ka prurë babi. E ka gjetur në kazanin e plehrave.
Alfredi e pat shikuar me bisht të syrit dhe i qe drejtuar:
– Mirë që e ke vjedhur, mor djalë, po përse nuk e pranon?!
Shefi nuk kish dijtur si të vepronte. Dhe nuk kish munguar ta shprehte këtë mëdyshje. Mirëpo i pat ardhur në ndihmë vet i ardhuri prej Kryeministrisë:
– Këtë e zgjidhim tani, shpejt e shpejt.
Dhe pat nxjerrë celularin, pat formuar një numër dhe …
– Alo! Erestina?
Bashkëshortja i qe përgjigjur nga andej ku gjëndej.
– Në Bruksel jeni, apo në Londër? – e pat pyetur Alfredi.
Erestina pat vazhduar t’i përgjigjej nga larg.
– Të shqetësova, grua, për çështjen e një bluze të kuqe që kemi pas blerë në Paris … Si, si?! E keni hedhur ju vet në kazanin e plehrave! Si, si?! Nuk të ka pas pëlqyer ngjyra e saj! … Po, po; e kuptova. Hajde, mirëardhsh, e dashur!
Pat mbaruar telefonatën dhe Alfredi i qe kthyer shefit të Krimeve:
– Ta gëzojë bluzën! E paska hedhur vet bashkëshortja ime në kazan…
Sakaq, përmes dritares Alfredit i patën shkuar sytë në rrugë, te “Benzi” i tij. Në çast pat hapur derën e zyrës dhe kish nisur të gërthiste me zë të lartë:
– More maskara, a nuk e shikon se po ma bën pis makinën me atë palo
thes që mbake në krah?!
Dikush, që nuk i dukej as fytyra për shkak të thesit të madh që mbante mbi shpinë, mundohej të kalonte në rrugicën e ngushtë që ish krijuar prej “Benz” – it të ndaluar. Teksa qe kthyer në drejtim të atij që i pat gërthitur,atij i qe çarë thesi dhe disa kanaçe i patën rënë mbi veturë.
Nuzi pat ngritur sytë drejt shefit dhe, me ton lutës, i qe drejtuar:
– Më jep lejë të shkojë për ta ndihmuar?
– Atë maskaranë do të ndihmosh?! – qe dëgjuar të thoshte Alfredi.
Si të ishte zënë në faj, Nuzi pat ulur kokën dhe pat vazhduar:
– Ai është babi im!
Dhe pat nxituar drejt atij që vazhdonte të mblidhte kanaçet.
Me sy disi të përlotur, shefi i Krimeve pat vazhduar t’i ndiqte me vështrim, deri sa at e bir qenë zhdukur mbas një pallati.

MYRTEZA MARA, SHKRIMTARI I VITIT NË GREQI

Gëzim Llojdia
1.

Shkrimtari dhe poeti nga qyteti i Vlorës Myrteza Mara është shpallur shkrimtari i vitit në Greqi,ndonëse jeton dhe krijon në Shqipëri .Shtëpia botuese “Kaskanidis” me qëndër në Athinë ,Greqi i jep Myrteza Mara çmimin: “shkrimtari i vitit ” për novelën “Lisiana”.Në fakt në 30 janar do të bëhet promovimi i tre librave të shkrimtarit dhe poetit vlonjat Myrteza Mara nga shtëpia botuese” Kaskanidis” në Athinë me shkrimtaret grek te Athinës, përfaqësues nga ambasada dhe krijues shqiptare që jetojnë në Greqi.Është kjo shtëpi botuese do të realizoj dhe do të hedhi në botim në anglisht,frëngjisht,turqisht tre libra të autorit vlonjat M.Mara. Pas një sërë suksesesh të shumë krijuesve vlonjatMyrteza Mara, mbetet një shkrimtar që po plotëson kuadrin e plotë të tij me botimet e fundit. Prej një periudhe 15 vjeçare ai sjell rreth 25 botime, që janë libra në gjinitë e prozës, poezisë. Shfaqet edhe romani,novelat apo gjinia e shkurtër tregimit. Myrteza Mara aktualisht është kryetar i një ndër klubeve më të gjallëruara në jug të vendit me emrin e shquar të shkrimtarit Petro Marko.
2.
Myrteza Mara merr çmim e madh ndër fund vitit 2015, me një një ndër romanet e botuar në Shqipëri në gjuhën e prozës, siç është romani ’Lisiana” dhe me dy botimet e tjera në prozë si dhe një përmbledhje me poezi. Përkthyesja e talentuar, Dr. Anna Ballabani (Balanou) e cila bëri të flas në disa gjuhë të Evropës prozën dhe poezinë e M.Marës,kA përkthyere dhe disa autorë të tjerë shqiptarë .Ç’është proza. Përkufizimi i saj tash prej vitesh gjendet në librat teorik të letërsisë shqipe. Mirëpo poetja M.Ahmeti ka bërë një përcaktim të shkëlqyer për të treguar se çfarë është në të vërtetë .Poezia e keqe është prozë dhe se proza e mirë është poezi. Kryetari i klubit ‘Drita” në Athinë ,shkrimtari Nase Jani shkruan kështu për novelën Lisiana. Novela “Lisjana”, e botuar më 2007 dhe e ribotuar nga Shtëpia Botuese “Toena” më 2008, është dëshmia më e mirë e një proze të bukur poetike. Të bësh një përcaktim të tillë për një libër të tërë me 88 faqe, nuk është e lehtë. Duhet një artist i mirë i mendimit dhe i fjalës, që të arrijë të mbajë një novele të tërë me dallgë poetike brenda. Mund të them se është novelë e tipit Çehovjane, por e kohëve moderne të shekullit të XXI. Shkrimtari tregon në vetën e parë, komunikon me personazhet, ashtu siç do ai e ashtu siç di ai, ndërton marrëdhënie njerëzore të pranueshme nga lexuesi, por edhe të pa pranueshme nga lexuesi, (se ndryshe s’kishim pse të shkruanim për këtë shkrimtar) thyen “tabunë” e ndarjes së brezave me kryefjalën “dashuria nuk njeh moshë”, e respekton jetën në të gjitha etapat e saj, duke i dhënë asaj kuptim…“Gjëja më e mirë shkruhet kur je i dashuruar”-shkruan Ernest Hemiguej. Dua ta besoj Hemiguejn! Por shkrimtari nuk dashuron si njeriu i zakonshëm. Vetëm kur dashuria kthehet dhimbje dhe vuajtje, ai mund të jetë i sigurt për atë që shkruan. Dhe vepra e tij letrare gjen lexuesin që meriton. Novela “Lisiana”është bërë më tepër pronë e rinisë, duke kaluar nga njëra dorë tek tjetra, bile edhe duke e fotokopjuar. Kur ndodh kështu, në kohën që lexuesit i janë larguar shumë librit, është një sukses i kuptimtë i shkrimtarit dhe një mësim për shumë shkrues, që pandehin se bëjnë çudinë duke nxirë fletët me germa, pa bërë dot letërsi të vërtetë. Le të lexojnë “Lisjanën” edhe ata që të mësojnë si shkruhet bukur proza”.

Proza e Myrteza Marës është një poezi e bukur. Proza e Myrteza Marës në përgjithësi karakterizohet nga rrëfimi i sinqertë. Çdo tregim apo novelë e kësaj përmbledhje të fundit si te Lisian apo te Muzeu i dhimbjes ,ka një fabul ku shtrihen të gjitha linjat kryesore. Autori i përmbahet rregullit gjuhësor .Duke analizuar vëllimin Muzeu i dhimbjes . Dallon nga kjo krijimtari novela:”Rrëfimi i Havasë” te Muzeu. Ka një fabul të qëndisur si nure .Ka të stile bukuri fjale, çdo fjali është në vendin vet. Në thelb kjo novelë sjell fabulën e mentalitetit të vjetruar në katundet tona malore,në vitet e para të pasçlirimit.”Lënda e parë” me të cilën autori ka mbrujtur bukën është një rrëfim interesant dhe prej kësaj shtjellohen disa linja njëherësh të cilat përfundojnë në një pikë të vetme. Besa e dhënë dhe ajo e pa mbajtur. Novela ka në epiqendër Havanë, që nis të tregojë një ngjarje, që si zanafillë ka vitet pas çlirimit të vendit. Një djalë deli djalë por që ishte qeros,nuk gjente dot nuse. Një mblesë që për hir të përfitimit arrin të përmbush misionin e tij duke gjetur një nuse në një fshat të thelle dhe të largët .Ngjarjet zhvillohen në një kohë të zymtë. Në përmasat e kohës,kur erdhi në jetë, dasma e qerosit u gjet në një terren të përshtatshëm, gati prush e flakë mund të quhet në gjuhën vendase. Një “kohë e urie”,për shpirtin varfanjak,ndihej në ajër, atmosfera e dasmës. Nëse instrument e dasmës kanë nisur vallen tradicionale, duke shqyrtuar fillimin e një procesi të hareshëm, autori ka nisur të shqyrtojë një mundësi tjetër , atë të mos rrjedhjes normale të dasmës jo me dasmorë qejfprishur nga trutë por nga një problem gati madhor, mospasja flokë e djalit, që vishej dhëndër për të përjetuar me të vërtetë një traditë të bukur. Mirëpo autori e “gris” pikërisht këtë rrjedhë normale të damës .Autori si në kohë pritje të gjëmës, paralajmëron se diçka e zezë po avitet që të grish atmosferën. Që nga rrëfimi Havasë deri në fjalinë fundit, për autorin mbetet përcaktuese qëllimi .Kohë pritja si malli i nuses për burrin, ishte të vetmet lotët, që ajo fare bukurie , njomëzake përfundoi në derën e qerosit . Përmes atij terri, një burim drite. Shpëtimi dhe largimi nga shtëpia qerosit dhe përfundim i kameriere në vilat e qeveritarëve. E gjitha fabula e kësaj novele mbetet brilante për nga gjetja dhe realizmi me teknikat e të shkruarit.
3.
Myrteza Mara në rrëfimet e tij fantastike përdorë si fabule filozofike shpesh rrëfimet popullore. Mirëpo tek tregimi: Rrumbullaku” ai sjell diçka të re në mënyrën e rrëfimit .Filozofia e elementëve bazë në hapësirë dhe në kohë. Një gur rrumbullaku, që hynë në punë për gjithshka, është një antikuarë? Apo vallë një pikë referimi kështu besojë të jetë në realitet. Edhe unë e dija që kishte një gur që qëndruar sipër nga forca kozmike, mirëpo ka disa shekuj që meteoriti u shpërbë dhe pjesët e tij janë tashmë në enë apo copa e tij ë mbyllur gjendet atje jo për të vërtetuar ekzistencën e tij, por për të treguar se aty nis rrotullimi dhe aty gjendet pika e artë e botës e këtij globi të rrumbullakët dhe të pa emër nga të gjithë planetët, që njohim.
Por të shqyrtosh mënyrën se si e rrëfen autori ajo mbetet intriguese. Nga rrëfimi i gjyshesh dhe një kapërcim nëpër vite, që i shkon më tepër një novele të vogël autori tregon bukur udhë-përshkrimet e gurit të rrumbullakët që herë shitet, për ca shegë, herë për ca qindarka ,por ai është i rrumbullakët dhe me këtë lidhet fati ai rrokulliset , pra gjendet kudo ndërsa jetët shkojnë ,ai është mbetet, për të hyrë një ditë në punë.

