Suksesi i merituar dhe puna ambicioze e një pedagogeje dhe përkthyeseje!

1198
Hermes NIKAJ 

Arsim/ Dr.Flavia Kaba: Frymëzimi im është Zoti
Sukseset e shumta falë punës së palodhshme e rendisin në një nga femrat më të arrira të shoqërisë intelektuale. Pedagogia e gjuhës spanjolle në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja të UT-së, Dr. Flavia Kaba, përveçse një nga pedagoget më të dashura të këtij fakulteti tashmë njihet edhe jashtë tij si përkthyese e romaneve të fundit bashkëkohore nga letërsia spanjolle, si psh. Carlos Ruiz Zafon, Julia Navarro, etj. E ftuar në studio të ndryshme televizive mbi përkthimet letrare apo për të folur rreth trendit të ri të gjuhës spanjolle, sot ajo është personazhi ynë për të na folur mbi të rejat e fundit nga puna saj e palodhshme me studentët dhe librat. 
1-Shtëpia botuese ‘Dituria’, ju besoi te përkthenit librin më të fundit të autores spanjolle Julia Navarro ‘Qëllo, tashmë jam i vdekur’ Cili është subjekti i këtij romani? 
Romani ‘Qëllo, tashmë jam i vdekur’ përqendrohet në konfliktin arab-izraelit në lidhje me pushtimin e Tokës së Shenjtë. Do të njihemi me gjeneratat e ndryshme të dy familjeve Zuker dhe Ziad, njëra familje hebreje dhe tjetra palestineze, për të përjetuar në çdo faqe të librit ndjesi nga më të ndryshmet por mbi të gjitha emocione të forta dhe hera herës dhe tepër drithëruese. Romani do të ketë si fillim udhëtimi kujtesën dhe më pas rrëfimin, i cili do mund të çojë deri në tragjedi. Lexuesi do të udhëtojë në Lindjen e mesme në shek. XIX deri në gjysmën e shek. XX, që nga kohët më të largëta e deri te konfliktet botërore më të rëndësishme të historisë bashkëkohore, në veçanti të Luftës së Dytë Botërore dhe holokaustit. Kronikë intense dhe prekëse e dy sagave familjare, romani i Julia Navarros na thellon në jetët e personazheve, jetë të cilat krijojnë një mozaik tradhtish dhe vuajtjesh, dashurish të mundura dhe të pamundura, në kohën kur plazmojnë aventurën e madhe për të jetuar dhe bashkëjetuar në një territor të shënjuar nga intoleranca.
2. Javës që kaloi ishte edhe Panairi i 19-të i librit në Prishtinë. Mesa jemi në dijeni edhe ju ishit në këtë panair për të promovuar romanin e fundit ‘Qëllo, tashmë jam i vdekur’. Cilat janë mbresat nga ky panair? 
E vërteta është që Panairi i Librit në Prishtinë më ka mrekulluar. Kishte një pjesëmarrje të madhe nga grupmosha të ndryshme, por ajo çka binte më shumë në sy ishin vizitorët-lexues adoleshentë, me të cilët shkëmbeva eksperienca mbi letërsinë dhe dëshirën e madhe për të lexuar sa më shumë. Më përcollën shumë emocione diskutimet dhe forumet rinore që kishin organizuar mbi letërsinë dhe dëshira e tyre për mësuar gjithçka në lidhje me titujt e fundit të romaneve të sjella në gjuhën shqipe. 
3 -Cilat janë impenjimet aktuale të Flavias ? 
Jemi në prag mbyllje të vitit akademik 2016-2017, çka do të thotë se me impenjimet akademike jam më e lehtësuar. Megjithatë, momentalisht po punoj edhe mbi përkthimin e romanit të fundit të Carlos Ruiz Zafon ‘Labirinti i shpirtrave’, romani mbyllës i sagës së Varreza e Librave të Harruar.
4-Librat që lexoni i zgjidhni nga autori apo nga zhanri ?
Mundohem të mos fokusohem as te zhanri dhe as tek autori, sepse mendoj që letërsia është një botë e pakufishme prej së cilës gjithherë ka gjësend për të mësuar por mbi të gjitha përjetime që të përcjellin emocione. Nuk mund të kufizoj botën letrare as me autorë të preferuar dhe as me zhanër. Mendoj se pena e çdo autori ka të veçantat e saj dhe kjo është ajo që e zbukuron edhe më shumë letërsinë. 
