Skënder Haklaj: Në vitin 1970 kam trokitur gotën e rakisë me Enver Hoxhën

1280
Si zanafillë e artit të koreografisë ka qenë çiftelia e babës dhe lahuta e tij. Skënderi thekson “Dua t’ua bëj të qartë dhe kolegëve dhe studiuesve, për ndryshimet në emërtesë edhe në dhomë edhe në përmbajtje të k’cimeve (kërcimeve) nga vallet. K’cimet, (kështu duhet dhe në drejtshkrim) me tupan do të jenë në një libër të veçantë për të bërë dallimet. Kcimet janë para valle, janë ndryshe në konceptin e perceptimit, kolektivizimit dhe unifikimit të lëvizjeve. Kcimet janë individuale, statistike, improvizuese. Ne k’cimtarët tropojanë nuk mund të na shohësh dy herë në të njëjtën figurë”. 

Kur dhe si përkon dashuria juaj me koreografinë dhe vallet?
Në vegjëlinë time kam “fituar” nga fatkeqësia e babait tim, i cili e vuajti shumë vdekjen e vëllait tim, në moshën 28-vjeçare (i martuar). Në shtëpinë time tashmë kishte 6 femra, kështu që lindja ime ishte gëzim i madh, jo vetëm për familjen, por edhe për gjithë fisin. Pra, baba u bë me trashëgimtar. Baba (quhej Ram) i binte mirë lahutës dhe këndonte në mënyrë recitative, me 6 vargje pastaj e thyente. Pastaj ai i binte dhe çiftelisë bukur me motivet e Tropojës. Babai im ka lindur në vitin 1884, pra kam të dhëna nga shekujt paraardhës nga gojëdhënat e tij. Pas darke, kur piqnim gështenja, babai i binte lahutës dhe çiftelisë dhe çdo darkë më thoshte të kërceja. Ai merrte një shami e lidhte me një fije peri dhe e ngrinte lart me qëllim të nxiste kërcimin tim. Babën e ftonin nëpër gëzime dhe i thoshin mere djalin me vete. Kështu unë kërceja vazhdimisht nëpër oda burrash. Nëna më përkëdhelte me punimet e veta të veshjeve kombëtare që i bënte me shtiza. Ajo bënte kapuça, qeleshe, xhubleta, jelekë, opinga, breza mesi. Në klasën e parë fillore bëheshin festime të ndryshme. Ishte viti 1957, babai më nxiti të kërceja ashtu si më kishte mësuar. Kërce si zogu më thoshte. Dola para gjithë shkollës në moshën 7-vjeçare, ku mora shumë duartrokitje. Pas këtij momenti filluan të më ftonin në të gjitha aktivitetet e shkollës, por dhe në Festivalet Krahinore dhe Kombëtare.

Po shkollën e mesme ku e bëre dhe çfarë shkolle ishte?
Ishte fati i im i madh që shkollën e mesme e bëra në Peshkopi. Bëra shkollën e mesme për agronom, por aty u njoha me shumë artistë të mëdhenj të asaj zone, siç ishte Azis Ndreu, Izet Dardeshi, Xhevat Fana, me të cilët kërceja në festa të ndryshme. Atje do të veçoj vallen shtatë-tetëshe, një valle interesante. Izet Dardeshi, më mësoi dhe k’cimin mbi gishta, vallja e shpejtë dibrane.
Kur ke filluar të marrësh pjesë në festivale?
Festivali i parë ka qenë në vitin 1968, kur unë isha tashmë me eksperiencë, pasi në Peshkopi kisha mësuar shumë. Unë në këtë festival isha dhe si kërcimtar edhe si organizator, pasi kisha arsimin e mesëm dhe kisha mësuar shumë nga personalitetet e mësipërme. Unë në këtë festival kërceva disa ritme tropojane, aty mora shumë duartrokitje.

Në sa festivale keni marrë pjesë?
Unë kam marrë pjesë që nga Festivali i Vitit 1968 dhe deri në vitin 1988. Pra në 6 festivale dhe pastaj e lashë, pasi emigrova në Itali.

Në këto festivale në të gjitha ke marrë pjesë si kërcimtar-valltar?
Jo, në të fundit isha si koreograf dhe organizator. Pra, tashmë kisha filluar të përgatisja k’cimtar të rinj dhe valltar të rinj. Doja të përcillja trashëgiminë e brezave.

Sa valle keni kërcyer?
Janë afër te 100 valle që kam kërcyar, por janë shumë edhe ato si koreograf. Të gjitha vallet dhe k’cimet nuk kanë lidhje dhe ngjashmëri, janë të veçanta. 
Te k’cimet secili individ ka motivin e vet. Pra, kjo është pasuria tropojane, pasi ka shumë k’cime, ku secili sipas motivit që gjen, sipas motivit që gërmon apo i del përpara. Ndryshe është motivi i Ram Myftarit, ndryshe është motivi i Xhevahire Gashit, e plot e plot të tjerë

Sa çmime ke marrë nëpër festivale?
Unë, nuk ka pasur festival që nuk kam marrë çmim.

