Sot 70 vjetori i mjeshtrit të regjisurës Kujtim Gjonaj

733

Sot
“Mjeshtri i Madh” Kujtim Gjonaj, feston 70-vjetorin e lindjes në Hotel “Tirana
International”

– Qarkullonte një barsoletë në ato vite, për vizitën
e dy vlonjatëve në Paris: Pse nuk thua që jemi martuar me meshkuj a
derëzi…

– Radion e ka parë për herë të parë në vitin 1954.
Ishte një radio tip “Tesla” prodhuar në Çeki

– Aparatin e TV e kishte parë ca vite më pas, tek
Mapo e Madhe, në rrugën e “Dibrës” që ata e quanin “Broduej”

– Kujton dhe tani dramat “Intrigë e dashuri”,
“Hamleti”, “Romeo e Zhuljeta”, “Halili dhe Hajrija” apo “Prefekti”, në vitet
1955-1962

– Përjetoi për së afërmi madhështinë e Kadri Roshit,
solemnitetin e Pjetër Gjokës, logjikën e ftohtë të Sulejman Pitarkës apo
bukurinë magjepsëse të Margarita Xhepës

-Dy herë u bë i famshëm Dushku, me Pal Vatën dhe
Shkurten dhe barsoletat e shumta dhe në vitit 2001, me  “Deputetët e Dushkut”

Liri Lubonja, Luan Dibra, Vath Koreshi, Agim Cerga e Zef Gurakuqi, i
mësuan abc-në e të shkruarit

-Kishte dëgjuar me respekt
emrin e Kristaq Dhamos, Hysen Hakanit, Dhimitër Anagnostit, Viktor Gjikës, Agim
Fortuzit, Endri Kekos

 

Albert
Z. ZHOLI

Sot Kujtimi mbsuh 70-vjeç por
tregon shumë i ri. Një njeri simpatik, me atë çehren e tij djaloshare dhe pse
flokët janë thinjur, me sytë larosh dhe me fjalën e mirë kudo në gojë. Edhe pse
kritik ndaj shoqërisë së sotme shqiptare, ai mbetet një figurë shembull dhe me
familjen e tij dinjitoze. Ka ditur të ndërtojë gjëra të bukura në jetë dhe të
jetë i suksesshëm. Ka një familje perfekte dhe një sinqeritet tronditës. I pulson
një nerv në qafë, kur dikush shet mend me paudhësitë e tij. Dhe në fakt ai
njeri ka një sekret të madh. Gjatë 70 viteve të jetës së tij ka ndërtuar figura
të mëdha historike dhe dalëngadalë ka përshfaqur një figurë tjetër, atë të
vetvetes. Sepse të mbetesh artist në shpirt, por mbi të gjitha njeri në kohërat
e paudha dhe bajraktare që kanë ardhur në Shqipëri, ku gjithsecili vjedh pará,
pushtet, e mburret për antivlera, është një vlerë e pallogaritshme. Dhe ashtu
siç ka tre boshte në krijimtarinë e tij, ai përmbledh në madhështinë e vet tri
vlera: thjeshtësi, mirësi dhe vërtetësi.


jetoje në shekullin e kaluar

 

