-Skënder Sallaku do të mbetet aktori më i fuqishëm në skenën e humorit spontan

749
Sigal

Intervista e fundit e “Artistit të Popullit”, Skënder Sallaku 

Ai u nda nga jeta më 11 shkurt 2014, por vepra e tij nuk do të vdesë kurrë. Ai është një yllësi, që ka vendin e tij në hapësirën më të ndriçuar të humoristëve shqiptar. E takoja thuajse çdo ditë së bashku me bashkëshorten e tij Vitoren. Ishin miqtë e mi të përditshëm tek, TK, TOB apo Cirku i Tiranës. S’e mbaj mend kurrë që të mos ishte në humor. Barsaletat e tij më jepnin jetë.  Kurrë s’e besoj se nuk do takoj më atë, humoristin që dhe në ditët e fundit, shprehte optimizëm, mirësi, hare. Skënder Sallaku mbetet një ndër humoristët më të shquar të vendit tonë. Rrugëve të Tiranës atë e gjeje me bashkëshorten, ku në çdo hap ndjente buzëqeshjet dhe përshëndetjet e njerëzve. Por ai ndoshta mbetet aktori më i spikatur pasi në jetën e tij ka qenë mundës, pjesëtar i cirkut, humorist, akrobat, pantonimist, etj.. Por pjesën më të bukur të jetës ai ja ka dhuruar skenës, humorit, Estradës së Tiranës. Ai lotonte kur thoshte se: “Tani që në demokraci jemi shkëputur nga ideologjizmat”, ku partia nuk ndërhynë në krijimtari, Estrada e Tiranës nuk funksionon.

 Janë shkruar dy libra për ju, te cili libër ndiheni më mirë?

Unë te të dy librat  ndihem mirë. Libri i Pëllumb Kullës është më i kompletuar. Unë me të kam punuar shumë sidomos tek koncertet e Vitit të Ri. Shumë role ai i përgatiste enkas për mua. Në këto koncerte unë kam bashkëpunuar me të 10 vjet rresht. Por edhe libri i Vitores, bashkëshortes time ka diçka të veçantë. Është një libër plotësues, por me disa gjëra të veçanta nga jeta ime. Vitorja i ka qëmtuar, i ka mbledhur fshehurazi shumë detaje të jetës sidomos copëza humoristike dhe i ka përmbledhur në një libër. Pëllumbi është  më lart profesionalisht pasi ai është një regjisor i talentuar ndoshta nga më të spikaturit.

Si e shkroi këtë libër Pëllumbi?

Vitorja kishte mbledhur një dokumentacion të bollshëm, të gjithë jetës sime, shkrime, intervista, portrete, kujtime, etj., dhe ja dha të gatshme Pëllumbit. Pra, ai në tavolinë kishte gjithë jetën time tashmë të dokumentuar në gazeta, letra, CD etj.. Ai mbi këto punoi me kujdesin e një mjeshtri, ku një meritë i takon Vitores. Dhe vetë Pëllumbi e thekson në libër se një ndihmë të madhe më dha Vitore Sallaku, që kishte mbledhur mushtin e librit. Pastaj fantazia e tij, përpunimi i fjalës, i takonin sepse ai është i tillë në të shkruar. Pra, janë dy libra krejt të ndryshëm, ai i Pëllumbit që është mjaft i bukur nga ana profesionale dhe i Vitores që është shumë i bukur nga ana shpirtërore. Pasi Vitorja më njeh mirë, se kemi një jetë me të.

Skënder Sallaku, akrobat, mundës, aktor humorist. Po mundja si lindi tek Skënder Sallaku?

Atëherë ndoshta s’më njohin si mundës, pasi unë në fillim kam qenë balerin. Pra, kam qenë në Pallatin e Kulturës si balerin. Aty u formua grupi i akrobatëve, ku ky grup bëri një punë të mirë. Edhe në ushtri unë ju bashkova grupit të akrobatëve.

Po mundjen kur e fillove?

Kryesisht në ushtri. Por e kurorëzova në vitin në 1959 në Spartakiadën e parë Kombëtare. Ne në grupin e akrobatëve kishim edhe mundësa, edhe ngritësit e peshave. Ne plotësonim në këtë mënyrë trupën e Estradës së Tiranës. Telat Agolli ishte në ngritje peshe, Bajram Kurti në ngritje peshe, Skënder Plasari në mundje, Skënder Sallaku në mundje. Pra gjysma e ekipit ishte me cirkun, që atëherë përfshihej në Estradën e Tiranës. Pra, në Spartakiadën e parë Kombëtare, unë dola kampion, në vend të parë në peshën e dytë. Sportin e mundjes unë e vazhdova vetëm dy vjet, pasi cirku, humori m’u duk më i bukur, më afër dëshirave dhe kërkesave të mia.

