Si fitova çmim të parë në Festivalin “Lule Borë” në Shkodër

Albert Z. ZHOLI

Myfarete Laze: “Tre mjeshtrit e mëdhenj” rrëmbejnë trofeun në Shkodër

Myfarate Laze me zërin e saj, me mirësinë e saj, me këmbënguljen e saj, ka marrë shumë trofe në Festivale apo organizime spektaklesh, por trofeu i fundit ku fitoi çmim të parë në Festivalin e Këngës Popullore Shkodrane në qytetin e lindjes mbetet i veçantë. Myfaretja u paraqit me këngën e kompozitorit Edmond Zhulali dhe me tekst të Agim Doçit, të cilët kanë marrë pjesë dhe në Festivalin Evropian dhe shumë çmime në Festivalet shqiptare. Pra ishin “Tre mjeshtrit e mëdhenj” në këtë Festival. Me këtë bashkëpunim kishin të tre besim në fitore. Titulli këngës ishte: “Me ty u rrit kënga shkodrane”.

Çfarë aktiviteti u zhvillua kohët e fundit në Shkodër?
Në Shkodër u zhvillua për herë të dytë Festivali i Këngës Qytetare Shkodrane i titulluar: “Lule Borë”. Tashmë po i kthehet traditës, pasi ky Festival ka qenë traditë qysh kur unë kam qenë në shkollë të mesme. Pra, që nga matura e vitit 1978 që jam unë këto Festivale. Kanë filluar qysh në vitin 1974-’75. Ky Festival vazhdoi disa vite e më pas pati një ndërprerje, por ishte këmbëngulja e Pjetër Gacit dhe Zef Çobës që ky Festival të merrte formën e duhur. Më vonë u ndërpre sërish dhe tani ka dy vite që ka rifilluar bindshëm. Këtë herë në nëntor zhvilluam Festivalin e Dytë “Lule Borë” i cili u zhvillua në teatrin “Migjeni”. Formacioni orkestral ishte live, çka përbën një risi në këto 27-vjet. Orkestra ishte live, këngëtarët ishin live dhe të gjithë instrumentistët kishin ardhur me partitura. Ishte një kënaqësi kur i shihje instrumentistët si dikur me partitura. Gjithçka direkt pa super-pozim siç bëhet në disa festivale të tjerë, por edhe në shumë aktivitete të tjera muzikore.

Si ishte punuar paraprakisht për këtë Festival? Sa këngëtarë dhe sa këngë u paraqitën në të?
Ishin shumë këngëtarë dhe këngë. Në radhë të parë dua të përgëzoj z. Markeljan Kapedani dhe stafin e tij që organizuan diçka shumë të bukur. Ishte një staf i Bashkisë dhe sektorit të Kulturës në Shkodër që bashkëpunuan në mënyrë të shkëlqyer. Puna kryesore ishte përzgjedhja që bënë organizatorët në fazën e parë. Ishte një përzgjedhje profesionale dhe korrekte, pasi që këtu fillon serioziteti dhe vlera e një Festivali. Duke pasur parasysh këtë përzgjedhje dhe këtë seriozitet, mund të them me bindje se 10 këngë ishin aq të bukura sa ishte vështirë të zgjidhje për vend të parë. Pra mund edhe të dilte një këngë tjetër për vend të parë dhe unë nuk do kundërshtoja, aq të bukura ishin. Pra, këngë tepër profesionale që juria e kishte vështirë kë të zgjidhte. Nga ana tjetër ajo që më ka bërë përshtypje në këto dy Festivale, vjet dhe sivjet, është se u paraqit denjësisht kënga qytetare shkodrane e traditës, kënga shkodrane e stilizuar, dhe kënga shkodrane e vitit 2017. Pra një ndërthurje kohore e këngës në mënyrë perfekt. Të gjitha këto mbështetur në traditën e këngës së bukur popullore. Nëse do vazhdojë kjo traditë, nëse do ecet me këtë seriozitet dhe këndvështrim atëherë kjo është një dhuratë e bukur që i bëhet qytetit të Shkodrës në traditën e saj shekullore për këngën popullore, një dhuratë e bukur që i bëhet historisë së kësaj kënge. Mos harro se Shkodra është i vetmi qytet që ka 150 këngë për lulet. E kupton, 150 këngë? Ne këto këngë i kemi traditë nga kompozitorët tanë, nga kompozitorët që kanë ditur të marrin nektarin e kësaj kënge që i kanë kënduar luleve, vajzave të bukura, dashurisë së vajzave të bukura. Duhet të themi se lulja përfaqësonte vajzën, bukurinë dhe hiret e saj, veçoritë e ngjyrave, pastërtinë e një qyteti, ngjyrat reale të luleve-vajza, etj. Them me bindje se, jo në Shqipëri, por as në Ballkan apo më tej nuk ka një qytet kaq shumë këngë për lulet. Ashtu siç trashëguam shumë gjëra të bukura me kalatë madhështore, ashtu siç trashëguam shumë gjëra të bukura me pikturat e Kol Indromenos, ashtu siç trashëguam Marubin, besoj dhe se ky Festival do të hyjë në historinë e kulturës së qytetit por edhe më tej.

