Si kam ruajtur në muzeun e Vlorës, kolltuqet e Romano Prodit dhe shishet bosh të xhinit që piu Fatos Nano

787
Ergys Alushi


Ka vetëm pak muaj që ka dalë në pension, por e ka të vështirë që të mësohet me “jetën” e re. 
Për më shumë se 40 vjet ka qenë në lëvizje të vazhdueshme, duke shkelur çdo vend në të gjithë qarkun e Vlorës. Tan i duhet të qëndrojë në shtëpi, të kujdeset për nipërit e vegjël dhe të pres shokë e miq që vijnë dhe e takojnë për t’i hequr mërzitjen që shkakton pensioni. Por, nuk është edhe aq pa punë, sepse gjysmën e ditës e kalon në bregdetin e Zvërnecit, ku prej vitesh kërkon objekte të vjetra arkeologjike që i nxjerr deti apo shkarja e dherave nga kodrinat e buta buzë detit. Ndërkohë që ka nisur të kujdeset për arshivën e pasur që ka në shtëpi apo dhe të shkruaj libra siç është libri për historinë dhe arkeologjinë e fshatit Kropisht. ky është historian, arkeologu e muzeologu i Vlorës, Novruz Barjamaj. 

Fillimet

Në vitin 1976 do të përfundonte studimet e larta për histori-filologji, dega histori – gjeografi dhe menjëherë pas përfundimit të shkollës, do të emërohej mësues në fshatin Lapardha të Vlorës. Për kohën ishte ndër mësuesit e pakët me shkollë të lartë në zonën e Lumit të Vlorës. Do të punonte aty për një vit, por që do të kishte një ndryshim të madh në jetën e tij sepse do të njihej me vajzën, Hënën, që më pas do të ishte bashkëshortja e tij. Atë vit të punës në Lapardhanë, nuk do t’i shpëtonte as një ftohme të rëndë për shkak të kalimit të lumit në këmbë deri në mes, edhe në muajt e dimrit, ku uji ishte i ftohtë dhe i rrëmbyeshëm, ku dhe do të operohej nga stomaku. 

Gërmimet e para arkeologjike

Nga Lapardhaja në Radhimë, fshati në një kodër përballë me detin, përgjatë rrugës kombëtare Vlorë-Orikum. Në Radhimë, bashkë me mësimin e historisë do të angazhohej edhe në gërmimet e para arkeologjike. Pesë vitet e qëndrimit si mësues në Radhimë, Novruzi, i kujton me nostalgji, krenohet me zbulimet që ka bërë, por ka edhe pengjet e tij. Në vitin 1979 në sheshin para shkollës së vjetër, gjatë punimeve të bëra për sistemin e tij, do të zbuloheshin disa varre. Në varrin e parë, skeleti ishte pothuajse i paprishur, ndërkohë që në varr u gjet dhe një monedhë floriri me peshë 3 gramë si edhe një fibul e punuar me kockë. Fibula kishte një gjatësi 12 cm, e zbukuruar me ornamente gjeografike dhe në krye të saj ishte gdhendur një kokë dhie, pothuajse e njëjtë me atë të përkrenares së Skënderbeut. Nga objektet e gjetura në varr, u përcaktua se skeleti i padëmtuar i përkiste një femre, në trupin e së cilës ishin vendosur me dhjetëra zbukurime që ruheshin në gjendje shumë të mirë. Në falangjet e gishtërinjve, që ndërronin tetë unaza me relieve të ndryshme që mund të kenë shërbyer si vula. Pesë metra larg varrit të parë, u gjetën edhe tre varre të tjera, njëri prej të cilëve i takonte një luftëtari, me një skelet me gjatësi 1. 86 cm. Novruzi kujton se në varrin e luftëtarit u gjetën një mburojë, , dy kallca me takie e një përkrenare metalike, si edhe dy monedha me mbishkrimin “Orikon”. Objektet e gjetura dhanë prova se në fshatin Radhimë ka jetuar një komunitet me nivel të lartë jetese. Rreth 70 objekte të zbuluara prej tij në ato vite u dërguan në Institutin e Arkeologjisë në Tiranë, ku përfshihen pajisje lufte, si armë, përkrenare, mburoja, kallce metalike. Pranë shkollës ku jepte mësim, Novruzi ngriti dhe muzeun e fshatit Radhimë, të karakterit historik dhe arkeologjik. 

