Sigal

Skënder Luarasi

Kur flasim për shkollën e parë shqipe, nuk di se si, na vete mëndja menjëherë në shkollën e Korçës, e cila është thënë, gabimisht, se u hap më 7 Mars 1886. Më parë këtë datë të gabuar, e ka dhënë Kalendari Kombiar 1898 në shtyllën e tij ‘’Ca vite të përmëndur’’ ku lexojmë këtë shënim: 1886.   Themelimi në Korçë i së parës shkollë shqipe. Dhe vjet, si tani, për të kremtuar ‘’70 vjetorin’’ e kësaj ngjarje me rëndësi të madhe në historinë e Shqipërisë, u vu në qarkullim një pullë me fotografinë e ndërtesës dhe nje tjetër me të tre drejtorët e parë të shkollës: të Pandeli Sotirit, të Petro Luarasit e të Nuçi Naçit. Në të vërtetë 70 vjetori i ‘’shkollës së parë shqipe në Korçë bie sivjet, se shkolla u hap më 23 shkurt allaturka, ose më 7 mars 1887 sipas kalendarit të soçëm.

Le të gjurmojmë burimet.

Që në verën e motit 1885 shoqeria ‘’Drita’’ e Bukureshtit dërgoi në Korçë Thimi Markon të ndërmjetësonte pranë Mitropolisë së qytetit dhe kryepriftit Fillotheos Konstantinidhit nga Ksanthi, që te vihej edhe gjuha shqipe në skolitë e atjeshme. Pas kundërshtimit që i bëri kleri i lartë grek këtij propozimi, ‘’tarafi i shqipes’’ në këshillin e Mitropolisë, i kryesuar nga Vani Cico Kosturi, u hoq nga d h i m o g j e r o n d i a dhe vendosi të hapte shkollë shqipe të pavarur.