Niko Gjoni

Kur grinden letrat
-Tregim humoristik-
Niko Gjoni
Mos t’ju duket aspak e çuditshme me këtë që po ju tregoj. E di që dhe ju do të mendoni të njëjtat gjëra si dhe unë. Në jetën e përditshme, në orë të ndryshme të ditës, pse jo edhe natës, na duhet të shfletojmë në duar shumë dokumente. A s’janë ato letra, letra të shkruara dhe firmosura që na shërbejnë por dhe na vënë para përgjegjësive? I shikojmë me shumë kujdes dhe veçojmë ato që janë më të rëndësishme…Kemi dëgjuar për letrat kredenciale, letra dashurie, letra bixhozi, letra ku janë lidhur kontrata, mbajmë nëpër xhepa bileta autobusësh, avioni, letra për të fshirë duart. Me letra na fillon jeta me lindjen tonë, duke u regjistruar në gjendjen civile, me martesën, divorcet e mundshme, marrjen e masterit e doktoraturës, deri në plakjen dhe shuarjen tonë. Gjithë kohës qëndrojmë me merak se mos na humbet ndonjë letër që përbën një dokument që ka lidhje me punën. /Studimet, karrierën, dashurinë, etj. Edhe kur japim shtëpinë me qira lidhim një kontratë shkruar në letër. Kur kërkojmë të na njihet dhe dokumentohet prona diskutojmë në seance gjyqësore dhe mbushen faqe të tëra letrash si për të na bindur për të drejtën apo të padrejtën. A s’janë në të vërtetë lekët që mbajmë në xhepa dhe me to kërkojmë të plotësojmë gjithë nevojat e qejfet tona, letër?! Çdo letër ka një funksion. Pa le të diskutojmë për ftesë-martesat…! Kur i shpërndajmë ato tek të afërmit dhe miqtë tanë, na duken letrat më të bukura dhe më me vlerë në botë. Por jo, jo për të gjithë ato letra që përcjellin mesazhin e një lidhjeje në çift përcjellin emocione të mëdha. Politikanët do të përqendroheshin gjatë fushatave për zgjedhje dhe rizgjedhje si deputetë, letrat që i shërbejnë fushatës elektorale.. .Copa bëhen për ato të shkreta letra që i qarkullojnë dorë më dore me premtime të shumta që fluturojnë si tollombazet.. .Nëse ato letra do të japin efektin e tyre ata “i shenjtërojnë” duke u dhënë peshqeshe me vlerë militantëve që janë përkushtuar…Një çift i ri, shkon në një agjenci udhëtimesh dhe merr dy bileta për në Paris…Atje kanë vendosur të kalojnë muajin e mjaltit. “Shiko i dashur, është vetëm një copë letër kjo biletë që po më sjell përpara në këtë martesë një mrekulli jete për ne sot… Po i vendos në çantën time, sepse një vlerë të tillë për mua nuk ka patur asgjë tjetër…”Po letra ime e parë e dashurisë?, pyet ai dhe buzëqesh.. .Letra që më djersiti dhe më mori një natë të tërë.
“Nuk e kam harruar, por e dija që do të ndodhte. Këto bileta janë ndryshe”…Në çantën e saj bashkë me kartat e identitetit vendosi në xhepin e brendshëm dhe dy biletat. Ato do të qëndrojnë bashkë aty dhe do të përjetojnë momente 2emocionale. Ndofta do të bëhen dhe xheloze për njëra- tjetrën, por do ta gjejnë rrugën e pajtimit sepse bëhet fjalë për bileta dëfrimi.Në apartamentin ku banojmë kemi shumë letra. Edhe kur duam të largojmë ndonjë të pavlerë për kohën e shikojmë mirë e mirë në çdo cep të saj. Luajmë me letrat e bixhozit dhe i numërojmë se mos kemi ndonjë mangët. Kur i lëmë Xholat mënjanë ata bëhen të duhur për lojën dhe dëgjojmë kundërshtimin e tyre nga përjashtimi. Edhe letrat e shkruara në seancat gjyqësore për divorce janë revoltuese. Çdo fjalë e hedhur mbi to kërkon të vërtetën dhe nëse mbahet njëanësi, ato grinden e zhubrosen derisa gjendet fjala e qetësisë dhe mirëkuptimi. Shikojmë nëpër gazeta portrete politikanësh, artistësh, biznesmenësh dhe vështrimet e tyre nga njëri-tjetri ndryshojnë. Disa kanë shikime lakmues, të tjerë për karierë apo të ëmbël…Ndërsa lexojmë, dhe na tremb një e pavërtetë, ndodh që i mbledhim zhug ato faqe gazetash dhe i hedhim në kosh… Letrat që kur dalin nga fabrika e prodhimit e deri sa kryejnë funksionin e tyre të plotë, janë përherë duke u grindur. Ata që merren me prodhimin dhe funksionimin e letrave u mblodhën një pasdite për të përcaktuar cilat janë më të dobishmet. Një copë letër nisi të flas…”I dashur Artjol!Prej ditës që jam njohur me ty, atij çasti fatsjellës dhe ë të bekuar, shpirti im fluturon duke ndjekur sytë e tu magjepsës, buzëqeshjen tënde që është më e shndritshme se dielli i mëngjesit.. ëmbëlsinë e buzëve të tua që është më tepër se ëmbëlsi e mjaltit… I dëgjoj çdo minutë tik-taket e rrahjes së zemrës tënde, sepse ato janë bërë një me tik-taket e zemrës time dhe po ndihen të lumtura në dashurinë e pafund… Të puth mijëra herë Ira. Në një anë tjetër të tavolinës ku ishin rreshtuar copat e letrave për t’iu nënshtruar testimit, një çift i njohur aktorë Hollivudian kishin dalë fotografi kurriz më kurriz si për të evidentuar ndarjen e tyre. Një çek ku ishte shkruar një shumë e mira lekësh, një ftesë martese.. një …Si kryetare komisioni për të testuar vlerat e letrave, u caktua letra e mbërritur riga gjendja civile ku verifikohen datëlindjet e personave të ardhur në jetë…Pas shumë debatesh, mes gjithë llojeve të letrave, si më e mira u zgjodh unanimisht letra higjienike, letra e lagur që pastron çdo pjesë të trupit, madje pa asnjë merak të pastron dhe prapanicën.”Si mund të pranojmë këtë llqj letre të përzgjedhurën tonë, u hodh dhe tha letra e dashurisë.
“Edhe unë kështu mendoj, ngriti krye një ftesë- martesë.”Mos vallë ka më shumë vlerë se unë?, ndërhyri çeku një milion. “Do ta pranojmë se u zgjodh nga ne të gjithë, me votë…”Në këtë përzgjedhje ka korrupsion. Votat janë të vjedhura, protestuan letrat me vlerë. Letra e mbërritur nga gjendja civile i pa të gjitha me radhë dhe u tha: “Jemi të detyruara ta pranojmë këtë vlerësim. Para kësaj letre nuk ka vlerën e duhur as dollari, as euro, korona, paundi, etj. Të gjithë duhet të qëndroni në opozitë dhe të shikojmë se sa e si rriten vlerat e kësaj letre..Ftesë-martesa buzëqeshi dhe tha: “Për këtë kohë unë po shkoj në një vend tjetër, atje ku dinë dhe më vlerësojnë…”Po vijë dhe unë me ty, tha çeku. Më vjen keq të më nënvlerësojnë kaq shumë… të na komandojë letra higjienike. Vetë e zgjodhëm. Kaluan muaj dhe ngado copat e letrave vetëm grindje dhe pakënaqësi. Xhelozia për të qenë në drejtim më e mira, la mënjanë bukurinë, drejtësinë, harmoninë. Ankohen dhe ankohen por më kot. Megjithatë vazhdojnë të enden duarve të njerëzve për tu dhënë diçka nga çastet, ditët, muajt. E tillë është jeta!

*************************************
Zaho Vasili

PËRSE ?

I rashë telefonit tuaj
Asnjëherë nuk m’u hap,
U detyrova t’ju shkruaj
Që t’u pyes se kam merak.

O Ëngjëll vajtën dy muaj
Që s’botoj më poezi,
Cka vallë kjo gazeta juaj
Mbylli derën,nuk e di…?

O Ëngjëll, o Ëngjëllush
Ëngjëllush e Ëngjëllor,
Me gëzim më keni mbush
Dorën vë në kraharor.

Me gjithë zemër unë të falem
Më ndihmove në gazetë,
E kisha një vend, pse ndale
Më nderove dhe ti vetë.

