“Washington Post”: Twitter nuk duhet të lejohet të përdoret nga tiranët*


Bordi i Editorialistëve

 

Presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan ka njoftuar zgjatjen edhe me tre muaj të tjerë të gjendjes së jashtëzakonshme të vendosur në vend pas tentativës së dështuar të grushtit të shtetit, të 15 korrikut të këtij viti, e cila përmes këtij dekreti i jep atij kompetenca të plota për të sunduar vendin. Ai ka ndërmarrë një shtypje masive dhe të pamëshirshme kundër mbështetësve të klerikut që jeton në ekzil, Fetullah Gylen, të cilin Erdogan-i akuzon për organizimin e tentativës së grushtit të shtetit dhe për tentativë përmbysjen e pushtetit të tij. Gylen-i i ka mohuar kategorikisht akuzat në adresë të tij. Më shumë se 30 mijë qytetarë turq janë arrestuar që pas tentativës së grushtit të shtetit dhe mbi 100 mijë të tjerë akuzohen nga autoritet, shumë prej tyre, pa një proces të rregullt gjyqësor. Të martën, autoritetet njoftuan se 12 800 oficerë të policisë janë pezulluar, pasi dyshohen se janë pjesë e lëvizjes së Gylen. Gazetarët janë në shënjestër të vazhdueshme të z. Erdogan dhe fushata e tij është shtrirë dhe në universin e mjeteve digjitale të komunikimit. Turqia po ushtron presion ndaj rrjetit social ‘Twitter’ që t’u mbyllë gojën gazetarëve dhe rrjeti social ‘Twitter’ i duhet të rezistojë më shumë ndaj presioneve të tij. ‘Twitter’ është një forcë e fuqishme e lirisë së shprehjes. Kompanisë i pëlqen të thotë se, “Cicërimat duhet të gëlojnë”. Por, ato (cicërimat) jo gjithmonë gëlojnë, ndërsa liria e fjalës dhe e shprehjes dhe demokracia cënohet në shumë vende të globit. Erdogan bllokoi për një periudhë të shkurtër kohore rrjetin social ‘Twitter’ në 2014-n si një përpjekje e tij për të bllokuar mesazhet në lidhje me një skandal korrupsioni, ndaj disa prej anëtarëve të kabinetit të tij dhe njerëzve të afërt të tij. Pasi ‘Twitter’ u rikthye, autoritetet turke dorëzuan disa lista të gjata të llogarive që kërkonin të mbylleshin, por ‘Twitter’ në shumicën e rasteve ka mbrojtur gazetarët dhe nuk ka pranuar që të bllokojë llogaritë (adresat) e tyre. Pas përpjekjeve të dështuar të grushtit të shtetit, megjithatë, gjykatat kanë lëshuar vendime të reja dhe kanë kërkuar nga ‘Twitter’ që të mbyllë një sërë llogarish (adresat), disa prej të cilave u përkasin gazetarëve të gazetës “Zaman”, e njohur për lidhjet e saj me lëvizjen Gylen, e cila kaloi në administrimin e qeverisë në mars dhe më pas u mbyll. ‘Twitter’ ka  bllokuar një numër të madh të llogarive(adresave)  – dhe përllogaritet që llogaritë e mbyllura janë disa dhjetëra. Një nga këto llogari(adresa)  është dhe ajo e gazetarit Mahir Zeynalov, i cili u dëbua nga Turqia në 2014-n, pas kritikave të tij ndaj qeverisë dhe tani shkruan për ‘Huffington Post’ dhe ‘Al-Arabiya’. Kur një gjykatë urdhëroi mbylljen e llogarisë (adresës) së tij anglisht në Turqi dhe ‘Twitter’ e pranoi këtë kërkesë të gjykatës turke, ai dhe të tjerë protestuan për këtë vendim dhe llogaria e tij u rihap sërish. Por, tani Zeynalov ka zbuluar se, me urdhër të një gjykate turke, ‘Twitter’ ka bllokuar llogarinë(adresën)  e tij në gjuhën turke brenda Turqisë. ‘Twitter’ thotë se ajo zbaton ligjet e një vendi, kur ajo merr një “një kërkesë të vlefshme dhe të rregullt vlerësimi nga një entitet i autorizuar”. Por, çfarë ndodh kur një ligj përdoret për të mbyllur gojën e të gjithë personave që kanë qëndrime të ndryshme politike? Turqia këtë vit i ka kërkuar ‘Twitter’ që të bllokojë llogaritë(adresat)  e përdoruesve të rrjetit më shumë se çdo vend tjetër në botë, theksojnë raportet e transparencës së rrjetit social ‘Twitter’; Turqia ka paraqitur 2,493 kërkesa që në total kërkojnë mbylljen e rreth 14,953 llogarive(adresave)  dhe ‘Twitter’ ka plotësuar rreth 23 përqind të kërkesa të Turqisë. ‘Twitter’ duhet të kuptojë se në Turqi, ashtu sikundër dhe në shoqëritë e tjera të izoluara, ligjet shpesh përdoren për të kufizuar liritë e shprehjes, në vend që t'i mbrojë ato. Ajo nuk duhet kurrësesi të bllokojë llogaritë(adresat)  e gazetarëve dhe nuk duhet të shërbejë si mjet shtypjeje që përdoret nga Erdogan-i.

*https://www.washingtonpost.com/opinions/twitter-shouldnt-let-itself-become-a-tool-for-tyrants/2016/10/06/236b5684-8a65-11e6-b24f-a7f89eb68887_story.html?postshare=8331475799642282&tid=ss_tw&utm_term=.bf361f405c0d