5. Cilat janë zakonet tuaja të leximit? Lexoni shtrirë, në tryeze apo…
Momentet e leximit janë momente të cilat të largojnë nga bota dhe të përqendrojnë vetëm te libri që ke në duar duke të bërë të ‘harrosh’ rutinën e përditshmërisë. Çastet e leximit nënkuptojnë qetësi dhe rehati duke u bërë kështu pjesë e librit. Mendoj se leximi shtrirë apo në ambiente të zhurmshme e pengon procesin e leximit andaj më pëlqen të lexoj në tryezën e punës duke qenë se gjatë leximit mbaj shënime dhe jam më e përqendruar. 
6- Në letërsi ju tërheq më shumë proza apo poezia? Kur shënjoni një autor që ju pëlqen, lexoni gjithçka të tij/saj? 
Edhe poezia edhe proza më tërheqin, më bëjnë të ndjej, të mendohem, të emocionohem, ndaj nuk do të mundem t’i ndaj nga njëra tjetra sepse secila në momente të caktuara përcjell emocione nga më të ndryshmet dhe më të fortat. Për sa i përket autorit të preferuar, parapëlqej të lexoj gjithçka të tijën, fundja një autor nuk mund të jetë i parapëlqyeri yt vetëm me një roman, por përkundrazi kur lexon gjithçka të shkruar prej tij, sepse kështu përfshihesh tërësisht në botën e tij letrare. 
7-Na thoni një varg të preferuar poezie 
Kam shumë, por poezia e Pablo Neruda do të më pëlqente. Megjithëse versioni origjinal në gjuhën spanjolle ka një tjetër muzikalitet… Mund të shkruaj vargjet më të trishta këtë natë. Të shkruaj, për shembull:”Nata është yjësuar, Dhe drithëruesit, të kaltrit yje, atje larg.” Era e natës sillet në qiell dhe këndon. Mund të shkruaj vargjet më të trishta këtë natë. E doja, dhe ajo më donte nganjëherë gjithashtu. Në net si kjo e kisha ndër krahët e mia. E puthja aq shumë herë nën qiellin e pafund. 
8- Jeni pedagoge e lëndës së letërsisë spanjolle dhe përkthimit. E mbaj mend (si ish-student i juaji) se mezi prisja të vinte ora me ju. Po studentët e sotëm, sa i vlerësojnë këto lëndë?
Pëlqimi që ke pasur ndaj letërsisë qoftë si lëndë por edhe më shumë besoj se të ka ndihmuar në profesionin e gazetarit duke të zhdërvjelltësuar e bërë më të aftë në këtë profesion. Më kujtohen diskutimet me ty në orët e letërsisë dhe dëshira që kishe për të lexuar sa më shumë. Studentët e sotëm, ndonëse jo të gjithë, shprehin po të njëjtën dëshirë për këto dy lëndë që sa ndryshe në dukje aq të lidhura janë me njëra tjetrën. Vlerësimi nga ana e tyre nuk mungon, dëshira për të lexuar por edhe për të bërë krahasime me përkthimet letrare nga gjuha spanjolle në atë shqipe është në rritje, dhe kjo gjë më gëzon pamasë sidomos në këtë kohë dixhitale që jetojmë, ku marrëdhënia e drejtpërdrejtë me librat duket se është sfumuar paksa. 
9- E suksesshme në disa dimensione. A e shihni veten në të ardhmen në një pozicion politik vendimmarrës? 
Pse jo? Për të mos thënë që jam vonuar… (Qesh). Nëse politika do të drejtohej nga njerëz intelektualë, të cilët nuk i mungojnë aspak vendit tonë, sigurisht që do të kisha dashur të isha pjesë. 
10-Ku e gjeni frymëzimin në jetë dhe çfarë ju pasionon ? 
– Frymëzimi im është Zoti dhe dy prindërit e mi të mrekullueshëm, të cilëve ua dedikoj të gjitha arritjet e mia. Falë dashurisë dhe mbështetjes së tyre kam arritur gjithçka. Por edhe dëshira për të jetuar e punuar ndershëm dhe për të lënë një emër të mirë pas. 
Sigal