Në mes më mbeti gëzimi
Nuk ndjehem më i gëzuar,
Përse m’u ndërpre botimi
Ende nuk e kam kuptuar

O Ëngjëll të përshëndes
Zemërgjerë si madem,
Mos ka vallë ndonjë ngatërresë
Shpifje apo thashethem !?…

Më vure në grykë pushke
Gati për të më qëlluar,
Që më shpallët gjendje “lufte”
Ende nuk e kam kuptuar.

Cka ndodhur që nuk botoni
Poezitë pezull më mbetën,
Është njerëzore të ma thoni
Ta di dhe unë të vërtetën.

Dhe nëse unë kam gabuar
( Në adresën tuaj kurrë,)
Mos dikush na ka ngatërruar
Fshehtas na godet me gurë ?

Asnjëherë s’e shaj vlerën
Se veten e mbaj për burrë,
Atij që më hapi derën
Pragun nuk ja pështyj kurrë…

BIRI I ZJARRIT
-Vangjush Furxhiut –

Ca dru,ca pllaka, ca gurë,pastaj zjarr
Një bukë,një byrek,një lopatë prej druri,
Një kapak që mbyllet në dimër e behar
Dhe djersët rrëke që shpojnë gurin.

Që larg nga furra erdhi në jetë Vangjushi
Dhe furrën e kishte brenda në gji,
Dhe furrën plot me role e mbushi
Bukë e kulacë rolesh poqi në hi.

Poqi,vetëm poqi dhe ne i shijuam
Furxhiu Vangjush me duart dhe zemrën e tij,
Me flori ishin ato që u gatuan
Rrallë do vijë një i dytë që t’i ngjajë atij…

Dhe furrë dhe furrtar mbetet Vangjushi
Mbetet dhe drita që vezullon,
Dhe hëna me ar, me ar na mbushi
Nga ari i artistit mbushim shpirtin tonë.

Zjarri i dil nga zemra, fjala i dil nga sytë,
Buza e tij do të bucasi,
Dy sy, një zemër, një gojë, një shpirt
Teprojnë që lavdia e tij të flasi.

VULLKANI
-Ndrek Lucës –

Vullkani e ka vendin thellë në shpirtin burrëror
Dhe llava i del nga pusi i thellë i syve të tij,
I shpërthen në role si përrua malor
Nuk do fashitet në shekujt që do vijnë.

Mbetet një mal i lartë me vullkanin brenda
Male ishin rolet që në shpirt ju mbrunë,
Malet dhanë vargmalin me kreshta të rënda
Mbeti vargmali me maja shumë…

MOKRRA RROTULLOHET
– Timo Fllokos –

Mokrrat e mullirit zhurmshëm rrotullohen,
Nga “dhembët” e gurit, drithi do dorëzohet.

Mokrrat e mullirit,rrotullohen rëndë,
Del nga mielli i bardhë, një pëllumb me këngë.

Mokrrat rrotullohen,dal e me ngadale,
Vargu i gjatë i vjershës,sikur e hap vallen.

Mokrrat rrotullohen, të çeli gëzimi,
Pirgu i madh i miellit, mundimi një filmi.

Nga mokrra e rënda,Timo Fllokua del,
Herë si Hero filmi, herë si rrebel.

Rrotullohen mokrrat, jeta rrotullohet,
Tek ky rrotullim, poeti lis lartohet.

Rrotullohen mokrrat, të prodhoi si pritet,
Zhurmërimë e mokrrave,janë duartrokitjet.

Duartroket zemra, tik-tak për lavdinë,
aktori s’ vuri gur, kat në këtë godinë.

Në lëndinën me lule,me përplot burbuqe,
Artisti i fisëm,është një lulkuqe.

S’do të ndjehem mirë, Timua është frymë,
Timua s’është një lule,po është një lëndinë.

Ky mulli zhurmon, mokrat bëjnë këngë,
ngadhnjisi katet, i ngjit rëndë-rëndë.

***************************************

Ylli Musta

SILUETË GLOBALE

Jeta rend si e marrë
Me hamburger në dorë,
Pa shije dhe pa tharm,
Bluxhinset shpesh harruar zbërthyer
Sinjali: alarm!

Ç’të duhet të mendosh kush je e nga vjen,
As historira me gjyshër
Me etër
Dhe varre,
I zbrazur prej tyre, pa emër vrapon
Thjesht një siluetë globale…

Siluetat vetëm përtypen
Dhe fërkojnë barkun,
Thonë “të dua” dhe s’dashurojnë kurrë,
Edhe pse janë produkt i globales…
Bota për ta është ajo nën lëkurë…

INTERVISTË

E ftuan në studio bujkun e vjetër
Dhe i vunë përpara një foto të hershme
Kur ai, zbathur prashiste në misër,
Kooperativist i dalluar
Dhe qeshte…

Gazetarja, e kolme, por dhe pakëz e sertë…
Ia hodhi llafin enkas me majucë:
Çudi, si mund të qeshësh kaq i lumtur
Teksa ropatesh i zbathur, se s’ke as këpucë?…

Eh, të më dish moj mike, qeshi fshatari,
Një jetë plugova, prashita
Thellë edhe rëndë,
S’ngopesha ta korrja këtë tokë e ta vilja,
Ta përkëdhelja me dorë dhe me këmbë…

S’u ngopa dot me avujt e brazdës,
Me baltën e ëmbël, që kurrë s’të bën pis…
Dhe netëve, kur vija kokën te jastëku
Më dukej sikur vinte i tëri erë plis…

Ja dhe ti, fjala vjen, kofshët i mban jashtë…
Dhe gjinjtë e zbuluar i tund e i shkund,
Po kjo s’do të thotë se je aq e varfër
Për një palë sytjena, apo dy gisht fund…

FARE PAK, SHQIPËRIZË

Në aeroport përcillnim tim vëlla
Me llotari për larg, në Amerikë,
Më shumë heshtnim, sesa këmbenim fjalë
Të ngazëlluar ishim, por dhe helm e pikë…

Dhe kur u ndamë, diçka më pëshpëriti
Tek çelësin e shtëpisë më la…
Më foli pak, ca gjysma fjalë
Gjysmat me shtrëngim në dorë m’i tha…

Iku ngarkuar me bagazhe
Çapitej rëndë, e ç’nuk kish marrë
Që nga faqorja e gjysh stërgjyshit…
Por edhe farë nga lule manxuranë…

Avioni u ngrit si shpend nga pista
Nga toka u shkëput, u nda,
Mua diçka sikur ma bëri “ting” ndër këmbë,
Mos më ra zemra
A çelësi që më dha?…

Si në ekran m’u shfaq jeta që shkuam…
Ish tjetër jetë ajo
Kish frymëzim e krenari,
Por befas sot
U bëmë zogj shtegtarë
Dhe jeta vetë
Biletë e llotari…

Ikën të gjithë, u tretën ca nga ca
U rrallua familja, fisi, dega,
Kemi mbetur veç një grusht, fare pak,
Si fryte që era i rrëzon nga pema…

Ikin të gjithë,
Janë të lirë që të ikin…
Dynden me llotari,
Me vizë a pa vizë,
Dhe lënë pas
Gjithnjë e më pak Atdhe,
Dhe pak, oh sa pak Shqipërizë…
****************************

PROMOVOHET KRIJIMTARIA E POETIT AGIM MATO, NË BARI TË ITALISË

Qyteti i Barit në Itali shquhet për jetën e gjallë letrare e artistike, falë grupit “La Vallisa” me president profesor Daniele Giancane, poet, studiues, me mbi 50 tituj librash. Grupi ka 30 vjet që boton revistën e tij letrare me të njëjtin titull rregullisht çdo katër muaj. Në këto vite ky grup, zhvillon një veprimtari të rrallë ditëve të hëna, që quhet “ E hëna letrare”, duke ftuar një poet, ose prozator evropian, apo italian në laboratorin e vet, me një trupë të sprovuar kritikësh e krijuesish që promovojnë në qytetin e tyre produktin letrar që marrin në shqyrtim.Këto ditë u ftuan në Bari poeti Agim Mato dhe prof. Anton Nikë Berisha, nga letërsia shqipe. Njoftimet u kryen nëpërmjet “La Gaazzetta del Mezzogiorno” dhe portalit “Puglia Live” ku theksohej se takimet do të zhvilloheshin në Universitetin e Barit, në Librarinë Roma, në një nga sallat e saj, ku mbidhet shpesh grupi i njohur dhe të nesërmen në bibliotekën e Institutit “Gaetano Salvemini”. Në to theksohej se autori Agim Mato, me përmbledhjet “Jashtë eklipsit”, “Fundo” dhe “Lundrimet”, të përkthyera nga profesoresha Klara Kodra, dallohet për stilin energjik, dhe shpesh të ëmbël, që e bën atë të penelojë me elegancë bukurinë e peizazhit shqiptar, por edhe të denoncojë me forcë veprimet denatyrizuese të regjimit komunist, që çuan në burgosjen e të atit, një disident politik, kur shkrimtari i ardhshëm nuk ishte veçse tre vjeç. Gjithashtu bie në sy një qëndrim i shkëlqyer e vibrat mbi aktualitetin dhe historinë, ku nuk mungon përçimi i fillit të mitit, si një çelës sqarues me karakter antropologjik. Takimet iniciohen nga profesor Daniele Giancane, drejtori përgjegjës i revistës “La Vallisa” dhe promotor i një bashkëpunimi midis Italisë dhe Shqipërisë. Në Universitetin e Barit takimi u zhvillua me studentët e shkencave të formimit, të psikologjisë dhe komunikacionit. Nicola Accettura, poet dhe aktor, lexoi me një intonim profesional disa nga poezitë me theks të ndjerë social, duke bërë edhe komentin e tyre. Profesor Anton Berisha u ndal në panoramën e poezisë shqipe, me një analizë historike të saj, deri tek poezia e sotme dhe ajo e autorit të pranishëm. Daniele Giancane vlerësoi shumë përmbledhjen e paraqitur, me poezi të një thellësie dhe muzikaliteti me të vërtetë të rrallë, duke e quajtur një poet të mahnitshëm. Takimi më i rëndësishëm ishte ai që u zhvillua në Librarinë Roma, ku morën pjesë, përveç grupit të Vallisës edhe të interesuar të tjerë nga Bari, të cilët ishin informuar nga “La Gazzetta del Mezzogiorno”. Takimi zgjati dy orë. Profesor Daniele prezantoi krijimtarinë e poetit, duke folur për jetën e tij dhe koloritin artistik. Të një niveli të lartë ishin ndërhyrjet kritike të Gianni Palumbos, i cili analizoi gjerësisht, me njohuri të thella motivet që merrnin shkas nga miti dhe elementet mitike që krijon nga aktualiteti poezia. Ndërhyrje u bënë nga Angela Giannelli, Enrico Bagnato, Renato Greco, Teodora Mastrototaro, Maurizio Evangelista etj. Prfesor Anton Berisha bëri një ekskursion elegant në hullitë e poezisë shqipe dhe analizoi vlerat poetike të autorit dhe lidhjet e tij me detin. Takimi i datës 1 dhjetor në institutin Salvemini të Molfettës, pas një udhëtimi të shkurtër me tren, mbushi me mbi 100 studentë sallën e bibliotekës së Institutit. Sërish këtu Gianni Palumbo tregoi erudicionin e vet dhe përzgjodhi motivet që u shkonin përshtat studentëve, përzgjedhur disa prej tyre për t’i lexuar para sallës. Ranë në sy ndërhyrjet e drejtorit të Institutit, që me shumë pasion u ngrit dhe i komentoi disa prej poezive. Folën Angela Giannelli, Marco de Santis, Daniele Giancane, Anton Berish, etj.
Agim Mato falënderoi të pranishmit dhe u ndje i vlerësuar nga numri i madh i ndërhyrjeve, duke shprehur se bashkëpunimi me “La Vallisën” do të konstituohet së afërmi me marrëveshjen për botimin e antologjive poetike me titull “Poetë të Jugut”, në shqip dhe në italisht.

