Stela Matoshi: Ja si u përzgjodha “Mbretëresha e Evropës 2014”

126

PERSONAZH/ Flet për “Telegraf”, modelja dhe regjisorja e shumë spektakleve të bukurisë në Shqipëri dhe diasporë, Stela Matoshi.

Stela mbetet unike, si modele me shumë tituj por dhe si regjisore apo producente e shumë spektakleve të bukurisë brenda dhe jashtë vendit. Në fund të vitit 2014, në Brindisi të Italisë u mbajt evenimenti ndërkombëtar “The Queen of Europe” , ku morën pjesë 50 modele nga mbarë Evropa.  Në këtë event të rëndësishëm nga Shqipëria konkurruan 4 supermodele, Stela Matoshi, Klediola Loca, Ada Matoshi dhe Estela Ahmeti, drejtoresha e modeleve. Në përfundim të aktivitetit, Klediola u përzgjodh në pesëshen më të mirë, Ada tek 15 më të mirat, njëkohësisht dhe fitoi kontratë me një agjenci në Milano, ndërsa ajo që mori çmimin e parë, ishte Stela Matoshi nga Tirana. Duke pasur parasysh vendin ku u zhvillua si dhe kohën, ky mbetet një çmim i rëndësishëm jo vetëm për Stelën, por për mbarë ne shqiptarët. Stela u përzgjodh si “Mbretëresha e Evropës 2014” dhe është një privilegj i madh që një shqiptare të cilësohet e tillë. Për lexuesit e Telegraf, Stela tashmë është e njohur, pasi ne i kemi bërë të qarta rezultatet e saj, pasi ajo ka modeluar nëpër shumë evenimente.

 Stela, diçka për çmimin apo titullin e fundit dhe si je ndjerë në fund të vitit me një sukses të tillë?

Ishte vërtet një çmim që më gëzoi pa masë në prag të Vitit të Ri. Një  çmim apo titull që më surprizoi. Pra titulli që fitova quhet “The Queen Of Europe”, besoj ndër më të rëndësishmit në Europë.

 Si do ta përkufizonit këtë event?

 Është një event ndërkombëtar, ko morën pjesë rreth 50 vajza nga e gjithë Europa. Ky event u mbajt në Brindizi të Italisë ku ishin ftuar të gjitha agjencitë e modës si dhe shumë njerëz me famë të artit, pa diskutuar pastaj për gazetarët. Publiciteti ishte i madh, ashtu sikundër dhe interesimi i agjencive të modës. Dihet tashmë roli i Italisë për evente të tilla në këtë fushë. Mbetet një vend i padiskutueshëm për mënyrën e organizimit.

 Sa  çmime u ndanë në këtë event?

U ndanë 10 çmime, ku mund të themi se vajzat shqiptare ishin debutuese tepër cilësore. Unë triumfova dhe jam ndjerë shumë mirë për një çmim që përkonte me ardhjen e Vitit të Ri. Një çmim i parë në kohëkëmbimin e dy viteve 2014-2015.

 Pra, mund të themi se ju në këtë event u shpallët “Mbretëresha e Europës”?

Po, kështu do ta cilësoja.

 Çfarë përbën për ju ky çmim?

Ky çmim është shumë i rëndësishëm për mua, për faktin sepse jam shqiptarja e parë që marr këtë çmim dhe kjo më takoi mua. Evente të tilla janë pika kulmore për një modele profesioniste.

  Kohë më parë më keni thënë që nëse s’do ishit bërë modele, do ishit bërë një juriste e mirë. I qëndroni kësaj fjale?

Po, e ëndërroj. Ende ai mbetet një profesion i preferuar për mua dhe që të jep personalitet nëse do të dish të ecësh në krah të tij, po me aq personalitet.

 Me sa kemi folur janë shtuar mosmirënjohësit, është e vërtetë?

Nuk e di nëse janë shtuar, pro ndihem keq kur has njerëz mosmirënjohës.

 Femrat janë më shumë xheloze se meshkujt?

Nuk mund të them se kush janë më shumë por di të them se sot janë shtuar në numër dhe e vetmja gjë që duhet bërë është të heshtësh dhe të vazhdosh të punosh me forcë.

 Përveç shtypit shqiptar, këtij eventi kush i ka bërë më shumë reklamë?

Të gjitha mediat vizive vendase, por unë mund të them se këtë muaj në Itali do të jem kopertina e një reviste të famshme, më e madhja në fushën e modës dhe njëkohësisht do të jem imazhi i disa produkteve, po në Itali.

  Deri në këtë udhëtim, keni ndonjë peng?

Besoj se jo. Unë fitova një trofe të madh që besoj se rrallë femra e fitojnë. Rrugën e kam të hapur dhe koha besoj punon për mua.

 Me kë jeni miqësuar më shumë me librin apo me gazetat?

Me gazetat dhe mediat në përgjithësi. Jeta ime është e lidhur shumë me to. Ndihem mirë mes tyre dhe i japim kënaqësi njeri-tjetrit.

 Albert Z. ZHOLI