Spiro Mëhilli/ Si funksiononin shtëpitë publike në kryeqytet dhe çmimi i seksit

2351
Sigal

Historitë e mistershme, befasia e popullit dhe vendndodhja e Bordellove të Tiranës

Edhe Tirana si shumë qytete në mbarë botën nuk mund të shpëtonte nga plaga e prostitucionit, dukuri e lindur që në hapat e para të njerëzimit. Nuk mund të them se kur ekzaktësisht ajo filloi. Interesant është një fakt se shtëpia e parë publike në Shqipëri është

hapur në vitin 1912 në një fshat të rrethit të Gjirokastrës. Përsa i përket Tiranës, në vitin 1927, kur qyteti kishte jo më rreth 17000 banorë, jo vetëm që diskutohej prostitucioni por dhe problemi I ngritjes së Shtëpive Publike. Ja një dokument i publikuar në Fletoren Zyrtare[116] ku thuhej:

Nga raportet e mjekëve zyrtarë që ka pasur Drejtoria e Përgjithshme e Shëndetësisë, kuptohet se gratë e përgjithshme që përdorin profesionin e prostitucionit tinëzisht janë shumue tepër e se tue mos u shtrue vizitimit mjekësuer, janë tue ngjitë sëmundje plot rreziqe e dëme në popull. Si dihet mirë, sëmundjet që përhap kurvënia e mshehtë janë aq të

rrezikshme për popull, sa po të mos merren masa paraprake me kohë, arrijnë

në një kohë që s’mund t’i luftosh sidomos në vendin tonë ku mungojnë

sendet e shërimit. N’interes të shëndetësisë së popullit, pra porositeni që duke i dhënë

rëndësi krejt të veçantë çështjes, t’aplikoni dispozitat e rregullores së kurvënisë e përcjellun me qarkoren Nr. 2286. 191 me 1.3.1922, dispozita të cilat po të studjohen mbas domethënies së tyre si e lyp nevoja, mjafton me rregullue prostitucionin dhe me kët me ndal hovin përhapës s’asilloj sëmundjeve që shkretojnë popullin tue i prue në nji dezhenerim të plotë.

Me këtë rast u kujtojmë se gratë që ushtrojnë profesionin e prostitucionit msheftazi, simbas artikullit 5 të rregullores sipërthanur duhet të mblidhen në një shtëpi të përgjithshme që të mbahen për atë qëllim, ose në mos qoft e mundur kjo, të mblidhen e të mbahen në një lagje a rrugë të veçantë të qytetit, që kështu tue kenë tok të munden me qenë nën survejimin e lehtë

t’autoriteteve e të vizitimit mjekësuer. Organet kompetente si Bashkia, Policia e Gjendermaria duhet të kenë interesin ma të gjallë për të marrë informata mbi prostitutat që ushtrojnë profesionin me sëmundje dhe posa të diktojnë ndonjë prej tyne, me një herë

ta detyrojnë me u paraqit nëpër ambullancat Bashkiake duke veprue mbi ta

simbas porosinave që ka me ba Mjeku i Bashkisë”.

 

Gazeta “ORA”

Gazeta “ORA” e korrikut të vitit 1930[117] ngrinte problemin e Shtëpisë së Përgjithshme (lexo publike S. M), që ishte afër policisë. Sipas saj: “Ajo duhej të largohej nga ai vend dhe nuk duhej t’i bëhej publicistikë, sepse ishte kundër moralit dhe zakoneve shqiptare”. Po atë problem ngrinte dhe gazeta “Zëri i Korçës” [118] . Ajo shkonte dhe

më larg, duke thënë se: “Në çdo lagje dhe në çdo qendër ose në mes të qytetit janë shtëpi publike të cilat shëmtojnë kryeqytetin dhe demoralizojnë rininë. Por ajo më e ndyra është shtëpia publike në treg pranë Policisë së Qendrës, e cila veç asaj, është dhe kundrejt punëtorisë ushtarake kubanojnë dhe punojnë një togë djelmosha të punëtorisë në fjalë, të cilët sadoqë të ruhen nga gratë e liga, është e pa mundur, se i kanë ditë e natë para sysh dhe i shëkojnë të rrinë gjithë ditën ose gjithë natën të shtrira nëpër krevatet e nëpër penxheret duke bërë muhabet. Vallë djelmoshat në lulen e djalërisë që i shohin këto, ç’bëjnë? Pa fjalë se mësojnë dhe ata vesën ekeqe, dhe kështu merret më qafë rinia shqiptare. Prandaj kujtojmë kompetentët bashkiakë ose Qeverisë t’i zhdukin shtëpitë publike nga Qendra dhe t’i vendosin si gjithë bota jashtë qytetit dhe po të jetë e mundur të gjitha në një vend për hirin e rinisë shqiptare që është duke u demoralizuar”. Nuk diskutohet që prostituta jo vetëm Tirana por dhe qytetet e ndryshme të vendit tonë ka pasur, por të çudit fakti që numrii shtëpive publike paska qenë i madh, në një qytet, që atë vit numëronte 30000 banorë. Megjithatë, dhe ata nuk mund ta ndalonin ose ta frenonin prostitucionin, por rekomandonin që shtëpitë  publike të përqendrohen në periferi.

Po në periferi djemtë, nuk do shkonin?