Atëherë kishte një lloj
standardizimi, unifikimi në mënyrën e jetesës dhe veshjes. Sot nuk ekziston ky
standardizim. Sot ka shumë liri, më shumë hapësirë, më shumë kushte, më shumë
ngjyra. Në mënyrë letrare mund të thuhet që ka më shumë dritë dhe diell.
Atëherë kishte më shumë gri. Por brenda asaj grije kishte një të mirë që të
gjithë ishin njëlloj në ritet e zakonshme të jetës. Kishte dallime inteligjence,
por mundësitë për të mësuar, për të gjetur punë i kishin të tërë. Arsimi shtatë
dhe më pas tetëvjeçar u bë i detyrueshëm. Të gjithë shkonin në shkollë. Brenda
atij standardizimi dhe unifikimi edhe punohej, edhe jetohej edhe gëzohej. Sot
mundësitë për të shijuar dhe gëzuar jetën janë shumë e shumë herë më të mëdha.
Sot ka një shkallë njohjeje të madhe e të ndryshme. Fjalën kompjuter e ka
mësuar 30 vjeç. Sot fëmijët sapo kuptojnë e dinë se ç’është kompjuteri. Radion
e ka parë për herë të parë në vitin 1954. Ishte një radio tip “Tesla” prodhuar
në Çeki. I dukej çudi e madhe kur dëgjonte zërat që lëshonte ajo kuti
katërkëndëshe me disa butona në pjesën e poshtme, ndërsa aparatin e TV e kishte
parë ca vite më pas, tek Mapo e Madhe, në rrugën e “Dibrës” që ata e quanin
“Broduej”. Ishte një markë Sovjetike, që rrinte në vitrinë dhe askush nuk e
blinte… Televizori është futur në shtëpinë e tij në vitin 1970. Pra,
zhvillimi i teknikës solli  hapësira të
reja. Po brenda asaj kohe dhe kufizimeve të saj, të gjithë shqiptarët
përpiqeshin të jetonin pak më mirë.

Magjia
e teatrit

Një nga kënaqësitë më të mëdha të
moshës djaloshare ishte jeta kulturore. Shkonte në kinema, në teatër dhe në
Opera. Teatri për të ishte një art kompleks, që në vetvete ngërthen elemente të
të gjitha llojeve të tjera të artit: letërsisë, muzikës, pikturës, skulpturës
dhe arkitekturës, e mbi të gjitha artin e aktrimit, si veçori specifike e
skenës. Njerëzit me anë të teatrit me shekuj janë përpjekur për të ndryshuar
natyrën e vet njerëzore, janë përpjekur për t’i gjetur mënyrat për ta ndryshuar
jetën, pra, janë munduar për ta përsosur veten e tyre.

Kishte shansin e madh që i ati
njihte një përgjegjës skene në teatër dhe ai e fuste te projektorët që të
shikonte shfaqjet. Kujton dhe tani dramat “Intrigë e dashuri”, “Hamleti”,
“Romeo e Zhuljeta”, “Halili dhe Hajrija” apo “Prefekti”, në vitet 55-62, kur ai
me atë trupin e hollë, i strukur nën dritën e projektorëve e lejonin të
shikonte dhe kënaqej. Po ta shihte njeri dukej si mi i vockël i fshehur në një
skutë të errët. Aty ishte streha e tij e dashur nga ku zhytej në një botë të
magjishme. Teatri atëkohë kishte një fuqi të vërtetë magjepsëse. sepse kinemaja
nuk kishte marrë ende hovin që ka sot. Që nga lozha ku rrinte strukur, për të
mos penguar ndriçuesit që punonin, ai derdhte poshtë në skenë vështrimin e tij
të etur për të parë. Aty pa dhe mësoi për herë të parë emrin e Naim Frashërit,
për të cilin shumë vite më pas do të realizonte një film dokumentar. Nga lozha
e katit të tretë përjetoi për së afërmi madhështinë e Kadri Roshit,
solemnitetin e Pjetër Gjokës, logjikën e ftohtë të Sulejman Pitarkës apo
bukurinë magjepsëse të Margarita Xhepës, të cilën e lartësoi me një film
dokumentar, shumë mbresëlënës e ikona të tjera të këtij institucioni të
magjishëm kulture.