Për punë të dalluar e emërojnë në muze

Përkushtimi në punë dhe pasioni për arkeologjinë dhe historinë, zbulimet e shumta e të rëndësishme, e dallojnë midis të do ta emërojnë në muzeumet e qytetit të Vlorës, me detyrën e specialistit muzeolog, ku si aktivitet kryesor do të kishte, lektor shpjegues. Do ta priste me kënaqësi, por njëkohësisht dhe përgjegjësi punën e re e cila do t’i krijonte më shumë mundësi për të qenë pjesëmarrës dhe aktiv në kërkimet arkeologjike dhe studimet historike, që nga ngjarjet, datat, emrat e deri tek veshjet tradicionale, vallet, këngët, zejtarinë e deri fjalët popullore e gojëdhënat e ndryshme. një nga punët e para të Novruzit në muzeun e qytetit, do të ishte nxjerrja nga pluhuri dhe lagështia e dhjetëra objekteve historike dhe arkeologjike, të harruara në bodrumet e errëta të muzeut dhe evidentimi i tyre sipas vlerave përkatëse. Ardhjen e Novruzit në muze, drejtoresha e muzeumeve të Vlorës në ato vite, Krupskaja Veizi e kujton si një ndihmesë të madhe për atë si drejtuese dhe për punët e mira në muze. “I palodhur, i papërtuar, i kudondodhur, ka shkelur me këmbë çdo gjë ka lexuar për historinë e arkeologjinë e Vlorës”, – janë fjalët e ish-drejtoreshës Veizi për njeriun që e zëvendësoi në këtë detyrë në vitin 1990. 

Guxoi dhe vendosi fotografitë e të gjithë Qeverisë së Vlorës

Në vitin 1987, do të vendoste për herë të parë në stendat e muzeut të pavarësisë të gjithë emrat dhe fotot e anëtarëve të qeverisë së Ismail bej Vlorës. . Askush më parë nuk kishte guxuar ta realizonte një veprim të tillë, në shërbim të vërtetës historike dhe vlerësimit të kontributit historik të atyre që kishin qenë ministra në qeverinë e Vlorës dhe pushteti komunist i kishte fshirë, retushuar nga historia. 
Po në këtë vit, do të ekspozonte për herë të parë aktin e Shpalljes së Pavarësisë me të gjithë firmëtarët dhe nuk është e vërtet që ky Akt u shpall dhe iu dorëzua për herë të parë muzeut nga politikanë në 100 vjetorin e Pavarësisë. As sot, në Muzeun Kombëtar të Pavarësisë, nuk ka ndryshuar asgjë nga konfigurimi që i bëri në vitin 1987 këtij muzeu, Novruzi, duke shprehur keqardhjen që muzeu nuk është i pasuruar ndër vite me objekte të tjera nga ngjarja historike, që vendosi themelet e shtetit shqiptarë. 

Si u shpëtua pa u djegur Muzeu i Pavarësisë, në një kohë që u dogj i gjithë qyteti!

Novruzi e kujton mirë të dielën e 14 prillit të vitit 1991. Kishte një vit që ishte emëruar në detyrën e Drejtorit të muzeve të Vlorës. Skela e Vlorës ishte e mbushur me njerëz të dëshpëruar e të egërsuar që kishin vetëm një qëllim, të iknin nga Shqipëria. Rrëmbenin, shkatërronin e digjnin çfarë u dilte para. 
Sheshi i skelës në ato ditë e muaj të vitit 1991 ngjante me një shesh lufte. Egërsisë së njerëzve të pakontrolluar nuk u shpëtoi as muzeu kombëtar i Pavarësisë. Natën e ditës së diel, një grup njerëzish do të hynin nëpërmjet ballkonit të dytë e do të shkatërronin e vidhnin që nga stendat e deri perdet e dritareve. Novuzi e kujton me trishtim atë ngjarje, ndërkohë që shton se objektet me vlerë të madhe historike shpëtuan sepse punonjësit e muzeut i kishin larguar prej ditësh nga muzeu, me qëllimin për t’i shpëtuar nga ndonjë sulm i mundshëm, që në të vërtet dhe fatkeqësisht ndodhi. Në një rast tjetër, në një nga ditët e ftohta, kur njerëzit, midis të cilëve edhe gra e fëmijë, kërkonin të largoheshin për në Itali nëpërmjet anijeve të Vlorës, për të shmangur shkatërrimin e djegien e muzeut, i doli përpara turmës që kërkonte dru për të ndezur zjarre dhe bëri “kompromisin”. “ Ju thashë meshkujve – kujton novruzi – Që gratë e fëmijët të hynin e të qëndronin në muze, ku ishte ngrohtë dhe kështu u bë”. 