Besoj më shumë, sepse do ishin larg syve të prindërve ose të njohurve. Prostitucioni është “zanati” më i vjetër që ka lindur në tokë, kështu që as u ndalua dhe as mund të ndalohet, vetëm për hire të së vërtetës, duhet të frenohet. Me ardhjen e italianëve[119,120] u hapën Shtëpitë Publike ndoshta në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, që banorët i quanin Bordello ose Kuplara. Po evidentoj disa prej tyre: Njëra ndodhej në Rrugën “Kont Urani”, pesë hapa larg Radio Tiranës, në ndërtesën e Beqir Kallçiut, deri në atë kohë Hotel “Splendid”. Ajo kishte tre kate, konceptuar tip moteli. Aty shkonin çifte, që paguanin për dhomën dhe kohën e ndenjes, si dhe në kohën e pushtimit, ushtarë italianë, që prisnin radhën për t’u futur. Pronare ishte një grua e quajtur Hamide. Në aparencë, ajo mbante emrin Kazino “Ferraro”.

Shtëpia e dytë publike ndodhej te rruga e burgut të vjetër, në një ndërtesë me dy kate, aty ku tani ndodhet Hotel “Kruja”. Klientët paguanin dhe u caktohej dhoma se ku do të shkonin, pa ditur se me cilën femër do kishin të bënin. Kur prostitutat ishin të zëna, ata

detyroheshin të prisnin. Koha e caktuar, ishte një orë. Shtëpia e tretë publike ndodhej në Brrakë, në një ndërtesë me tre kate, aty ku ndodhet një shkollë 9 vjeçare. Ajo, në atë kohë, quhej “Vila Lajla”. Aty tregoheshin fotot e prostitutave dhe klienti zgjidhte atë që dëshironte. Çmimi lëvizte nga njëra femër te tjetra. Shtëpia e katërt publike ka qenë në Rrugën e Dibrës, kundrejt shkollës “Bajram Curi”, ndërtesë me dy kate, e pa suvatuar, por e gjelbëruar, në atë kohë me kacavjerrëse. Pronar i saj ka qenë Fuat Halimi, që në dukje e mbante si “Cafe Chantant Paris”. Kati i parë përbëhej nga një sallë e madhe, me në krye një skenë të vogël, ku qëndronte orkestra me violinistin virtuoz, Naxhi Berati, që shoqërohej nga katër jevga me dajre. Në atë lokal, sikundër thotë Beqir Ajazi[121], pihej vetëm “Cordon rouge”, dhe boshatiseshin xhepat prej 25-30 vajzash malazeze, që ishin nga 14 deri 18 vjeçe.

Ai lokal ishte i aristokracisë dhe i parellinjve. Shtëpia e pestë publike ka qenë te  Tabakhania”, ashtu quhej ndërtesa publike në të majtë të Urës së Tabakëve. Në përgjithësi prostitutat ishin vajza nga Tirana, Korça, Shkodra dhe qytete të tjera të Shqipërisë, por nuk mungonin italianet, hungarezet, malazezet, rumunet, apo austriaket. Shtëpia e gjashtë publike ka qenë te “Varri i Bamit”, por ishte me jevga të kategorisë së ulët. Kishte dhe parelli që mbanin jevga dashnore, bile i jepnin vila si dhuratë Në bazë të çmimit, fitimi në këto shtëpi prostitucioni ndahej në këtë mënyrë: prostituta merrte 40%, pronarja 30% dhe shteti 30%. Në farmaci shiteshin prezervativë, që në të rinjtë njiheshin me

emrin “kapota”. Pakoja kishte 5 copë dhe kushtonte 5 lekë. Thuhet, se në ato vite, kur burri e gjente gruan me të dashurin, ajo hidhej në gjyq për tradhti bashkëshortore dhe një nga format e dënimit ka qenë mbyllja në bordello për dy deri tre vjet. Prostitutat kontrolloheshin nga Kadri Kërçiku, mjek i diplomuar në Vjenë, për Dermatologji dhe Sëmundje Veneriane, si dhe mjekët e tjerë dermatologë që punonin në Tiranë, në mënyrë që të parandaloheshin gonoreja (skollomento) dhe sidomos sifilizi (frengjyzi, perdeleci), që ishin problem në atë kohë, për më tepër që Shtëpitë Publike frekuentoheshin në masë nga ushtarë italianë. Prostituta jashtë shtëpive publike, gjeje me shumicë në Brrakë. Ajo zonë ka qenë mbushur me pijetore, që banorët e Tiranës i quanin “Mejhane”. Ato përpara kishin tavolina e karrige, e ku si kameriere shërbenin evgjitë, të cilat ishin mjaft të bukura dhe të pastra. Kur klienti kishte dëshirë, kalonte në dhomë që mbahesh apostafat për seks. Në fund të Rrugës së Durrësit ishte Kafe “Vera”. Dum Dallia, pronari i saj t’i afronte vet jevgat e bukura. Në qendër të Tiranës, përbri “Bankës Kombëtare” ka qenë një ndërtesë që shërbente si fole prostitutash. Ligjin e bënin dy motrat, Nina dhe Roza. Me ato lidheshin prostitutat që vinin nga rrethet dhe ushtronin zanatin. Kafe “Zorra”, në fillim të Rrugës “Gjin Bue Shpata” ose e Shkodrës, kishte muzikë dhe evgjiçka të bukura. Edhe këtu ushtrohej prostitucioni.

Në lidhje me frekuentimin e shtëpive publike, nuk bënin përjashtim dhe të martuar. Gratë çirrnin faqet e thoshin: “Pu, pu, pu,po na i marrin burrat. Pale, dalin dhe ashtu, pa të mbathura”. Ato më të civilizuarat ia kthenin: “Pse pa italjankat keq kanë qenë? Te evgjiçkat  e Brrakës e kanë pasur kokën. Janë më të nxehta se ne”.