Një mot i tërë u desh të qërohej udha drejt këtij qëllimi të shënjtë. Vështirësitë e fundit ishin dy: a) të gjendej një ndërtesë e pershtatëshme, dhe b) një mësonjës i cili të kishte lejën qeveritare për të mbajtur një shkollë shqipe. Ndërtesën e dhuroi Mandi Terpo, dhe mësonjësin e siguroi shoqëria ‘’Drita’’ e Stambollit. Më 10 shkurt 1887  Sami dhe Naim Frashëri nga Stambolli i dërgojnë kryesisë së ‘’Dritës’’ në Bukuresht letrën në të cilën i shkruajnë dhe këto: ‘’Vivllatë që thoni se na dergoi Gjeçoja me postë i muarmë q’ahere dhe ia derguam në Sallonik Pandeli Sotirit, i cili u nis për në Korçë të bëhet mësonjëtor’’. Më 24 shkurt 1887 Thimi Markoja dërgon nga Korça në Bukuresht një letër në të cilën jep lajmin e rëndësishëm: ‘’Mësoni se me fuqi të Zotit, që lavdi pastë, gjer sot dëshira tonë u mbarua; shkolla shqipe u hap, druri që vumë në dhe këto dy vjet sot lulëzoi dhe dha pemë të ëmbla. Gëzohuni se dje u hap, dhe u shkruan djem mësonjëtorë 35. . . Përkujdesi të na dërgoni sa me shpejt nga 200 abetare dhe këndimtore, për të cilat kemi të madhe nevojë, se mësonjësi Pandeli Sotiri nuk solli me shumë se 50 copë pe të trija sojet. Neve që die na erdhën 35 mësonjëtorë, shprehim (shpresojmë) që për një javë të kemi më tepër se 50, prandaj, si e shikoni është nevojë të dërgoni që të mos çalojmë‘’.  Meqënëse viti administrativ në Turqi mbyllej në Mars, statistika turke e motit 1886 e përmënd këtë shkollë shqipe, e cila nuk kishte më tepër se një muaj që ishte çelur; dhe s’është çudi që salinameja ka qënë burimi i gabimit që bën ‘’Kalendari Kombiar’’ për vitin e themelimit të shkollës shqipe, në Korçë. Edhe një gabim tjetër spikat në këtë shënim të ‘’Kalendarit’’ të Sofjes: shkolla e Korçës nuk është e para shkollë shqipe. Mund të jetë e tillë për Korçën; mund të jetë shkolla e parë shqipe që u njoh zyrtarisht prej guvernës së Stambollit; po shkolla shqipe ka pasur përpara vitit 1887 në Shqipëri. Po cilat kanë qënë këto shkolla shqipe? Për të zgjidhur këtë problem nuk janë bërë shumë përpjekje, megjithëse historia e shkollës shqipe ka rëndësi të madhe për historinë e kulturës sonë. Në këtë artikull nuk do të zëmë ngoje shkollat shqipe të urdhrave të ndryshëm fetare që kanë ekzistuar gjatë sundimit turk në gjithë Shqiperinë; as atë kategori ‘’shkollash popullore’’, të dhaskal Gjokës në Korçë, të dhaskal Than Xhekës në Trebickë ose të dhaskal Todrit në Elbasan, ku fëmijët dërgoheshin të mësonin pakë shkrim e këndim. Do të përmëndim vetëm disa shkolla të Rilindjes sonë që kishin karakter edukativ politik; këto shkolla i themeluan patriotët shqiptarë me qëllim që të edukonin popullin shqiptar për të fituar lirinë e pamvarësinë kombëtare. Rilindja shqiptare nis me shekullin XIX, dhe Naum Bredhi (Veqilharxhi) është flamurtari i saj. Me veprën e tij ‘’Engjiklika’’ që më 1836 dhe me ‘’Abetaren shqipe’’ më 1844 e 1845 ai u bë ideologu dhe mësonjësi i parë i lëvizjes sonë kombëtare. Më 1866 ky patriot i madh, sipas biografisë së tij prej Sevasti Qiriaz-Dakos, i paraqiti një memorandum Ali Pashës, sadrazemit të Sulltan Azizit, që t’u jepte lejë shqiptarëve të shtypnin libra shqipe dhe t’i përhapnin në Shqipëri. Pas këtij vjeti më s’dëgjojmë gjë per këtë rilindas të çquar. Thonë, që më parë se të nisej për në Shqipëri, më 1867, që të çelte shkolla shqipe, Patrikana, kuçedra që rroi nëpër shekuj me gjakun e bijve më të ndritur te Ballkanit, i dha fund jetës së vleftëshme të plakut 69-vjeçar, duke e farmakosur në selinë e saj.

Po fara u mbuall. Një nga vendimet më të rëndësishme të lëvizjes së Miletit ishte të fuste gjuhën shqipe në shkollat e vëndit. Në këtë faze të dytë të Rilindjes sonë, shkolla u bë shesh lufte ku do të vendosej e arthmja e popullit tone. Më 1879, në vjeshtë, kur lëvizja po shtrihej tejpërtej Shqipërisë, Koto Hoxhi, një nga themelonjësit e shoqërisë në fshatin e tij Qestorat, mblodhi rreth tij nxënësit më të zotë të Normales greke ‘’Zografion’’, djem të vëndit, të cilët grekët i kishin edukuar ta shihnin gjuhën shqipe si një kolerë dhe u mësoi këndim e shkrim në gjuhë amtare. Dhaskali grek i Labovës, (i fshatit të Zhapës, bashkëpunëtorit të Veqilharxhit, që e la pasurinë për edukimin e popullit të tij shqiptar po që Patrikana dijti t’ja xhvatë për interesat e saj satanike), do ta ketë kënduar në shkollën greke këngën barbare:

 

Tu avllvanizmu i psora

Labovitas dhen molini,

Ute tus apomakrini

Apo ton elinizmon;

Alivanon opu tha evro

Tha tu paro tin psihi,

Qe to ema tu tha pino

Opos pino te krasi, 1)

1) Krroma e shqipëtarizmit — nuk i zë labovitasit — as do t’i mërgonjë prej helenizmit; — kudo që të gjenj shqipëtar kam per t’i marrë shpirtin — edhe gjakun do t’ja pi — ashtu si pi verën.

