Shuaip Jaupllari/ “Bisedë” me Atin e Shenjtë dhe bashkëkombësit e mi

639
Sigal

Kurorëzimi i Gjergj Kastriotit –Skënderbeut, do të ishte nderi më i madh që do t’i bëhej kombit shqiptar

Deklarimi ishte sa unik dhe solemn. Nga sheshi “Shën Pjetër” Papa Françesku para mijëra besimtarëve njoftoi: “Vizitën e parë në Europë do ta kryejë në Shqipëri, më datë 21 shtator”. U emocionova, por edhe ndjeva krenari. Mu krijuan iluzione sikur “duart” e sheshit “Shën Pjetër” të punuar me mjeshtëri të pashoqe nga Xhanlorenco Benini, u zgjatën drejt vendit tim  dhe në vesh më erdhi jehona  “Ju kemi në zemër!”. Ju faleminderit At’ i shenjtë!

Me vizitën tuaj të parë në atdheun tim “betonizuat” historinë dhe lavdinë e kombit tim  dhe i kujtuat kontinentit “plak” se, Shqipëria është një nga gurët e themelit të kësaj Europe, që po jetojmë sot.

Ditë të bukur keni zgjedhur për vizitë! Më duket se më 23 shtator pas dy detesh, Argjentina hyn në ekuinoksin pranveror, me siguri do të kemi një “pranverë të dytë” tani në vjeshtën shqiptare. Për pritjen ne e kemi vlerë të kombit, aq më shumë për të dërguarin e Zotit. Por pritjen më historike do ta bëjnë katër kalatë që rrethojnë “Nënë Terezën”.

Kalaja e heroizmave të pashoqe Kruja, Kalaja e Rodonit, Kalaja e Prezës, Kalaja e Petrelës dhe kryekomandanti i tyre Gjergj Kastrioti “Skënderbeu alias Aleksandri i Madh, miku i palëkundur i Selisë së Shenjtë. Kjo pritje duket si heshtur, por jehona e trokut të kalorësive të Gardës Pretoriane, era e gjakut dhe e ziftit në muret e këtyre kështjellave ndihet akoma, pavarësisht se kanë kaluar shekuj. Se kush ka qenë Skënderbeu, më mirë e dinë Arkur, i Selisë së Shenjtë, më i vjetri në botë ashtu edhe arkivat e Stambollit, por unë do të shkruaj disa radhë për të justifikuar para lexuesit tim, çfarë dëshiroj për atë burrë, që siç thonë gojëdhënat “Ishte lindur, rritur dhe s’kishte qenë asnjëherë fëmijë”. Kishte lindur kombi im  dhe burra të tjerë, por mal për të ndalë atë rrebesh që po mbyste Europën, duhej –siç thotë Fan Noli  – “I shenjti si Shën Luigji, diplomat si Talejrandi, trim si Aleksandri i Madh” .

Kanë shkruar për këtë prijës dhe burrë shteti, shumë njerëz të shquar historianë dhe romancierë, madje  thonë se janë shkruar mbi 1000 libra të përkthyer në 20 gjuhë të botës. Por studime me vërtetësinë historike kanë shkruar akademikët tanë: Aleks Buda, Kristo Frashëri, Luan Malltezi, Kasëm Biçaku, Injac Zamputi etj… të shkruara këto me seriozitet në Konferencën e 2-të të Albanologjisë në vitin 1968, me rastin e 500- vjetorit të vdekjes së Skënderbeut. Edhe Volteri më i shquari shkrimtar dhe filozof francez ka shkruar: “Po të kishin qenë perandorët bizantinë aq trima dhe të zotë sa Skënderbeu, perandoria e lindjes do të kishte shpëtuar….”. Kishte të drejtë Volteri, se ai që rrëzoi perandorinë Bizantine ishte Sulltan Mehmeti II, i mbiquajturi “Ngadhënjimtari” dhe me nofkën  ‘Ujku i murrmë i Anadollit’, i cili erdhi para Krujës, plot dy herë, por nuk “ngadhënjeu” si në Kostandinopojë, këtu iu dogj lëkura. Nga inati, në Rrethimin e Tretë, iku e la Ballaban Pashën dhe Krujën e pa nga larg, por u kthye në “murator” duke ndërtuar Kalanë e Elbasanit me pretendimin e krijimit të “kordonit sanitar”, bllokadës së përgjithshme, që i ka shkruar me aq vërtetësi e kompetencë historike, eruditi dhe poligloti i gjuhëve të orientit djali i Beratit, Vexhi Buharaja.

