Spektakël dhe plazh në Sarandë, gushti muaji i turizmit kulturor

739
Sigal

Ja çfarë aktivitetesh kulturore u zhvilluan këtë muaj në qytetin turistik

Vera e këtij viti do të mbahet mend për aktivitetet kulturore që nuk kishin të krahasuar me asnjë vit tjetër. Artistët shqiptarë gjatë kësaj periudhe kanë zbritur në skenat sarandiote njëlloj si në shtëpitë e familjeve të tyre, ku vazhdimisht janë pritur me duartrokitje. Ata e kanë ndjerë veten aty, njëlloj si në qytetet e tyre, ku mikpritja dhe respekti kanë qenë të jashtëzakonshme. Ja cilat qenë disa nga  produktet kryesore që kanë shoqëruar sezonin kulturor, “Verë 2013”. Kështu në fillim të sezonit dhe pikërisht nga data 27 deri më 29 qershor, ka nisur Festivali i Këngës dhe Valles për Çamërinë, në edicionin e 7-të saj. Këtu në këtë festival, ku patoi me qindra pjesëmarrës shkëlqeu talenti i artistëve çamë që trajtuan tematika të mëdha nëpërmjet një forme të përsosura artistike. Megjithatë, rreth 20 ditë më vonë dhe konkretisht nga data 18 deri më 23 korrik u rikthye si vlerë e shtuar Festivali Ndërkombëtar i Teatrove në Butrint, në edicionin e 12-të. Shfaqja me maska “Si engjëjt në qiell”, e kompanisë eksperimentale të ardhur nga Bergamo e Italisë, në shëtitoren e qytetit pati një sukses të jashtëzakonshëm. Këtu padyshim duhet shprehur keqardhja që trupat shqiptare të vendit tonë për arsye financiare munguan në këtë eveniment.

Dhe duke vijuar me kronologjinë, duhet thënë se më 27 korrik u organizua, koncerti instrumental për piano e violinë, i titulluar,  “Me tingujt klasikë pranë kaltërsisë së Jonit”, në mjedisin e hapur të kinemasë verore “Milenium”. Me pjesëmarrjen e Drin Kabo – violinë, Andi Alime-maj – violonçel, Zamir Kabo – piano, Anamaria Beq, piano. Pastaj, 4 ditë më pas dhe konkretisht më 1 gusht u organizua çelja e ekspozitës vetjake të piktorit sarandiot, Nikollaq Dhima, në galerinë “Art Saranda”. Kjo ekspozitë vijoi të mbetej e hapur për disa ditë.  Pastaj, një event tepër i veçantë ishte Festivali i Akuatikës, që u zhvillua nga data 3 dhe 4 gusht, me praninë e jashtëzakonshme të rekordmenit botëror, zhytësit dhe peshkimit në apnea, italianit Marco Bardi. Por padyshim, më shumë pjesëmarrës mblodhi spektakli “Summer Fest” & “Portokalli” që u zhvillua më 9 gusht dhe tërhoqi interesimin e mijëra spektatorëve, që rrethuan skenën e ngritur mbi rërën e Plazhit “Rinia” dhe morën kënaqësinë e një spektakli live. Pastaj sipas organizimeve kronologjike, më 10 dhe 11 gusht ndodhi zhvillimi i kampionatit të “Streetboll Saranda”, në edicionin e tij të dytë, në terrenet e reja sportive pranë kompleksit sportiv “Aleko Dajko”. Dhe programi argëtues veror vazhdoi me çeljen në mjediset e Qendrës Ditore Polivalente e ekspozitës “Reportazh figurativ”, më 13 gusht, me punë në grafit të një grupimi prej 10 piktorësh të huaj e shqiptarë, që i përkasin rrymës ekspresioniste. Kjo ekspozitë udhëtimin nëpër kryeqytetet ballkanikë e nisi nga Saranda, duke i dhënë qytetit tonë një tjetër konfirmim si “kryeqytet veror” i shqiptarëve. Pastaj, 4 ditë më vonë dhe pikërisht më datën 15-17 gusht, shënohet Panairi i Dytë i Suvenireve Turistike, përgjatë shëtitores së Sarandës, me pjesëmarrjen e rreth 50 subjekteve prodhuese dhe tregtuese të suvenirëve turistike nga disa qytete të vendit si dhe nga shqiptarë të Kosovës e Maqedonisë. Ndërsa më 16 gusht u hap ekspozita vetjake e piktorit sarandiot Kristaq Papa, e cila do të vazhdojë të shikohet nga turistët deri më 30 gusht.

