Sulovë, Kalaja e Qafës, metaforë historie e krahinës

2897
Sigal

Në krahinën e Sulovës  kudo që shkel të shfaqen metafora të historisë së saj, Kulla e Kamunaut, Kalaja antike e Qafës, traktet e nëndegës së rrugës Egnatia që vinte nga Apolonia e Antipatrea për në Skampini, apo edhe vendbanimi i mesjetar i Klosit, Kisha e Skunajt, Bazilika e Klosit etj, që edhe pse në gjendje të rrënuara tregojnë histori. Kalaja e Qafës, është një ndër objektet e rëndësishme arkeologjike e me vlera historike në trevën e Elbasanit.  Një ndër kalatë e ndërtuara  në kohën e perandorit bizantin Justiniani (526-565) në Iliri. Ajo ishte shndërruar shekuj më parë në një fortesë të sigurt ushtarake për popullsinë dhe në ruajtje të nëndegës së rrugës Egnatia. E ndërtuar në një pikë dominuese siç ndërtoheshin rëndomë kalatë, në lartësitë shkëmbore, në kuotën 624 m. Teknika e ndërtimit, sistemi i fortifikimit, qëndrueshmëria e mureve, pozicioni ku është ngritur po të marrim parasysh mjetet e sulmit të asaj kohe dëshmojnë se kalaja e Qafës ishte e fortifikuar mirë. Linjat e murit të saj, që sot janë gjysmë të rrënuara, rrethonin pjesën lindore. Ndërsa pjesa perëndimore ishte e mbrojtur nga shkëmbinj. Kalaja kanë qenë barrikadë luftërash ndër shekuj e këtyre territoreve. Aty janë zhvilluar beteja të mëdha, luftëra të pandalshme që kanë çuar edhe në shkatërrimin më të pandalshëm. Me copëtimin e perandorisë bizantine në shekullin XIII, të feudalëve perëndimorë në shekujt XI – XII,  kalaja kaloi dora-dorës në duart e të huajve. Dy shekuj më vonë ajo zotërohej nga princa feudale të familjes së Muzakajve, të cilët nuk rezistuan dhe kalaja pësoi shkatërrim pjesërisht prej pushtuesve osmanë dhe u zhduk si njësi mbrojtëse. Qarkullojnë legjenda dhe gojëdhëna, për rezistencën ndaj pushtuesve, sidomos atyre osmane. Duke vijuar më tej, të paraqesim se ç’dëshmohet nga historitë gojore e çfarë shkruhet për këtë kala nga historianë, studiues e arkeologë.

Fjala e arkeologëve

Kalaja e Qafës me sistemin e saj fortifikues e ruajtur që nga lashtësia deri në ditët tona ka tërhequr vëmendjen e historianëve dhe studiuesve të arkeologjisë. Janë kryer ekspedita arkeologjike, të shoqëruar me gërmime e studime. Neritan Ceka, një ndër arkeologët më të mirë në Shqipëri në studimet e tij e hedh fjalën shpesh tek kjo kala. Studiuesi Aleksandër Meksi po ashtu. Historiani elbasanas, Dr. Shyqyri Demiri nën shoqërinë e mësuesit normalist sulovar Riza Cërriku, kishte ardhur disa herë. Në vitin 1987 u kryen gërmime arkeologjike të detajuara nga arkeologët Ylli Cerova, Riza Hasa e Ardjan Papajani. Kjo kala datohet si ndërtim i shekullit të VI, të erës sonë.

Kalaja e Qafës në mbrojtje të rrugës “Egnatia”

 Rruga “Egnatia”  kishte një degëzim në luginën e Devollit në Sulovë, duke ardhur nga qyteti antik i Apolonisë për në Scampini (Elbasani i sotëm). Mbrojtja e rrugës Egnatia përveç fortifikimeve të qyteteve u sigurua edhe ndërmjet ndërtimit të kalave të cilat kontrollonin rrugët. Për të kontrolluar daljen e rrugëve natyrore nga lugina e Devollit në fushën bregdetare u ndërtua kalaja e Qafës.  Në mbrojtje dhe ruajtje të rrugës ishte i domosdoshëm edhe ngritja e një vendbanimi (Klosi i vjetër) fare pranë kalasë së Qafës. Kjo degë e rrugës antike Egnatia përfaqësonte një shkurtim, por që nuk duhet të ketë pasur ndonjë rëndësi të madhe dhe përdorim në stinën e dimrit veçanërisht në kohë shirash nga vërshimet e rrëkeve dhe përrenjve, gërryerjet, të cilat e shndërronin në të pakalueshme në mjaft pjesë të saj. Dokumente të ndryshme na bëjnë të njohur se ka qenë  rrugëkalim i shkurtër për qëllime strategjike e ushtarake. Kjo mund të ketë qenë edhe rruga e përshkuar nga konsulli romak Sulpici, i cili, gjatë fushatave ushtarake pushtoi  Desaretinë. Në këtë rrugë ka kaluar edhe Çezari me ushtrinë e tij për në Durrës, kur u ndesh me Pompeun, por edhe në largimin pas betejës. Studiuesi austriak Gjergj Veith, që ka shkelur krahinën e  Sulovës  në vitet e Luftës së Parë Botërore si kolonel i trupave austro-hungareze, në botimin e tij historik “Fushata e Durrësit ndërmjet Çezarit dhe Pompeut”, faqe 11, shkruan: “Në vitin 48 para Krishtit trupat e Çezarit përshkojnë një copë të mirë të udhës Egnatia dhe largohen befasisht nëpër monopatet e ashpra të maleve për të zbritur në luginat e Shkumbinit e për të shkuar nëpër ato të Devollit e të Vjosës”. Kalaja e Qafës në Sulovë të Elbasanit si dëshmitare e lashtësisë dhe historisë së krahinës , pas viteve ‘90, është lënë në harresë për t’u shndërruar në rrënojë.

Era ÇELA