Edhe Sulltan Murati i II babai i “ngadhënjimtarit” i gjashti Sulltan i Osmanëve, ndryshe “Eshtërthyesi”, një nga sulltanët më reformatorë, që e vuri perandorinë në laps e në ligje- që Skënderbeun e njihte mirë si në mendje dhe në trimëri, saqë e kishte bërë Sanxhakbej, diku në një krahinë të Bullgarisë, madje, i kishte dhënë edhe titullin më të lartë “Iskandër – Aleksandër – dikur kishte thënë: “Ai ka mendjen e një Gjenerali dhe sjelljen e një ujku”. Por Murati gaboi, harroi thënien dhe i lëshohet Krujës për të goditur atë njeri që i kishte lënë hijen në betejën e Nishit, i kishte marrë disa kështjella, mbi të gjitha atë të Krujës me mashtrim dhe kishte bërë bashkimin e kombit.  Ndryshe historia e njeh Rrethimi i Parë i Krujës. Sulltani kishte marrë me vete dhe të birin Mehmetin për t’i treguar: “Ja si merren kështjellat”. Fati i atij rrethimi dihet dhe Qemal Pashë Zadeja, kronikani i tij, për të mos lënduar shumë Sulltanin shkruante: “Urdhëruesi i lartë hoqi dorë për të kapur nusen e fitores…”, kanë shkruar dhe të tjerë, pak rëndësi t’i përmendësh të gjitha. Ai ishte vetëm 38 vjeç, kur mori vendimin historik për të dalë zot i kombit të tij. Nuk besoj se ka parë ëndërr, apo të ketë shtënë fall për të marrë një barrë kaq të rëndë. Ai e njihte Portën e Lartë dhe e dinte “furtunën” që e priste. “Furtunë” që kërkonte kokën e tij dhe vdekjen e një populli të tërë…

“Alea, jahta ast”: Zaret u hodhën, kështu tha Jul Qezari, kur kaloi lumin Rubikon. Por ai zaret i hodhi për të marrë Romën, të vriste Pompeun dhe të shpallej Perandor. Kurse Skënderbeu hodhi zarin e jetës për të marrë në dorë fatin e kombit të pushtuar dhe aq  më keq të gjunjëzuar. Dihet fundi i Jul Qezarit, e la perandorinë në nga thikat e Brutit, kurse Skënderbeu e iu drejtua kombit të vet kur e thirri Zoti. Koha e thirri në skenën e historisë. Por për të bërë histori, do zgjedhur koha, në kuptimin e situatës politike –ushtarake dhe ai, e zgjodhi mirë. Shfrytëzoi aleancat e babait të tij Gjonit me Venedikun dhe Raguzën, gatishmërinë e  Papa e Eugjenit IV për të filluar kryqëzatën dhe për këtë ishin përqendruar forca në Serb, nën komandën e Hunaidit. Aranitët e Zenepishtet bujarë shqiptarë kishin filluar veprimet e armatosura, por edhe krushqitë që kishte bërë i ati, Gjoni, duke martuar vajzat në dyer princërish e bujarë  (thonë që Skënderbeu kishte pesë motra). Të gjitha këto i dhanë mundësinë të bëjë atë besëlidhje historike më 2 mars 1444 e quajtur “Besëlidhja e Lezhës”, duke treguar se ai ishte një burrë shteti me vlera të jashtëzakonshme, pavarësisht se ai, ishte vetëm 38 vjeç. Si ushtarak, nuk njeh historia shembull të dytë. 25 vjet Kryekomandant, 25 vjet luftë dhe vetëm beteja të fituara.  Kombit dhe Europës i dha 35 vjet paqe (dhe 10 vjet pas vdekjes). Strategu organizoi ushtrinë, duke i dhënë asaj shpejtësinë e një leopardi, guximin dhe trimërinë e luanit. Për herë të parë në botë,- dy vjet para Karlit të VII të Francës, -vendosi shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Kurse kalorësia e tij ishte e aftë të bënte 70 km në ditë. Kur ushtritë më të zgjedhura në Europë nuk bënin as 30 km. Gjithmonë në beteja ka qenë inferiorë në numër dhe fitonte. Ai besonte shumë te cilësia sesa te sasia. Vetëm në një betejë, ai ka qenë superior ndaj armikut dhe bëri gjëmën. E futi ushtrinë turke në një pritë nate, e asgjësoi tërësisht  me gjithë komandantin e saj, vetëm brenda 3 orësh. Kështjellat, ishin bazat për të tërhequr armikun, kurse vetë godiste jashtë. Baza e taktikës së luftimit ishte  mësymja. Me të drejtë Gjenerali anglez  Xhejms Uolf shkruante: “Skënderbeu shkëlqeu midis gjeneralëve  të kohërave të vjetra e të sotme, si udhëheqës i madh i një ushtrie të vogël”.

