Spiro Mëhilli: Kino-Teatër “Savoia”, vendi i koncerteve dhe gjyqeve speciale. Historia 80-vjeçare e Teatrit Kombëtar

668

PËRKUJTIMI/ Me rastin e 80 -vjetorit të godinës së Teatrit Kombëtar

Kino-Teatёr “Savoia”, vendi i

koncerteve dhe gjyqeve speciale

Nga Spiro Mёhilli

 

Nё Tiranё kishte rreth dy dekada qё nё sallat ekzistuese tё Kinema-Teatёr “Nacional”, “Gloria” dhe “Rozafat” shfaqeshin pjesё tё ndryshme teatrore nga grupe tё ndryshme amatore nga kryeqyteti dhe rrethet. Me kohё ishte hedhur ideja e krijimit tё njё teatri kombёtar dhe kёrkohej sallё e ngritur posaçёrisht pёr kёtё aktivitet.

 

Nё kёtё kuadёr, më 6 janar 1939, nё qendёr tё Tiranёs, filloi ndërtimi i njё kompleksi kulturor, nën patronazhin e Naltë të “Zog I”, Mbret i Shqipërisë. Punimet u ndoqёn nga Ministri Punëve të Jashtme të Shqipërisë dhe ministri Italisë në Tiranë. Kryesia, që u krijua pёr kёtё punё, u ndihmua prej një Këshilli Konsultues italo-shqiptar, i përbër nga 24 vetë, t’emëruar nga kryesia. Selia qendrore e kёtij rrethi, shtrihej në një truall prej afro 13000 m2, nga të cilat 7000 m2 të mbuluara nga godina, ndërtesa dhe instalime të ndryshme. Punimet u kryen nga firma milaneze “Pater”. Në vitin 1940 pёrfundoi sё ndёrtuari Kompleksi dhe u quajt: Rrethi Italo-Shqiptar Skanderbeg” Ai përbëhej nga Kinema-Teatër Savoia”, vlerësuar sallё e kategorisë së parë, me kapacitet për 800 shikues. Aty u shfaqёn filma, pjesë teatrore, opera, opereta e koncerte. Ndërtesa kishte një sallon të madh e të bukur, me garderobë dhe në të majtë, tualetin. Në ballë vinte hyrja e mbyllur me perde të trasha, e më pas, salla dhe llozha me tre kate, ku çdo kat përbëhej nga dhoma të vogla, përjashto pjesën qendrore në katin e dytë, që ishte për drejtuesit e shtetit, si dhe skena. Karriget ishin kolltukë të veshur me kadife ngjyrë tulle. Përbri ndërtesës që përshkruam, ndodhej një ndërtesë e dytë, me të njëjtën pamje nga jashtë, e ku kishte salla për pritje, bibliotekë, klub, bufe, salla vallëzimi dhe lojërash. Të dy ndërtesat lidheshin me ndërtesë një katëshe, që shërbente si palestër. Përballë kësaj ndërtese e në mes te dy ndërtesave të para, ndodhej pishina me madhësi 25 me 10 metra dhe me thellësi maksimale 3 metra. Drejtor i pёrgjithshёm ishte njeriu fisnik Koço Janku. Salla u promovua më 10 mars 1940 me filmin italian “Un aventura di Salvador Rosa”, i ENIC. Aty interpretoi artisti i njohur Gino Cervi. Operator i parё ishte Andrea Mёhilli. Me 10 tetor 1941 Kinema-Teatër “Savoia” u mbyll për restaurim dhe u hap më 2 dhjetor po të ati viti. Fatkeqësisht në shkurt të vitit 1942 ra zjarr dhe ndërtesa pësoi dëme të mëdha. U punua natë e ditë dhe më 13 mars 1943 ajo u hap për artdashësit me kryeveprën italiane “Zinxhirë të padukshëm”, që mbetet një nga kryeveprat e kinematografisë italiane, ku spikati loja e Alida Vallit, pёr tё vazhduar me filmat “La milizia territoriale”, “La gloriosa aventura”, “Oltre l’amore”, “Vendeta”, me aktorin e madh Boris Carloff; “Tre vajzat e shkathta rriten”, “Ura e psherëtimave” etj.. Përsa i përket shfaqjeve teatrore, pёr tё cilёn dhe u ndёrtua, më 28 janar 1940 u dha koncert në piano, nga zonjusha Anna Rosa Taddei. Mё 2 dhjetor 1941, në Stinën Lirike të Vjeshtës, u dha opera “Toska”. Të nesërmen, me 3 dhjetor, u dha opera “Traviata”. Më 12 dhe 13 shtator 1942, grupi filodramatik i Shoqatës Antoniane të Shkodërs shfaqi dramën: “Oso Kuka”, me 5 akte te autorit Zef Arapi. Kështu në shtator-tetor të vitit 1941 në Tiranë erdhi ajo që quhej: “Karro Tespi Lirik”.  Më 14 korrik 1943 grupi filodramatik i mikrofonit të radios shfaqi: “Strazivari”, dramë e Galenos, me një akt; “Peshku në det”, komedi salloni nga Saskari, dhe “Osman Opingaxhiu”, komedi lokali nga Viktor Eftimiu. Drejtoria e teatrit për të shmangur konfuzionin dhe për të disiplinuar shikuesit bëri të ditur se: “Për të evituar çrregullimet në sallë, zotërinjtë e biletave janë të lutur të vijnë 15 minuta përpara fillimit të shfaqjes”.

