Silva Gunbardhi: Suksesin ja dedikoj këmbënguljes & punës time!

774
Sigal

INTERVISTA/ Flet këngëtarja e mirënjohur shqiptare, Silva Gunbardhi: “Të ka lali shpirt”, kënga më e klikuar në internet!

E bukur, energjike, sexy dhe me shumë adrenalinë. Kjo është Silva, këngëtarja e suksesshme shqiptare, e cila po korr sukses në fushën e muzikës te vendit tonë. Ajo është një ndër femrat më të bukura për t’u marrë shembull në stil, edukatë dhe ne veshje. Pjesëmarrëse në disa evente dhe kompeticione muzikore, ku ka shkëlqyer me performancat e saj, gjithashtu, ka realizuar edhe disa videoklipe muzikore. … Në një intervistë ndryshe & ekskluzive, këngëtarja e njohur shqiptare rrëfen me detaje jetën e saj jashtë ekranit, pasionet e vegjëlisë, ambiciet profesionale , dashurinë e madhe për botën e televizionit & spektaklit, klipin e ri me të madhin Mandi si dhe sekretin që e bën kaq të dashur për publikun shqiptar … Për më tepër, ju ftojmë të lexoni këtë intervistë që kemi përgatitur me këngëtaren super sexy, Silva.

Përshëndetje Silva, dukeni më në formë se kurrë. Mund të na tregoni, cili është sekreti i bukurisë dhe freskisë tuaj?

Në fakt nuk di të kem një të tillë. Sekreti kryesor për të pasur dhe ruajtur format e bukura fizike krahas faktorit gjenetik, është padyshim frekuentimi i palestrës, ushtrimeve të ndryshme për linjat dhe sigurisht një diete të rregullt ushqimore e pasur me shume perime dhe fruta.

Cilat kanë qenë dëshirat tuaja të fëmijërisë? A e keni menduar ndonjëherë se do të jeni një personazh kaq i dashur i ekraneve tona?

Si çdo fëmijë kisha shumë dëshira. Madje, dëshira të çuditshme dhe interesante, saqë kur i kujtoj tani më vjen për të qeshur. Fillimisht doja të bëhesha mësuese, më pas aktore, ka qenë një moment që doja të bëhesha edhe ambasadore.

Tashmë jeni një këngëtare shumë e njohur dhe me shumë fansa që ju vlerësojnë. Cila mendoni se është arma juaj më e fortë si artiste?

Mendoj se, është publiku që duhet të vlerësoj armët e mia në ekran sepse unë nuk kam vetëm një armë, kam komunikimin, paraqitjen skenike dhe mendoj se ato ndërthuren mjaft mirë me njëra-tjetrën. Armët më të forta mund të kenë qenë thjesht të qënit e vërtetë, pa diskutim vetvetja dhe ndoshta komunikimi i sinqertë me njerëzit, pa falsitet dhe pa shtirje. Nuk dua të tregohem modeste, por është ende shpejt të tregoj avantazhet e mia. Dua që çdo gjë t’ia lë kohës.

Silva & Thashethemet, a të prekin ato?

Thashethemet në momentin e parë prekin këdo. Kur pastaj i analizon dhe i mendon me gjakftohtësi, kupton që bëhet fjalë vetëm për fjalë boshe dhe pa bazë i anashkalon. Njerëz të boshatisur e thashethemexhinj ka gjithandej . Nëse nuk kanë gjë më të mirë për të bërë në jetën e tyre se të merren dhe të fantazojnë për dikë tjetër, sigurisht që, nuk do të mundem unë t’ua ndryshoj mendimin ose rutinën e përditshme.

Çfarë e bën një këngëtare të jetë e suksesshme ?

Në radhë të parë e bën vetëm këmbëngulja dhe ambicia për të arritur aty ku ajo dëshiron. Është shumë e thjeshtë të bëhesh këngëtare sot, por e vështirë të arrish suksesin dhe famën. Unë personalisht kam tre parime në jetë, të synoj më të mirën, të punoj me shpirt për ta arritur dhe më pas të shijoj atë çka kam arritur. Nuk duhet kurrë të kënaqesh me pak, gjithmonë duhet të kërkosh atë që meriton, edhe pse pak e vështirë në ditët e sotme.

Jeta private, si po shkon ?

Shkon shumë mirë !

Muzika për ju është pasion, profesion apo biznes ?

Profesioni është i pandashëm nga biznesi, ecin bashkë dhe për të qenë të suksesshëm kërkohet dhe faktori pasion. Ose pasioni mban gjallë profesionin dhe i jep kuptim dhe shije biznesit.

Së fundmi keni lançuar në tregun muzikor hitin “Të ka lali shpirt!”, suksesi arriti pritshmërinë e duhur?

Është pritur shkëlqyer dhe ishte një sukses i padiskutueshëm, një duet me të madhin Mandi i Nishtullës dhe kënga ime ka shënuar rekordet e klikimit.

Jeni për martesë apo bashkëjetesë ?

Martesa edhe pse bazuar në skema shumë primitive është institucioni më i mirë dhe i pazëvendësueshëm. Është qeliza bazë e një shoqërie të ekuilibruar, nga familja edukohen fëmijët etj., etj.. Ndërsa bashkëjetesa për mua e prish në mënyrë të tërthortë martesën. Zakonisht arsyet pse i shtyjnë njerëzit të bashkëjetojnë janë që ta njohin më mirë njëri- tjetrin, por për mua një njeri mund ta njohësh edhe pa bashkëjetuar. Dy njerëz të dashuruar rrinë dhe harxhojnë kohë të mjaftueshme me njëri- tjetrin aq sa për t’u njohur, nuk kanë pse të shkojnë si me kusht për të bashkëjetuar.

Ju jeni tejet e kuruar në çdo dalje publike. Disa këshilla mode që mund t’i jepni të gjitha femrave për këtë sezon?

Tendencat e fundit janë lulet dhe kombinimi i ngjyrave të forta si: jeshilja me të verdhën ose portokallia me ngjyrën e floririt. Shumë në modë është edhe një vjollcë e fortë. Të jenë sa më natyrale në grim dhe ta shijojnë verën.

Ndërkaq, le të kalojmë tek Martesat Gay, jeni Pro apo Kundër ?

Totalisht Pro. Është viti 2012! Tashmë në jetë, në demokraci nuk ka pse të ketë tabu. Jeta shfaqet me të gjitha ngjyrat e ylberit.

Dhe në fund diçka për ta mbyllur …

Kjo intervistë ishte vërtet e këndshme …