Vetëm këto ishin arsyet?

Jo vetëm këto, por ne me cirkun kishim shumë punë. Lëvizje në shumë vende, por njëkohësisht ne, në atë periudhë do të shkonim me cirkun në Kinë, për të marrë eksperiencë dhe për t’u trajnuar më mirë. Në atë kohë në Estradë ka qenë regjisor Mihallaq Luarasi. Ai duke më parë në cirk, në mundje, në estradë tha që, ja morëm shpirtin këtij djali.

Si e përballonit këtë mbingarkesë?

Ishte pasioni. Dashuria, ndjeshmëria për të gjitha. Mua s’më bënte përshtypje lodhja në atë kohë. Pa pasion s’bëhet asgjë. Akrobacia, mundja më kanë ndihmuar në përgatitjen fizike.

Me kalimin e kohës, përse u pozicionuat më shumë në estradë?

Pasi cirku kërkonte shumë përgatitje fizike, kërkonte më shumë impenjim dhe kishte më shumë mbingarkesë, ndërsa në Estradë dominonte fjala dhe aty isha më i lirë. Ndërsa në Cirk, kur bëja pantonima me Arjan Milukën kishte shumë akrobaci sa s’kishe kohë të merrje frymë. Kam një histori të bukur në cirk. Ne punonim në pedana. Aty duhej të marrje vrull për të bërë salto. Kishim një numër artistik, ku Telat Agolli kishte një karrige 4 m larg nga pedana. Unë do të bëja salto dhe do të bija në karrige. Disa herë u ktheva, ta bëj apo jo. Ishte një numër i vështirë. Salla reagonte sa herë unë matesha. Lashë pedanën dhe u drejtova nga salla duke i takuar të gjithë. Ata qeshnin pasi mendonin se ishte ndërtuar në mënyrë të tillë numri dhe s’e kuptonin që unë kisha frikë. Pastaj hipa në pedan… Aty duhej t’i jepje pak trupit mbrapa që të merrje vrullin, për të bërë rrotullimin dhe të shkoja përmbi karrige. Unë nga emocionet në vend t’i jepja trupit mbrapa i dhashë para, kështu që nuk shkova në drejtimin e duhur. Në vend të fluturoja tek karrigia shkova drejt dhe tek perdet e skenës, ku u kapa me thonj që të mbahesha. Luajti perdja dhe filloi të grisej. Erdhën akrobatët të më kapnin të mos bija. Perdja u këput dhe unë rashë mbi duart e tyre. Perdja kishte kohë pa u larë dhe aty u bë një tym që mos o zot. Salla u shkri së qeshuri. Bizz, të gjithë. Të qeshurat ishin më të mëdha se në një numër real. Askush në sallë s’e kuptoi se unë kisha gabuar dhe luajta me jetën. Duartrokitjet s’kishin të sosur. Bizzzzzzzzzzz..ahere unë u përkula përpara publikut duke u thënë: Faleminderit, por nuk ka perde tjetër!

Kur je ndjerë më i emocionuar para publikut?

Kur promovova librin që bëri Pëllumb Kulla. Atë ditë kam derdh lot. N.q.s më parë dhuroja të qeshura me emocionet e mia në sallë, lotët e mija i përjetuan të gjithë. Ishte një moment tashmë, kur unë flisja nëpërmjet penës së Pëllumb Kullës.  Autori nuk ishte në sallë, se ishte në Amerikë, por promovimi pati po atë sukses sikur ai të ishte mes nesh. Folën shumë veta si Drita Agolli, Dionis Bubani dhe me dhjetëra intelektualë të tjerë miq të familjes tonë.

Pse sot shihet një neglizhencë totale ndaj Estradës së Tiranës?

Mos e pyet. Kur mendoj se kjo Estradë që ushqente me humor kryeqytetin të jetë e shkrirë më vjen për të qarë. Ajo ka qenë shpirti i vetë tiranasve, por dhe i Shqipërisë. Ajo tani nuk ekziston fare, fare. E kupton ç’do të thotë kjo? Populli i Tiranës tashmë është pa ushqimin shpirtëror, pa humorin e dashur. Tirana është pa Estradë

Po qytetet e tjera kanë trupë Estrade?

