“Skënderbeu i pagjumë” mes Angjelina Xhara e Bujar Kores

62
Gjinia e dokumentarit, si kronikë e ngjarjeve aktuale për të çuar në kujtesën kolektive rrugën, përpjekjet e njerëzve të zakonshëm e udhëheqës, kryen detyrën e krijimit te fytyrës se një epoke të caktuar. Promovimi i dokumentarit “Skënderbeu i pagjumë” në mjediset e AQF me regji te Angjelina Xhara.e Bujar Kore, skenar të A. Xharrës, operator Ermal Kore..konsulentë shkencorë Prof. Dr.Moikom Zeqo e Valentina Duka, Zhani Ciko e Virgjil Kule. etj e tejkaloi këtë detyrë. Duke i dhënë skenarit një peshë emocionale, që njeriu i ditës të përjetojë përditshmërinë duke shkundur nga pluhuri i harresës arkivat e Filmit e të RTSH. Të dukej se kinostudioja po ripërtërihej përsëri. Kishin bujtur për të uruar kolegët, mjeshtra e themelues të këtij institucioni. Dhe ata nuk i zhgënjen. Roza Anagnosti ikona e filmit shqiptar shprehet me fjalët më te mira për realizimin e dokumentarit, Tinka Kurti e Margarita Xhepa aktoret e filmit e të ekranit për gjysmë shekulli e quajtën një sukses të ri në gjininë e dokumentarit. Flora Uka do të përmendte përlotjen disa herë,duke nënvizuar rëndësinë e trajtimit të temës historike e emocionin patriotik që ajo të jep. Kosulenca e zgjedhur bëri, që Skënderbeu t’i vijë shikuesit me mesazhin e qytetarit të shqetësuar për fatet e mëtejshme të kombit. Në këtë mënyrë realizuesit e kanë të qartë, se po realizojnë një dokumentar, që i kalonte kufijtë e një dokumentari të zakonshëm. Kineastë e dokumentarist thonë vetëm përgëzime: Kujtim Gjonaj, Ilia Tërpini, Kolec Traboini, Ilia Dede. Gazetarë si Albert Zholi, etj, kanë bërë artikuj të veçantë mikpritës për këtë film dokumentar. Bashkëpunimi i autorëve kryesorë A. Xhara e B. Kore është i dukshëm e i suksesshëm në realizimin e një dokumentari historik. Gjithçka falë pasionit e punës. E kaluara, e tashmja dhe e ardhmja shkrihen në një. Sekuencat e tij janë të njohura. Renditen pamjet e filmit “Skënderbeu”,pamjet e inaugurimeve të veprave skulpturore në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni. Por gjeografia e tij si qytetar i Europës shtrihet më tej. Në sheshet e Romës e Kalabrisë e Sicilisë, Bruksel e Detroit. Dimensioni i Skënderbeut strategut e humanistit e kapërcen epokat. Duke folur për të krijuesit e veprave e qytetarët për përjetimet e tyre. Shqetësimi krijues i autorëve të dokumentarit del i qartë. Në këtë mijëvjeçar të ri Shqipëria troket në dyert e Bashkimit Evropian si pjesë e proceseve të saj. Gjuha e dokumentarit përdor bukur simbolikën e Skënderbeut. dhe detajeve që lidhen me misionin e tij. Ai është i pranishëm midis nesh, në çdo eveniment kombëtar, kthese e ribërjeje, me kalin e tij “i pagjumë ” në sheshin e madh të kryeqytetit tonë e kudo ku jetojnë shqiptarë. Përsëritja e imazhit te tij i rrethuar me dëborë e shqotë edhe i të njëjtave rrugë detare, që përcollën përpjekjet diplomatike të tij, e bëjnë të afërt për kohën, që po jetojmë duke ndriçuar koshiencën tonë historike. Përsëri Skënderbeu, skënderjada, mbetet si gjithnjë simbol i madh i unitetit, formësimit dhe vizionarit historik. Dokumentari u përjetua me mbresa të fuqishme krenarie e përgjegjësie qytetare. Shqiptarët janë në pritje të lajmit të mirë. Orakulli e thotë, ora po vjen. Ne kemi mitin tonë, mikun e qytetarin e hershëm të Evropës, Skënderbeun. Janë shqiptarët, që duhet ta meritojnë, që Evropa mos na zhgënjejë këtë herë.

Zhuljeta
Grabocka