Si vëllezër të një llogoreje, shqiptarë e minoritarë e përmbushën me sukses misionin e tyre

1170
Nuredin DUSHANI
Me rastin e 73 vjetorit të Brigadës VIII Sulmuese Partizane
Pesë javë mbas krijimit të Brigadës VII Sulmuese Partizane, pikërisht më 25 prill 1944 në Sheper të Zagorisë UNÇSH iu shtua Brigada VIII Sulmuese, komandant i së cilës u caktua Asaf Dragoti, ndërsa komisar – Qazim Kondi, dy figura të sprovuara edhe në detyra të mëparshme në krye të formacioneve të tjera partizane. Radhët e kësaj njësie të lavdishme u mbushën me partizanë trima dhe me kuadro të sprovuar të ardhur nga batalionet partizane “Çamëria”, “Perlat Rexhepi”, “Thanas Ziko”, “Koto Hoxhi”, “ Misto Mame”, “Dishnica”, si dhe nga Grupi I Partizan i Mallakastrës. Në ditën e parë të përurimit të saj, kjo njësi partizane numëronte 915 luftëtarë, nga të cilët 93 ishin kuadro, 107 komunistë dhe 66 shoqe. Në vazhdim të Luftës, radhët e saj arritën në më shumë se 1600 partizanë. Nisur nga fakti, se 87 për qind e efektivit të saj përbëhej nga të rinj të moshës 14 deri 20 vjeç, populli e quajti Brigada e Rinisë. Pati edhe një emër tjetër: Brigada e Labërisë. (Se shumica e partizanëve ishin nga Gjirokastra, Kurveleshi, Vlora, Tepelena, Mallakastra, Zagoria, Pogoni, Dropulli e Delvina e deri nga Përmeti e Dishnica. Ndërkohë, thirrej edhe me një emër të tretë: Brigada e Vllazërimit, sepse kishte mjaft trima e trimëresha nga minoriteti grek. Lavdia e Brigadës VIII Sulmuese Partizane është e shkruar me gjakun e 148 Dëshmorëve, nga të cilët tre janë Heronj të Popullit: Asim Aliko, Nuri Luçi e Theodhori Mastora, si dhe me gjakun e 176 të plagosurve, 53 prej të cilëve mbetur invalidë të LANÇ. Nisur nga Sheperi dhe arritur deri në Vishegrad, trimat e Brigadës VIII marshuan male e fusha në një largësi prej 3700 km, e përshkuar kjo gjatë 381 ditëve e netëve, përmes 113 veprimeve të përgjakshme. Luftime të përgjakshme u zhvilluan në zonat e Konispolit, Gjirokastrës, Tepelenës, Përmetit, Beratit, Lushnjës, Peqinit, Tiranës etj. Sikundër edhe ata të njësive të tjera të UNÇSH, partizanët e kësaj Brigade parakaluan më 28 nëntor 1944 para udhëheqjes së lartë të LANÇ e të Qeverisë Demokratike Provizore dhe, më pas, marshuan e kryen luftime heroike edhe tej kufijve shtetërorë, në krahinat e Malit të Zi e deri në Vishegrad. Partizanët e kësaj Brigade zbatuan shumë mirë taktikën e luftës në qytete, taktikë që u dha rezultate të larta në luftimet për çlirimin e Gjirokastrës, Kuçovës, Lushnjës, Tiranës, deri edhe Vishegradit. Luftime me fitore të njëpasnjëshme rezultuan edhe ato të organizuara për të marrë qendrat e fortifikuara dhe tepër të fortifikuara në Tiranë e deri në Vishegrad. 