******************************

Harallamb Kota

KËNDO PËR MUA

Ti vajzë këndo për njerëzit,
Buzëqesh për pranverën,
Këndo për diellin,
Vallëzo për lumturinë.

Ti vajzë këndo për mua,
Në agime lind me diellin,
Freskinë përtërije si lulet,
Që çdo mëngjes, nga gonxhet dalin.

Ti vajzë këndo për mua,
Këndo për dashurinë,
Duke më vështruar,
Më ngjall përjetësinë.

Ti vajzë këndo për mua,
Një fjalë dua të them,
Shpërthimin e dashurisë,
Në këngë unë ta ndjej.

Këndo për mua o vajzë,
Për mua që rri dhe mendoj,
Kuptomë këngën e zëmrës time,
të dua të dashuroj.

Një fjalë të vetme, dua të them,
Dëgjomë në heshtje,
Një fjalë për dashurinë,
Një fjalë për lumturinë.

I çiltër jam, të çiltër të dua,
Dashuria, ne, të na përkas,
Perëndimet e diellit të shohim,
Agimet të na gjejnë bashkë.

URBANI I LARGËT

Larg e larg shkon urbani,
Ecën ai mbi asfalt,
Kokën e kam mbështetur mbi xham,
Sytë vështrojnë humnerat qark e qark.

Me shpejtësi ecën urbani,
Rreshket ai mbi asfalt,
Unë fundosem në mendime,
Shoh shkretëtirat e Saharas.

Mendimi shkrihet me të vërtetën,
Male, male, rreth e qark,
Ku po shkoj që s’ka të sosur,
Kaptoj mal’, e lë një mal’.

Ecën urbani, njerëzit lodhen,
Disa koten, e disa shtriqin trupin,
Muzgu bie dalëngadalë,
Rruga zgjat…e nuk mbaron

Ku po shkoj kaq i mërzitur,
Përse mendohem kaq shumë vallë,
Kë lash mbrapa plot me derte,
Qe trupi zëmrën dot se mban.

Ikën trupi, mbetet zemra,
Në Tiranë mëndjen kam,
Urbani rreshket mbi xhade,
Lëmë nga prapa gur dhe njerëz.

Ecim, ecim e s’ka të sosur,
Si s’mbaroi kjo xhade,
Më ngjan udhë e shkretëtirës,
Udhëtojmë mbi një deve.

Rruga zgjat, e nuk mbaron,
Autobusi, ecën mbi asfalt,
Kam harruar ku jam nisur,
Kam harruar për ku jam.

TË PRES

Ti larg do të më kesh,
E unë nuk do të shoh,
Mëngjesi që do të ndahemi,
Do të jetë mëngjes i ngrohtë

Ti larg do të më ikësh,
Në sytë e qeshur bulëzon një lot,
Do ta mbaj në pëllëmbë të dorës,
Në ç’do kohë do ta shoh.

Ti larg do të më ikësh,
Do ndahemi si dallëndyshet,
Që me ankth,
Presin pranverën,

Ti do jesh larg, unë do të pres,
Zëmrat kanë ndalur,
Më e përmallur do të më kthehesh,
Zëmrat do na rrahin fort.

Ti do të më ikësh, unë do të mendoj,
Mendimet do na shkrihen bashkë,
Mendimet do qëndrojnë të forta,
Mendime si vrulli jonë.

Kur të jesh atje tutje,
Për mua ti mendo,
Hidh vështrimin horizonteve,
Në qiell do fluturoj.

Pranë teje, atje larg do jem,
Prekmë, folmë, më shiko,
Mendimin, mbaje të lidhur tek unë,
Të pres, vrapo.

Të pres, ti shpejt do vish,
Në mbrëmjen e ngrohtë do kthehem,
Me krahët hapur do të pres,
Mbushur plot dëshirë.

Niko Gjoni
Kur grinden letrat

-Tregim humoristik-
Mos t’ju duket aspak e çuditshme me këtë që po ju tregoj. E di që dhe ju do të mendoni të njëjtat gjëra si dhe unë. Në jetën e përditshme, në orë të ndryshme të ditës, pse jo edhe natës, na duhet të shfletojmë në duar shumë dokumente. A s’janë ato letra, letra të shkruara dhe firmosura që na shërbejnë por dhe na vënë para përgjegjësive? I shikojmë me shumë kujdes dhe veçojmë ato që janë më të rëndësishme…Kemi dëgjuar për letrat kredenciale, letra dashurie, letra bixhozi, letra ku janë lidhur kontrata, mbajmë nëpër xhepa bileta autobusësh, avioni, letra për të fshirë duart. Me letra na fillon jeta me lindjen tonë, duke u regjistruar në gjendjen civile, me martesën, divorcet e mundshme, marrjen e masterit e doktoraturës, deri në plakjen dhe shuarjen tonë. Gjithë kohës qëndrojmë me merak se mos na humbet ndonjë letër që përbën një dokument që ka lidhje me punën. /Studimet, karrierën, dashurinë, etj. Edhe kur japim shtëpinë me qira lidhim një kontratë shkruar në letër. Kur kërkojmë të na njihet dhe dokumentohet prona diskutojmë në seance gjyqësore dhe mbushen faqe të tëra letrash si për të na bindur për të drejtën apo të padrejtën. A s’janë në të vërtetë lekët që mbajmë në xhepa dhe me to kërkojmë të plotësojmë gjithë nevojat e qejfet tona, letër?! Çdo letër ka një funksion. Pa le të diskutojmë për ftesë-martesat…! Kur i shpërndajmë ato tek të afërmit dhe miqtë tanë, na duken letrat më të bukura dhe më me vlerë në botë. Por jo, jo për të gjithë ato letra që përcjellin mesazhin e një lidhjeje në çift përcjellin emocione të mëdha. Politikanët do të përqendroheshin gjatë fushatave për zgjedhje dhe rizgjedhje si deputetë, letrat që i shërbejnë fushatës elektorale.. .Copa bëhen për ato të shkreta letra që i qarkullojnë dorë më dore me premtime të shumta që fluturojnë si tollombazet.. .Nëse ato letra do të japin efektin e tyre ata “i shenjtërojnë” duke u dhënë peshqeshe me vlerë militantëve që janë përkushtuar…Një çift i ri, shkon në një agjenci udhëtimesh dhe merr dy bileta për në Paris…Atje kanë vendosur të kalojnë muajin e mjaltit. “Shiko i dashur, është vetëm një copë letër kjo biletë që po më sjell përpara në këtë martesë një mrekulli jete për ne sot… Po i vendos në çantën time, sepse një vlerë të tillë për mua nuk ka patur asgjë tjetër…”Po letra ime e parë e dashurisë?, pyet ai dhe buzëqesh.. .Letra që më djersiti dhe më mori një natë të tërë. “Nuk e kam harruar, por e dija që do të ndodhte. Këto bileta janë ndryshe…Në çantën e saj bashkë me kartat e identitetit vendosi në xhepin e brendshëm dhe dy biletat. Ato do të qëndrojnë bashkë aty dhe do të përjetojnë momente 2emocionale. Ndofta do të bëhen dhe xheloze për njëra- tjetrën, por do ta gjejnë rrugën e pajtimit sepse bëhet fjalë për bileta dëfrimi. Në apartamentin ku banojmë kemi shumë letra. Edhe kur duam të largojmë ndonjë të pavlerë për kohën e shikojmë mirë e mirë në çdo cep të saj. Luajmë me letrat e bixhozit dhe i numërojmë se mos kemi ndonjë mangët. Kur i lëmë Xholat mënjanë ata bëhen të duhur për lojën dhe dëgjojmë kundërshtimin e tyre nga përjashtimi. Edhe letrat e shkruara në seancat gjyqësore për divorce janë revoltuese. Çdo fjalë e hedhur mbi to kërkon të vërtetën dhe nëse mbahet njëanësi, ato grinden e zhubrosen derisa gjendet fjala e qetësisë dhe mirëkuptimi. Shikojmë nëpër gazeta portrete politikanësh, artistësh, biznesmenësh dhe vështrimet e tyre nga njëri-tjetri ndryshojnë. Disa kanë shikime lakmues, të tjerë për karierë apo të ëmbël…Ndërsa lexojmë, dhe na tremb një e pavërtetë, ndodh që i mbledhim zhug ato faqe gazetash dhe i hedhim në kosh… Letrat që kur dalin nga fabrika e prodhimit e deri sa kryejnë funksionin e tyre të plotë, janë përherë duke u grindur. Ata që merren me prodhimin dhe funksionimin e letrave u mblodhën një pasdite për të përcaktuar cilat janë më të dobishmet. Një copë letër nisi të flas…”I dashur Artjol! Prej ditës që jam njohur me ty, atij çasti fatsjellës dhe w të bekuar, shpirti im fluturon duke ndjekur sytë e tu magjepsës, buzëqeshjen tënde që është më e shndritshme se dielli i mëngjesit.. ëmbëlsinë e buzëve të tua që është më tepër se ëmbëlsi e mjaltit… I dëgjoj çdo minutë tik-taket e rrahjes së zemrës tënde, sepse ato janë bërë një me tik-taket e zemrës time dhe po ndihen të lumtura në dashurinë e pafund… Të puth mijëra herë Ira. Në një anë tjetër të tavolinës ku ishin rreshtuar copat e letrave për t’iu nënshtruar testimit, një çift i njohur aktorë Hollivudian kishin dalë fotografi kurriz më kurriz si për të evidentuar ndarjen e tyre. Një çek ku ishte shkruar një shumë e mira lekësh, një ftesë martese.. një …Si kryetare komisioni për të testuar vlerat e letrave, u caktua letra e mbërritur riga gjendja civile ku verifikohen datëlindjet e personave të ardhur në jetë…Pas shumë debatesh, mes gjithë llojeve të letrave, si më e mira u zgjodh unanimisht letra higjienike, letra e lagur që pastron çdo pjesë të trupit, madje pa asnjë merak të pastron dhe prapanicën.”Si mund të pranojmë këtë llqj letre të përzgjedhurën tonë, u hodh dhe tha letra e dashurisë.
“Edhe unë kështu mendoj, ngriti krye një ftesë- martesë.
“Mos vallë ka më shumë vlerë se unë?, ndërhyri çeku një milion.
“Do ta pranojmë se u zgjodh nga ne të gjithë, me votë…
“Në këtë përzgjedhje ka korrupsion. Votat janë të vjedhura, protestuan letrat me vlerë.
Letra e mbërritur nga gjendja civile i pa të gjitha me radhë dhe u tha:
“Jemi të detyruara ta pranojmë këtë vlerësim. Para kësaj letre nuk ka vlerën e duhur as dollari, as euro, korona, paundi, etj. Të gjithë duhet të qëndroni në opozitë dhe të shikojmë se sa e si rriten vlerat e kësaj letre..Ftesë-martesa buzëqeshi dhe tha: “Për këtë kohë unë po shkoj në një vend tjetër, atje ku dinë dhe më vlerësojnë…”Po vijë dhe unë me ty, tha çeku. Më vjen keq të më nënvlerësojnë kaq shumë… të na komandojë letra higjienike. Vetë e zgjodhëm. Kaluan muaj dhe ngado copat e letrave vetëm grindje dhe pakënaqësi. Xhelozia për të qenë në drejtim më e mira, la mënjanë bukurinë, drejtësinë, harmoninë. Ankohen dhe ankohen por më kot. Megjithatë vazhdojnë të enden duarve të njerëzve për tu dhënë diçka nga çastet, ditët, muajt. E tillë është jeta!
***********************************************

