Sinoptika e termit “gënjeshtër”

795
Fejton nga Hyskë Borobojka
Thonë se gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra, por në vendin tonë i ka aq të gjata sa s’maten as me centimetra e metra, por as me orë, ditë, javë, muaj e vite, por me kilometra e dekada. Kur mileti, pa dallim feje, krahine dhe ideje u ngrit në luftë për liri, kundër zaptuesve fashistë e nazistë, u pretua me bujë të madhe se pas çlirimit të vendit, do të vendosej demokracia, do ngjallej e do forcohej ekonomia dhe mileti do të “hante me lugë floriri” Por (ah, kjo qerrata lidhëz kundërshtuese) premtimet u shndërruan në gënjeshtra. “Lugën e floririt” e zëvendësoi triska ordinere 400 gram bukë në ditë, herë prej gruri e më shumë prej misri hibrid. Pasuria e vendit u bë rrush e kumbulla. Blegtoria rreth tetë milion krerë filloi të firapsej aq sa la si kujtim të tufave të mëdha me dhen e dhi vetëm lëkurët.. Thonë se partia shtet u përpoq me mish e me shpirt ta shtonte e ta shumonte, madje një rreth blegtoral, siç ishte Gjirokastra, vendosi që për pesë vjet të mos therej asnjë bagëti, që të arrinte numrin, që gëzonte ky rreth para luftës. Por edhe kjo “iniciativë” nuk pati sukses e përfundoi në gënjeshtrën e radhës. Disa ekonomi blegtorale dhanë alarmin: ”Lajmëroni qeverinë, të na heqë babëzinë, na farosi bagëtinë”

Filluan “Lart e më lart fjamurët e kongreseve të Partisë shtet, me këngë e valle e me premtime të mëdha. “T’u qepemi kodrave dhe maleve, që t’i bëjmë pjellore si dhe fushat” për të siguruar më “forcat tona” bukën në vend”. U prishën kullotat, u punuan livadhet alpine, u shkatërrua natyra e bukur në male e lugina, u hapën toka të reja e u mboll, por në vend të korrnin grurë, të prisnin misër e te shkulnin patate, selitën gjemba, ushqim të preferuar për gomarët. Vazhdonin premtimet me “hapa vigane” të shoqëruara nga dështimet e gënjeshtrat me bisht. Por diktatori i partisë shtet deklaronte: “Atë që ka bërë sistemi ynë socialist brenda një kohe kaq të shkurtër, një regjimi kapitalist do t’i duheshin qindra vjet. Le të marrim për krahasim një fqinjin tonë, Greqinë kapitaliste. Në çdo pikëpamje ta shohësh s’mund të ketë asnjë krahasim me transformimet e mëdha që ka bërë vendi ynë gjatë këtyre viteve pas çlirimit në pushtetin popullor, nën udhëheqjen e Partisë tonë të lavdishme të Punës””Për të pasur një tablo më të qartë, Greqia nuk duhet të matet me neonet e Athinës, por me gjendjen e mjerueshme ekonomike”.Pas gjithë këtyre “fitorjeve” (më falni, gënjeshtra) vendi arriti “lumtërinë” duke ecur “përpara” (si gaforrja) nga triska te talloni dhe radhët e gjata për qumësht e vajguri. Ra diktatura e partisë shtet, siç bien gjethet e pemëve kur afrohet dimri. U shthur shtrunga e izolimit shumëvjeçar. Mileti mori arratinë, nga sytë këmbët, për në Evropën kapitaliste. “që do t’i duheshin qindra vjet të bënte atë që kishte bërë sistemi ynë socialist brenda një kohë kaq të shkurtër” Shumë prej tyre gjetën jatak e punë në “Greqinë kapitaliste”, “që s’mund të krahasohej me transformimet e mëdha, që kishte bërë vendi ynë gjatë një kohe kaq të shkurtër” U krijuan partitë, të mëdha e të vogla, me premtime të shumta për liri, demokraci e mirëqenie ekonomike. Fjala me tri rrokje “gënjeshtër” u zëvendësua me sinonimin e saj me katër germa, “rrenë” Partitë e reja s’e harruan traditën e vjetër të premtimeve gënjeshtare. U shpall fitimtar “Çeku i bardhë”, që vazhdoi rrenën e radhës. U krijua “Qeveria e Stabilitetit”, që do stabilizonte vendin e të ngjallte ekonominë, por vazhdoi avazin e vjetër me rrena të reja. Pastaj trokitën e zunë vend “Firmat Piramidale” me gënjeshtrën e madhe, se mileti fukara do bëhej i kamur, sa të hapësh e të mbyllësh sytë. Por edhe këto viranë s’e patën të gjatë, u dolli shpejt kallaji i gënjeshtrave. Për të gjetur paratë e humbura në to me metodën e vjedhjes “ligjore”, u krijuan “Komitetet e Shpëtimit”, që thirrën miletin të rrëmbente armët e të këndonte “O djem rrëmbeni pushkëtë,/ Ja vdekje ja liri?!” duke grabitur e vrarë miletin e pafajshëm, në horizont u dukën e zunë vend qeveritë me ngjyra të ndryshme, me zotime e premtimi të mëdha. Por nuk e harruan pa lakuar emrin “gënjeshtër” në të gjitha gjinitë e rasat dhe foljen “gënjej” në të gjitha vetat, kohët e mënyrat. Në pushtet erdhi qeveria e “Duarve të Pastra” më zotime e premtime të mëdha. Por ç‘e do, ato të uruara duar u ndotën e u lerosën shpejt, aq sa kryetarit të saj i mbetën në dorë gërshërët për të prerë shiritat e ndërtimeve gjysmake, si gjysmagjeli i përrallës. Kaluan disa vite me slogane “fitorjesh” dhe vendin e saj e zuri qeveria e “Rilindjes së Re”., që e kishte hapur grykën e thesit të madh të premtimeve. U betua ‘për qiell e për dhe’, se do të hapte 300 mijë vende pune. Shërbimin shëndetësor do ta bënte falas për gjithë kallaballëkun, do të ulte taksat e do rriste rrogat e pensionet, do t’i shpallte luftë për vdekje krimit të organizuar. Do ta ngjallte e ta çonte përpara ekonominë. Do të ulte çmimin e energjisë elektrike dhe të ujit, do të sillte investitorë të huaj, do ta zhdukte nga faqja e dheut firaunin kanabis, që kishte për “atdhe” Lazaratin. Ajo do ishte vazhdimi i “Rilindjes së Madhe”. (vetëm me një ndryshim të “vogël”. Rilindësit e mëdhenj dhuruan pasurinë për Shqipërinë, kurse këta të rinjtë, rropën Shqipërinë, për të shtuar pasurinë e tyre). Por, (oh, kjo viran lidhës kundërshtuese) Ku ishe?! Hiç gjëkundi! Ç’bërë?. Hiç asgjë. Ekonomia mori rrokullimën aq sa zuri fundin, jo vetëm të Evropës, por edhe të Ballkanit. U rriten taksat për taksapaguesit e bizneset e vegjël për gjatë katër viteve. Çmimi i energjisë elektrike u rrit. Bashkë me të edhe i ujit. Ranë investimet e huaja. Përvojën e kanabisit fitimprurës të Lazaratit, “Rilindja e Re” e përhapi në të gjithë vendin, aq sa prodhimi i tij ishte aq i madh sa s’matej me gram, kilogram e kuintal, por me tonelata. Transporti i tij drejt Evropës e botës, nuk bëhej me trasta e çanta, por me kamionë nga toka, me gomone nga deti e me avionë nga qielli. Qeveria e “Rilindjes së Re” e mbylli me “sukses” e “fitorje” mandatin e parë të qeverisjes. Për këto arritje të “të papara” rapsodët kurdisën çiftelitë e tamburatë e kënduan: “Premtimet lumë,/ Gënjeshtrat pa fre,/ Rroftë e mbretëroftë,/ “Rilindja e re!”, 