Dëgjo..! Ka Estradë Kukësi, Peshkopia, Fieri, Elbasani Korça, Durrësi, të gjitha qytet kryesore kanë, vetëm kryeqyteti i vendit s’ka Estradë. Kjo është e pa kuptimtë. Ne në sistemin komunist jepnim 26 shfaqje në muaj. Vetëm ditën e hënë kishim pushim. Pra 6 shfaqje në javë. E kupton? 6 shfaqje dhe salla mbushej plot e përplot. Mbushej sa radha ishte çdo ditë nga salla e Estradës deri tek Pallati Kulturës. Këtë ta them me seriozitetin më të madh. Estrada dhe berberët bënim pushim ditën e hënë. Bile nganjëherë kur kërkesat ishin pafund, jepnim dhe dy shfaqje në ditë. Të premteve jepnim një shfaqje apostafat për gratë në orën 16:00. S’kishte bërë vaki që salla ndonjëherë të mos ishte jashtë kapacitetit, asnjëherë.

Sa filma keni luajtur gjatë karrierës tuaj?

Tre filma. “Cirku në fshat”, “Kur hiqen maskat”, dhe “Estrada në ekran”. Ndërsa në variete nuk i numëroj dot, aq shumë kanë qenë. Ne kemi dhënë shfaqje edhe në Pallatin e Sportit dhe ai ka qenë i mbushur. Do të veçoj kur kam qenë njëherë me cirkun në Shkodër. Ishte viti 1964, kur në Shkodër siç thuhej kishte rënë borë pas shumë dekadave. Ne sapo ishim kthyer nga Kina. Shtjefën Palushi, ose Tefa siç i flisnin në Shkodër na pyeti: Si e kaloni në Shkodër,- na tha. Këtu ka vetëm dy gjëra, borë dhe cirk, asgjë tjetër. Ajo shfaqje aty la mbresa. Populli ishte dhe jashtë. Ngelëm të befasuar nga pritja.

Medaljet?

Urdhri i Punës klasit të dytë, “Artist i Merituar”, “Artist i Popullit”, “Mirënjohje e qytetit”, ndërsa vlerësime dhe fletë lavdërimi, nuk di sesa dhe ku i kam (qesh).

Në gjithë këtë karrierë, tashmë që nuk je më në skenë, kur ndjehesh më mirë?

Ah. Skena më mungon, por atë ma zëvendësojnë rruga, trotuaret, kafenetë, kudo ku shkel. Në çdo vend më përshëndesin dhe më kujtojnë me respekt. Njëherë ishim në Amerikë të ftuar, në Nju Jork, ku ishte dhe një televizion që jepte emisione në shqip. Ky emision jepej çdo të diel mbasdite. Ishte një djalë shqiptar që merrej me këtë emision. Ai na ftoi dhe ne. Unë fola për jetën time artistike ashtu si dhe bashkëshortja. Drejtuesi i emisionit në një moment më bën një pyetje. Ku ke qejf të rrish? Ai priste që unë t’i thosha në Amerikë. Por me shumë dashamirësi i them se, unë e di se Nju Jorku është kryeqyteti i botës, por unë kam qejf vetëm në Tiranë. Pra, aty është shpirti im. Ai na ftoi në rrinim aty të jepnim shfaqje, duke na siguruar dhe shtëpi, por nuk pranuam. Unë në Tiranë nga shtëpia deri këtu jam ulur me ty, më këputet qafa duke përshëndetur njerëzit.

Ç’do të veçoje nga njohjet me spektatorët?

Ah.. njëherë këtu në Tiranë një oficer më thërriste nga ana tjetër e trotuarit o Skënder, o Skënder,! Ndalova për respekt. Ai m’u hodh në qafë sikur ishim miq të vjetër. Të them të drejtën jo sa më salutojnë apo më përqafojnë i njoh, -i thashë për të mos u ndjerë keq. Ai më thotë, s’më mban mend?!. S’të kujtohem?! Të them të drejtën si fytyrë e parë, por emrin s’ta mbaj mend. Nuk e mban mend kur u dha shfaqja në Kukës, në filan vit? Po,- i thashë. Unë kam qenë në radhën 6, ta bëra me dorë dhe t’i më përshëndete. A ti je i thashë, me shaka? Ai e mori me tërë mend dhe më përqafoi edhe njëherë.

Atëherë pse ka rënë interesi i qeverive postkomuniste për Estradën?