Orea Mullaymeri
– “Lamtumirë Madam”

Qendisur gri ky mëngjes parizien,
ajo ne qyetet u ndje e panjohur.
Tek vjeshta krahët shtrinte mbi Sen,
mendimet trazonte ne kafen e ftohur…
Diku përtej xhamit vështrimin shëtit,
mbi rrugë ku heshtja nis të sfiloj.
Në atë qytet ku lindin dashuritë
ajo në cdo gjurmë kërkon të harroj.
Pas syve smeraldi thellë fshihte vitet,
bukuri e njëjtë ndoshta si më parë,
netëve përflakur aty ku malli rritet
kërkoj të digjej në afshin djaloshar.
Shpejt ndali hapat e valsit të nisur,
djemte nuk u dogjen me prej asaj flake,
I lanë sytë e saj si kështjellë e bastisur ,
dhe u arratisen në dashuri njomzake .
Dhe netët grisi si novel lexuar,
vitet peshoj në mall dëshpërimi…
Si piano e vjeter melodi harruar
ata e braktisën në muze kujtimi .
Atje në qytetin ku lindin dashuritë…
mbi mure që gdhendën histori që s’panë,
Ne shtreterit e mëkatit ku ajo u ngjit
mbeti vec letra ‘Lamtumire madam’

Flogerta Krypi
– Në funeralin tim

U vesha me të zeza hodha shaminë mbi krye
u nisa me hapa drejt funeralit tim
nga e zeza dhe drita e diellit u thye
vendosa nje trëndafil tek emri im.

Përkëdhela foton e vjetër që kishin vënë
gishtat prekën sipërfaqen e lëmuar
Në gjithë atë mermer vend pak kisha nxënë
pak metra nën dhe isha shuar.

Askush nuk më pa në funeralin tim
tradhëtaret, mashtruesit po qanin me lot
Të më donin pas vdekjes kishin guxim
sa e mirë isha bërë kur ika nga ajo botë.

Ata vuajtën sa për sy e faqe
më lavdëruan për atë çka nuk dija
Treguan sa shumë dhuroja paqe
sa fort më kishte pushtuar zgjuarsia.

Në funeralin tim të gjithë me lavdëruan
përmendën gjëra që i kishin harruar
Atë ditë pas vdekjes për mua u kujtuan
për mua që në jetë më kishin lënduar.

Në funeralin tim qava dhe unë
kisha jetuar vetëm për të tjerët
Nëse do jetoja prapë do të doja më shumë
në këtë botë të madhe njerzish, të mjerët.
*************

Klea Dhima
– Kam vdekur…më qani!

A mund te vriten zemrat e thyera
Qe s’kanë më as lotin në sy?
Nuk ndjen më asnjë prekje fytyra
As rrokullimën e lotit, tashmë as ty!
Une tashmë jam një e vrarë që ecën
Pa destinacion jam, s’di ku do të shkoj,
E kam humbur dashurinë e zemrës tënde
Nuk kam më as adresë, ku ta kerkoj.
S’kam as fjalë, as lot çfarë të nxjerr
Dhimbjen e madhe brenda vetes e mbaj,
Buzëqesh kur pranë njerëzve më duhet t’jem
E veten time, në errësirë të plot e qaj!
Kam vdekur dhe ata nuk e dinë këtë gjë
S’kanë mundur të kuptojnë që kam dhënë shpirt,
Jam veshur me të zeza, mbi veten kam hedhur dhe
E po pres dikë t’më sjellë lule një ditë!
Une nuk shqetësohem më për gjërat që ndodhin
Kam vdekur, kam vdekur, kam vdekur përsëri,
Dikur më trembte ideja që mos të të kem pranë
Tani e kuptoj që vdekja më kthen tek ti!
Por ti derën s’do e hapësh më për mua
E unë si lypsare do të endem rrugëve pa kthim
Do të trokas në derën tënde çdo ditë
Do të të lutem që të ma japësh me pika dashurinë!
Eh ku është parë një fantazmë që kërkon dashuri?
Askund s’kam dëgjuar e as kam parë diçka,
Mendoja se njerëzit nuk mund të vdisnin në vetmi
Por duhet veç durim, të gjitha t’i tregon jeta!
Une kam vdekur e vetme për pak dashuri
E të tjerët s’më qan, as nuk më dhanë lamtumirën,
Atë e prisja nga të gjithë, veç jo nga ti
Nga ti që për jetën më dhe e më more dëshirën!
**********************
Ermal Lala
– Ikje e Vonë
Dhe kështu kalojnë orët, rishtaz Agimi,
Rrëshqet, Rrënqethës, mbi trupin tim.
Zgjohem nën përkdhelje të ftohta Ekzaltimi,
E si me përtesë, ndan qepallat syri im.

Pas dritares, buzëqesh Dielli plot jetë,
Rrezet e tij, hyjnë në dhomën time.
Mbushem me shpresë, trazoj shpirtin e qetë,
Rreh më fort, më shumë, kjo Zemra ime.

Puna, dëshira, shtyjnë më tej Gjallërinë,
Një fije Gëzimi, më japin ndër sy.
Por prapa s’mund ta lë Dashurinë,
Që gjithë këto kohë ndjeva për Ty.

Shtirem, sikur Jeta vazhdon po njësoj,
Duke i përrallisur natyrë e bukuri, vetes.
Mbi trupin tim, vazhdoj të mëkatoj,
Të dua Ty, s’i them ndryshe të Vërtetës.

Nuk e di ku je, ike kohë më parë,
Nga jeta ime, ike kur ishte vonë.
Larg njëri-tjetrit qëndrojmë të ndarë,
Në ekzistencën time do të mbetesh gjithmonë.
**********************

Manjola Markola
– Në nder
Në kotje pa frymë
u ndala…në lodhje pushova…
në tokë kish ra nji brymë…
shtrirë aty ,lakmova…
lakmuar sa mote isha..
e rashë në mallëngjime…
dheun përzjerë grrisha..
zjarret shuar në mjerime…
po sytë ,shikimet ndalen…
pyjet e dheu prapë..
gjëmon ,heshtjet falen…
në shend s’bëj asnjë hap…
e shkreta mendje,më shumë
shkretuar është brendia…
përmallshëm e ndjej dhe unë
mizorisht më gënjen hija…
hije e vjetër, vjetëruar…
pluhura të marrosura në vaj…
vel i zi mbuluar….
Zbrazëti mbushur me faj…
Në kotje sërish pa zë…
U vela me tuajën botë…
Sënduqet plot me asgjë…
Po prehem në një tjetër tokë….
***********************************
Elda Elezi
– Gazelë në shkretëtirë

Si pelegrin në shkretëtirë,
Ikjen qafove këtë mëngjes,
Në dorë më le një lule malli ,…
Lule që flakë shpresën ndez.!

