Si e sollën familjen e Xhovani Valencas nga Italia në Vlorë

1140
Nga Ergys ALUSHI
Për italianin nuk dihej shumë, por njihej si njeri i ndershëm, i drejtë dhe që nuk e kishte pëlqyer pushtimin e Vlorës

Në të tilla kushte patriotët vlonjatë, të cilët i ishin mirënjohës Xhovanit për kontributin e dhënë për armatosjen e luftëtarëve shqiptarë, menduan dhe vendosën që ai duhej ndihmuar, duke i sjellë edhe familjen në Vlorë.
Në vitin 1925, ngarkohet Nystret Llupa, për të sjellë në Shqipëri familjen e Xhovani Valencias

Në ditët e para të muajit korrik, në bregun e detit, në skelë të Vlorës, pranë famulltores së Dom Mark Vasës, deti do të nxirrte trupin e pajetë të një burri që shumë shpejt u mësua se ishte Xhovani Valenca.

Dorëzimi i armëve për luftëtarët e Vlorës

Përfundimisht Xhovani Valenca, nga Marshalli i ushtrisë italiane, u bë një mik dhe shok i shqiptarëve, dhe ndau me ta të gjitha pasojat e pushtimit, derisa e hodhën ushtrinë italiane në det.

Ai kishte detyrën e “Marrshallit” në ushtrinë italiane dhe qe ngarkuar për të ruajtur depon me municione të ushtrisë që ishte vendosur në fshatin Panaja të Vlorës.

Anëtarët e “Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare” e ftuan të bashkëpunonte me ata dhe popullin e Vlorës për të çliruar Vlorën nga Italia dhe ai e pranoi të jepte ndihmën e vet, duke iu dhënë armët e municionet luftëtarëve shqiptarë.

Për italianin nuk duhej shumë, por njihej si njeri i ndershëm, i drejtë dhe që nuk e kishte pëlqyer pushtimin e Vlorës dhe rrethinat e saj, por pas bisedës me të ngarkuarit e Komitetit, ai do të bënte një histori të madhe për shqiptarët.

Ai ishte marrshall dhe shef i repartit të prapavijës në ushtrinë italiane. Gjendej në fshatin Panaja, sepse atje ndodheshin depot e minicionit dhe të armatimit. Të dërguarit e komitetit, ishin Fuat Çobo, Nysret Llupa dhe Shefit Xhafa. Ata shkuan në fshatin Panaja dhe u takuan me Xhovani Valencion, ku pas bisedës së gjatë e delikate ata e bindën Xhovanin që të bashkohej me ta e të jepte armatimet e municionet. Luftëtarët morën aq armatim e municione sa patën mundësi, pastaj e hodhën depon në erë, për të mos ia lënë në dorë ushtrisë italane.

Vendimi për të sjellë në Vlorë familjen e Xhovanit

Pas kësaj ai qëndroi në Shqipëri.

Një gjyq ushtarak italian e dënoi atë me vdekje, në mungesë. Për shtetin italian ai ishte armik, sepse kishte tradhëtuar interesat e Atdheut, paçka se bëhej fjalë për një shtet pushtues. Nisi një periudhë kohe e vështirë për Xhovanin dhe familjen e tij. Gruaja Xhovanina, vajza Anxhelina dhe i biri Xhovani i ri, mbetën të ndarë në Itali. Ata nuk shiheshin me sy të mirë nga autoritetet, por edhe një pjesë e popullatës ku banonin. 

Në të tilla kushte patriotët vlonjatë, të cilët i ishin mirënjohës Xhovanit për kontributin e dhënë për armatosjen e luftëtarëve shqiptarë, menduan dhe vendosën që ai duhej ndihmuar, duke i sjellë edhe familjen në Vlorë.

Kush u ngarkua për aksionin delikat?
Në vitin 1925, ngarkohet Nystret Llupa, për të sjellë në Shqipëri familjen e Xhovani Valencias. Ai ishte një nga tre personat që e kishte takuar dhe bindur italian arbëresh që të dorëzonte armët e të kalonte në anën e luftëtarëve shqiptarë.

Me një pasaportë tregtari, dhe me një valixhe me rroba grash shqiptare për mort, Nystreti niset për në Itali. Me vete, Xhovani Valenca, i dha unazën e martesës dhe një fotografi të Xhovanit me Nystretin.

Të gjitha këto, ky i qepi në astarin e barsolinës.

Mbërritja në Itali
Mbërriti në Brindizi në 7 nëntor 1925, në një familje italiane, prenotoi një dhomë me qira për një jave dhe u nis për në qytetin ku banonte familja e Xhovanit.
Tek porta e shtëpisë lexon këtë mbishkrim “Valencia Xhovani, i dënuar për tradhëti ndaj atdheut”.

Familja Valencia nuk kishte të drejtë të largohej nga shtëpia dhe karabinieria bënte kontroll verifikimi çdo ditë. Atë mbrëmje, pas këtij kontrolli, Nystreti troket në shtëpi. Aty gjeti Xhovaninën dhe dy fëmijët. I prezantohet gruas se ishte një mik i Xhovanit dhe vinte për të sjellë lajme. Ajo e ftoi brenda. Nystreti i tregoi fotografinë dhe unazën, dhe i tregoi letrën e shkruar nga i shoqi ku shkruhej;“Nëse do të vish me fëmijët pranë meje, vepro ashtu si do të thotë letërprurësi”. Ajo veshi rrobat e zeza, të sjella nga Shqipëria dhe me gjithë fëmijët, u nis.

Rruga për në Vlorë
Më 10 nëntor arriti në Brindizi dhe u strehua në shtëpinë e zënë me qira nga Nystreti. Aty, megjithë fëmijët qëndroi dy ditë e mbyllur. Të nesërmen e largimit nga shtëpia e saj, ishte dhënë alarmi nga karabinieria. Duhet të largoheshin nga Italia në fshehtësi. Nystreti mundi të lidhej me një marinar grek, e pagoi mirë atë, dhe në 12 nëntor, ora 23, greku doli me një barke në breg të detit, ku ndodhej Nystreti dhe familja Valencia. Barka i çon në anije, e cila ndërkohë kishte dalë nga porti në radë. Të nesërmen arriti në Korfuz dhe po atë ditë, anija i solli në Sarandë. Kështu u bashkua familja Valencia.

Atentati në Vlorë ndaj Xhovani Valenca
Xhovani jetoi me familjen vetëm dy vjet. Në ditët e para të muajit korrik, në bregun e detit, në skelë të Vlorës, pranë famulltores së Dom Mark Vasës, deti do të nxirrte trupin e pajetë të një burri që shumë shpejt u mësua se ishte Xhovani Valenca. Italianët nuk ia kishin falur veprimin që kishte bërë në Shqipëri dhe e kishin zbatuar vendimin me vdekje që kishin marrë ndaj tij.

Italianët dërguan një informator me gradën major, i cili u miqësua me Xhovanin dhe ky në vitin 1927 e vrau në bashkëpunim me një shqiptar të paguar. Shteti shqiptar i lidhi familjes Valencia pension për Xhovaninën. Vajza, Anxhelina, pas disa vjetësh shkoi në Itali, në Foxhia. I riu, studioi me bursën e shtetit shqiptar në Korfuz, më pas u emërua mësues në Gjirokastër. Në vitin 1948 u sëmur dhe vdiq në Gjirokastër. Xhovanina jetoi në Skelë e vetme, në një shtëpi të dhuruar nga shteti shqiptar. Në vitin 1965, riatdhesohet në Itali dhe vdes pas dy vjetësh pranë vajzës së vet Anxhelinës, në Foxhia.
Sigal