Sot nderohen “Personalitete të Labërisë”

598
Sigal

Sot më datë  19 prill, ora 11:00, në ambientet e Ministrisë së Kulturës, Shoqata Kulturore Atdhetare “Labëria”  do të zhvillojë një aktivitet krejt të veçantë, do të nderojë me titujt e lartë “Personalitet i Shquar i Labërisë” Prof. Birçe Hasko, Dr. Moikom Zeqo dhe Agim Çiraku  investitor, biznesmen si dhe botues i gazetës “Telegraf”, ndërsa me titullin “Mirënjohje e Labërisë”, z. Saimir Strati, Eno Peçi dhe Novruz Dervishaj. Kjo veprimtari është në vazhdën e aktiviteteve të shumta që po zhvillon kjo shoqatë në prag të Kuvendit të saj të V-të, që do të mbahet në datat 24-25, maj 2014, në qytetin muze të Gjirokastrës. Këto vlerësime bëhen për të përcjellë tek brezat respektin që duhet të kenë të rinjtë, por dhe gjithë krahina e Labërisë për intelektualët që e nderojnë dhe që marrin pjesë aktive në aktivitete me karakter patriotik,  ruajtjen dhe përhapjen e traditave, dokeve, zakoneve të kësaj treve me histori të madhe.

“Personalitet i Shquar i Labërisë”

Birçe Hasko është lindur në Dukat të Vlorës në 15 mars 1942 është aktor i njohur shqiptar. Mbas mbarimit të shkollës së mesme punon si mësues në Memaliaj, ku dhe angazhohet me trupën e Estradës Amatore të qytetit. Në vitin 1965 fillon studimet për aktor në Institutin e Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve). Mbas diplomimit mbahet pedagog pranë këtij Instituti, punë të cilën e vazhdon edhe sot, duke dhënë lëndën e Mjeshtërisë së Aktorit. Për punën e tij akademike i është dhënë titulli “Profesor” . Në teatër ka interpretuar mbi 12 role… Në vitin 2002 merr titullin “Mjeshtër i Madh” dhe po këtë vit shpallet “Qytetar Nderi” i Orikumit. Birçe Hasko ka luajtur në më shumë se 30 filma.

Moikom Zeqo është lindur më 3 qershor 1949, në qytetin e Durrësit. Më 1971 është diplomuar në Universitetin e Tiranës për filologji dhe letërsi. Më vonë është diplomuar për histori dhe arkeologji si dhe ka bërë studime pasuniversitare në Romë, në Athinë dhe në Vvashington D.C.. Ka punuar si redaktor letrar në gazetën “Drita” dhe arkeolog dhe specialist i artit të lashtë pranë Akademisë së Shkencave. Është Doktor i Shkencave dhe mban Urdhrin e Lartë “Mjeshtër i Madh”. Është autori i 62 librave me poezi, prozë, studime arkeologjike, për historinë e artit, si dhe të një numri skenarësh për filma kinematografike e televizivë me karakter arkeologjik dhe kulturor.

AGIM ÇIRAKU është lindur në 31.05.1958 në Tiranë.  Familja e tij e ka origjinën nga Vërmiku, djali i Seitit dhe Miros. Rrjedh nga një familje patriotike e cila ka qenë e lidhur fort me luftën nacional-çlirimtare e shquar në luginën e lumit të Vlorës.

Ka mbaruar UT Dega Inxhinieri Mekanike në vitin 1992 si dhe Fakultetin Juridik dhe Akademinë e Lartë të Ministrisë Brendshme. Ka kryer disa detyra të rëndësishme në administratën publike si Drejtor Drejtorie në Kryeministri, Drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve, Drejtor i Përgjithshëm i Qarkullimit Rrugor në Ministrinë e Brendshme etj. Sportist dhe aktivist i papërtuar për çështjen e Labërisë dhe mbështetës i pakursyer i saj.   Ortak i shoqërisë “Albit – Diabra” SH.P.K, si dhe botues i gazetës “Telegraf”. Aktualisht është edhe President i Federatës Shqiptare të Notit.

. Mirënjohje e Labërisë”

 Saimir Strati

Është një ndër piktorët shqiptarë, i cili ka tashmë 7 rekorde Gines. Me origjinë nga Vlora, e veçanta e Stratit është krijimi i mozaikëve me korra kafeje, gozhdë dhe sende të tjera që kanë tërhequr vëmendjen e gjithë artistëve botërorë për përmasat, por dhe vetë figurat e krijuara me këto sende apo objekte. Rekordet e tij as që mendohen të thyhen tashmë, përderisa ai mendon që çdo 3 vjet të thyej një Gines të ri.

  Eno Peçi

Baletmaestër, i cili ka vite që është në Vjenë. Eleganca, virtuoziteti, shpejtësia e të kërcyerit, realizmi i kërcimeve të vështira, e kanë bërë baletmaestrin vlonjat ndër më të kërkuarit në Evropë. Ai në çdo skenë ku ka performuar, se ka mohuar, përkundrazi e ka ngritur lart emrin e Shqipërisë. Për mëse 7 vjet ai është ndër më të kërkuarit në skenat evropiane, por edhe më tej.

  Novruz Dervishaj

Ish- oficer, piktor, gdhendës druri, publicist. Rrjedh nga një familje me tradita patriotike. Një veprimtar i dalluar i shoqatës Kulturore, Atdhetare “Labëria”. Pas daljes në pension ai ka nisur të vizatojë dhe të gdhendur  në dru, duke vënë në jetë ëndrrën e rinisë. Ai ka marrë pjesë dhe ka dhënë një ndihmë të madhe në të gjitha aktivitetet e Shoqatës “Labëria”. Njëherazi duhet vënë në dukje se Novruzi ka botuar shumë artikuj të ndryshëm me karakter patriotik në shtypin e përditshëm, si dhe ka botuar disa libra.