Jo, kurrë, s’iu binda kthimit,
Sikur dëshiroja të të thosha:
“Më parë më vrit”?
Më le plagosur , pa më vrarë,
(Oh, ç’shpirt!) Sa i pashpirt!

Dhimbja, shpesh, më ka kapluar,
Panorama: Dhimbje , lot,
Ca gjëra, vërtet, na ndajnë,
Por, shumësin s’e ndajnë dot!

Vdekja pa dashur na bën ftesë,
Dhimbja sërish më kaplon,
Vërtetim: Gjëra na lidhin në jetë.
Të tjera na ndajnë… (Ç’ekuacion!)

Etje ndiej, të mbytem shiut tënd,
Në cmenduri, si pulëbardhë,
Por te ty do të jem ëndërr,
Gazelë, në shkretëtirën e “bardhë”.

*****************************************
QAZIM D.SHEHU
NETË KORÇARE TË POEZISË
Skënder Rusit
Në netët korçare të poezisë
Nuk di të dallosh kush më e bukur mbetet,
Poezia që i afrohet dashurisë,
Apo ky qytet mbi të gjithë qytetet.

Këtu metaforat zihen ngushtë,
Dhe marrin një rrobe nga qielli blu,
Dy lule bliri në një udhë,
Me motive floreale të fryjnë në gushë.

Dhe për të mos mbetur krejt lakuriq,
Ngaqë ky qytet ka furnizuar shumë poetë,
Poetët e rinj thirr si miq,
O netë korçare të poezisë,o netë…
RRËKEZA
Me hirin e mëndafshuar të këndelljes,
Një rrëkezë
Në barin mugullues shushërin,
Ajo mëkon afsh pa pendesë,
Gjarpër mëkati me pickim.

Shkopinj rrezesh si mbi tambur,
Trokasin mbi ujin e paktë,
Flamur instiktesh rrëkeza hurb,
Dhe bari s`mbetet i thatë…

Nga gjiri i tokës sjell mërmërimën
Ndjelljen e bekuar të dëshirës,
Të fortët para saj dridhen,
Të dobtit përtërihen…
KODRA
Në pritje që malin ta mbulojë mjegulla,
Kodra ngre kryet si koketë,
Ajo e di ,natyra ka të vetat rregulla,
Rastin pret të duket, ajo e shkretë.

Sa më gjatë mjegulla të ngjajë,
Ajo do duket më e madhe,
Dhe madhështinë të mos e ndajë,
As me fusha ,as me male.

Kur mjegulla ik e mali del,
Me lartësinë e vet të frikshme,
Me një lehtësim kodra e shtjell,
Një krenari të dhimbshme:.

Se njerëzit njëherë e panë,
Të famshmen e vet lartësi,
Mjegullat që erdhën e vanë,
Ua kujtuan me sekëlldi…
SOKAKU
Luspat e gurëve mbi trup gjigandi
Të ngjan u vendosën,
Koncerte gjethesh dirigjon mbrëmja
Mbi hapa që dridhen..

Nëse nën hapa ndonjë gjethe
Kërcet e ndez jetë,
Luspa e gurit del tepër
Hapit i jep fletë.

Luspat e gurit mbi këtë rrugë,
Mishin e kujtesës korracuan,
Që mbrëmja të binte më e butë,
Për kujtësn tek vuan…
BURIM I ZEMRËS
Zemra është një krua që rrjedh pareshur,
Një rrahje tingujsh plot fëshfërimë,
Duhet ta dëgjosh një mbrëmje të dehur,
Si në qetësi një burim…

Kristale buzëqeshjesh ajo mbledh,
Ajër dëshirash ndez me to,
Ashtu si burimi me rreze ngjeth,
Tinguj uji, dhe larg i ço…

GJAKOVËS PËR HERË TË PARË…
U shuan rrudhat e horizontit kur Gjakovën pashë,
Në indet e një dite që nuk kullonte gjak,
Kufiri i veremosur ishte një plagë,
Që u shërua pak nga pak.

Dhe shetita rrugëve të saj,
Me Muharrem Kurtin ,poet,
Ngaqë ishte herë e parë,
Humba në të krejt…

Ky qytet shqiptar më shqiptar
Se ç`duhej të ish qëndroi,
Në çdo ind një vatër zjarr,
Mban pa lëvdatë heroi…

GJUHA E KUMTIT POETIK

(Mbi eseistikën e shkrimtarit Pirro Loli)

Nga ZIMO KRUTAJ

“Drama e shprehjes” është libri më i ri i shkrimtarit, poetit e eseistit të njohur Pirro Loli, i botuar së fundmi nga Shtëpia Botuese “Bota Shqiptare”. Tashmë ky autor ka një kontribut të spikatur në eseistikën tonë. “Drama e shprehjes” është, me gjasë, vepra përmbyllëse e triptikut me përmbledhje esesh letrare, që nisi me librin “Duumvirati i një stine që shkoi” (2006) dhe “Sirenat” (2007). Libri i ri me tridhjetë ese është konceptuar si “tre libra në një” jo vetëm për lehtësi strukturimi e leximi (janë thuajse 340 faqe) por, më së pari, për të harmonizuar një tërësi trajtesash, ide, dukuri, vepra e autorë të ndryshëm, nën këndvështrimin e mëvetësishëm të një sivëllai të tyre të letrave. Të tria pjesët e librit, bashkë me një intermexo poetike në mes, “Për mësuesit e mi”, i bashkon harmonia e ndryshimit, përpjekja e njëkohshme dhe e përhershme për të hulumtuar thellësive të shprehjes letrare e poetike të materializuar në gjuhë, “mundësive dhe pamundësive të saj”, siç do të shprehej Borhesi. Në “Parafjalë”, poeti Stefan Martiko shënon se “pena e Pirro Lolit i ngjan një shpate të mprehur mirë, për një betejë jo të zakontë letrare”. Dhe shton se puna e këtij autori për të nxjerrë në pah vlerat e letërsisë i “ngjan një piedestali ku ai ngre tërë statujat e të tjerëve.” Pra, flitet për guxim dhe përunjësi njëherësh. Të dyja vijnë prej dhuntisë dhe prirjes krijuese, por kjo nuk mjafton. Sidomos kur jemi në zhanrin e esesë, kaq nazike, kaq e vështirë për t’u rrokur, e mbajtur në kufirin e hollë të shkrimit në zgrip: krijim-studim-mbresë-vramendje-sprovë-, qoftë për një strofë a për një varg; qoftë për një vepër a për një autor; qoftë për një dukuri, shkollë a kahje letrare. Esetë e “Dramës së shprehjes”, në më të shumtën e tyre, janë larg kuturisjeve, janë guxim i mirëfilltë krijues. Këto ese janë, gjithashtu, larg përsiatjeve e panegjirikëve që gëlojnë në botimet e faqet kulturore letrare të shtypit tonë të përditshëm a periodik. Pirro Loli duket se ka gjithnjë parasysh pohimin e Konicës se “kur më pëlqen a më çpëlqen një vepër, nuk arrin të këcej, a të shfryj; duhet të shfaq arsyet e pëlqimit a të çpëlqimit tim, në qoftë se dua të shokëzoj këndonjësit me mua”. Ndaj vlerësimet, analizat e përfundimet e këtyre eseve kanë në thelb argumentimin, kriteret estetike e artistike, zotërimin e lëndës e fuqinë e fjalës së profesionistit që, edhe nëse nuk na bind deri në fund, më së paku na vë në mendime e na fton për debat të një niveli jo të zakonshëm. Punimet eseistike të këtij autori dëshmojnë edhe për njohje, edhe për kulturë, edhe për ndjeshmëri të lartë estetike. Dëshmojnë para së gjithash për nderimin, përkushtimin dhe dashurinë me të cilat autori i qaset letërsisë, të vërtetave jetësore dhe artistike, sublimimit të lirisë dhe njeriut si ashti dhe fryma e krijimit, gjuhës poetike si lëndë, si mjet dhe si shenjë identifikuese. Dekada më parë, në esenë “Mbi komunikimin poetik” Anton Pashku shkruante: “Gjuha e veprave artistike nuk është dhe nuk mund të jetë një “gjuhë normale”. Ajo nuk është e tillë as atëherë kur, fjala vjen, artisti i fjalës merr e shkruan për “gjërat më normale” nga jeta e njeriut. Shenjat e gjuhës së tij janë shenja të gjuhës poetike.” Duke pranuar këtë të vërtetë të njohur, Pirro Loli nuk ngurron të pohojë se drama e shprehjes është e lidhur ngushtë me dyzimin e krijuesit dhe fatalitetin e ekzistencës, duke na sjellë “urtësinë agresive që Pesoa la pas: “Arti na çliron në mënyrë mashtruese nga ajo gjë e ndyrë që është fakti i ekzistuarit”. Në mënyrë të përmbledhur, mund të themi se, edhe pse në dukje kontradiktore, dy pohimet e mësipërme konvergojnë në esetë ku autori bën objekt të analizës dhe vëzhgimit të tij shkrimtarë e poetë “të sertë”e vepra “të rënda”, me ndikim të pazakontë në letërsinë shqiptare e botërore. Dhe këtu nuk e kemi fjalën vetëm për Eliotin e Kazanxaqisin (dy dashuri të hershme të autorit) as për esetë origjinale për Borhesin e Kafkën, por për trajtesat e veçanta për krijimtarinë e shkrimtarëve “të vështirë” si Marsel Prust, Xhojs, F. Ponge apo edhe Martin Camaj. Për Pirro Lolin, akti i krijimit letrar dhe fati i shkrimtarit nën diktaturë kanë vetëm një shteg për të mbërritur atë përmasë të domosdoshme të lirisë individuale që i kapërcen kufijtë e mosthënies: “Shtegun e lirisë, gjuhën e figurshme, ligjërimin artistik si shprehje e lirisë së brendshme që në esencë është kundër gjuhës së çdo diktature”. Në këtë këndvështrim autori, në esenë “Përfaqësuesi” trajton rishtas veçori të krijimtarisë së Ismail Kadaresë, ku gjuha artistike është sa shprehje e energjisë shprehëse të shqipes, aq edhe çështje estetike, etike e filozofike. Në një ese tjetër i rikthehet trajtimit të real-soc-it në letërsinë e shekullit XX dhe heq paralele te guximshme mes autorëve si Aragoni dhe Agolli; më tej zhytet në detin e simboleve dhe metaforave të “Dranjes madrigale” të Martin Camajt për të nxjerrë që andej perlat e “atdheut poetik”, të munguar. Një vend të veçantë zë, në pjesën e parë të librit, eseja për krijimtarinë e Moikom Zeqos, njëherësh sendërtim dhe personifikim i shkrimtarit që rri gjithmonë zgjuar, me shumë vepra që në thelb janë vetëm një, libri i hapur fletëshumë me peshën e metaforës, të fjalës që “përçon një prani të re qenies njerëzore”. Nga këndvështrime të tjera, por gjithnjë nën suazën e mëvetësishme të gjuhës e të shprehjes poetike e artistike autori shkruan për vepra e cilësi të autorëve të tjerë shqiptarë si F. Myrtaj, Xh. Spahiu, M. Meksi, S. Martiko etj. Krejt më vete tingëllon eseja “Vazhdimi i qytetit tim” ku autori ndërton një rilexim të romanit të tij “Qyteti me dy kate” një rravgim brenda procesit krijues, një raport vetjak dhe i ndërsjellë me miq, kritikë e lexues, përmes një dialogu a interviste sa reale aq edhe imagjinare… Kërkimi e zbulimi i elementeve të fshehtë, thuajse të mistershëm, të shprehjes artistike e të magmës poetike, që mund të njëjtësohet me “Alefin” e Borhesit”, me “çastin magjik” të Prustit, me “shkarjen” a rrëgjimin tonë në “Tokën e shkretë” të Eliotit, me “Procesin” e Kafkës, sinonim i shpirtit krijues “si një send në lëvizje” dhe me “ankthin e fjalës” (lexo: drama e shprehjes) të F. Ponge, është filli përbashkues i eseve të librit të dytë. Ndërsa, në librin e tretë, autori ndalet në çështje thelbësore të letërsisë e të kulturës bashkëkohore, të klasikes e modernitetit në poezi, të qëllimit e filozofisë së krijimit, të thelbit dramatik të kuptimësisë e pamundësisë së shprehjes poetike. Na duken veçanërisht të arrira esetë “Poetët me shenjë”, “Dhimbja e atij Kali (Pegasi)”, “Gjethja e fikut” si dhe eseja e thukët “Kapërcimi i të vdekurve”. Këto ese do të mjaftonin, përpos të tjerash, për të ripohuar pa frikë kontributin e mëvetësishëm të Pirro Lolit në eseistikën dhe kritikën letrare shqiptare. Duket se parapëlqimi për shprehjen e ligjërimin poetik (trajtesat për poetët e poezinë zënë kryet e vendit në librin ”Drama e shprehjes”) e ka shtyrë autorin të ndërkallë ndërmjet eseve një tufë poezish të vetat (“Intermexo” mes librit të dytë e të tretë) kushtuar mjeshtërve të mëdhenj të fjalës që ai i quan Mësues: Nga Zhak Preveri e Aragoni te Ungareti e Montale, nga Kavafis e Borhesi te Lorka e Octavio Paz… Këto poezi nuk janë psherëtima patetike, janë si një frymëmarrje e thellë pas ca fjalëve të ndjera përpara magjisë së artit të madh e të pavdekshëm. Përpara poetëve të ndritur, që sipas Isuf Luzajt, krijojnë “botë imagjinare dhe fisnikërojnë ndërgjegjen me ndjenja të reja bukurie, harmonie, dhe vërtetësie…”.
Pirro Loli është poet dhe kjo nuk mund të mos shenjonte edhe gjuhën e figurshme, përqëndrimin e dendurinë e kumteve, sintaksën e ethshme, si dhe ritmin e vrullshëm të eseve të librit “Drama e shprehjes”.
********************************************************