Politika
e kohës

Kur Shqipëria u prish me rusët
ishte 14 vjeç. I erdhi keq për faktin e thjeshtë se kur të mbaronin gjimnazin
nuk do kishin mundësi të shkonin të studionin jashtë shtetit. Kjo ishte e
vetmja keqardhje.  Ishte në moshën kur
një djalë 14 vjeç nuk mund ta konceptojë kursin politik të vendit të tij. Në
atë kohë ishte normale që të stimulohej dashuria për vendet e kampit socialist,
në mënyrë të veçantë për Bashkimin Sovjetik. Pas prishjes ishte më se e qartë
që do fillonte indoktrinimi. Shqipëria kishte të drejtë gjithmonë. Bashkimi
Sovjetik devijoi nga kampi socialist. U bënë vëllezër me Kinën. Më pas dhe ajo
devijoi ndërsa Shqipëria ecte “krenare” në ndërtimin e socializmit. Dhe me hir
apo me pahir, me vullnet apo pa vullnet, me dëshirë apo pa dëshirë ishte normale
që do përqafoje politikën e kohës. Ishte një fakt absurd, po Shqipëria, ai
vendi i vogël në hartë, kishte gjithnjë të drejtë. Ai qe punonjës i propagandës
dhe si i tillë, bënte pjesë në punonjësit më të vlerësuar të asaj kohe jo se
kishin ndonjë gjë të veçantë, po respektoheshin dhe admiroheshin shumë, jo
vetëm nga populli, por dhe nga drejtuesit e shtetit. Shqipëria si vend i
diktaturës së proletariatit kishte shumë kinezërira. Në rrethe të ngushta
bënin dhe humor me njëri-tjetrin, por gjithnjë të kujdesshëm dhe pa rrezikuar
veten dhe tjetrin. I kujtohet pathosi dhe entuziazmi i madh i vajzave që vinin
nga fshati në aksionet e rinisë, që prisnin flokët, që hiqnin rrobat e trasha
të fshatit dhe vishnin rrobat e dokut si vullnetare nëpër hekurudha. Një
heroizëm masiv i tejskajshëm, do të thoshte, siç ishte e tejskajshme dhe
gjimnastika e mëngjesit. Qeshnin në atë kohë por dhe më pas, kur ndodhte që
shihnin materiale arkivi dhe shikonin Bulevardin e Madh apo godinat e
Ministrive të mbushura plot me burra e gra që kryenin në mënyrë të sforcuar
gjimnastikën e mëngjesit. Kinezëritë dhe episode të tjera, që në momente të
caktuara i hasje pa kursim, ngjallnin të qeshura, por të vinte dhe keq për të
gjithë ata që qenë të detyruar t’i vinin në zbatim. Më shumë gajaseshin me ata
zyrtarët burokratë e barkmëdhenj që tundnin krahët me devotshmëri në oborret e
institucioneve. Qesharake ishte dhe fakti që nuk u lejohej vajzave të reja dhe
nuseve të mbanin unaza, vathë, stoli. Kishte ekzagjerime që dashje pa dashje të
ngjallnin ndjenjën e ilaritetit.  Qarkullonte
një barsoletë në ato vite, për vizitën e dy vlonjatëve në Paris. Po shëtisnin
dy gjyhnaqarët, në lagjen “Pigalle”. Vështrojnë diku një femër, e re, e
freskët, e bukur.

 

– Çeço?! Çështë
ajo o derëzi?- Femër vëlla, femër.Ecin më tutje. Përsëri shohin…

– Po kjo, a i
vrarë ç’ë?- Po femër o lumëmadh, femër.-Eh, psherëtin tjetri…

– Pse nuk thua
që jemi martuar me meshkuj a derëzi…

 

Koha qe e tillë dhe për arsye nga
më të ndryshmet i bëhej jehonë me propagandë, herë realiste dhe herë-herë të
stërfryrë. Ndodhte që edhe ai, me ndonjë mik shumë të afërt, qeshte dhe bënte
humor, bie fjala me Fuat Çelën, një kooperativist i zonave të Skraparit, që
megjithëse i verbër, qëllonte aq mirë me pushkë sa godiste në zemër të armiqve
që ishin ngjitur në tabelë, apo barsoletat që zunë të qarkullojnë për Pal
Vatën, babai i Shkurte Vatës, që u bë i njohur nga vdekja aksidentale e të
bijës në aksion, në Dushk, një fshat i Lushnjës. Dy herë u bë i famshëm Dushku.
Herën e parë me Pal Vatën dhe Shkurten dhe barsoletat e shumta për ta, dhe
herën e dytë në zgjedhjet pluraliste të vitit 2001, ku prodhoi një numër rekord
deputetësh që me të drejtë u quajtën “Deputetët e Dushkut”. Por le t’i kthehemi
kohës  para viteve ’90.