Mos vallë fillimet tuaja i keni në këto Festivale?
Po, po. Fillimet e mia përkojnë me këtë Festival kaq të veçantë. Duke përjashtuar Festivalet e Fëmijëve në Shkodër, unë për herë të parë kam marrë pjesë në Festivalin e Këngës Qytetare Shkodrane në vitin 1973. Këndova një këngë të Zyhdi Barbullushit dhe fitova çmim e tretë Në vitin 1974 kam kënduar një këngë të Adil Ujkashi dhe kam marrë sërish çmim te tretë. Adil Ujkashi ka qenë një instrumentist i shkëlqyer ndër më të mirët që ka pasur Radio Shkodra. Madje kjo radio ka pasur orkestrinën e saj popullore dhe i bënte këngët direkt, live në radio. Më vonë kam kënduar një këngë të Pjetër Gacit që kam marrë çmim të dytë. Më vonë një këngë të Xhavit Ujkanit që kam marrë sërish të tretë. Pastaj një këngë të Zef Çobës që kam marrë çmim të parë. Ishte vitit 1978. Kënga titullohej “Besa-besë kala e fortë”. Pas kësaj fitoreje mora pjesë në Festivalin ë këngës së lehtë në Radio Televizion, Festivali më prestigjioz i të gjitha kohërave.

Po me fëmijët kur keni filluar të angazhoheni?
Kam filluar të angazhohem qysh në klasë të tretë si soliste. Me fëmijët kam vazhduar deri sa kam qenë në klasën e tetë, kur kam marrë çmim të parë me këngën: “Në vend të letrës”, Festivali Mbarëkombëtar i Fëmijëve, pastaj vazhdova me Festivalin e Këngës Qytetare Shkodrane dhe vazhdova me Festivalin në RTSH.

Në Festivalet e RTSH sa çmime i keni çuar Shkodrës?
I kam çuar plot 14 çmime ku përfshihen dhe Festivalet e Pranverës dhe Interpretuesit. Kanë qenë çmime dinjitoze ku kam punuar me kompozitorët më të mirë shqiptarë në Tiranë dhe Shkodër. Atë sistem nuk kishte miqësi çdo gjë ishte tejet e kontrolluar. Nëse nuk kishe zë, nuk dilje në skenë. Seleksionimi ishte shumë, shumë korrekt.

Me cilët kompozitorë, poetë dhe këngëtarë keni bashkëpunuar?
Kam bashkëpunuar me poetët, këngëtarët dhe kompozitorët më të mirë. Nga poetët kam bashkëpunuar me Betim Muçon, Zhuljana Jorganxhiun, Gjok Becin, Agim Doçin, Xhevahir Spahiun. Ndërsa me kompozitorët me Pjetër Gacin, Agim Prodanin, Kujtim Laron, Limoz Dizdarin, Tish Dainë, Flamur Shehun, Spartak Tilin.

Keni pasur miqësi me Aleksandër Lalon?
Ai mbetet njeri i rrallë, por unë nuk kam qenë në fokusin e krijimeve të tij për specifikën e zërit tim, por ai mbetet një njeri i rrallë dhe krijues po aq i rrallë. Kam pasur një shoqëri të mirë dhe do na mungojë shumë. Lalo ka bashkëpunuar më shumë me këngëtarët që ishin në Tiranë si; Luan Zhegu. Liliana Kondakçi. Ai ishte tjetër gjë, specie e rrallë.

Sa këngë u kënduan në Festivalin e fundit të Këngës Qytetare Shkodrane?
U kënduan plot 22 këngë, njëra më e bukur se tjetra. Këngë të punuara me shumë dashuri. Ajo që ishte ishte e veçantë në këtë Festival, ishte teksti poetik që i këndohet Shkodrës, bukurive të saj, bukurisë shpirtërore të njerëzve dhe krijuesve të saj, që shpesh herë identifikohet me një lule të bukur, me një foto të bukur, me një poezi të bukur, me një tingull të bukur. Mbi të gjitha në këtë Festival del në pah bujaria dhe madhështia e Shkodrës, hapësira që u ka lënë ajo të gjithë kompozitorëve për të marrë pjesë në këtë Festival kaq të veçantë. Për çdo kompozitorë dera e bujarisë kaq qenë e hapur dhe me plot mirësi. Ky Festival është disa pjesësh me traditë e stilizuar dhe në kohë. Në këtë Festival janë katër breza këngëtarësh që marrin pjesë. Pra një gjë e rrallë dhe shumë shprehëse. Trashëgimi brezash.

Ju me cilët këngë u paraqitët që morët çmim të parë?
Unë u paraqita me këngën e kompozitorit Edmond Zhulali dhe me tekst të Agim Doçit, të kanë marrë pjesë dhe në festivalin Evropian dhe shumë çmime në Festivalet shqiptare. Pra ishim “Tre mjeshtër të mëdhenj” në këtë Festival. Me këtë bashkëpunim kisha besim në fitore. Ajo këngë më ka ngjit qysh në momentin e parë sa u njoha me të. Pra do konkurroja në qytetin tim ku kënga është pjesë e çdo familjeje. Titulli këngës ishte “Me ty u rrit kënga shkodrane”.