Kinema-Teatër Kosova

Në muajin korrik 1943, me ardhjen e ushtrisë gjermane në vendin tonë, Kinema-Teatër “Savoia” u kthye në Kinema-Teatër Kosova”. Nё pranverёn e vitit 1944, pёrpara pishinёs u hap Kinema Verore, ku u shfaqёn filma tё ndryshёm. Më 22 shtator 1944, ora 16 e 30, në Kinema-Teatёr “Kosova”, u mbajt një manifestim i madh artistik i këngës popullore. Aty morën pjesë: Merita Sokoli, Liza Varfi, Behie Çela, Anxhelo Monti-Franko. Orkestra e madhe u drejtua nga mjeshtri Fiori dhe orkestra popullore u drejtua nga mjeshtri Dungu. U kënduan këngë moderne, spanjolle dhe u dëgjua muzikë popullore. Grupi i rinisë antifashiste, fill pas çlirimit tё Tiranёs nga pushtuesit gjermanё, pastroi sallën dhe dy ditët e para të dhjetorit 1944 u shfaq drama “Partizanët” e Fatmir Gjatës. Provat u bënë në Priskë, në një mjedis të improvizuar. Gjithçka ishte vendosur në Kongresin e Përmetit më 24 maj 1944, ku ishte hedhur ideja për themelimin e Teatrit Popullor. Nё atё kohё, pёr njё periudhё njё mujore, drejtor i komanduar u emёrua Vangjel Mёhilli. Pas çlirimit, paralelisht me filmat, u shfaqen dhe pjesë teatrore.

“Gjyqi Special i Tiranës”