Skënderbeu si idhull, siç thonë, ka patur Pirron e Epirit. Flamurin që ka patur Principata e Kastriotëve ka qenë si e Piros. Me ndryshimin, duke shtuar yllin e Davidit mbi kokë, simbol i Principatës së Balshajve. Edhe përkrenarja është e ngjashme me atë të Balshajve.  Edhe përkrenarja është e ngjashme me atë të Piros, ndryshimin se Piro e kishte me brirë cjapi, kurse ai kokëdhije. Siç duket, në shkollën e jeniçerëve duhet ta ketë lexuar jetën e Piros nga libri “Jetët paralele” të Plutarkut.  Udhëhiqte me shembullin personal heroi ynë. Ai nuk qëndroi kurrë jashtë betejave dhe të shikonte ushtarët e tij si copëtoheshin në luftë, por gjithmonë në qendër atje, ku ishte goditja kryesore e armikut. I përjetonte tmerrësisht keq humbjet e ndonjë beteje, apo humbjet e shokëve në luftë. Vetëm marrja e hakut, i jepte atij gëzimin dhe ngushëllimin shpirtëror. Rastet janë të shumta, por unë do të përqendrohem te hakmarrja për humbjen e Kalasë së Beratit dhe kapja rob e ajkës së gjeneralëve të tij në betejën e Vajkalit. Isak bej Evenozi ja kishte marrë kalanë e Beratit, thuhet me tradhti, por ishte i vetmi që kishte një fitore me Skënderbeun. Dhe rasti erdhi te një nga betejat më të mëdha të zhvilluara ndonjëherë. Beteja ishte e rëndësisë strategjike dhe u quajt Beteja e Albulenës ose Beteja e Ujit të Bardhë. Nga një krah Isak bej Evenozi dhe Hamza Kastrioti që e kishte tradhtuar  me 70 mijë forca, nga krahu tjetër Skënderbeu me 17 mijë forca. Gjithë Europa e tmerruar priste përfundimin. Në këtë betejë arti ushtarak “skenderbejan” solli pasuri të paçmuar për historinë e artit ushtarak  botëror. Në këtë betejë u përzje dija me urrejtjen. Selia e Shenjtë para betejës, i dërgoi një letër Skënderbeut, firmosur nga Papa Kalisti ku i thoshte: “Si atlet i pathyeshëm i Krishtit, të thyente këtë furi të tmerrshme turke, të paktën deri në pranverë…”, por fatkeqësisht, letra erdhi me 9 ditë vonesë, sepse 9 ditë para Skënderbeu kishte dërmuar Evenozin, kurse Hamzanë me burgjet e Napolit i vuri vargonjtë. Fitorja u bë legjendë. Kardinali Silvio Picolomini që më vonë do bëhej Papa Piu II, i shkruan një miku të tij: “Besoj se do ta kesh dëgjuar famën e tij, sepse thuhet se 30 mijë turq janë vrarë ose janë zënë prej tij….”. E gjithë beteja filloi dhe mbaroi me thirrjen: “Mos harroni Beratin”.

