Si tradhëtia mund të shkatërrojë rëndë shëndetin tuaj

652
Arsyet pse tradhtojmë janë po aq të ndryshme sa dhe arsye pse dashurojmë dhe pse duam ata që duam.
Femrat dhe meshkujt mund të tradhtojnë për arsye të njëjta, por mund të tradhtojnë edhe për arsye shumë specifike, që i përkasin gjinisë së tyre. Si meshkujt edhe femrat mund të tradhtojnë sepse nuk provojnë më dashuri, ndjenjë, tërheqje mes tyre; për hakmarrje kundrejt partnerit (me partner do të nënkuptoj si femrat ashtu edhe meshkujt) që të ka poshtëruar apo që nuk të plotëson nevojat që ke; për të thyer monotoninë apo mërzinë e një marrëdhënieje rutinë; nga nevoja për t’u ndjerë joshës, tërheqës, i pëlqyer dhe i aftë seksualisht, nga mendimi se mund të gjesh ilaçin për të rregulluar mosfunksionimin e marrëdhënieve seksuale, nga humbja e kontrollit, nga dëshira për t’u shkëputur nga një marrëdhënie që nuk funksionon, etj.
Tradhëtia ndodh edhe për arsye të tjera si për të rifituar besimin përballë moshës, që po kalon dhe humbjes së mundësive, për pasojë të zhgënjimeve të vazhdueshme apo mungesa e paqes bashkëshortore apo edhe si pasojë e streseve në punë, kuriozitetit, dëshirës për “aventurë”, etj. Ka tradhëti rastësore dhe thjesht mishtore (që zakonisht ndodhin nga humbja e kontrollit apo dëshira për të kaluar një gjendje jo të mirë psiko-emocionale), ka tradhti të zemrës, tradhëti të vazhdueshme (me nje person apo persona të ndryshëm) kronike apo akute, etj. Meshkujt tradhtojnë kryesisht për të rritur vetëvlerësimin e tyre dhe për t’i konfirmuar vetes virilitetin e tyre (të qenët maço), për t’u ndjerë më të gjallë e të fuqishëm apo për të shfryrë një agresivitet të thellë, të brendshëm. Ndërsa femrat tradhtojnë kryesisht për të përmbushur nevojën për t’u dashur, për t’u ndjerë joshëse, të vlerësuara, për të marrë ngrohtësi, embëlsi dhe për t’u ndjerë të lirshme dhe të shpenguara.
Çfarë ndodh me partnerin e tradhtuar?
Një shprehje franceze thotë: Zot të lutem bëj që gruaja të mos më tradhtojë, por edhe po më tradhtoi bëj që të mos e marr vesh, por edhe po e mora vesh, bëj që të mos e besoj. Tradhëtia shkatërron vetëbesimin, vetëvlerësimin, besimin të partneri apo të tjerë, ëndrrat, shpresat, dëshirat, etj. Tradhëtia shkakton krizë për identitetin personal dhe atë seksual. I tradhtuari vë në dyshim gjithçka, që ai/ajo ka menduar si të rëndësishme, joshëse apo tërheqëse te vetja. Tradhëtia si pasojë e humbjes së vetëvlerësimit dhe vetëbesimit shkakton shok, zemërim, indiferencë apo dhimbje ekstreme, ankth, tërheqje emocionale dhe shoqërore, rënie të dëshirës seksuale, ndryshim të regjimit ditor, etj. Pra zhgënjimet emocionale mund të ndikojnë mbi shëndet duke krijuar stres, depresion apo rënie të përgjithshme të imunitetit, që e bën individin më të predispozuar ndaj sëmundjeve.
Meshkujt e përjetojnë tradhtinë si fyerje ndaj virilitetit apo egos së tyre mashkullore, ndërsa femrat përveç fyerjes kryesisht e përjetojnë tradhtinë si humbje të sigurisë, dashurisë, vetëvlerësimit (qoftë fizik apo intelektual), apo edhe statusit social, personal. Tradhëtia e largon vëmendjen nga partneri dhe marrëdhënia aktuale. Kur tradhëton nuk mund të përkushtohesh njësoj në marrëdhënie si më parë. Tradhtia krijon një trekëndësh, që ushtron presion të trajtohet si i barazvlefshëm. Tensioni bën që vëmendja, përkushtimi, kënaqësia që merret nga marrëdhënia nuk mund të jenë më njësoj. Humbja e vëmendjes sjell rënien e cilësisë së marrëdhënies, e cila sjell pakënaqësi. Kjo pakënaqësi interpretohet si mungesë dëshire për të qëndruar me partnerin dhe rrit justifikimin për ta tradhëtuar. I gjithë ky skenar kthehet në një rreth vicioz, i cili është vështirë të ndërpritet nëse çifti nuk bën përpjekjet e duhura në kohën e duhur.
Sigal