Muzeu i shpëtoi shkatërrimit dhe stendat e orenditë e tij nuk u përdorën për të ndezur zjarre për ngrohje. 
Zbulimet arkeologjike
-Varret e Radhimës
-Guri me qiell (sofra e Zotit)
-Shpella e Ligaçe (Velçë)
-Interpretimi i shkrimeve në shpellën e shkruar të Lepenicës
-Vendbanimi peleolitik në Zvërnec – për herë të parë në Shqipëri, shenja të paleolitit. 
-Vendbanime prehistorike në fushën e Frëngut (Gjorm), në Gumenicë e Kaninë
-Muret e Aulonës së vjetër pranë Monumentit të Pavarësisë, në qendër të Vlorës
-Mozaikun e kishës së Beshos në fshatin Qishbardhë. 
-Gurorja antike e Shashicës, ku merreshin gurët për ndërtimin e kalasë së Kaninës. 
Mësuesit e tij
Novruzi e pranon me mburrje se ka patur për mësues në punën e tij 40 vjeçare, Llambi Durrollin. 
“Bashkë me edukatën që më dha babai, kisha udhërrëfyes në punën time edhe këshillat që më jepte Llambi” – përkufizon novruzi, ndikimin dhe kontributin e historianit, arkeologut e muzeologut të njohur vlonjat, Llambi Durrolli. “Vlora – shton Novruzi – duhet t’i jetë mirënjohës këtij njeriu që hodhi themelet në fusha të tilla, pionierit të muzeologjisë vlonjate, arkeologjike”
Babai i Novruzit, Musa Barjamaj, ka qenë sekretar personal i Ali Asllanit, kur ky i fundit ka qenë kryetar i bashkisë së Vlorës në mandatin e dytë në vitet 1935-1937. Ai kishte mbaruar shkollën amerikane të Fullcit në ekonomi, ndërkohë që ishte dhe i apasionuar për fotografitë, passion të cilin ia ka trashëguar edhe novruzit, i cili nuk e ndan aparatin fotografik nga dora. 
Ndër njerëzit e përkushtuar ndër vite për muzeumet e Vlorës, novruzi përmend edhe Krupskaja Veizin “gruan e palodhur” siç e quan ai, me një kontribut të madh ndër vite për ngritjen dhe funksionimin e jo pak, por 6 muzeve të Vlorës, që ekziston para viteve ‘90. 

Autorizimi me të cilin mblodhi orenditë e Eqerem bej Vlorës

Novruzi ishte drejtor i Muzeumeve të Vlorës, kur Elham Sharra ishte Kryetar i Bashkisë dhe Kristaq Suli ishte inspektor për kulturën në bashki. Duke qenë një njohës i mirë i historisë së Vlorës dhe i familjes Vlora, Novruzi e dinte që në shumë institucione të shtetit në Vlorë ishin të shpërndara mobiliet e shtëpisë së Eqerem bej Vlorës, që sot njihet në Vlorë me emrin “shtëpia e beut” dhe ndodhet në sheshin e flamurit. Për t’i mbledhur duhej një autorizim sepse ishin objekte në inventarin e këtyre institucioneve. “E ku tjetër më mirë sesa në godinën e qeverisë së parë, mund ta kishin vendin mobiliet e një prej shtëpive të familjes Vlora, të afërm me Ismail bej Vlorën” – na thotë Novruzi. Kërkoi të pajisej me autorizim nga dy zotërinjtë e mësipërm, të cilët nuk rrojnë më dhe Novruzi e kujton me respekt veprimin e tyre në shërbim të grumbullimit të mobilieve në një vend të vetëm, në muzeun e Pavarësisë. Dhe kështu u bë. Në Bibliotekë morri një tavolinë dhe dy karrige, në Bankën e shtetit morri një kasafortë, mobilie gjeti edhe në komitetin e Partisë, komitetin Ekzekutiv, Këshillin e Rrethit, Shtëpinë e Kulturës dhe institucione të tjera. Sot, shumica e atyre mobilieve janë të vendosura në dhomat e muzeut të Pavarësisë dhe janë aty në saj të atij autorizimit dhe këmbënguljes së Novruzit. 

