Skandali, frika mban sekret kontratën e “Check-up”

886
Përparim HALILI
Mbahet sekret kontrata e “Check-up” dhe e 40 koncesioneve të tjerë, që paguhen nga taksat e shqiptarëve
Me urdhër të Vilma Nushit, ministria e Shëndetësisë, Ministria e Financave dhe Ministria e Ekonomisë, kanë bllokuar kontratën 10-vjeçare me vlerë 120 milionë euro 
Gjatë 8 viteve të opozitës së “egër” e për më tepër gjatë 40 ditëve të fushatës së zgjedhjeve parlamentare të para 4 viteve, kupola e “Rilindjes” kërkoi dhe grumbulloi votat masive të shqiptarëve, krahas premtimeve të punësimit, uljes së çmimeve, rritjes së pagave e pensioneve, deklaroi me bujë se do të anulonte gjithë koncesionet e dhëna prej (ish) pushtetit të PD, madje premtoi se do t’i jepej fund “krimit ekonomik-financiar kombëtar të koncesioneve”. Pa mbushur edne 4 muaj në pushtet, “rilindja” jo vetëm nuk i anuloi koncesionet e dhëna, por i shtoi ato edhe në sektorë të tjerë të shërbimeve publike dhe me klientë të rinj të “oborrit” të saj, por edhe duke “rilindur” koncesionet ekzistuese. 
Koncesioni i “Check-up”, ekzemplar i korrupsionit dhe klientelizmit të “Rilindjes” 
Aktualisht, në të gjithë sektorët ekonomikë, financiarë, kulturorë e të shërbimit publik, energjetik, e miniera janë në aktivitet 50 koncesione, të cilët kryesohen nga koncesionet në shëndetësi, me rekord financiar koncesionin 10-vjeçar të “Check-up”-it që i është dhuruar Vilma Nushit, me vlerë 120 milionë euro, koncesion që vetëm likuidohet verbalisht dhe pa asnjë kontroll parlamentar e shtetëror, paçka se është denoncuar nga “Telegraf” dhe deputetët e PD në komisionin parlamentar të shëndetësisë, për lista shërbimi fiktiv në kontrollin mjekësor! Po ndalemi tek ky koncesion, për faktin se është “ekzemplari” i koncesioneve korruptive, ndër 30 koncesionet e reja që ka dhënë “rilindja” në shëndetësi e në sektorë të tjerë. Kontrata e “Check-up”-it, nuk publikohet sipas ligjit të transparencës dhe informimit të medies e publikut, madje ata zyrtarë që do ta publikojnë kërcënohen me largime nga puna dhe burgosje “për nxjerrje të sekretit shtetëror”! Deri këtu ka shkuar fuqia e Vilma Nushit, pronares së këtij koncesioni e të shumë koncesioneve dhe monopoleve të tjerë në shëndetësi, import-eksport cigare-duhanesh, dogana Taksapaguesit shqiptarë e kanë paguar dyfish të ashtuquajturin “kontroll shëndetësor falas”, ndërsa Vilma Nushi arriti të shlyej shpenzimet e kryera brenda pak muajve nga nisja e aktivitetit, duke realizuar 45 milionë lekë të reja fitim neto, brenda 9 muajve të parë të këtij koncesioni, i cili nëse nuk do të bllokohet nga prokuroria që e ka në hetim, do të zgjasë për 10 vite. Gjatë vitit 2015, vetëm 244 mijë shqiptarë e morën këtë shërbim, ndërsa kontrata e mbajtur sekret nga qeveria, sanksionon detyrimin kontrollin e 475 mijë personave, të cilët edhe pse nuk kanë kaluar në kontroll, milionat nga buxheti i shtetit janë shlyer. Të dhënat financiare të kontratës koncesionare për shërbimin e “Check-up”-it , janë mbajtur gjithmonë të fshehta nga ana e kupolës së “rilindjes”, duke përdorur tre ministrit përkatëse që kanë detyrimin ta monitorojnë këtë shërbim dhe t’i bëjnë pagesat. Por bilanci i kompanisë “3P Life Logistic” për vitin 2015, i dorëzuar me vonesë në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, zbuloi se qeveria merr përsipër të paguajë 475 mijë analiza laboratorike mjekësore në vit, pavarësisht se sa është numri real i personave që e marrin këtë shërbim, duke arkëtuar miliona lekë për punë të pakryer, tek xhepi i Vilma Nushit! Këtë e provon një deklaratë e bërë publike nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, sipas të cilit, paçka se 917 mijë shqiptarë kanë të drejtë të përfitojnë nga projekti, “jo çdo gjë shkoi siç duhet”, mbasi vetëm vetëm 244 mijë e 420 persona janë listën e kryerjes së “Check-up”-it për vitit 2015. Por, bilanci i kompanisë për periudhën 31 mars-31 dhjetor 2015, tregon se taksapaguesit shqiptarë i kanë paguar Vilma Nushit 554 milionë lekë, ose dy herë më shumë se vlera e analizave