Me dhimbje të thellë e përjetoi dhe kapjen rob të gjeneralëve të tij më të zgjedhur, duke filluar që nga Moisi Golemi. Të gjithë këtë gjëmë ia kishte sjellë renegati shqiptar Ballaban Pashë Badera në betejën e Vajkalit, e cila përfundoi me fitoren e Skënderbeut. Sulltan Mehmeti II kishte thënë: “Asnjë çmim sado i lartë të jetë për të ofruar, nuk ka vlerë sa lëkura e tyre….”. Dhe i ropën të gjallë. Kruja qyteti i dhimbjeve dhe heroizmave mbajti dhjetë ditë zi. Erdhi prapë Ballaban Pasha, këtë radhë për Rrethimin e 3-të të Krujës. Por thirrja “Për heronjtë e Kostandinopojës”, tingëllonte si britmë hakmarrjeje. Urrejtja humbi kufijtë.   Vetëm thirrja e ushtarit të gardës Gjergj Aleksi : “E vrava”, mbylli historinë e Ballaban Pashë Baderës dhe iu dha fund Rrethimit të 3-të të Krujës. Nga fati i Krujës, varej fati i Europës dhe jo paqëllim drejtohej nga vetë sulltanët.  Çudia ndodhi, kur malarja vuri përdhe heroin e kombit tonë. Ushtria e Mehmetit iu derdh Italisë dhe mori Otranton dhe po përgatitej për më tutje… drejt Romës dhe Selisë së Shenjtë. Historia dihet tashmë. Me vdekjen e heroit tonë më moshën 63 -vjeçare, Kombi humbi prijësin dhe lirinë. Tërbimi i Portës së Lartë u zbraz në shtëpinë e këtij populli. Vetëm disa vise i qëndruan heroikisht barbarisë, sidomos disa zona të veriut  dhe zona e Himarës, e cila u gjakos barbarisht, por nuk u dorëzua, ajo mbeti Akropoli i atdheut të vet, Shqipërisë. Zoti ndonjëherë bëhet dorëlëshuar, ia jep një njeriu të gjitha të mirat. Edhe diplomat i shquar ishte prijësi ynë Gjergj Kastrioti. Këto vlera si diplomat, dolën në pah që në Besëlidhjen e Lezhës. Besëlidhja filloi dhe mbaroi në prani të të gjithë ambasadorëve që ishin të ftuar si ai, Raguzës, Venerikut, Hungarisë, Polonisë. Në krye qëndronte ambasadori i Selisë së Shenjtë, abati Gjergj Pelini. Më të qëndrueshme marrëdhëniet i kishte me Selinë e Shenjtë dhe mbretin Alfons të Napolit e pastaj  me të birin e tij mbretin Ferdinand. Të lëkundura marrëdhëniet me Republikën e Venedikut që ishte bërë zot i bregdetit shqiptar, që prej 70 vjetësh, fakt që Gjergj Kastriotit i pengonte frymëmarrjen me miqtë përtej detit. Këto lëkundje me Venedikun u bënë aq shqetësuese sa arritën më shumë se një rast në konflikt të armatosur, ku Skënderbeu e dërmoi.  Më lind e drejta e gjykimit se një nga shkaqet që Selia e Shenjtë nuk ja dha kurorën Skënderbeut, por u mjaftua me epitete hiperbolike si “Atlet i krishterimit”, “Bir i Zgjedhur i Selisë së Shenjtë”,  “Zot i Shqipërisë”, “Aleksandër i madh” etj., kanë qenë barrikada nga Republika e Venedikut. Kjo republikë e dinte mirë se mjaftonte fjala mbret dhe heroin tonë e hidhte përtej detit duke rimarrë bregdetin e ta mbyllte atë në vathë, siç kishte futur një perandori. Përveç këtij rasti, mund të ketë ndikuar dhe Traktati i Geates  me  mbretin e Napolit, Alfons dhe të dyja këto ishin  të mjaftueshme për Selinë e Shenjtë, e cila ishte e gjithëpushtetshme  dhe bënte një politikë fine. Kështu, Skënderbeu ngeli Gjeneral në “majë të kalit”, mbuluar me dafina nga populli i  tij. Më mirë kështu, sesa të vetëshpallej apo ta rrëmbente.

Historia botërore tregoi më vonë, rreth 370 vjet, kur Napoleon Bonaparti u vetëshpall Perandor dhe kërkoi Papën në Paris ta kurorëzonte, duke bërë një veprim rrëmbyes se sa ceremonial. Por fati i këtyre lloj perandorëve është i shkurtër dhe me përfundim tragjik.

Zoti dhe përfaqësuesi më i lartë i Zotit në tokë ja pa fundin. U desh një gjeneral plak e me një sy, Mikail Kutuzovi, aty diku para Moskës, që nga maja e kalit ashtu si i dremitur nxori fjalinë lakonike: “Unë do t’i bëj francezët të hanë mish kali”, që e përshkruan mjeshtërisht gjeniu i letërsisë botërore Leon Tolstoi. Dhe fati i Napoleonit u vendos në Vaterlo dhe jeta në ishullin Shën Helenë. Kurse Skënderbeu e përfundoi mes lavdisë së popullit të tij.