Si ju priti Shkodra?
Eh, si të pret Shkodra. Si askush. Shkodra është e rrallë kur bëhet fjalë për këngën. Për tre net salla ishte e mbushur plot. Një publik që di se kur duartroket. Nuk është e lehtë të marrësh duartrokitjet në Shkodër. Aty spektatori të mat mirë, të peshon mirë. Mund të ketë respekt kur hyn por kur del, nëse nuk vlen, ai është indiferent. Shumë herë del pa duartrokitje. Ajo që më emocionoi ishte fillimi. Sa u përmend emri im salla u çua në këmbë dhe duartrokiti disa minuta si me komandë. U ndjeva mirë. Qyteti im nuk më kishte harruar. U ndjeva e mrekulluar. Çaste magjike. Pritja ishte madhështore, tani duhej të nxirrja në pah cilësitë e mia. Pata duartrokitje kur këndoja dhe aq më shumë kur përfundova. Madje duartrokitjet më shoqëruan edhe kur dilja nga salla. Ishte moment magjik.

Sa bashkëpunime keni me Edmond Zhulalin?
Me mjeshtrin Zhulali kam pas një bashkëpunim të jashtëzakonshëm kur doja të largohesha nga Shkodra në vitin 2005. U ula me Mondin dhe Gjok Becin dhe u thashë dua një bashkëpunim ndryshe. U thashë se doja një këngë ndryshe, se kisha për të bërë një recital, pra doja një këngë për Shkodrën në shenjë respekti dhe nderimi. Jo se do ndahem përgjithmonë, por do ndahem për intervale kohe, pasi do vendosem në Tiranë. Atëherë të tre ne punuam për një kohë të gjatë derisa krijuam një këngë perlë, një këngë që dhe sot kujtohet dhe këndohet me ëndje. Kënga u titullua “Jaret Shkodrane” . Ishte një dhuratë e mrekullueshme që unë i kam dhënë qytetit tim. Ishte si një lamtumirë e brendshme. Shkodra më kishte dhuruar shpirtin dhe unë asaj ia dhurova shpirtin tim.

Si do ta cilësonit Festivalin e dytë të Këngës Popullore Shkodrane?
Një Festival unik, i veçantë plot finesë. Vërtet ai nuk zhvillohet në Tiranë, por Shkodra ka qenë djep i kulturës, djep i këngës në shekuj. Shkodra ka qenë qendër kombëtare e këngës. Nga Shkodra kanë dalë me qindra këngëtarë të mrekullueshëm, dhjetëra kompozitorë me emër, qindra instrumentistë me emër, dhe plot artistë të tjerë. Në këtë Festival ishin dhe katër këngëtarë që kishin marrë çmime në Festivalin e Këngës Popullore në Elbasan. Këta katër janë ballafaquar me të gjithë brezat me të gjithë këngëtarët më të mirë shqiptarë të këngës popullore mbarë shqiptare. Në Festivalin e Shkodrës morën pjesë kompozitorë që kanë mbajtur të gjallë festivalin e RTSH. Shkodra prodhon dhe nxjerr çdo ditë talente. Djepi talenteve në Shkodër nuk rrinë kur bosh. Sa çohet njëri nga djepi lind tjetri, kjo është Shkodra. Kjo u pa dhe në këtë Festival. Pra katër breza dhe tekste të shkëlqyera. U ruajt tradita e këngës shkodrane dhe melosi i kësaj kënge. Pra ishte Festivali i trashëgimisë së brezave, i ruajtjes së traditës dhe i poezisë së bukur që gjallon kulturën shkodrane.

Kë do falënderonit në mënyrë të veçantë?
Përveç Zhulalit të madh, Doçit të veçantë, doja një falënderim të bëja për drejtuesin e orkestrës, Jetmir Barbullushi, drejtuesin artistik Markeljan Kapedani. Nuk është i rastësishëm suksesi i këtij Festivali me emra të tillë. Një punë e madhe ishte bërë nga përfaqësuesit e teatrit “Migjeni” për kushtet që na krijuan për një festival dinjitoz. Një falënderim të veçantë për instrumentistët shumë të mirë që orkestruan live me shumë elegancë që e ngritën në këmbë festivalin. Një falënderim të veçantë për sektorin e muzikës në bashkinë e Shkodrës që e konsideruan si të tyren dhe punuan me shumë përkushtim dhe mirësi që Festivali të dilte sa më mirë. Dhe sigurisht një falënderim special dhe për Mond Zhulalin dhe Agim Doçin që punuan me shumë profesionalizëm. Por dua të bëj dhe një homazh për Agim Prodanin që më ka dhuruar tre çmime me punën e tij, me krijimet e tij, (të parë, të dytë, të tretë). Pra ishin këta njerëz që më bënë të iki nga qyteti im me çmim të parë, duke falënderuar si rrallëherë publikun e paçmueshëm shkodran.