Spiro Xhavara: Lekli – vendbanim i lashtë 2400 vjeçar

661
“Lekëljotet të lashtë sa Lekli”.
Kam shkruar dhe vazhdoj të shkruaj poezi, prozë, monografi, ese etj, rreth 18 libra deri më tani. Prej vitesh punoj për një libër të plotë të kulturës, vlerave dhe traditave lunxhiote. Këtij libri voluminoz dy herë i kam shkuar deri në fund dhe i jam kthyer nga fillimi. Kur lexoj “Lekëljotët të lashtë sa Lekli” më duket sikur s’kam thëne asgjë, sepse Lunxhëria e prejardhjes sime dhe Rrëza, ku është dhe Lekli, kanë qenë dhe janë të njëjta në kulturë, besim, tradita e zakone, në marrëdhëniet e ngushta midis tyre dhe në shumë tregues të tjerë, sigurisht me ndonjë ndryshim të vogël që nuk prek aspak esencialen. Librin tepër interesant “Lekëljotët të lashtë sa Lekli” e lexova në Athinë, ku bashkë me familjen jetoj në emigracion, pasi më ra në dorë rastësisht, nga një lekëljote që shkruan me shumë ndjenjë poezi, por në veçanti për Leklin dhe lekëljotët. Të them të drejtën jam mrekulluar me punën aq të bukur të Miltiadh Muçit, i saktë, me shumë dashuri e nostalgji për këtë fshat të lashtë dhe njerëzit e tij në breza, punëtorë, trima, të ditur e kulturuar. Dua ta falënderoj autorin, edhe pse nuk e kam njohur më parë portretin dhe emrin e tij, për kënaqësinë e madhe që më ka dhënë. Duke e lexuar “Lekeljotët të lashtë sa Lekli” jo vetëm faqe më faqe, por dhe germë për germë, shpesh i rikthehem në shumë vende dhe në detajet interesante. Poetja nga Lekli nuk kishte kopje tjetër të më jepte edhe mua, por bëra fotokopje sepse libra të tillë i kërkoj me qiri, për ta pasur e shfletuar atë sa herë që do të më duhet. Është punë e përkushtuar e autorit, që rrallë e bën, ose më saktë, s’e bën dot tjetër kush. Prandaj i lumtë pena mikut të ri, Miltiadhit, dhe Zoti t’i japë shëndet për të bërë shkrime të tjerë të nevojshëm, të dëshiruar si “Lekëljotët të lashtë sa Lekli”. Ky është një studim i vërtetë i origjinës së Leklit, që, edhe pse flitet për historinë e një fshati me territor të vogël, përbënë një pjesë të rëndësishme të historisë së Shqipërisë. Si vendbanim i lashtë i shek. IV-III para Krishtit. Ai ndodhet në pozicionin gjeografik strategjik, ku bashkohet Vjosa me Drinon, në faqen jugperëndimore të malit të Golikut, dikur me emrin Asnau, dhe që është hyrja apo porta për në thellësi të luginës së Drinos e më tej të Epirit. Kalaja e Leklit, që ndodhet në lartësinë 700 m mbi nivelin e detit, ka qenë e ndërtuar jo vetëm si vendbanim për popullsinë vendase, por dhe fortesë, që kishte nën kontroll krahun jugor të ngushticave të Këlcyrës e Antigonesë. Në momente të caktuara, ajo ka luajtur rol tepër të rëndësishëm në luftimet e ilirëve me epirotët, të ilirëve me maqedonasit dhe romakëve me maqedonasit. Rëndësia e punimit shtohet, sepse nuk përmban thjesht dhe vetëm ngjarje të periudhës së lashtësisë, por edhe të pushtimit osman, sidomos të Pashallëkut të Janinës, kur figurat lekëljote kanë luajtur rol të veçantë, nisur nga pozita që zinin pranë Ali Pashë Tepelenës, duke u bërë faktorë me vlera në formimin de fakto të shtetit shqiptar, në tentativë për t’u shkëputur de jure nga Perandoria Osmane. Ai përmban histori të pasur me ngjarje dhe protagonistë të fillimviteve të Rilindjes Kombëtare deri në shpalljen e pavarësisë dhe me radhë në periudhën e monarkisë, të Luftës I e II Botërore, nga të cilat Lekli e banorët pësuan vetëm shkatërrim e skamje, pavarësisht se aty vazhdohej të jetohej dhe punohej. Edhe pse shumica e lekëljotëve, si pasojë e ngjarjeve të zhvilluara, u larguan nga Lekli, për t’u vendosur brenda dhe jashtë vendit, ata në çdo kohë menduan e mendojnë për Leklin, duke dashur të jetojnë dhe ta zhvillojnë atë, sepse në territorin e tij ka objekte me vlera të trashëgimisë kulturore. Në punim trajtohen dhe probleme sociale e shoqërore të Leklit e lekëljotëve; të besimit ortodoks që e ruajnë me vendosmëri, të arsimimit të lekëljotëve, kur në vitin 1860, si në gjithë krahinën e Rrëzës, atje u hapën shkollat e Zhapës, me qëllim që nëpërmjet greqishtes të mësohej shqipja dhe fëmijëve e të rinjve t’u krijohej mundësia të studionin më tej në Zosimea të Janinës, apo shkolla të tjera të mesme dhe universitare; për emigrimin; traditat e zakonet; veshjet e folklori; por edhe për artin, kulturën dhe sportin. Në këtë punim rëndësi u është dhënë njohjes së figurave të shquara atdhetare e patriotike dhe jetës shoqërore në të gjitha periudhat, shumë prej të cilëve personalitete të kombit. 
Kopertina e librit “Lekëljotët të lashtë sa Lekli”
Kisha e Profetit Ilia në qendër të Leklit, ku ndodhet edhe varri i Thanas Vajës
Pjesa verilindore e murit të kalasë së Leklit
Sigal