Diplomati vizionar, Skënderbeu. Diplomacia e tij ishte ndërthurur me karakterin e tij gjakftohtë, tolerant, orator, mik i besës e jo hakmarrës. Pavarësisht se ai kishte mbaruar shkollën orientit, por “shkolla” diplomatike e tij ishte orientuar drejt perëndimit ashtu si dhe i ati dhe me këtë model, e mbylli deri në fund të jetës së tij.  Ai, diplomacinë e vuri në dispozicion të paqes dhe për hatër të saj diku përdori dhe forcën. Për hatër të paqes ai bëri traktat paqeje edhe me perandorinë, ashtu siç e prishi për hatër të miqve të tij të perëndimit, e posaçërisht, për hatër të Papës. Mik i besës, karakteristikat e një shqiptari, gjë që e tregoi tek ndihma ushtarake me veprime luftarake, për mbretin e Napolit Ferdinand, që kërcënohej nga Tarantinët dhe forcat franceze të princit Renë të Anzhuinëve që pretendonin fronin e Napolit. Në gusht të vitit 1461, me 3000 ushtarë, pothuaj kalorës, zbritën në Barleta e në koordinim me mbretin Ferdinand filluan veprimet luftarake që përfunduan me fitoren e Gjergj Kastriotit. Me këtë fushatë që bëri në Itali, ai përveç ndihmës së mikut, ai bëri dhe një veprim të zgjuar diplomatik, që pas fitores do të siguronte ndihmën e këtyre shteteve që në atë kohë, ata kishin nevojë. Veprimet luftarake atje ishin krejt të papara nga ushtarakët italianë. Historiani italian, Pontano dëshmitar i ngjarjeve, shkruante: “Emri dhe ardhja e tij, jo vetëm që e turbulloi armikun dhe planet e tij, por edhe mbushi Italinë me famën e tij…”. Thonë se mbreti Ferdinant pasi çliroi territorin sa dy herë Shqipëria filloi të thërriste me emrin “babë”, në kujtim të babait të tij Alfons, që ishte miku i Skënderbeut dhe thonë se i fali katër feude me trashëgim të përjetshëm që nuk dihet fati i tyre.

Edhe veprimet luftarake që u kryen në Itali kishin edhe një synim tjetër diplomatik. Vërtetë shkoi për luftë, por nuk ishte Italia armiku kryesor. Prandaj, para veprimeve luftarake dhe porosinë: “Në Itali do të shkojmë të mbrojmë mbretin dhe jo të mbjellim vdekjen. Lufta do të zhvillohet me parimin e shpërndarjes së kundërshtarit e jo të asgjësimit…”. Papa Piu nuk e priti, i dërgoi përgëzimet dhe do të takoheshin në Shqipëri, kur të fillonin kryengritjen në tetor 1463 dhe Skënderbeu do të emërohesh Strategu i Përgjithshëm i Ushtrisë, kurse Duka i Burgonjës, Komandant.

Fatkeqësisht Papa Piu vdiq në gusht të atij viti (1463) Kryqëzata ngeli në letër, Skënderbeu nuk u kurorëzua. Ishte Papa i katërt që ndahej nga jeta. U zgjodh Papa i II.

Ishte 13 dhjetor 1466, Skënderbeu ishte te porta e Selisë së Shenjtë. Vinte jo për luftim, por për ndihmë. Një herë për të ndihmuar, këtë radhë për ta ndihmuar. Fytyra e tregonte dhe më plak se ç’ishte, pak i kërrusur. Nuk e dinte se pas një viti e një muaji ai do të ndahej nga kjo jetë. E solli halli i madh që e kishte zënë kombin e tij. Kruja po mbytej në gjak. E kishte lënë të rrethuar. E pritën në fillim suita, që përgatiste takimin me Papën  dhe për t’i shtuar, edhe më shumë hallet filluan t’i kujtonin Skënderbeut “mëkatet” që kishte bërë. Ata i thanë: “Ti njerëzit e Kombit nuk po i pagëzon si të krishterë.- Ti njerëzit e Zotit- priftërinjtë i merr ushtarë dhe u thua luftoni, pastaj bëni rite fetare. -Ti ke filluar të ngresh kisha ambulante që i mbajnë kuajt në kurriz  dhe u thua njerëzve pas betejës kryeni ritet. -Ti kambanat i përdor për sinjal lufte.