që duheshin kryer sipas detyrimit të kontratës e cila po mbahet sekret me dhunë shtetërore edhe ndaj 3 ministrave të linjës që dhanë dhe monitorojnë “Check-up”-in dhe gjithë koncesionet në Shqipëri. Kujtojmë, që sipas letrave zyrtare të specifikuara edhe në kontratë, firma “3P Life Logistic” është kompani e themeluar qëllimisht për mbarëvajtjen e koncesionit 10-vjeçar të “Check up”-it e cila në 80% të saj, zotërohet kompania “Marketing& Distribution” e importit të cigareve, që rezulton se është 100% në pronësi të Vilma Nushit dhe në 20%, zotërohet nga kompania “Trimed” e cila po kështu në50% të aksioneve është pronë e Vilma Nushit! Kompania “3P Life Logistic” që përfaqëson “Check-up”-in u themelua qëllimisht në muajin dhjetor 2014 për këtë koncesion, duke pasqyruar një kapital themeltar prej 30 milionë lekësh dhe ka deklaruar 337 milionë lekë investim në laboratorë, ndërkohë që brenda 9 muajve ka përlarë 554 milionë lekë nga taksat e shqiptarëve për gjoja kontrollin mjekësor, që sipas denoncimeve faktike të “Telegraf” dhe komisionit parlamentar të shëndetësisë, rezultoi fals e i pakryer në 50% të volumit dhe listave! Ndërsa në vitin 2016 e deri sot, rezulton se të ardhurat bruto prej të Vilma Nushit nga ky koncesion (taksa shqiptarësh), shkon në mbi 730 milionë lekë në vit, (ose ofro 5.4 milionë euro në vit). Dhe për t’I shtuar fitimet Vilmës, (ish) ministri Ilir Beqja propozoi dhe Këshilli i Ministrave miratoi me VKM të posaçme, që të zgjeroheshin grupmoshat e përfshirjes në “Check-up”, duke e shtuar këtë nga 40-65 vjeç që ishte në kontratën fillestare, në 35-70 vjeç!
Përgjigjet e 3 ministrive, për “Telegraf”: “Nuk e kemi kontratën e koncesionit të “Check-up” 
Kërkesës zyrtare të gazetës “Telegraf”, për të marrë informacion lidhur me koncesionin e “Check-up”-it, drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë si Autoritet Kontraktor, kjo ministri i është përgjigjur me një “sqarim, me të cilin ajo provon skandalin, që bosja Vilma Nushi ka urdhëruar të mos jepet asnjë informacion lidhur me “Check-up”-in dhe zbatimin e këtij koncesioni. Ministria e Shëndetësisë, me Shkresën Nr. 1858/2 prot., datë 14 prill 2017, drejtuar gazetës “Telegraf”, na sqaron: “Nuk mund të japim asnjë informacion lidhur me koncesionin e “Check-up”-it si procedurë tenderuese, si kontratë e nënshkruar nga kjo ministri dhe si zbatim kontrate në kontrollin mjekësor, mbasi nuk e disponojmë kontratën dhe asnjë informacion tjetër, sepse janë sekuestruar nga prokuroria në kuadër të një hetimi penal për këtë koncesion”. Që ky koncesion është vepër penale jo vetëm si procedurë tenderimi e dhënie në favor të Vilma Nushit, kjo dihet dhe nuk ka nevojë për komente, por çudia qëndron në faktin, që kjo përgjigje e njëjtë është kthyer edhe nga drejtoria Juridike e Ministrisë së Shëndetësisë, duke na përcjell kompetencën: “Ne nuk e kemi kontratën, mbasi në bazë të Kontratës koncesionare, institucioni përgjegjës për financimin e projektit të “Check-up”-it dhe prodhimin e të dhënave (informacionit) mbi ecurinë e kontrollit mjekësor është Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor”! Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, deklaron se dosjen e kontratës dhe ecurinë e “Check-up”-it e kanë Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Financave dhe Ministria e Ekonomisë! Por edhe ministria e shëndetësisë, me Shkresën Nr. 2622/1 Prot., datë 7 prill 2017, na ka dhënë këtë përgjigje: “Ky informacion (për Check-up”) nuk disponohet nga Ministria e Ekonomisë, por nga Autoriteti Kontraktor, i cili është Ministria e Shëndetësisë” Ja përgjigja, që na ka dërguar ministri i Financave, ortaku i Vilmës, biznesmeni Arben Ahmetaj: “Lidhur me kërkesën për informacion, ju duhet t’i drejtoheni Ministrisë së Shëndetësisë e cila është Autoriteti Kontraktor në këtë marrëveshje koncesionare dhe Ministrisë së Ekonomisë e cila mban regjistrin elektronik të koncesioneve të Partneritetit Publik Privat (PPP), mbasi kjo ministri është bazë të dhënash, për gjithë koncesionet në Shqipëri”.