S’e di pse. Sot duhej të kishte një Estradë më të fuqishme pasi, jetojmë në një sistem demokratik. Nuk kemi më ideologjizma dhe detyrime që t’i përmbahemi vijës së partisë. Liria e krijimtarisë të jep hapësira dhe në skenë. Pëllumb Kulla duke parë këtë zbehje të estradës më thotë: “Sa kemi qeshur në diktaturë, nuk kemi qeshur një jetë”. Ndërsa sot nuk dua ta them, por estrada është lënë në radhën e fundit. Më vjen shumë, shumë keq.

Po në takimet me njerëzit kë do të veçoje?

Njëherë në Strugë, kur na pa një grua në rrugë u sul, duke na puthur. Ajo puthte dhe qante. Eh sa na keni kënaqur me ato skeçet tuaja na thoshte dhe përqafo dhe loto. Na njihte sikur të ishim lerë e rritur aty. Tjetër… Njëherë në Memaliaj dhamë shfaqjen e tretë dhe po hipnim në autobus të shkonim në Tepelenë sepse aty flinim. Vjen një grua labe tipike, siç janë labet, plot dinjitet dhe thotë: Më falni kush është Skënder Sallaku? Në dorë mbante një tepsi me byrek. Shokët i thanë, ja ku e ke. Ajo afrohet dhe më thotë. Djemtë të kanë parë dy net rresht në shfaqje dhe deri në 12 të natës më shpjegonin se, çfarë luaje t’i në skenë. Unë qeshja me shpjegimin e tyre. Ndaj këtë byrek e kam bërë për ty. Në shenjë respekti dhe gëzimit që u fale fëmijëve të mi.

Orkestrantët dhe krijuesit më të mirë të Estradës kanë ikur jashtë?

Po. Por më shumë orkestrantët. Sepse ata e gjejnë më shumë veten. Ndërsa krijuesit e gjejnë vetëm këtu. Njëherë do shkoja në Amerikë. Në aeroport takoj një tregtar. Ai më thotë,- ku do shkosh. Unë i them se ku. Po me se do i presësh biletën? Do ta gjej,- i thashë. Ai bënte tregti me Bullgarinë. Sa bën rruga? 700 dollarë i them. Ai nxjerr nga xhepi 1 000 dollarë. Merri më thotë. Jo, -unë do marr 700,- i them. Jo do ti marrësh të gjitha me kusht: Që të mos i thuash askujt se kush ti dha. Dhe mua të më harrosh se të dhashë para. Kur u ktheva nga Amerika i solla një këmishë. Ai u kënaq shumë nga gjesti im dhe më shtroi një drekë që bënte sa 5 këmisha.

 Luftar Paja, “Artist i Popullit”

Skënder Sallakun e kam njohur që kur isha 12 vjeç. Ai atëherë punonte në Estradën e Kufirit. Unë babanë e kam pasur oficer  dhe atë kohë banonim në Seman. Pikërisht, këtu ata dhanë një shfaqje. Jam shkrirë gazit me numrat e tij. E mendoja gjithmonë. As e kisha shkuar ndërmend që një ditë do të bëheshim kolegë. Ai mbetet një ndër humoristët e parë shqiptarë, virtuoz, me plastikë tepër interesante, me një komunikim interesant me spektatorin. Humbëm një artist të madh dhe një mik të mirë.

Margarita Xhepa-“Artiste e Popullit”

E kam njohur në Estradën e Tiranës. Po vinim një shfaqje nën drejtimin e Pandi Stillos. Aty ai spikati qysh në shfaqjen e parë. Skënderi më gjeti mua aty. Më vonë ne pamë se Skënderi ishte kloun, akrobat, mundës, aktor humori, etj.. Specifika e tij kryesore ishte humori i natyrshëm, humori shpirtëror, jo i sforcuar. Skënderi kishte një zë karakteristik, ku ai me atë zë, luante punëtorin, fshatarin, intelektualin, burokratin, mekanikun, etj.. Ai me punën e tij formoi personalitetin e tij artistik të padiskutueshëm. Por ajo që e dallonte Skënderin nga të gjithë ne, ishte buzëqeshja e tij. Ai kudo kishte një buzëqeshje që s’e gjen kund. Kur kujtoj Skënderin në radhë të parë buzëqesh, pastaj flas. Pasi ai në çdo bisedë sillte humor, sillte pranverë. Në humorin e tij ai ishte spontan, improvizonte, por dhe kërkonte shumë nga vetja. Asnjëherë nuk ishte vetull ngrysur. Jepte humor, paqe, mirësi, dlirësi.

