Sonila Meço: Partneri është njeriu që të ndihmon në arritjen e balancës

854
Rrëfimi i një gruaje, i një nëne, i një prezantueseje… Në këtë shërbim fotografik paraqet një imazh të përkryer të femrës së kohës, realizuar nga fotografi Juxhin Kurti. Një buzëqeshje rrezëllitëse, sy që shkëlqejnë dhe një fytyrë që transmeton vetëm mirësi. Është një kënaqësi të bisedosh me një grua si Sonila. Me çiltërsi më tregon për jetën e saj, dashuria për punën e familjen dhe impenjimet aktuale. Një nga femrat më të bukura shqiptare, por më shumë se kaq ajo është një nga njerëzit më të mirë. (Një pjesëz e intervistës është shkëputur nga ‘Harmony”)
-Sonila, komplimente për pamjen tënde. Jam shumë kurioz të di, se si keni mundur të ndaloni kohën ? 

Përshëndetje Hermes & lexues. Të falënderoj për vlerësimin (qesh)

-Cili është kujtimi më i bukur që ju ka mbetur nga eksperienca në ‘Agon Channel’ ? 

Janë dy vite tejet intensive, shumë programe të prezantuara me autorësi, ngjarje të drejtpërdrejta të mbuluara për dy kanale në dy gjuhë, intervista me personalitete shqiptare e italiane… e megjithatë ka një emocion mes qindrave që nuk përsërisin dot njëri-tjetrin: Prezantimi i La Fortuna fa 90 për Agon Italia. Jam gazetarja e parë shqiptare që prezantoj në tregun mediatik italian dhe jashtë modestisë kjo më bën shumë krenare. Kam marrë kritika, jam sulmuar, por edhe kam shijuar komplimente, kam dhënë autografe edhe për publikun italian. Kam riprovuar ndjesinë e fillestares që mëson mjeshtërinë prej zanafillës, kam lexuar shumë, kam udhëtuar shpesh drejt Italisë për të njohur mentalitetin, kulturën e njerëzit

-Keni intervistuar njerëz të famshëm dhe keni takuar personalitete, por cila është një nga intervistat më të bukura që keni realizuar te ‘Kontrata’? 

Nëse rikthehem për të kujtuar programin më të bukur, kam qenë me fat që emrat më të mirë të artit, kulturës, shkencës e politikës më kanë nderuar me prezencën në kolltukun përkarshi. Por njëri nga programet ka një histori që nuk harrohet lehtë. Kontrata me Sabrina Ferilli-n. Puna për të nisi të premten dhe duhej të përfundonte pas një jave kur qe caktuar regjistrimi. Por, për shkak të një plani ndryshuar momentin e fundit, të dielën, Bechetti na kërkon të bëhemi gati për 20-min për të regjistruar programin me protagonisten e Oscar-it italian. Mund të imagjinoni sesi në 20 minuta është ndërtuar një skaletë, u thirr regjisori që ishte në ditën e tij të pushimit, bëra një grim të shpejtë. 

-Ju u shndërruat një nga moderatoret më të paguara në Shqipëri, duke konkurruar e ndoshta sfiduar emra të njohur të medias. Mendon se ky fakt mund të ketë shkaktuar xhelozi?

Xhelozia rrallë ndëshkon me të njëjtën ashpërsi me të cilën vuan vetë. Pra, edhe nëse sot nuk arrij të marr çfarë më takon ndëshkuar prej xhelozisë së dikujt, apo disave, kur mendoj sa mund të ketë vuajtur prej kësaj ngushëllohem .
-Asokohe, kujtoj që vetëm gjumin e bëje jashtë ‘Agon-it’. A nuk të lodh një punë që të zë të gjithë ditën ? 

Që kjo punë është pasioni im, dihet. Ndiq zemrën, por merr edhe trurin me vete, më thoshte dikur një mik. Dhe kjo punë do zemër, do kokë, do shpirt. Më mirë një punë që të zë ditën se një ditë që të zë punën. Në një mënyrë a tjetër kam lejuar që të identifikohem me punën time. 
-Si e kalon ditën tani ? 

Për 14 vjet e përfshirë në vorbullën marramendëse të punës, e nëpërmjet saj edhe të karrierës, nuk kam mundur të shijoj paraditet më njerëzit që me shumë dua, që më shumë më duan e me gjërat që realisht dua të më përkufizojnë. Kjo pauzë që erdhi jashtë vullnetit tim, sot më ngjan bekim për t’u rikthyer aty ku çdo gjë më përket e i përkas: familja & dashuria. 
-Gjithmonë në punë ke pasur në krah bashkëshortin, është në favor apo në disfavor të martesës të punosh në krah të partnerit? 

Martesa është vendimi më i rëndësishëm në jetën e njeriut. Vijoj të jem e bindur se është vendimi më i rëndësishëm edhe për karrierën, sepse njëherazi ke vendosur me cilin do ndash orët e gjata mes punës e shtëpisë. Partneri është njeriu që do të ndihmojë në arritjen e kësaj balance dhe nëse njeh botën tënde profesionale mirëkupton dyfish. 
-Ka raste të gazetarëve që po i futen politikës. Ju vetë, ju ka shkuar në mend një gjë e tillë? 

Triumfi i arsyes dhe drejtësisë janë parime që i qëndrojnë kithët artit të politikës reale. Por shumë si unë nuk e ndjejnë ende besimin për t’i ndryshuar gjërat nga përbrenda. Të tjerë që u rrekën u kooptuan shpejt, nuk rezistuan apo u dëbuan. Pa paragjykuar askënd, pa e përgjithësuar një rast si fenomen, sepse ka ekzistuar dhe ekziston në Shqipëri dhe botë eksperienca e gazetarit që bën politikanin. Ka raste suksesi ashtu si edhe dështimi. Motivet kanë qenë e janë të diskutueshme, por do flas veç për veten: As nuk dua ta mendoj tani, ushtroj një ndër profesionet më të bukura, e për fat nuk është as i pari dhe as i dyti më i vjetri në botë

-Kujt i ngjan vajza? 

Amaris ka përzgjedhur të jetë më shumë Drin në portret, më shumë tezja e saj në hije, t’i marrë gjyshes ngjyrën e flokëve, gjyshit zakonet. E vogla i ka ‘vjedhur’ stërgjyshes ngjyrën e syve, qetësinë stërgjyshit dhe pavarësisht aftësisë sime për të dalluar ndikimin e aleleve dominante, teksa e sodis për orë të tëra nuk e gjej Sonilën në të, në ndonjë përngjasim fizik të dukshëm. Mundet ndonjë detaj të hollë, që vetëm një sy nëne e dallon. Megjithatë përftoj mbi të gjitha atë ndjesinë e plotësisë që të jep krijesa jote edhe kur asnjë tipar fizik nuk përngjet me timin për momentin. 

-Ju falënderoj për kohën që i kushtuat kësaj interviste.
Sigal