Me udhëheqësit e asaj kohe a je takuar dhe a të kanë vlerësuar?
Po kam pasur. Ja, mund të them se në vitin 1970 kam çuar dolli në Tropojë. Në atë kohë isha me kursin e parë të koreografisë që ishte i pari në Shqipëri. Xhevahire Gashi që ka qenë pjesëtare e Festivalit tonë Kombëtar në Moskë (1957) dhe ishte në grupin tim për këtë kurs. Në këtë kohë na vjen lajmi se, do bëj vizitë Enver Hoxha në Tropojë. Ne na kanë marrë nga kursi në fshat për të shkuar në Tropojë. Erdhi dhe na mori gazi i Sekretarit të Parë. Unë shkova ashtu siç isha me tutat e provave. U vendos që, kur të vinte Enveri do të dilnin në skenë katër vetë dy këngëtarë dhe dy valltarë, Skënderi dhe Xhevahirja. Ne kërcyem me shumë përgjegjësi. Ky aktivitet u bë në palestrën e shkollës 8-vjeçare. Kishte shumë entuziazëm. Ne u duartrokitëm shumë. Pasi kërcyem, Enveri erdhi dhe na hodhi dorën në qafë e na uroi. Pastaj ai mori gotën e rakisë dhe e trokiti me ne. E trokitëm të gjithë. Ishte ditë e veçantë në atë kohë, të të hidhte dorën në qafë Enveri apo të trokiste gotën e rakisë.
A kishte vlerësim atëherë për aktivitete kulturore dhe festivale?
Unë kam rezervat e mia për atë regjim, por në drejtim të kulturës punohej shumë. Ne përveç festivaleve kishim dhe festivalet e klasës punëtore. Kishim aktivitete të ndryshme në bazë rrethi. Maj mend se në Durrës u bë një festival i veçantë, ku ne u paraqitëm me vallen e dritave. Ose më mirë “Dritat e partisë”. Kjo valle u bë si hit. Për këtë valle mua më ftonin në çdo aktivitet të Partisë në qytet apo aktivitete të tjera që zhvilloheshin në mbarë vendin.
Pas mbarimit të kursit të parë nëntë mujor , ku dhe sot në Akademi nuk bëhet më shumë, ne kishim shumë kërkesa.
Kush ishin mësuesit e tu në Akademi?
Ishin koreografë me famë botërore, jo vetëm shqiptare, si Panajor Kanaçi, Skënder Selimi, Ramazan Bogdani, Gëzim Kacelin, Petrit Vorpsin (ushtrime klasike), me të cilët po të rrije do mësoje shumë. Por dua të them se dhe ne kishim një talent natyral.
Në grupin tuaj të universitetit çfarë do të veçoje?
Ne ishim një grup për kulturën e përgjithshme, ku u specializuam për koreografi. Pra, me tema koreografike e mbrojtëm diplomën. Mbas Instituti në vitin 1977, bëra një kurs për koreografi . Kështu filloi të gjallërohej shkenca e koreografisë. Në vitin 1984 ne arritëm kulmin. Në vitin 1988 erdhi një grup zviceran i pasionuar pas folklorit dhe panë të gjitha vallet dhe kërcimet e grupit tonë. Ata u habitën me kërcimet dhe vallet tona si, “Legjenda e Ylberit”, “Përplasja e deshëve” , “Cicërimat pranverore”. Madje dua të them se nga Instituti i Studimeve Italiane të Folklorit këto valle dalin shumë të lashta.
Kur ke dalë jashtë shtetit?
Kam dalë që në vitin 1989 në Zvicër me grupin e Tropojës, ku ne zumë vend të parë. Aty ishin 33 vende, vallet dhe kërcimet tona i befasuan. Aty ishin dhe Rusia, USA dhe India. Kërcimet të lenë pa fjalë.
Sa valle keni krijuar në vijimësi dhe më e veçanta?
Janë mbi 150, të cilat janë luajtur nga grupi Tropojës, por edhe nga Ansambli i Shtetit. Në vitin 2005, kur ju dha titulli Rexhep Çelikut bëra një valle enkas për të, për Ansamblin. Në vitin 2006 bëra vallen “ Ritmet e Dardanisë” me Ansamblin “Shota” e cila u vu në skenë në 100-vjetorin e Pavarësisë.

Cilat janë lidhjet tuaja me Unionin e Kombit Shqiptar?
Unë fshatin tim e kam mbajtur gjithmonë në kujdes. Aty zbulova dhe Azgan Haklajn, i cili ishte me shumë fuqi, kishte shumë dëshirë, ishte impulsiv dhe thithte vazhdimisht , kishte dëshirë për dije. Por ai kishte problem biografie, sepse kishte dajën një aga me emër. Por unë e përgatita të shkonte në shkollën e lartë të Koreografisë. Unë atë vit isha anëtar i jurisë për pranimin e studentëve të rinj bashkë me personalitetet e koreografisë. Azgani fitoi të gjitha pikët, por për arsye biografie nuk e pranuan. Por ne bashkëpunojmë me Unionin e tij dhe marr unë marr pjesë si koreograf në këtë Union. Një aktivitet i madh ishte “Sofra Dardane” ku ne në shtatë kodra vendosëm zjarr me hi dhe naftë, kur lajmëtarët thërrisnin fort, oouooooo, çfarë po bëhet? Dasmë more dasmë.
Sigal