Do të na bëhej një listë shumë e gjatë po të rreshtonim emrat e të gjithë atyre trimave të Brigadës VIII që ranë e mbetën Dëshmorë të LANÇ. Le të shënojmë emrat e disa prej atyre nga që i dhanë e i lanë nder vetes dhe njësisë së tyre të lavdishme gjatë Operacionit armik të Qershorit 1944: Kosta Çavo, Ormën Ribaj, Maliq Doganaj, Neki Kamberi, Ibrahim Elmazi, Ymer Laçaj, Stavro Babi, Vangjel Nano, Arshi Lenko, Razo Zeneli, Vasil Zoto, Sadik Kamberi, Trëndafile Denaj, Neki Bundo, Guçe Lilaj, Gjergj Goga, Izet Nezha, Kiço Joanidhi, Fejzo Xhezaraj, Gori Spiro e mjaft të tjerë. Në sukseset e Brigadës VIII Sulmuese nuk mund të mos vlerësosh e të mos përmëndësh kontributin e çmuar që kanë dhënë kuadrot e saj. Është rasti t’u shenjohet mirënjohje e thellë ish kuadrove Qazim Kondi e Asaf Dragoti, Rasim Bazo e Koço Gjeçi, Dilaver Poçi, Mihallaq Ziçishti e Feti Smokthina, Rrahman Perllaku, Bajram Sinoimeri e Qamil Malaj, Razo Zeneli, Hajrulla Muhameti, Skënder Aliaj, Asim Aliko, Xhako Kajca, Pano Xhixho, Aleks Spiro, Sotir Mero, Hasan Kushta, Theodhori Mastora, Maze Jaupi e shumë të tjerë. 
Partizanë e kuadro të Brigadës VIII S. duke parakaluar në Tiranë më 28 nëntor 1944 para Qeverisë Demokratike Provizore.
Edhe mbas çlirimit, mjaft nga partizanët e kësaj Brigade drejtuan me përkushtim shembullor sektorë të ndryshëm të shtetit e të ekonomisë, midis të cilëve mund të përmendim shokun Sihat Tozaj, që arriti deri Sekretar i Përgjithshëm i Presidiumit të Kuvendit Popullor. Mes trimëreshave të Brigadës, le të përmendim disa prej tyre, si Mesarete Karagjozi, Kano Saliaj, Nevro Bocaj, Sorka Kureta, Trendafile Denaj, Sose Hysaj, Firdus Sinoimeri, Ylvie Deri, Violeta Papuli, Emine Myftari, Ollga Dhamo etj. 

Trimëri të rrallë treguan gjatë luftimeve edhe pionierët, të tillë, si Naxhi Zhupa, Yzeir Dervishi, Muhamet Tare, Zenel Koshaj, Dule Hoxha, Foto Goga, Namik Abazi, Rustem Agalliu e të tjerë. Radhët e Brigadës VIII Sulmuese u mbushën edhe me minoritarë grekë. Dhe të gjithë luftuan me heroizëm, pa menduar se edhe mund të vriteshin. Pasardhësit e veteranëve e të invalidëve të LANÇ, pjesëtarët e familjeve të Dëshmorëve të LANÇ, gjithë ata që i kanë të shenjta idealet e Çlirimit vazhdojnë të tregohen të përkushtuar për mbrojtjen dhe mbajtjen përherë lartë të vlerave të luftës për liri. Ata u janë kundërvënë me fakte pseudohistorianëve, deri edhe disa forcave të caktuara politike që e nënvlerësojnë lavdinë e LANÇ, që denigrojnë gjakun e derdhur për liri, që nuk tregojnë kujdes për veteranët dhe invalidët e luftës apo për pjesëtarët e familjeve të Dëshmorëve të LANÇ. UNÇSH i la trashgim Ushtrisë sonë të pasçlirimit, jo vetëm lavdinë e saj të shkruar me gjak, por edhe shumë nga karakteristikat e saja më të mira. Do të ishte në interes të Ushtrisë sonë, që aktualisht bën pjesë në NATO, të ruajë e të ngrejë më lart disa nga ato karakteristike, sepse nuk i ka zbehur dhe nuk mund t’i zbehë asnjë kohë. Antifashizmi i djeshëm dhe antiterrorizmi i sotshëm ka qenë dhe mbeten misione që frymëzojnë të gjitha ushtritë e vërteta kudo në botën e qytetëruar. Rruga luftarake dhe heroike e Brigadës VIII Sulmuese, ashtu si edhe ajo e të gjitha formacioneve të tjera partizane nacionalçlirimtare të Shqipërisë meriton të studiohet e të përvetësohet, veçanërisht nga brezi i ri, sepse përmban vlera të rralla dhe mesazhe atdhetare. Mesazhi i parë është të mbrojmë me çdo kusht e çmim atdheun tonë të dashur nga çdo pushtues i huaj. Të jemi përherë të bashkuar, të rritur e të rinj, djem e vajza, të gjithë. Të forcohet në mënyrë të pandërprerë uniteti mes tërë shqiptarëve dhe solidariteti vëllazëror me minoritetin grek. Lavdi Dëshmorëve të LANÇ të Brigadës VIII Sulmuese Partizane! Përherë lart emri dhe nderi i Brigadës VIII sulmuese Partizane!
Ish përgjegjës i Rinisë i Brigadës VIII Sulmuese Partizane
Sigal