Soprano Ermonela Jaho rikthehet në skenën shqiptare me “Madam Butterfly”

593
Sigal

Pas shtatë vjetësh, soprano me famë ndërkombëtare Ermonela Jaho rikthehet në skenën shqiptare me “Madam Butterfly” në Teatrin e Operas dhe Baletit. Soprano do të interpretojë në datat 3 dhe 5 prill në TKOB, ora 19.00. Për të gjithë të interesuarit në datën 1 prill, prova gjenerale e “Madam Butterfly” do të jetë e hapur për publikun.

Repertori i sopranos Ermonela Jaho përfshin role të fuqishme e dramatike si :Violeta, Cio-CioSan, Suor Angelica, Anna Bolena, Manon Lescaut, Maria Stuarda, Mireille, Mimi, Xhuljeta e shumë të tjerë. Suor Angelica, interpretuar prej saj në Operan Mbretërore të Londrës , shpërndarë nga www.amazon.com në vitin 2012,  fitoi çmimin “International Opera Awards” si DVD-ja më e mirë. Kritikët e kanë përshkruar rolin e saj si “sublime dhe të paprekshëm”, një rol i “përcjellë me intensitet tronditës”.

Soprano Ermonela Jaho ka interpretuar  dhe vazhdon të shënojë në kalendarin e saj artistik  skenat më të njohura operistike si Opera Mbretërore e Londrës, Teatri i Scala-s të Milanos, Opera Metropolitan e New York-ut, Opera Shtetërore e Berlinit, Opera Shtetërore e Vienës, Opera e Bastille-Paris, Teatri i Champs-Elysees, Opera NHK e Japonisë, Teatri Liceu I Barcelonës, Opera Shtetërore e Bayern Mynich, Arena e Veronës, Teatri Balshoi i Moskës, etj.
Që nga debutimi i parë i saj dhe deri më sot audiencat janë tërhequr nga personaliteti i saj artistik dhe aftësia për të prekur çdo shpirt përmes këndimit të saj të sinqertë.

Mos e humbisni rastin të ndiqni  këtë ngjarje të jashtëzakonshme për skenën e artit vokal në Shqipëri.
Personazhet dhe interpretët: Ermonela Jaho, Mariana Leka, Armaldo Kllogjri, Vikena Kamenica, Irida Dragoti, Ylber Gjini, Armando Likaj, Sidrit Bejleri, Genc Vozga, etj.
Dirigjent: Bujar Llapaj
Skena dhe Kostumet: Eriona Xhanari
Dirigjent kori: Dritan Lumshi
Regjia: Nikolin Gurakuqi