 

Dashuria
pwr gazetarinw

Ishte me të vërtet një pasion i madh që tronditi botën e tij rinore. E
kujton dhe tani atë kërkimin që bënte për të krijuar histori interesante dhe ku
i linte frerë të lira fantazisë. Ishte si të udhëtoje mbi re. Është bukur kur
futesh në mbretërinë e krijimit. Një tharm i bukur duket se të tërheq dhe ti
ndjehesh i lirë të krijosh, të bëhesh dikush. Aq shumë ishte futur në këtë
mbretëri, sa në moshën 19 vjeçare, i lindi mendimi idiotesk për ta lënë vitin e
tretë dhe për t’iu përkushtuar gazetarisë aktive. Në atë kohë aktivizohej te
gazeta “Zëri i rinisë” ku punonin penat më të talentuara shqiptare dhe ai
kishte bërë emër të mirë në këtë gazetë. Ishte një gjeneratë e re që sillte
stile të reja gazetareske dhe tregimesh. Në atë kohë dëshirën e tij të çmendur
e ndërpret Liri Lubonja e cila gati-gati e urdhëron: “Mbaro shkollën njëherë
dhe pastaj të garantoj që të marr në gazetë. Sepse nuk do të kesh kohë se do të
marrin për ushtar. Ç’a do fitosh ti! Fut diplomën në xhep dhe pastaj shohim e
bëjmë”. Kjo këshillë e vyer ia shtoi respektin dhe dashurinë për atë gazetë që
ishte një trend në gazetarinë shqiptare. Aty punonte Liri Lubonja, Luan Dibra,
Vath Koreshi, Agim Cerga e Zef Gurakuqi, një grup gazetarësh që atij i mësuan
abc-në e të shkruarit.

 Nw Kinostudio

Kur mori
vesh se e kishin caktuar redaktor në Kinostudio, fillimisht shfaqi habi, më pas
e kaploi një ndjenjë pakënaqësie e më pas u qetësua me mendimin ‘të shohim një
herë’! Në Kinostudio kishte bërë dy bashkëpunime me Muharrem Skënderin që e
kishte ofruar për të shkruar tekstin e dy kinoditarëve, punë sa për të fituar
një honorar minimal si student. Ndërtesa e madhe dykatëshe, e tëra me mure të
trashë, e gjitha mermer e me tavane të pikturuara, i dukej si një kështjellë
mesjetare gjithë mistere dhe të panjohura. Mbresat, kur hyri për herë të parë
në të, dhe kapërceu korridoret e gjatë për të shkuar tek dhoma e montazhit, si
i thanë, qenë të fuqishme. Ishte me të vërtetë një ndërtesë hijerëndë dhe
imponuese. Kurrë nuk i pat shkuar ndër mend se një ditë mund të punonte aty.
Caktimi në Tiranë ishte lajm qetësues, por kaloi pa ndonjë entuziazëm të
veçantë. Ai kishte njohuri për institucionin dhe për disa nga njerëzit që
punonin atje. Bota e filmit kishte ndikuar edhe tek ai. Dashuria gati-gati e
marrë për gazetarinë nuk do të thoshte se nuk kishte dëgjuar emrin e Kristaq
Dhamos, Hysen Hakanit, Dhimitër Anagnostit, Viktor Gjikës, Agim Fortuzit, Endri
Kekos etj. Tek kujtoje filmat: “Tana”, “Debatik” apo “Komisari i dritës”
asociacioni me emrat e realizuesve ishte i menjëhershëm. Në imagjinatën e tij
Kinostudioja ishte si një tempull i madh, i shenjtë, i pakapshëm, i
paarritshëm, impresione këto që nga koha e fëmijërisë.

 

Pse e kujton gjithnjë skenarin e filmit të parë?

