Sukses i filmit të animuar për fëmijë “Dega e vogël”

1241
Pamje e një kopshti të madh, të bukur, të mbushur plot me pemë. Midis shumëllojshmërisë së pemëve lartësohet një pemë, më madhështorja, më e larta, më e bukura. Me dhjetëra e qindra zogj ngjyra-ngjyra strehohen e gjallojnë në hapësirën e gjelbër të pemës. Cicërimat e tyre mbushin tërë hapësirën përreth. Një tufë largohet nga pema e fluturojnë në hapësirën e kaltër, të tjerë vijnë e struken brenda gjetheve e degëve të shumta.
Një zog nënë sjell ushqim për të vegjlit në fole. Sqepat e vegjël që hapen e bëjnë ciu-ciu. Zogu nënë zgjat sqepin dhe ushqen të voglin në fole. Dy sqepa që japin e marrin me njëri- tjetrin, një ritual i përditshëm. Në një fole tjetër një vogëlush përplas krahët e sapodala, një tjetër përpiqet të fluturojë, por rrëzohet brenda në fole, një i tretë rreh krahët e fluturon nga foleja deri tek dega më e afërt…
Lodrat e zogjve të vegjël i shikonte çdo ditë një degë e pemës së madhe. Ajo bezdisej nga këmbët me thonj të vegjël, që nguleshin pa mëshirë mbi trupin e saj. Ata e çukisnin dhe mbaheshin fort mbi trupin e degës. E bezdisur nga çka dëgjonte e shikonte, degës i shtohej zilia për lirshmërinë e zogjve.
E dega e trishtuar kashtë mase mendoi dhe vendosi të ndryshojë mënyrën e jetesës…
Një mëngjes mbi degë u ul të pushojë edhe një qukapik. Dielli i nxehtë e bezdiste dhe gjethet e pemës madhështore e dega e mërzitur ishin streha më e mirë për të. Si u mendua për pak çaste dega e trishtuar i foli qukapikut:
-Miku im, të jam gjendur sa herë ke qenë i lodhur.
-E di, e dashur degë dhe të jam mirënjohës.
-Ndaj dua të më ndihmosh.
-E, si?
-Po ja dua të më shkëpusësh nga dega mëmë, m’u mërzit qëndrimi në një vend.
E kështu qukapiku nis të shpojë me sqepin e vet vrima në rrëzë të degës. Vrimë pas vrime dhe ja dega u shkëput nga pema mëmë e ra në tokë.
-Shpëtova nga robëria, – thirri dega e gëzuar.
-Faleminderit qukapik, faleminderit miku im.
Mbi degën e këputur u ul një shqiponjë mali. Ajo vështroi e habitur degën e njomë.
-Merrmë, merrmë me vete lart në male… iu lut dega e njomë.
Dhe shqiponja nuk i’a prishi. Nguli fort kthetrat e mprehta mbi të dhe u ngrit në fluturim.
Baba trungu vështroi me dëshpërim degën që ngjitej lart e më lart në qiellin e kaltër. Të trishtuar shihnin dhe psherëtinin Nëna Kurorë. Lotët e saj binin mbi tokën e butë curril. Ajo nuk ishte në gjendje të shpëtonte bijën e saj më të bukur. Edhe degët motra u mërzitën shumë tek shikonin motrën e tyre teksa ngjitej lart në qiell, mbërthyer fort nga kthetrat e shqiponjës.
Shqiponja u ndal mbi një shkëmb dhe lëshoi degën pranë saj. Që nga shkëmbi dega vështroi gjithë hapësirën përreth deri tutje në horizont ku dukesh deti. Gjithçka shihte përreth e bëri të ëndërronte. E teksa ëndërronte e shihte veten si një që voziste mbi re, duke shikuar nën vete livadhe të gjelbëruar, pyje madhështorë, bagëti në kullotë, fshatra karakteristike e lumenj që gjarpërojnë fushave etj., etj. Më pas imagjinata fluturoi tek një varkë me vela teksa lundronte në detin blu, e para saj notonin peshq ngjyra-ngjyra. E teksa ëndërronte varkën tek voziste e çante përpara me flamur mbi shtizë, dhjetëra fëmijë të vegjël duartrokisnin degën kampione. E teksa ndjeu se dielli i nxehtë po perëndonte, ra në gjumë të thellë e nanurisur në ëndrra të thella. Erdhi e nesërmja erdhi përsëri përvëluese. Nisi të fryjë një erë e lehtë që i këputi gjethet e zverdhura. Gjethet fluturonin njëra pas tjetrës dhe dega e kuptoi se befas e kishin lënë fuqitë dhe era që sa vinte e forcohej nisi ta hedhë sa andej-këtej. Papritur fryu një erë e marrë dhe degën e zverdhur e rrëmbeu dhe flaku tutje ne det. Dallgët e morën tutje. E pafuqishme si qe, nuk mund të shikonte se ku e tolloviste dallga e detit. Dallgët u rritën dhe u përplasën me vrull mbi shkëmb, ku deti kish hedhur edhe shumë mbeturina të tjera. Në mëngjesin tjetër e pa veten në duart e ca fëmijëve të vegjël që po mblidhnin dru për zjarr.
Dega e mërzitur nga fundi i saj zuri të qajë. Asaj nuk i pëlqente të përfundonte si dru për zjarr e lotët i rrodhën çurg, por tashmë ishte vonë. Përfunduar në vorbullën e zjarrit në vatër, shumë shpejt u përfshi nga flakët dhe asgjë nuk ngeli nga krenaria dhe mburrja e saj e dikurshme.
(Skenarist: KUJTIM GJONAJ / Regjisor: BERTRAND SHIJAKU)
Sigal