Si u ndalua drama “Armiq”, e Shpëtim Ginës

Msc. Elis Mataj

Ndalimi i dramave të Qamil Buxhelit, Minush Jeros, Kujtim Spahivoglit, Fadil Paçramit, Teodor Laços, Naum Priftit, Dritëro Agollit, Xhemal Brojës, Petro Markos dëshmi e një censure të egër

Gjatë periudhës totalitare kultura dhe letërsia artistike në përgjithësi ishin nën një trysni të dukshme institucionesh të ideologjisë dhe të politikës, posaçërisht nga partia, letërsia nuk mund t’i shmangej detyrimit ndaj saj. Fatkeqësisht, detyrimi qe kompleks, i kontrolluar në disa nivele, që nga institucionet politike, institucionet kulturore dhe një rrafsh i tretë, por i ashpër i kritikës zyrtare të kohës. Përvoja e plotë që Shqipëria që nga viti 1948 e gati një dekadë, deri në vitet ’60, marrë nga Bashkimi Sovjetik, u shtrua me një lloj force të pazakontë edhe mbi dramën e vënë në skenë dhe dramën si krijim, si produkt përditësues i zhvillimit social-politik të vendit, duke i vënë një gur të rëndë në qafë këtij prodhimi elitar dhe të rëndësishëm për një vend si Shqipëria. Drama e ndaluar në Shqipëri në gjysmën e dytë të shek. XX, ende përbën një platformë debutuese, gjurmuese hulumtuese, kërkimore, preferenciale të lëndës së shkruar dramaturgjike dhe teatrale, interpretuese në një terren të gjerë kërkimor të shtypit të kohës, ku gjeti pasqyrim zhvillimi dramatik shqiptar. gjatë kësaj kohe u ndaluan mjaft vepra të autorëve si: Qamil Buxheli, Minush Jero, Kujtim Spahivogli, Fadil Paçrami, Teodor Laço, Naum Prifti, Dritëro Agolli, Xhemal Broja, Petro Marko, Shpëtim Gina, Bashkim Kozeli etj, një pjesë e dramaturgëve dhe shkrimtarëve u burgosën dhe u internuan në krahinat humbura të Shqipërisë. Një nga dramat e refuzuara gjatë kohës së totalitarizmit ishte dhe drama: “Armiq” e Sh. Ginës, e cila, përveçse qe pjesë e censurës që politika dhe ideologjia vendosi me dramën, por me këtë rast u ndëshkua njëri nga dramaturgët më premtues dhe në moshë të re. Drama: “Armiq” është konsideruar si drama e njeriut në rrethana të jashtëzakonshme dhe në kushte ekstreme psikologjike për ekzistencë. Është një dramë që, përveçse ka një atmosferë lufte, e cila psikologjikisht shpaloset nga njerëz të ekspozuar në rrethana të caktuara dhe me një ngarkesë të veçantë, që përpikmërisht i referohet situatës dhe rrethanave. Drama është ngritur mbi një sfond të kuptueshëm qartë, me ç’rast dramaturgut i është krijuar mundësia të shpalosë kohën, personazhet dhe qëndrimet tematike dhe sociale, të shtresave dhe të individëve. Dy të arratisur nga një kamp përqendrimi në Itali (koha e Luftës së Dytë Botërore), njëri me kombësi shqiptare dhe tjetri me kombësi italiane, të quajtur Mifoli dhe Toto, dy vende që simbolikisht janë si dy shtëpi përballë njëra-tjetrës, ndërsa deti në mes, ka një dilemë që shtrihet për shkakun politik të kohës, nëse ata janë miq me njëri-tjetrin apo armiq? Mënyrën se si dramaturgu e shpalos rrëfimin dramatik dhe konfliktin dramatik, kuptohet qartë se mëton për paqen, lirinë dhe urrejtjen për luftën. Mungon liria dhe paqja. Në këtë raport zhvillohet drama e dy personazheve, e cila tregohet në rrethana të jashtëzakonshme. Drama shpalos karaktere specifike njerëzore. Personazhet bëjnë luftë psikologjike me njëri-tjetrin për shkakun e formimit të tyre, ku shfaqen tipare dhe cilësi të natyrës si; dyshimi, dyfytyrësia, ankthi ekzistencial, makthi, frika, pabesia etj. Lidhur me qëndrimin profesional të dramës “Armiq” të Gines, ka një qëndrim të pranueshëm dhe nga studiuesi i njohur i dramës Mexhit Premçi, i cili duke e konsideruar dramën një dramë