Arben Shaka- aktor i humorit

Lajmin tronditës, e mësova në mëngjes dhe u trishtova shumë. Nuk jam i aftë të shprehem në të tilla ngjarje, por mund të mos shkruaj vetëm pak fjalë. Skënder Sallaku ka qenë dhe do të mbetet aktori më i fuqishëm në skenën e humorit, në arenën e cirkut dhe në ekran. Asnjë prej nesh nuk i është afruar për temperamentin e tij të fuqishëm,veprimtarinë artistike, popullaritetin që gëzonte në të katër skajet e Shqipërisë. Ngushëllimet e mia familjes, ngushëllimet e mia kolegëve të skenës së humorit, ngushëllimet e mia gjithë dashamirësve të tij shqiptarë kudo në botë.

 HOMAZH PËR BUZEQESHJEN SKËNDERIT…

Vitore Stefa Leka

Njëanshmërisht dhe vetëm ashtu, Skënderi na braktisi të gjithëve. Njëherësh m’u kujtuan fjalët e Francesco Alberonit tek “Përtej të mirës e të keqes”: “..vlerën e gjërave dhe njerëzve i njohim, vetëm kur i humbasim ato…”. E ndofta Skënderi kish ngut e desh të mos vononte, që pas Vaçes, kjo ndjesi përhumbjeje, të vijonte të na e popullonte pa reshtur e më dendur shpirtin, në këtë fillim viti të trishtë, duke na e bërë peshqesh këtë largim të Tijin. Apo ndofta, shtegtimin e tij desh ta kish më të lehtë, si flatra e një shpendi në fluturim, që e gjen rrugën më të lehtë, nga flatra e një tjetër shoku udhëtimi, që më parë e ka çarë ajrin. Ndofta në qëllimet e tija më intime, Skënderi pati vendosur kështu, të braktiste veten dhe më pas ne…
E ndofta veten, se vetja, ishin dhimbjet e një jete plot peripeci, barra e kujtimeve, shpesh të lodhshme, të cilave nuk din ç’tu bësh, mosaklimatizimi në atë kohë dhe në këtë kohë, kur përjetimet prej artisti, ndjehen shpesh të zvetënuara nga pandjeshmëria e të tjerëve. Ndofta ky largim i tij ka diçka nga “Arratia e njeriut nga vetvetja” siç shkruan Erich From, përsa njeriu, duke mos u gjendur tek të tjerët, humb lidhjet dhe i largohet edhe vetes. Sot sapo mora lajmin e Skënderit, mu ndez edhe kujtesa rreth ciklit të portreteve “Klouni”, të realizuara prej piktorit Oliver Tihi. Ka në ato çehre të dyjëzuara, një fizionomi që gjeneron qeshje tek të tjerët, ndërsa thellë në shpirtin e klounit mbetet një dëshpërim bjerrës, që më të shumtit, as arrijnë t’a shquajnë. Ndofta, edhe kjo e ka brjerrur Klounin e parë të Cirkut shqiptar, të atë proces të gjatë, të njëanshëm, bujar e më së fundmi shterues. Është kjo bujari e njëanshme e Skënderit, e cila më së shumti na pasuroi neve, duke na krijuar vartësi, ajo që na iku, bashkë me Skënderin. Sot, Skënderi na la peshqesh, trupin e pajetë, në këtë stacion të fundit tokësor, duke na vënë në provë që të ndjekim me hamendje, teksa buzëqeshim, udhëtimin e shpirtit të tij, i cili ka udhë të gjatë për të bërë, në kujtesën tonë.

 Ilir  Çumani, Drejtor i Institutit të Integrimit të Fëmijëve Jetimë

Skënder Sallaku ishte jo vetëm një artist i madh dhe shumë dimensional i humorit të mirëfilltë shqiptar, por, para së gjithash ishte edhe një Njeri tepër i dhembshur dhe human.
Prej 10 vitesh, ai dhe bashkëshortja e tij, Vitorja kanë qenë pjesëmarrës në veprimtaritë e shumta sociale e sensibilizuese të organizuara nga Instituti Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë me fëmijët jetimë të Shqipërisë, të cilëve Ai ju dha mjaft gaz e hare, buzëqeshje dhe dashuri.
Skënder Sallaku i donte shumë fëmijët jetimë, ngase kishte një dashuri natyrale e cila nuk vinte nga mëshira, por i buronte thellësisht nga dhembja dhe dashuria proverbiale që e shoqëroi fëmijëria e paplotësuar e këtij artisti të madh.
U prehtë në Paqe!