Filloi mandatin e dytë. E festoi me brohoritje njëqind ditët e para të tij me premtime (gënjeshtra) e suksese (dështime) të reja. Por ekonomia e vendit s’po merrte për mbarë.. Krimet e organizuara vazhdojnë rregullisht çdo dite. Në një qytet vendoset në mes të pazarit ‘zoti tritol’ që shpërthen me komandë duke i dërguar në spital tetë qytetarë kalimtarë. Në kryeqytet kërcet koburja e kallashnikovi, duke dërguar një qytetar në botën tjetër e tjetrin në spitalin e traumës, po kështu nuk ndalen të tjera vrasje, krime e vjedhje e grabitje bankash. Policia i gjurmon autorët e krimit, por ata çajnë ferrën në drejtimit të paditur. Në studiot televizive analistët e thekur, kompetentë për gjithçka, analizojnë e mundohen të përcaktojnë, cili nga ministrat e qeverisë te “Rilindjes së Re” është më i dalluari, në njëqind ditët e para të mandatit të dytë, që t’i varin në qafë zilen e arritjeve, sukseseve e “fitorjeve” apo këmborën e shpuar të dështimeve e vjedhjeve. Një profesoreshë e thekur, “sukseseve” të saj s’u ve dot notën “dhjetë”, por i kalon me “gjashtë” Emri “gënjeshtër” dhe folja “gënjej” vazhdojnë të lakohen e të zgjedhohen në të gjitha rasat e mënyrat. Tranzicioni është ulur këmbëkryq e vazhdon, hiq e mos këput një çerek shekulli e ca. Rritet papunësia, dobësohet ekonomi, njerëzit përpiqen të largohen, se i lodhi e i këputi ky tranzicion që s’ka të sosur. Se kur do të përfundoje ky viran, që të jemi edhe ne si evropianët, ku duam të shkojmë?! Siç tregojnë bathët e priftit janë larg pashkët e përfundimit të tij. Prandaj, autori i këtij shkrimi, s’beson t’ia arrijë përfundimit të tij, prandaj ka lënë amanet, me gojë e me shkrim, që mbi pllakën e banesës së tij të përjetshme, të vendoset ky epitaf:
“HYSKE BOROBOJKA:
E kaloi fëmininë dhe rininë në kohën e trishtimit 
U burrërua në epokën e tallonit dhe ndërroi 
jetë gjatë tranzicionit të pasosur”
Sigal