Më tej, më 18 gusht u çel, ekspozita e parë e Antikuareve, në mjediset e Muzeut të Traditës, e para e këtij lloji, me objekte të kulturës materiale të popullit, të shpëtuara nga shkrirja për skrap, nga gjurmuesi dhe mbledhësi i tyre Petrit Myrtaj. Edhe ky eveniment do të vazhdojë deri më 30 gusht. Ndërkaq, gjatë mbrëmjeve të muajit gusht Saranda është kthyer në një skenë të hapur koncertesh e spektaklesh dhe veprimtarish, realizim i forcave krijuese dhe interpretuese lokale: të Qendrës Kulturore, të bibliotekës së qytetit, që nuk ka pritur inaugurimin, të Teatrit të Kukullave dhe Aktrimit. Këto veprimtari janë zhvilluar periodikisht mbrëmjeve, në platformën përpara Muzeut Etnografik të qytetit dhe janë ndjekur masivisht, pa asnjë detyrim financiar, nga qytetarë dhe pushues gjatë muajit gusht.

  

Arkeologët shqiptarë zbulojnë anijen tregtare të shekullit të parë në Durrës

  Arkeologët shqiptarë sapo kanë bërë një zbulim me rëndësi në detin Adriatik. Ata kanë gjetur në Kepin e Palit dhe në zonën përballë Durrësit amfora dhe ngarkesat e një anijeje tregtare të shekullit II dhe I para erës së re, të cilat japin dëshmi të rralla të lidhjeve ekonomike që kishte bregdeti adriatiko-jonian me atë spanjoll dhe afrikan. Instituti i arkeologjisë po identifikon shkencërisht tani objektet e gjetura pa ndihmën e kolegëve të huaj. Ky është zbulimi i parë i këtij lloji në detet shqiptare ndërsa është i 18 në botë. Sipas specialistëve, gjetjet e fundit në Durrës hedhin dritë mbi një rrugë të re tregtare në dete. Teoria e parë mbi lëvizjet e anijeve është drejtimi perëndim – lindje; nga bregdeti italian drejt atij ilir, rruga e dytë është lëvizja e anijeve veri – jug; nga bregdeti kroat drejt atij ilir apo italian. Profesor Adrian Anastasi, drejtues i arkeologjisë nënujore shqiptare, thotë se zbulimet e fundit po forcojnë idenë e një trajektoreje të re – nga jugu në veri, bazuar nga pozicioni i mbytjes së anijes dhe nga tipi i amforave të gjetura. Specialistët pohojnë se dendësia e lartë e zbulimeve arkeologjike në detet shqiptare hedhin poshtë si të pavërteta hamendjet e zmadhuara për një pirateri të fortë ilire, përkundrazi, transporti dhe tregtia është shumë e zhvilluar dhe e pashqetësuar nga sulmet detare në asnjë nga rrugët detare të kryqëzuara nga çfarëdo drejtimi. Lloji i spirancave të gjetura në Durrës është gjithashtu një tregues bindës për këtë zhvillim të gjerë tregtie. Arkeologët shqiptarë vazhdojnë kërkime sistematike dhe intensive me nismat e veta dhe me ndihmën e kolegëve nga Italia. Zbulimet e tyre kanë befasuar qarqet shkencore ndërkombëtare. Arkeologjia shqiptare i ka të gjitha kapacitetet njerëzore për të vazhduar më tej kërkimet shkencore, por natyrisht i nevojitet një mbështetje teknike më e madhe për të ndriçuar fakte të panumërta historike që gjenden nën tokën dhe nën detet e Shqipërisë.