SKANDAL/ Drejtori i Teatrit “Skampa” nuk fton në 50- vjetorin e teatrit, Astrit Çermën

890
Sigal

Aktori i madh shqiptar, “Artisti i merituar” Astrit Çerma, në një deklaratë publike, që i drejtohet drejtorit të teatrit “Skampa” të Elbasanit, denoncon, që ky drejtor nuk i bën ftesë që të marrë pjesë në 50- vjetorin  e festimit të teatrit “Skampa”. Jo vetëm kaq, por aktori i shquar, Astrit Çerma, si pjesë e historisë të vetë teatrit “Skampa”, në denoncimin e tij, shtron edhe pyetjet, ku i thotë drejtorit të emëruar të teatrit “Skampa”, Ilirjan Sulkia, se kur do të organizohet 50 -vjetori, çfarë do të bëhet, si do të bëhet? Ky është skandal, që një drejtor i emëruar i një teatri, që nuk ka asnjë lidhje me artin, me historinë e teatrit “Skampa” të gëzojë privilegjin e detyrës, që ai të bëjë kur të dojë, si të dojë, të ftojë kë të dojë në një jubile të madh të teatrit! Është një turp, që të tillë drejtues të institucioneve të artit e kulturës, në Shqipëri, sot, shpërfillin me dashje vetë historinë e institucioneve që drejtojnë, duke mos respektuar pa e ftuar ata personazhe, siç është Astrit Çerma për teatrin “Skampa”, në 50 -vjetorin e themelimit. Ja denoncimi i vetë Astrit Çermës: Z. Ilirjan Sulkia. Ju,doni, s’doni, jeni sot titullari i teatrit “Skampa”. Si titullar ju jeni i detyruar për respekt të postit që mbani,  por edhe  për respektin ndaj vetes suaj, të na respektoni edhe neve,  që dikur e dikur  “çoç ishim dhe çoç dhamë” për atë teatër. Është  50-vjetori i teatrit dhe asnjë njoftim zyrtar nuk na është dërguar për këtë përvjetor. Kur do të bëhet? Çfarë do të bëhet? Si do të bëhet? A kemi nderin edhe ne të jemi të pranishëm në këtë përvjetor? Kujtojani, ju lutem, nëse e ka harruar z.Bashkim Paheshti, se mua, nuk më pengon aspak “emigracioni” dhe asnjë kusht tjetër të jem i pranishëm”.

Pa ftuar edhe ata që shkruan historinë, ata që janë personazhe të historisë të teatrit “Skampa”,sikurse nuk është ftuar Astrit Çerma përse duhet të organizohet 50- vjetori i  këtij teatri? Mos vallë, vetëm që të dëgjojmë fjalimet e drejtorit të emëruar dhe të shikojmë fytyrat e titullarëve të ministrisë së Kulturës dhe Arteve? Qëndrime të tilla, sikurse i drejtorit të sotëm të teatrit “Skampa”, Ilirjan Sulkia, bëjnë që cilido dashamirës i teatrit të ndihet i fyer dhe i turpëruar.

Ja disa reagime të njerëzve dashamirës të teatrit;

 Hemida Braho:

Kur shpirti, zemra e teatrit largohet, të tjerët jo vetëm harrojnë artin, por e vrasin, nuk kuptojnë që ai shpirt e zemër që mbajti atë teatër gjallë akoma e merr malli për atë skenë. Arti te ty asnjëherë nuk vdes, janë të paaftët që e mbysin dalëngadalë.

 Geti Alimani:

  Ju mund t’ju harrojnë personat që ndodhen rastësisht në pozicione drejtuese ( por që duhet të dinë që këto pozicione janë kalimtare, sot i kanë, nesër jo), por nuk ju harron spektatori për kontributin dhe gjurmët që ju keni lënë në teatër dhe kinematografi, duke përdorur dhe batuta nga rolet tuaja… ju e keni vlerësimin e spektatorit pa diskutim… të kujtojmë me respekt, jo vetëm ne që të njohim drejtpërdrejt, por dhe ata që të njohin nëpërmjet roleve që ti i ke dhënë jetë…

 Natalia Luho :

 Të falënderoj gjithmonë për mendimet dhe fjalët që burojnë nga zemra jote e brishtë, por krenare për gjithçka që jo vetëm ti, por gjithë trupa juaj ka dhënë gjatë këtyre viteve. Një përqafim të veçantë për Prof. dhe të ëmblin Demir Hyska që kam një afeksion dhe respekt të jashtëzakonshëm. Sa për ata që harrojnë? Ehe, aman lëri, turpi për të gjallët është. Përqafime.

Po  ministria e Kulturës dhe e Arteve, si do të reagojnë vallë? Do të heshtin, duke miratuar vendimin e drejtorit, Ilirjan Sulkia që ata e kanë emëruar, për të provuar kësisoj, se vetë kjo ministri po harton këto lista turpi të shpërfilljes dhe mosftimit në 50- vjetorin e teatrit “Skampa” të personazheve që bënë historinë e vetë këtij teatri.