Sigmar Polke në Galerinë Kombëtare të Arteve

536
Sigal

“MUZIKË ME ORIGJINË TË PANJOHUR”

15 Janar 2015 –  22 Shkurt 2015 

Me datë 15 Janar 2015, ora 18.00, Galeria Kombëtare e Arteve, Ambasada Gjermane dhe Qendra e Gjermanishtes në Tiranë kanë kënaqësinë e veçantë të hapin për publikun në sallën e Ekspozitave të Përkohshme të GKA, ekspozitën “Muzikë me origjinë të panjohur” të një prej artistëve më të njohur gjermanë dhe botërorë të shekullit të 20, Sigmar Polke (1941 – 2010). Ky është prezantimi i parë i këtij artisti në Shqipëri dhe vjen si rezultat i një bashkëpunimi gjermano-shqiptar dhe falë mbështetjes së IfA (Institutit për Marrëdhënie me Jashtë).  Ekspozita tregon një cikël me 40 punime në guash të autorit, të gjitha të vitit 1996, në formatin 70 x 100 cm. Veprat na njohin me një krijimtari që është me vlerë unike në skenën artistike aktuale si dhe ndër më të rëndësishmet e periudhës gjermane të pasluftës së Dytë Botërore.

Polke – lindur më 1941 në Oels – është marrë prej fillimit të viteve ’60 me raportin mes së vërtetës figurative dhe realitetit, artit dhe të përditshmes. Në këtë mënyrë ai pozicionohet në një perspektivë hera-herës të distancuar dhe ironike që i mundëson artistit të kalojë përtej problematikës përmbajtësore dhe t’i kushtojë vëmendje të veçantë formës dhe dimensionit material të pikturës. Nisur nga karakteri ujor i teknikës së guashit, Polke në këtë ekspozitë kthen vetë ngjyrën tek rrjedh e pikon, në temë të veprës. Lënia e fenomeneve fizike në rrjedhën e tyre në mënyrë të kontrolluar ose të pakontrolluar luan një rol të rëndësishëm për të. Të papërllogaritshmes, në vazhdën e një ngjyre që rrjedh, Polke i vë përballë një sistem skemash të rregullta e të përllogaritura saktë – diçka shumë karakteristikë e punës së tij. Veç kësaj, ai i vë punëve tituj që tingëllojnë absurde, duke i shtuar kështu një frymë poetike asaj që paraqitet në vepër, çka është tipike për pozicionin mbarëartistik të Polke-s.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri me datë 22 Shkurt 2015.

Të enjten me datë 15 Janar 2015, ora 11.00 në Galerinë Kombëtare të Arteve do të zhvillohet konferenca për shtyp mbi këtë ekspozitë.