Romano Prodi në Muzeun Historik

Në vitin 1997, Vlora do të përfshihej nga ngjarje të rënda, pakënaqësi popullore, përplasje bandash si pasojë e falimentimit të firmave piramidale, të cilat aktivitetin e tyre më të madh financiar e kishin në qytetin e Vlorës. Në një nga ditët e këtij viti, do të vinte në Vlorë, kryeministri i Italisë për kohën, Romano Prodi, i cili kishte për mision të qetësonte popullatën e zemëruar në Vlorë dhe pajtonte politikën e përçarë në Tiranë. Pas shkuarjes në skelë të Vlorës ku do të takohej me qytetarët e revoltuar, Prodi do të ndalonte në Muzeun historik të qytetit. Muzeu ishte nga të paktat institucione në qytet që kishte mbetur pa u shkatërruar e djegur dhe u përzgjodh si një vend takimi por njëkohësisht edhe pushimi. Në katin e dytë të Muzeut ai do të takohej me kryetarin e PSSH, Fatos Nano, duke u ulur në një kolltuk dysh të sjellë nga këshilli i rrethit e duke pirë xhin. 
Kolltuku dhe shishet bosh të xhinit ruhen ende edhe sot në Muzeun historik të qytetit. 
Novruzi kujton dhe detajin kur Prodi kërkoi të shkonte në tualet dhe të gjithë u ndien në siklet sepse tualeti ishte pa derë e pa dritare dhe kishte një wc allaturka. 

Si shpëtuan librat e rrallë në bibliotekën e shkatërruar e të vjedhur

Një tjetër kujtim i trishtë në memorien e Novruzit është edhe shkatërrimi, vjedhja e djegia e bibliotekës së Vlorës, që ndodhej në disa mjedise të pallatit të kulturës, në trazirat e vitit 1997.  Së bashku me një punonjësin e muzeumeve, Bashkim Fifon, shkoi në bibliotekën e qytetit, ku i gjithë fond i librit ishte hedhur në zonën e skelës dhe njerëz të ndryshëm merrnin ç’të mundnin apo edhe digjnin. Novruzi kujton tronditjen e drejtoreshës së bibliotekës, Lliliana Gjika dhe lotët e saj nga pamundësia për të mbrojtur librat nga të rinj të papërgjegjshëm e të egërsuar që nuk e dinin se çfarë dëmi po i shkaktonin kulturës së qytetit. “Përballë situatës së krijuar – kujton Novruzi – vendosëm së bashku me Lilianën që të shpëtonim librat e rrallë, të cilat ende nuk ishin prekur nga barbarët”. 

Në përpjekje për të gjetur një makinë për të transportuar librat prej andej, Novruzi shikon një autoambulancë, e cila ishte parkuar para godinës së Universitetit. Shkon dhe takon mjekun Halit Stojku dhe së bashku me ndërhyrjen e pedagogut të universitetit, Abedin Elmazi, i kërkojnë mjekut që t’u jap autoambulancën për të shpëtuar librat e bibliotekës. Sot, pas shumë vitesh, Novruzi u është mirënjohës dy zotërinjve të cilët nuk hezituan dhe ia dhanë makinën, me të cilën hoqën dhe çuan në shtëpitë e tyre qindra libra, duke i shpëtuar nga djegia e sigurtë. 
Nesër do të lexoni:
– Ideja për të ringritur dy godinat historike në Sheshin e Flamurit
– Si u ngritën mbi 30 muze në gjithë fshatrat e Vlorës
Sigal