Përse, sa
herë i shkon mendja te ai film dokumentar, gjoksi i gufon nga emocionet dhe
kujtimet i vërshojnë si një përrua i rrëmbyer që zbret me vrull nga shpati i
malit? Ishte maj, muaji më i bukur i vitit, kur çelin trëndafilat dhe pemët
kanë lulëzuar tërësisht, kur njerëzit lehtësohen nga veshjet e rënda të dimrit,
kur gjaku i rinuar vërshon vrullshëm nëpër rremba, kur vajzat duken më të
bukura, a thua se i kanë shpallur garë bukurive të natyrës. Në maj çdo gjë
lulëzon, lulëzon natyra, njerëzit, zogjtë. Pak ditë më parë e kishte thirrur
drejtori në zyrë, dhe ndër të tjera i kishte thënë:

– Më
pëlqejnë tekstet e tua… I shkruan vërtet mirë, me ndjenjë.

Djaloshit të
ri nuk i kish kaluar pa u ndjerë vlerësimi i drejtorit, po atë ditë që e dëgjoi
vetë, e gëzoi ky fakt.

– Mendoj se
ka ardhur koha për ndonjë punë më serioze.

Pas një
pauze të shkurtër, drejtori shtoi:

– Mendo për
ndonjë skenar dokumentari.

Kaq tha
drejtori dhe mjaftoi, që ai të përfshihej nga ndjenja e krijimit. Idetë vinin e
iknin njëra pas tjetrës. Duke shëtitur në një nga ditët e mrekullueshme të
majit, i erdhi ngacmimi “të shkruajë diçka për shkollën e mesme”. Vendosi të
shkruante një skenar për një nga shkollat më me emër në Tiranë, për gjimnazin
“Qemal Stafa”. Shkoi disa herë në shkollë. U takua me shumë mësues dhe nxënës.
Takoi aty ish mësuesen e tij të historisë Nekije Demin dhe Afrim Karagjozin me
të cilin njihej që nga fakulteti. Bisedoi dhe me mësues të tjerë të njohur në
aksionet e rinisë apo kur kish shkruar ndonjë reportazh për ta në gazetë. Në
biseda e sipër i lindi ideja të përqendrohej në dy nga tre komponentët që
përbënin themelin e mësimit të asaj kohe, trekëndëshin mësim-punë-kalitje. Iu
duk mendim interesant. Pra, struktura dramaturgjike e filmit do të mbështetej
në mendimin se krahas mësimit kuadrot e ardhshme të vendit do të formësohen jo
vetëm teorikisht por dhe me dashurinë dhe respektin për punën. Trendi i asaj
kohe ishte puna prodhuese e nxënësve si ajo e punimit në dru, me metal, apo
punime artizanale qelqi etj. Për ditë të tëra ndoqi klasat e ndryshme në këto
orë praktike. Kështu lindi skenari i filmit të ardhshëm “Shkolla dhe praktika”.
Ishte i pari skenar që shkruante. Dhe si të gjithë ata që shkruajnë u zhyt në
botën e krijimit. Mbresat e takimeve të shumta me nxënës e mësues e frymëzuan
dhe ato ai i hodhi në letër. Skenarin e pëlqyen dhe menjëherë u krijua grupi i
xhirimit. Interesant fakti: ai e kish skenarin e parë që shkruante. Për herë të
parë dhe regjisorja Adriana Elini, po ngarkohej të bënte një film. Ajo vinte
nga një karrierë e suksesshme si montazhiere filmi. Ishte koha kur Kinostudio
“Shqipëria e re” po përgatitej të hidhte hapin e madh, koha kur krijimtaria po
hynte në shinat e themeleve të forta artistike. Çdo film dokumentar duhej dhe
do të xhirohej me skenar dhe jo si deri më tani – nis një operator vetëm ose
një regjisor me të, dhe na sillni filmin. Skenari po hynte si kërkesë e kohës
dhe për filmin dokumentar ose siç e quajnë profesionistët për publicistikën e
ekranit.

 

Sigal