Nga mesi i muajit janar 1945, nën drejtimin e regjisorit Sokrat Miho dhe me pjesëmarrjen e aktorëve Andon Pano, Besim Levonja, Naim Frashëri, Lazar Filipi, Kadri Roshi, Andrea Malo, Prokop Mima, Nikolla Panajoti, Mihal Popi e Drita Kripa (Pelingu), u krijua teatri profesionist i quajtur grupi teatror profesionist i shtetit. Më 2 mars 1945, në sallën e Kinema-Teatër “Kosova” u zhvillua “Gjyqi Special i Tiranës”. Gjithçka ndodhte në sallë, transmetohej nga dhjetëra altoparlantë, për kureshtarët e shumtë, që qëndronin jashtë. Sipas shtypit të kohës, në bankën e të akuzuarve u ulën 60 vetë, një pjesë e të cilëve pjesëmarrës në Qeverinë Kuislinge, udhëheqës të Ballit Kombëtar dhe të Legalitetit. Ja disa prej tyre: Javer Hurshiti, Fejzi Alizoti, Kol Tramora, Kostandin Kota, Terenc Toçi, Bahri Omari (i kunati i Enver Hoxhës); Beqir Valteri (atentatori i Ahmet Zogut), gjeneral Aqif Përmeti e shumë të tjerë. Gjyqi vazhdoi 43 ditë. Në fund, 17 vetë u dënuan me pushkatim dhe 23 vetë me burgime të rënda. Të tjerët, nga 1-10 vjet burg. Rreth 90% e të dënuarve ishin diplomuar në Universitetet më të mira të Evropës Perëndimore. Më 24 prill 1945, nё Tiranё erdhi grup teatror nga Mali i Zi dhe shfaqi dramën folklorike me këngë e valle popullore jugosllave “Gjido”, veprën e autorit Janko Veselinoviç. Shfaqja u dha pesë ditë rresht. Më 1 maj 1945, grupi i sindikatave të kryeqytetit me rastin e festës së 1 majit 1945, shfaqi dramën historiko-kombëtare “Hakmarrja Shqiptare”, me tri pamje, me ngjarje të zhvilluar në Gjirokastër.

Teatri profesionist

Mё 24 maj 1945, sallёs iu vu emri “Teatri profesionist”, dhe nën drejtimin e Sokrat Mios e me pjesëmarrjen e aktorëve të shkollës dramatike, u shfaqёn komedia “Topazi”, e shkrimtarit francez Marsel Panjo, dhe “Halla e Karlit”. Pёr shfaqjet teatrale nё ndryshim me ato kinematografike, rreshtat e parë vlerësoheshin si klas i parë, pasi spektatorët qëndronin më afër skenës dhe dëgjonin më mirë fjalët e dialogët, ndaj atyre që zinin vende nga mesi ose nga fundi, megjithëqë akustika ishte në lartësinë e duhur. Me 1 dhe 2 nëntor 1945, në këtë sallë u mbajt Kongresi I për krijimin e organizatave sindikaliste. Anastas Plasari drejtor i Entit Kinematogrfik Shqiptar dhe i Kinema-Teatër “Kosova”, diskutoi me kurajo dhe propozoi që në statut të vendosej e drejta e punëtorëve për grevë. Nё shkurt tё vitit 1948, Komisioni i Planit tё Shtetit nё mbёshtetje tё nenit 1 tё vendimit nr. 314 dt.22 shkurt 1948 tё Qeverisё sё RPSh. nxori çmimet unike tё biletave tё kinemave, qё hyri nё fuqi mё 15 maj 1948, ku pёr Teatrin Popullor dhe kinema “17 Nёntori”, qё vlerёsohej e kategorisё sё parё, ishin: llozha, 15 lek; klasi I, 15 lekё dhe klasi II, 10 lekё. Interesant ёshtё fakti se sipas njё relacioni dёrguar Komitetit tё Artit e tё Kulturёs nga Koço Marku, sallat e kinemave sidomos nё kryeqytet kishin klientelё tё caktuar, kёshtu salla e Teatrit Popullor frekuentohej mё shumё nga autoritetet dhe nёpunёsit, sikundёr kinema “17 Nёntori” prej ushtarёve dhe njerёzve me familjet e tyre dhe prej shtresёs sё ulёt tё popullit. Nё vitin 1951 Kinema Teatёr “Kosova” u kthye zyrtarisht nё “TEATRI POPULLOR” dhe nga ajo kohё filloi tё shfaqte vetёm pjesё teatrore. Nё mars tё kёtij viti, salla e Teatrit Kombёtar  festoi  me protesta dhe me dhimbje  80 vjetorin e ndёrtimit dhe  projektin  ogurzi për shkatërrimin e saj.