Kësaj kënge barbare një nga nxënësit më besnikë të Koto Hoxhit, Petro Luarasi, iu përgjegj me këngën e Pashko Vasë Shkodranit, e cila u bë hymni për gjithë shqiptarët patriotë të asaj kohe. Më 1882, pikërisht motin kur mytesarifi turk i Gjirokastrës ja dorëzoi qeverisë greke Anastas Kulluriotin që ta vriste në burg t’Athinës, Petro Luarasi u emërua mësonjës i greqishtes në Bezhan, ku dha mësimin e parë shqip me Abetaren e Stambollit dhe me Ungjillin e Kristoforidhit. Po kështu bën në shkollën e Katundit e të Treskës; dhe më në fund në shkollën e fshatit të tij Luaras, të parën herë që prej 1884-1886. Për punën e Petro Luarasit gjer në motin 1886, lexojmë në librin e tij ‘’Mallkimi i shkronjave shqipe’’ këto fjalë: ‘’I predikuar nga kujtimndrituri Koto Hoxhi në mendimet e të përhapurit të shkronjave shqipe nuk la kujdes të jape bashkë me mësimet greqisht edhe mësime shqipe, në nxënësit e tij, me ato libra që ndodheshin.’’ Nga këto fjalë kuptojmë se Petro Luarasi, me inisiativën e tij, pa kërkuar leje nga qeveria turke ose nga Patrikana greke, e realizoi që me 1882 atë qëllim, të cilit Thimi Markua, delegati i shoqërisë ‘’Drita’’ të Bukureshtit dhe patriotët e Korçës u munduan 2 vjet rrjesht t’ja arrinin me hirin e Mitropolisë — qëllimit që të futnin gjuhën shqipe, qoftë edhe për disa orë në javë, në shkollën greke të Korçës shqiptare!

Në librin ‘’MalIkimi’’ përsëri lexojmë: Më 1887, në muajin gusht, u kallëzua nga bashkëmëmëdhetarët e tij për predikimet shqipëtare të nxënësit të tij ne Mitropoliti i Kosturit, Qirilli; dhe me qënë që nuk u bind në këshillat dhe zotimet e Qirillit, ky për dënim e mallkoi dhe e çkishëroi Petron, duke dënuar me çvetëmtim (aforizmë) dhe jashtëkishje (ekskomunikim) në gjithë katundet e fshatrat e Kolonjës ëilindo që te zërë fill për të qasur Petron dhaskal (mësonjës) në katundin e tij. Po Petrua, kundër bindjes ndaj Qirillit, tek të pendohet, hapi mësonjëtore shqipe vetake (private) në Ersekë të Kolonjës, ku të vegjël e të mëdhenj nga dëshëronjësit, që kishin voli, vinin të dëgjonin e të mësonin këndim e shkrim të gjuhës shqipe. Kjo gjë motoi gjer dy vjet në të cilët Petrua ish i lirë të vizitonjë nëpër katundet e ndryshëm popullin e kryetarët e Kolonjës, duke u mësuar e predikuar të duhëshmet për nevojën e të përhapurit të shkronjave shqipe. Kështu filluan çelja e shkollave dhe perhapja e mësimit t’Abetares shqipe në vendin tonë.

(*) Në shkrimin  argumentova që ‘’në të vërtetë shkolla e parë shqipe në Korçë u hap më 23 shkurt 1887, allaturka , ose 7 mars 1887, sipas kalendarit të soçëm’’.  Ministria e  Arsimit e hoqi pllakën përkujtimore të shkollës shqipe me motin ”1886” duke e zëvendësuar me një tjetër me motin ”1887”.