karakteresh, sjell një vështrim të besueshëm që drama kishte në një kohë relativisht të ngarkuar me qortim dhe korrektim ideologjik. Premçi e sheh dramën “Armiq” si një dramë efektivisht komunikuese në raportet që personazhet krijojnë me njëri-tjetrin nga njëra anë, po ashtu dhe rrethanat në të cilat janë vendosur ato. Drama e ngritur mbi një sfond të tillë historiko-shoqëror, krijon mundësinë që të shpaloset kompleksiteti dramatik, ku bashkëjeton realja dhe irealja, nën pushtetin e një makthi për t’i shpëtuar plumbit, vdekjes, ndjekjes dhe arrestimit. Drama është kaq ekzistenciale, sa personazhet nuk e njohin aspak njëri- tjetrin. Drama “Armiq” vërtitet rreth qendërsisë së personazheve Mifoli dhe Toto, të cilët për shkak të rrethanave historike, të horizontit politik të kohës. (shqiptarët janë një popull i vënë në luftë për t’u çliruar nga pushtuesi dhe italianët, të cilët në këtë kohë kanë nxjerrë në skenën e historisë një ushtri pushtuese, fashizmin, të cilët valorizojnë të gjithë situatën dhe konfliktin dramatik). Mjeshtërisht dramaturgu ka krijuar një skenë mjaft efektive dramaturgjike, duke i vendosur (strehuar) dy të arratisurit në shtëpinë e një nëne - plakë (Terrina), e cila mban thellësisht brenda vetes të “ndezur” një dramë të dhimbshme (djali i saj është vrarë në luftë dhe ajo ka qenë e detyruare të ikë në dhe të huaj, të vendoset në malet e ashpra të Kuçit të Shqipërisë), ku më së shumti zhvillohet “beteja psikologjike e mbijetesës ekzistenciale nën një mori befasish. Në shtëpinë e plakës Terrinë shpaloset drama individuale e personazheve, të cilët referojnë përfaqësime të shoqërisë së kohës nga njëra anë, por dhe ajo e luftës nga ana tjetër. Mjeshtërisht, duke sjellë në vëmendje klasifikimet e konflikteve, dramaturgu i ka mbivendosur apo i ka pranëvënë në një marrëdhënie psikologjike dramat individuale dhe dramën e kohës në një shtëpi, e cila është po kaq e ftohtë psikologjikisht, në shtëpinë e një nëne që vuan tragjedinë e luftës; si shkak, si arsye, si mësim, si pësim dhe si dëshmi për njerëzimin. Për shkakun e një lloj “tejkalimi” dramatik, ku drama është herë vetvetja dhe herë kapërcen kufijtë drejt tragjedisë, në dramë ka vend për irealitet dhe absurd, d.m.th në dramë kemi elementë të dukshëm të surealizmit, i cili kishte një vend të dukshëm në dramën bashkëkohore të viteve ’70-të në Perëndim. Dy personazhet që mbartin gjithë konfliktin e dramës dhe të kohës, janë gati të hanë njëri-tjetrin vetëm që secili të shpëtonte kokën e tij në kushtet e terrorit që ata ndodheshin. Drama është pasqyrë e kohës. Ajo shpjegon një të vërtetë universale të njerëzimit, lufta i bën njerëzit armiq të njëri- tjetrit, kështu siç i ndodh Mifolit dhe Totos, të cilët janë të detyruar t’i referohen luftës duke qenë bashkë në një shtëpi si kundërshtarë dhe armiq të pafalshëm të njëri tjetrit. Këtë e ka mundësuar situata dhe realiteti ekzistencial, që dramaturgu e ka bërë të mundur, për të shpalosur mjeshtërisht gjendjet ekstreme të kundërshtarëve, të cilët janë të detyruar të gjenden bashkë në një shtëpi, në një situatë të përbashkët shoqërore dhe specifike individuale. Dramaturgu Gina, që në fillimin e krijimtarisë së tij si dramaturg i një brezi të ri dhe të talentuar u shfaq si një autor me prirje për të sjellë në dramën shqiptare situata të jashtëzakonshme me individë që mund ta mbartnin këtë peshë konfliktuale të jashtëzakonshme. Në këtë situatë të jashtëzakonshme përveç Mifolit, Totos dhe nënë Terrinës janë dhe dy personazhet e tjerë Dezi e Bretani. Ata sjellin një informacion tjetër të shoqërisë