Ja 40 koncesione, kontratat e të cilëve po mbahen sekret 
1. Kontrata e koncesionit për Kontrollin doganor të importit të cigareve nga Vilma Nushi
2. Kontrata e koncesionit për shërbimin në sportelet e Hipotekave nga Vilma Nushi
3. Kontrata e koncesionit për Laboratorët Mjekësorë, firmosur nga Milva Ekonomi
4. Kontrata e koncesionit për Hemodializën 
5. Kontrata e koncesionit për Sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale
6. Kontrata e koncesionit për Urgjencat Mjekësore
7. Kontrata e koncesionit për Mirëmbajtjen e Pajisjeve Mjekësore
8. Kontrata e koncesionit për Parkimin e Automjeteve në QSUT
9. Kontrata e koncesionit për Rimbursimin e Ilaçeve
10. Kontrata e koncesionit për Evadimin e Mbetjeve Spitalore
11. Kontrata e koncesionit për Ushqimin dhe Shërbimin e Lavanderisë në Spitale 
12. Kontrata e koncesionit për evadimin e Mbetjeve Spitalore
13. Kontrata e koncesionit për aksionarëve në “BANKERS”
14. Kontrata e koncesionit për ndërtim HEC-i në Poçem
15. Kontrata e koncesionit për Importin e Plehrave
16. Kontrata e koncesionit për Lotarinë Kombëtare
17. Kontrata e koncesionit për Resortin Turistik në Bregdet, firmosur nga Milva Ekonomi
18. Kontrata e koncesionit për Regjistrin Elektronik Mjekësor
19. Kontrata e koncesionit për Protezat Ortopedike
20. Kontrata për koncesionin e “BUNK-ART”
21. Kontratat për koncesionet e 5 kalave
22. Kontrata koncesionit “San Leon” për kërkimin e naftës në Detin e Durrësit
23. Kontrata e koncesionit për Stadiumin e ri të Tiranës 
24. Kontrata e koncesionit për Radiolokacionin (vëzhgimin ajro ushtarak”
25. Kontrata e koncesionit për transportin Ajror Ndërkombëtar
26. Kontrata e koncesionit për administrimin e Muzeut “Shtëpia e Gjetheve”
27. Kontrata e koncesionit për Pullat fiskale
28. Kontrata e koncesionit për ngjyrosjen e karburanteve
29. Kontrata e koncesionit për prodhimin e pasaportave dhe Kartave të identitetit
30. Kontrata e koncesionit për Kolaudimin e Automjeteve
31. Kontrata e koncesionit për riparimin e automjeteve qeveritare
32. Kontrata e koncesionit për shfrytëzimin e minierave të bakrit
33. Kontrata e koncesionit për shfrytëzimin e minierës së kromit në Bulqizë
34. Kontrata e koncesionit për import-përpunimin e Skrapit
35. Kontrata e koncesionit për 4 HEC-et e blera prej “KURUM”
36. Kontrata e koncesionit për ish-kombinatin metalurgjik “KURUM”
37. Kontrata e koncesionit për shitjen e “ALBTELEKOM”
38. Kontrata e koncesionit për impulset telefonike të zonave rurale “HERMES”
39. Kontrata e koncesionit për shfrytëzimin e naftës nga “Petrolifera”
40. Kontrata e koncesionit për shërbimin SICPA (Lufta ndaj evazionit fiskal)
Sigal