Silvana Berki/ Të fala nga Nazim Hikmeti*

633
Sigal

Kjo lloj lirie, është një fenomen i trishtë poshtë yjeve që merr frymë

Vargjet e Tua për lirinë u shpërndanë në çdo anë të globit,

– liri të arrestohesh, të burgosesh, apo edhe të varesh.

Të prekja këto vargje, eca gjithë mbrëmjen Stambollit.

Të frymoja ajrin që Ty të mjaltonte dhe të helmonte mendjen, nuk fjeta atë natë.

U futa në Xhaminë Blu

dhe e vesha mendjen si Ti me shpirtin e shenjtë shumë gjatë.

… derisa këmbët i ndjeva të më flasin nga lodhja, për hir të lirisë që flisje Ti.

Eca kalldrëmit flakëruar nga perëndimi i horizontit

pikërisht aty, ku ecje dhe mendoheshe për atë liri.

Fola dhe me djelmoshat e bukur kafeneve, me sytë e etur më shumë se një bisedë,

fola për kohën që ata preknin,

për flokët e detit, për luftërat, zbarkimet në det.

Fola për frutat që ushqeheshin duke i shitur rrugicave të gjalla

për botën e mbyllur ku jetonin,

për kafen turke që nuk e piva dot, për birrën e ftohtë që më ofronin.

Fola për sytë e tyre të qeshur, të etur për diçka të re

plot jetë, dhe të vdekur

plot ëndrra të pa fre.

Të prekja vargjet e Tua, brodha gjithë natën Stambollin.

Ah, liria jote nëpër fletë. Vetë… çdo gjë duhej ndërtuar, vetë z. Hikmet.

Nata filloi të binte mbi shpatullat e qytetit dhe unë nxitoja hapat në kërkim të lirisë.

Pash njerëz që flisnin me veten,

gra që dallojnë nga njëra-tjetra mbuluar komplet me ferexhe ose me shami,

e mbi të cilat fliste një dashuri.

– Ja, ajo atje me siguri është njëra nga 5 gratë e burrit të vet që i ecën karshi,

Ndërsa ajo tjetra me sy si balta, do të ketë kaluar tragjedi.

Do të doja të zgjasja dorën ta prekja, ta pyesja pa i dhënë të kuptojë se unë kam humbur atë natë,

pa i dhënë të kuptojë se më ngjan me Bedranën apo Shamikuqen,

pa i dhënë të kuptojë se ia kam lexuar historinë e lirisë së saj vargjeve të poetit,

se ia shikoj të ardhmen që ajo s`e shikon.

Ah, jam kthyer në magjistare këtë natë,

… dhe muzika e hoxhallarëve më zgjon nga mendimet,

ajri fillon buçet nga zëri i tyre sa nga njëra anë e Stambollit në tjetrën,

njëri  më fort se tjetri, si kambana kishe për ditë meshe.

Por, jo… njëri nga zërat dallohet nga të tjerë.

Duhet të jetë Sulltan Ahmeti duke u falur për ata që nuk mbështeten dot askund

për ata, që këmbëve do të përballnin maratonën e së nesërmes

ose … do t’i japin fund.

Hija e natës  e mblodhi lëmshit të vet perëndimin e diellit, ndërsa unë vazhdoj të dëgjoj kambanën e hoxhallarëve,

e duke mërmëritur vargjet e poetit:

“Nuk ka nevojë të zgjedhësh lirinë, Ju jeni të lirë.”

Po, po… tani i kuptova fjalët e tua…

– i lirë të marrësh frymë pa leje,

i lirë të shikosh pa leje,

të hash pa leje,

të këndosh pa leje,

të qeshësh pa leje,

të qash pa leje,

të ëndërrosh pa leje,

të vdesësh pa leje,

të punosh pa leje.

S`paska sistem më perfekt.

 Dil në rrugë dhe duke zaptuar një copë vend bëhesh biznesmen qoftë duke shitur një banane të vetme.

Merr një licencë dhe pa pasur haber për zanatin e ndërtimeve ndërton 15 kate,

E ç’liri më të madhe do të kërkonin bashkatdhetarët e tu z. Hikmet?

Lum ata që kanë ngrënë këtë liri dhe paraja ju ka pjellë famë.

Fryma po më zihet nga çorba e mendimeve që Ti më derdhe në kokë

dhe më e keqja, kjo liri diç po më bën të kujtoj.

Bulëzat e djersës po më pikojnë mbi tokën që mbarti kaq liri

e që për  “fat” më kujton aq shumë edhe vendin tim.

Po, po… mos u habit,

Ti nuk e di …

“Kjo lloj lirie, është një fenomen i trishtë poshtë yjeve që merr frymë”.

Nazim Hikmet – poet turk. Një ndër poezitë e tij më të pasura është:

” NJË GJENDJE E TRISHTUAR E LIRISË” mbi të cilën mbështeta edhe poezinë si një kundërtezë mbi lirinë orientale që ka veshur mentalitetin shqiptar.