së kohës; nuk kanë marrë pjesë në luftë, por kanë marrë pjesë në një grusht shteti (që nënkupton marrjen e shtetit me forcë, d.m.th me produkt të forcës), dhe tentojnë të arratisen nga Italia për në Zvicër. Në kushtet e një pasigurie shoqërore dhe ata kërkojnë të strehohen në një skaj të vendit të ashpërsuar në luftë, në shtëpinë e plakës Terrinë, duke sjellë një prerje tjetër për kohën. Në këto kushte, ku dhe debati mes Dezit dhe Bretanit është pjesë e zhvillimeve kohore, të cilët dyshojnë tek dy personazhet e tjerë, që i gjejnë në shtëpinë ku kërkojnë të strehohen përkohësisht. Pra, kemi një atmosferë pabesie, të gjithë kundër njëri-tjetrit, secili për të shpëtuar kokën. Në të gjithë këtë situatë tensioni, ka një emërues të përbashkët, për shkakun e terrorit psikologjik dhe mjedisit social- politik (lufta në këtë rast përbën një mjedis politik të kohës), të gjithë janë ithtarë të lirisë. Të gjithë duan të ikin drejt shtegut të lirisë. Karakteristike në dramën e Gines, është situata e jashtëzakonshme, e cila ndryshe shumë dramave të tjera të kohës dhe të autorëve të tjera jepet në kompleks, në vetëdijen e personazheve, në dramat e brendshme të tyre, në luftën me veten dhe të tjerët për mbijetesë dhe në rrethanat e konfliktet e shumëfishta, pra, drama ka një qasje ndryshe gjithë dramave të tjera për një temë të tillë. Për ta prodhuar gjithë këtë situatë, dramaturgu Gina ka përdorur mjeshtërisht dialogët, debatet, në të cilët demonstrohet mosbesimi dhe frika, dyshimi për gjithçka dhe këdo. Pra kemi të bëjmë një situatë absurde, e cila ndërtohet mjeshtërisht përmes tipizimit dhe individualizimit të personazheve të dramës. Lidhur me këtë, kritiku i teatrit M. Premçi shënon: “Secili nga personazhet ka individualitetin dhe karakterin specifik të spikatur, dramën dhe personalen artistike që shpreh vetveten. Ndonëse të gjithë janë të pushtuar nga frika, tmerri, ankthi dhe lufta për ekzistencë, gjithsecili e përjeton dhe shfaq ndryshe dramën që bart, emocionin, veprimet psikofizike. Një trajtim i tillë i personazheve flet për individualitetin e tyre që është ndër vlerat më të rëndësishme të dramës”. Drama “Armiq” është ngritur mbi një strukturë moderne. Katër personazhet aktivë, dy të pjesës së parë dhe dy të pjesës së dytë, sjellin një këndvështrim të rëndësishëm për nivelet dramatike të dramës, që vijnë për shkaqe të ndryshme thelbësore. Drama ka një tendencë të hapur kundër parimit të partishmërisë proletare, jo vetëm për strukturën që ajo ka në vetvete, por dhe me mesazhet që përcjell. Studiuesi Premçi e koncepton në këtë mënyrë këtë tendencë të dramës dhe të dramaturgut: “…vlera e strukturës së dramës “Armiq” qëndron pikërisht në modernitetin e saj, e krijuar jashtë klisheve dhe skematizmit. Është një krijim krejt i lirë, i shpenguar, sfidues i strukturës së dramës realiste, klasike dhe socrealiste me akte, prolog dhe epilog dhe me shtestimet e personazheve bardhë e zi, ato janë kompleksë, psikologjikë, dramaturgjikë e tragjikë.”. Drama: “Armiq” u ndalua dhe u kritikua si gjithë dramat e tjera të kohës, të cilat nuk e kalonin censurën ideologjike të kohës. Fenomeni Gina u ndërpre në kulmin e një talenti që mund të zhvillohej mjaft. Përkundër opinionit me të cilin ai dhe drama u ndëshkuan në vitet ’70-të, në opinionin e studiuesve të sotëm, drama dhe dramaturgu Gina përbën një tendencë të rëndësishme të zhvillimit të dramës në vend, por që u shua sapo ai u shfaq. Studiuesi Premçi shpjegon profesionalisht këtë, me ç’rast përbën një referencë të nevojshme për dramën e ndaluar dhe autorët e saj.