AI U TREGUA SHOK

FASLLI HALITI

– tregim-

Klasa e tretë “A” kishte dy veçanti. E para. Në klasën tonë kishim vetëm një vajzë thuthuqe, por e shkëlqyer në mësime dhe një komunist, gjithashtu i shkëlqyer në mësime, sidomos në histori…
***

Po ç’ndodhi në orën e psikologjisë me profesor Zenel H?
Profesor Zenel H. për të forcuar autoritetin e tij para neve nxënësve, meqë e kishte kaluar moshën e pensionit; një e dy, me rast e pa rast, na thoshte se kishte qenë mësues i ish kryeministrit Mehmet Shehu të cilit i kishte shkulur disa herë veshin sepse ia bënte orën e mësimit rrëmujë. Kjo nuk kalonte pa ndikim te ne nxënësit. Në orën e tij ne rrinim sus. Por pyeste shoku ynë Fitimi M. se mësues i kujt kishte qenë profesori. Kur i lindte në kokë ndonjë kapriçio, Fitimi o e bënte o plaste. Dhe një ditë i hipi në kokë që, po ta ngrinte profesori i psikologjisë në mësim, ai do t’i thoshte me gjakftohtësi se, Fitim M. mungonte, se ishte dezhurn në mensë. E di më tha, po më ngriti sot profesori në mësim, unë e di se si do t’i them: Fitim M. mungon. Je në vete i them? Të them të drejtët s’ia vura veshin kësaj teke apo marrëzie të tij. Duket e pabesueshme, madje fare e pabesueshme aq e pabesueshme sa ajo ngjarje nuk besohet të ketë ndodhur. Duket se atë po e trilloj unë, pas dyzet e shtatë vitesh që nga viti 1959. Mos më besoni, vetëm më dëgjoni.
***
Sapo ra zilja për mësim, profesori i psikologjisë u fut në klasë. U ngritëm të gjithë në këmbë. Profesori u ul në katedër dhe hapi regjistrin. Skënder, kush mungon sot?, pyeti kujdestarin e klasës. Mungojnë dy nxënës profesor, tha kujdestari që raportonte mungesat. Mirë atëherë, tha profesori. Të ngrihet, në mësim Fitim M…. Fitimi u çua dhe tha me gjakftohtësi: Fitim Mati mungon, profesor, është dezhurn në mensë. Me gjithë gjakftohtësinë e tij, Fitimi prapë la një shenjë në fytyrë që e bëri profesorin e psikologjisë t’i lindte një fije dyshimi e cila sa vinte e trashej. Profesori i psikologjisë kishte mjaft sensitiv. Ai dyshoi. Dyshimi e bëri atë që të niste verifikimin. Numëroi nxënësit që ishin prezent në klasë. Gjithsej ishim pesëmbëdhjetë nxënës të pranishëm, plus dhe dy nxënësit dezhurn në mensë, gjithësej shtatëmbëdhjetë nxënës. I numëroi për së dyti, së treti. Të tri herët i dilnin po shtatëmbëdhjetë nxënës. U bind se dyshimi i tij nuk ishte i kotë, por me baza.
***
Po ju shtatëmbëdhjetë apo gjashtëmbëdhjetë nxënës jeni, pyeti profesori që ishte bërë si shkumës në fytyrë nga zemërimi dhe fyerja. Ç’është kjo, pyeti veten profesori. Këta më pandehin matuf, meqë kam kaluar moshën e pensionit dhe pandehin se kanë të bëjnë me një të rrjedhur, pa memorie? Pyeti përsëri klasën. Sa nxënës jeni ju në klasë? 
Gjashtëmbëdhjetë, profesor. Edhe në regjistër, po kaq jeni, po pse më dalin shtatëmbëdhjetë nxënës mua? Pesëmbëdhjetë prezent dhe dy në mensë, shtatëmbëdhjetë. Ç’më bëtë ju mua, tha Profesori i nervozuar në kulm, Nastradin Hoxha i cili, kur numëronte gomarët, i dilte gjithmonë një gomar mangët, sepse nuk llogariste atë mbi të cilin kishte hipur, kurse kur zbriste në tokë, gomarët dilnin tamam, sepse i numëronte të gjithë edhe atë që i zbriti. Klasa nisi të qeshte mbytazi dhe, pse i indinjuar thellë, profesori e fshehu zemërimin, nervozizmin, fyerjen dhe tendosi pak buzën, si për të qeshur. Klasa doli nga suspansa. U lehtësua. Ishte psikolog. Dinte të mos e tradhëtonte veten. Ai që u ngrit e tha në fillim se Fitimi mungonte, pikërisht ai është vetë Fitimi, mendoi me vete profesori dhe shtrëngoi nofullat, si të thoshte: Fitim, ja, mu këtu të kam dhe preku majën e lapsit. Kujt tjetri i interesonte, të thoshte se Fitimi mungonte? Askujt!, përsëriti me vete profesori. Hë Fitim, Fitim.., më merr për të lehtë ti mua. Nuk e di ti se sa peshoj unë. Por do të të dali boja pas pak. Ke për ta parë. Me mua hahesh ti?!. Kujtesën e kam fringo, tha përsëri me vete profesori dhe preku majën e lapsit. Mendoi të niste nga pyetjet. Në fillim pyeti klasën:
Gjashtëmbëdhjetë apo shtatëmbëdhjetë vetë jeni ju në klasë?
Shtatëmbëdhjetë, profesor… !, u përgjigj njëzëri klasa.
Ashtu?!
Atëherë nisi të pyesë nxënësit një nga një.
Të parën pyeti Vangjelicën, vajzën e vetme të klasës sonë kurse të fundit pyeti Thanasin, komunistin e vetëm të klasës.
Vangjelica, është Fitimi Mati në klasë?
Jo profethor!, u përgjigj thuthuqja.
Mirë. Ulu!
Pyeti kujdestarin:
Skënder, është Fitimi në klasë?
Jo profesor!
Mirë, e mora vesh,ulu dhe ti.
Po të pyes ty ithtarin e drejtësisë dhe kritizerin e padrejtësive, m’u drejtua mua me qesëndi, si duket e nuhaste përgjigjen time…. Pra, është apo nuk është Fitim në klasë?
Jo, profesor, ju përgjigja duke ruajtur mrekullisht qetësinë.
Të kuptova dhe ty, më tha profesori i ngrysur. Ulu!…
Dhe vazhdoi t’i pyeste të gjithë nxënësit me radhë, i nervozuar, meqë asnjeri nga nxënësit s’po i thoshte, po, profesor, ja ku është Fitimi në rreshtin e bangave nga muri në të djathtën tuaj, në bangën e pestë, pas Ermir D. Kisha përshtypjen sikur profesorit edhe nervozohej, por edhe i vinte mirë që nxënësit e ruanin shokun, nuk e zbulonin. Kujtonte vitet e veta të shkollës, kur ai dhe shokët e tij, nuk e tregonin shokun edhe pse ishte fajtor. Nxënësit kishin një kod të tyre se, kush tregonte shokun, quhej fuks, spiun i profesorit…
Pasi pyeti nxënësin e trembëdhjetë dhe mori përgjigjen, jo, profesor, Fitimi nuk është këtu, tha me zë të butë:
Të fundit po të pyes ty Thanas, si nxënës i kësaj klase, por dhe si komunist.
Është Fitim Mati këtu?
Jo profesor, tha Thanas D. Klasa mori frymë e lehtësuar. Doli nga një suspansë e gjatë, e tmerrshme. Të gjithë mendonim se Thanasi, si komunist, do të thoshte, po profesor, këtu është Fitimi, po kur ai tha jo, ne u gëzuam, sepse nuk e zbuloi shokun, edhe pse jo-ja atij, do t’i kushtonte, ai do të përgjigjej për të në organizatën Bazë të partisë…
***
Ra zilja. Mësimi mbaroi.
