Suksesi i aktorit Igli Zarka në teatër dhe kinema

1608
Sigal

Ermira Babamusta, Nju Jork

Intervista me aktorin dhe regjisorin e njohur Igli Zarka

Igli Zarka është aktor dhe regjisor i njohur shqiptar. Lindur në Fier, në vitin 1991, karrierën si aktor e fillon në Tiranë. Ka ndjekur studimet e larta universitare dhe masterin për “Aktrim” në Akademinë e Arteve në Tiranë.  Pas mbarimit të studimeve te Akademia e Arteve, Igli shumë shpejt u bë i njohur me shfaqjet teatrale, si: “Equus” (regjia Dino Mustafic), në rolin e Alan Strang; në rolin e Tom Wingfield në “Menaxheria e qelqtë” (2013), me autor Tennessee Williams drejtor artistik Timo Flloko; roli i Demetrios në shfaqjen “Ëndrra e një natë vere” (2014) nga Shekspiri, me drejtore artistike Driada Dervishi; roli Konstandin Trepflief në “Pulëbardha” (2016) shkruar nga Çehov, me regji Timo Fllokos, dhe roli Felice Devoto në “Drama e dy karaktereve” (2018) të dramaturgut të njohur amerikan Tennessee Williams.  Në 2018 Igli Zarka realizon si aktor dhe regjisor/drejtor artistik shfaqjen e Tennessee Williams “Drama e dy karaktereve”. Në rolin kryesor debutojnë, aktorja e talentuar Chris Lleshi dhe Igli Zarka. Shfaqja u dha me sukses në Teatrin Aleksandër Moisiu, në Maj 2018.  “Drama e dy karaktereve” nuk mund të realizohej kurrë pa Chris Lleshi. Metoda e saj, shpirti, mendja dhe trupi i dhanë jetë karakterit të Clare Devoto, e cila është personazhi kryesor në këtë dramë,” tha regjisori Igli Zarka.  Gjatë kësaj kohe Igli Zarka punon intensivisht si aktor në filma, mes të cilëve edhe filmat artistik: “Ana” (2016, regjia Ajola Daja) në rolin e Ergit; filmi “Kostumi” (2016, regjia Lulzim Sula), në rolin e Bekimit; dhe “Gëzhoja e Humbur” (2016, regjia Orsol Qafmolla).  Igli Zarka vazhdon të interpretojë në teatër dhe film në vazhdimësi të karrierës së tij artistike 8-vjeçare. Momentalisht është i angazhuar në disa projekte teatrale dhe filmike.

Na tregoni më shumë rreth vetes. Fillimet në fushën e aktrimit?

Igli Zarka: Do kisha shumë dëshirë të thosha se ishte ëndrra e fëmijërisë sime të bëhesha “AKTOR”, të luaja në skena të mëdha me artistë, të mbaja peshë shpirtin e çdo njeriu, por nuk mundem. Astronaut ëndërroja te isha. Gjyshja gjithmonë më mësonte se duhet të kërkoja hënën për të kapur yjet.

Cili ka qenë projekti juaj i parë si aktor profesional?

Projekti im i parë profesional, akoma pa u larguar nga bankat e shkollës, ka qenë “Equus” në rolin e Alan Strang me regji të Dino Mustafic në Teatrin Kombëtar. Pata fatin të luaj në skenë me profesorin tim Timo Flloko e artistë të tjerë si Arben Derhemi, Ermir Jonka, Christ Lleshi, Lulzim Zeqja, Erjona Kakeli, Luli Bitri, Ema Andrea etj. Ishte një pikënisje gati si ëndërr për mua, ndaj dhe tashmë jam shumë selektiv në projektet ku pranoj të luaj.

Tennessee Williams nëpërmjet një personazhi të tij deklamon: “Kur nuk kemi ku të kthehemi, duhet të ecim përpara!” Po ju ç’mund të na thoni?

Për projektet në vazhdimësi mund të them vetëm se sezoni i ri artistik 2018-2019 mbart shumë surpriza.

Çfarë ju pëlqen në rolin/personazhin që po luani në këtë projekt?

Procesi i brendshëm që personazhi kalon për të arritur të vërtetën.

Si lidheni ju me këtë personazh?

Shpirtërisht! Në botëkuptimin e tij, në vendimet qe ai merr. Kur bota të përbuz nuk ngelet gjë tjetër veçse t’i kthesh shpinën.

Si është lidhja juaj gjatë punës me regjisorin?

Lidhja Regjisor -Aktor është një magji mistike për mua, gati e pathyeshme. Jam një ushtar i bindur vetëm dhe e theksoj vetëm ndaj regjisorit, konceptit që ai ka. Pa regji nuk ka aktrim dhe anasjelltas.

Çfarë roli luan arti në shoqëri?

Kemi nevojë për “Art” që vërtetë të ketë një rol në shoqëri. Këto vitet e fundit “Art” quhet vetëm në qoftë se zbavit, bën për të qeshur. Sistemi i vlerësimit e ka ulur aq poshtë stekën, sa të gjithë të tjerët duken si Don Kishoti që luftonte me mullinjtë e erës. Por do të vijë dita që s’do të jetë turp kur të quajnë Artist e nuk do të abuzohet më me fjalën “ART”.

Këshilla juaj për dikë që dëshiron të ndjekë këtë karrierë?

Mos u dorëzo kurrë, edhe nëse gjithçka duket e pa shpresë, ti mos u dorëzo kurrë!