Ne u çuam në këmbë për t’i lënë vendin klasës tjetër, pasi na duhej të shkonim në një klasë më tej, në fund të korridorit, pasi mësimi bëhej me klasa lëvizëse: dilte njëra klasë e hynte tjetra.
Ne u drejtuam drejt derës, tentuam të dilnim…
Qëndroni aty!. Asnjeri të mos lëvizë, të mos dalë nga klasa, urdhëroi profesori. Secili të qëndrojë në bangën e vet. Fitimi bëri të hidhej nga dritarja, pasi klasa jonë ishte në katin e parë.
Dhelpër, i bërtiti profesori Fitimit. Mos luaj!. Dhe iu kujtua gjuetia e dhelprave me të atin. Kur hasnin në një dhelpër apo skile, zagarët e ndiqnin kurse ajo vraponte vetëtimë drejt gropës së saj. Me t’iu afruar zagarët skilja futej në gropë. I ati i vinte tymin gropës. Kur skilja e shihte se po e mbyste tymi, ajo ecte me nxitim drejt hyrjes nga ishte futur për të shpëtuar nga asfiksia, por sapo nxirrte kokën, i ati i vinte lakun në fyt. Kështu do të bënte dhe profesori me dhelprën Fitim M. Nuk do ti vinte lakun në fyt, sigurisht, po të tentonte të vraponte drejt derës, të dilte, të merrte korridorit, të vraponte drejt oborrit, të kapërcente murin rrethues të Liceut. Profesori do ta kapte Fitimin te dera, si dhelprën, do t’i shkulte veshin si Mehmet Shehut, nxënësit i tij trazovaç që ia bënte mësimin rrëmujë, që ishte bërë kryeministër dhe ai mburrej para nesh me të. Sidoqoftë duhet ta vërtetonte, nëse Fitimi ishte pikërisht ai, fajtori. Dyshimi nuk është argument, thoshte profesori me vete. Edhe krimineli, para se të jepet vendimin nga gjykata, quhet i pandehur, jo kriminel.
***
Një nga nxënësit e klasës tjetër që ngutej të hynin në klasë, hapi derën furishëm. Ishte Rolandi, flautisti më i talentuar i Liceut të cilin profesori, gjithashtu e kishte nxënës. Rolandi, po, do t’ma thotë të vërtetën, tha profesori dhe pyeti gjithë siguri:
Roland! Është Fitim M., në klasë?
Ne ia bëmë jo me dorë Rolandit.!
Jo, profesor, tha Rolandi!.
Të mora vesh dhe ty, tha i zhgënjyer profesori. Mbylle derën. Ik!.
Hapet dera prapë dhe futet në klasë profesori Shundi, profesori ynë kujdestar.
Profesor Shundi, më thuaj të lutem, është Fitim M., këtu?.
Ja ku e ke sa një derr…!, iu përgjigj profesori i rusishtes.
Profesori i psikologjisë nuk kishte dyshuar kot. Kur zbuloi se Fitimi ishte në klasë, u qetësua. Kjo ndodhi, mori ngjyrat e një testi për të si mësues psikologjie. Ai kishte pasur arsye të dyshonte. Dhe nuk kishte gabuar E kishte pikasur dhelprën me sinjalin e tij të psikologut, jo të lindur, por të fituar gjatë jetës si mësues psikologjie. Sapo Fitim M., kishte thënë se Fitimi, mungon, profesorit në çast i lindi dyshimi se Fitimi ishte pikërisht ai vetë. Dhelpra, tha me vete profesori. Këtu ndodhet një dhelpër, përsëriti ai me vete, me bindjen se do ta kapte patjetër në dhokan…
***
Të nesërmen u bë mbledhja e Këshillit. Për klasën tonë ishte marrë vendimi që të rregullonte lulishten e shkollës; Fitimi të përjashtohej pesëmbëdhjetë ditë nga shkolla, por jo nga konvikti, pasi ishte nga Peshkopia, shumë larg Tiranës. Kurse organizata bazë e partisë dhe byroja e shkollës kishin propozuar që komunisti i klasës sonë Thanas D. të përjashtohej nga Partia me motivacionin se «nuk ishte treguar i partishëm».
Nuk u tregua i partishëm, por ai u tregua shok, kishte thënë profesori i psikologjisë Zenel H. që gëzonte besimin e organizatës bazë…
********************
NJOFTIM!
Të nderuar, krijues, poetë, shkrimtarë, kritikë letrarë dhe lexues të rregullt të gazetës “Telegraf”! Tashmë është vitit i tetë që gazeta jonë është pranë jush, pranë krijimtarisë tuaj, pranë çdo zhvillmi letrar në Shqipëri. Gazeta “Telegraf” është e vetmja gazetë e përditshme në Shqipëri që ka vënë në dispozicionin tuaj tetë faqe në javë, për të gjithë krijuesit shqiptar kudo në botë. Për të çuar më tej këtë bashkëpunim të frytshëm, për të rritur më shumë cilësinë e botimeve, për të krijuar një fizionomi më të spikatur në Rubrikën “Pena shqiptare”, jeni të lutur si më poshtë:
– Çdo krijues të paraqitet jo më shumë se me katër poezi, jo shumë të gjata, të cilat mund të formatohen deri në 1/3 e faqes së gazetës.
– U jepen përparësi tregimeve të shkurtra, jo më shumë se dy faqe word.
– Kritikat letrare, ese-të, të jenë të shkurtra, orientuese, përmbledhëse dhe jo analizë e plotë ( deri 1.5 faqe word).
– Të gjitha krijimet, të jenë të shoqëruara me fotografi cilësore, të autorit dhe të librave.
– Të gjitha krijimet të jenë të shkruara qartë (nuk pranohen me shkrim dore), mundësisht sipas rregullave drejtshkrimore.
– Kontaktet tona do të jenë të përhershme, njëherësh, në këto adresa elektronike:
Ju faleminderit!
Redaksia e gazetës “Telegraf”!
*******************************
Përshëndetje!
Gazeta “Telegraf” ju sjell pranë suplementin letrar “Pena shqiptare” nr 21
Datë: 18 maj, 2015
Në këtë numër do të lexoni:
01-Poezi nga Andon Zako Çajupi, Violeta Allmuça, Qazim Shehu, Martin Cukalla, Enrieta Sina
02- Ese dhe tregime nga Niko Gjoni, Remzi Gjika, Freskida Miloti, Pelivan Haxhiaj, Sokrat Ndreçka
03- Kritikë nga Prof. Sulejman Muça, Hektor Veshi, Hektor Veshi, Zyrafete Kryeziu
04- Botime nga Danel Cana, Vladimir Muça, Basir Bushkashi, Donika Rrethej, Nikolin Gurakuqi

Mirëkuptim!
Njoftojmë të gjithë shkrimtarët, poetët, kritikët e letërsisë, të gjithë krijuesit e të gjitha gjinive të letërsisë, se prurjet e kësaj jave janë të jashtëzakonshme nga të gjitha trevat dhe shtetet ku ka emigrantë shqiptarë, prandaj është i pamundur botimi në këtë numër. Por bëjmë me dije se, të gjitha krijimet, ndoshta të vonuara në kohë, do të botohen, pa asnjë përjashtim, pa asnjë paragjykim, pa asnjë mendim të njëanshëm. Këto faqe letrare janë të hapura për të gjithë krijuesit brenda dhe jashtë Shqipërisë, nëse përfaqësojnë letërsi të vërtetë. Kjo Rubrikë është e hapur, transparente për të gjithë krijuesit që përcjellin vlera, duke ruajtur rregullat dhe normat e botimit. Çdo krijues është i lutur të përmbahet në njoftimin e vënë një javë më parë, ku çdo krijues nuk mund të botohej në harkun kohor të një muaji e gjysmë.
Ju Faleminderit! Redaksia e “Telegraf”.