Thonë se Skënderbeu i ishte përgjigjur se, “përsa i përket pagëzimit e kam zgjidhur mirë. Kryepeshkopi i Durrësit dhe nunci apostolik për Shqipërinë dhe Dalmacinë imzot Pal Engjëlli e ka përgatitur me fjalë shqip e germa latine Trininë e Shenjtë të pagëzimit. “Unë të pagëzont, pemnit atit, et të birit et spirtit senit”. Kurse për zakonet e tjera që ngrini është e vërtetë, ashtu ka ndodhur, por unë ashtu i gjeta dhe nuk mendoj t’i ndryshoj zakonet e të parëve tanë”. Vlerat e tij diplomatike dhe shpirtërore për kombin e tij, zunë fronin më të lartë. Mbi gjithçka atdheu, pastaj të tjerat.

Siç duket, ata nuk e kishin lexuar raportin e peshkopit të Romës që kishte ardhur në Shqipëri me porosi të Papës ku i shkruante: “Ata e besojnë si ne fenë, por para kombit, atdheut atje asgjë nuk ka vlerë…”.

Prandaj bashkëjetesa fetare këtu në Shqipëri është unikale në botë: “Shqiptarizëm dhe besim fetar”

Skënderbeun e priti Papa Pali II. E kishte marrë vesh gjëmën që po ndodhte në Krujën e heroizmave të pashoqe në botë. Kruja nuk kishte rënë, por ishte rrethuar. E përgëzoi për këtë stoicizëm heroik, por për ndihmat që i kërkonte, me vështirësi mund t’i jepnin as gjysmat e atyre dhe në fund i fali një relike si dhuratë, duke i kujtuar që Kruja “shkëmbi magjik i Krishtit” sa të fillonte kryqëzata të vazhdonte të qëndronte.

Sa të vërteta janë këto fjalë që u transmetuan brez pas brezi nga arbëreshët e Italisë për përgjigjen

e Skënderbeut, këtë nuk e di, por po e citoj saktësisht siç e ka shkruar shkrimtari më i dashur, Sabri Godo: “Reliken po e pranoj, meqë parashoh se do të zbres së shpejti në varr. I vetëm kundër kaq armiqve, nuk më mbetet gjë tjetër veç të vdes. Sa për paret që kërkova nuk i dua… ua shpërndani të varfërve këtu. Po të mundem nga Sulltan Mehmeti, është merita e më të fortit. Por po të fitoj i tërë argjendi dhe ari i Romës nuk do të më mjaftojnë për të shpërblyer fitoren…”. Kishte të drejtë Marin Barleti që thoshte që me oratorinë e tij ai thyente gurin dhe fitonte betejat. Heshtjen në atë takim e theu kardinali i Milanos, që më shumë thirri se sa foli: “Jepjani ndihmën, ai ka shumë nevojë”.Nuk e di se sa nga pjesëmarrësit e kuptuan thirrjen e tij. Për ndihmë iu lëshua dhe mbretit Ferdinand të Napolit që 4 vjet më parë i kishte shkundur pluhurin nga vrima, ku ishte futur nga frika e Tarantasve. Por, edhe ai e nxori me duar bosh dhe, i bëri pritje të ftohtë, se dy ditë më parë kishte pritur ambasadorin e Ballaban Pashës që mbante të rrethuar Krujën, të cilës dhe muret i kullonin gjak. Siç duket të gjithë mendonin se Kruja do të binte e ndihmat do të shkonin dëm.

Iku Skënderbeu nga Roma pothuajse me duarbosh dhe me lëvdatat  “Që ti je si Aleksandri i Madh” një thes plot. Por Kruja nuk ra, por ra koka e Ballaban Pashës nën muret e kalasë. Kambanat ranë për të lajmëruar botën: “Fituan”.

Ky ishte Gjergj Kastrioti, bir i kombit tim. Mesjeta pasuroi historinë e saj. Kombit shqiptar iu shkrua një libër i ri, këtë radhë me germa floriri, që filloi e mbaroi me të njëjtin emër: Gjergj Kastrioti Skënderbeu, lindur në vitin 1405 dhe vdiq më 17 janar 1468. Te ky njeri ishte kufiri i njeriut.

Më shumë se 120 ditë pushim bëjmë këtu në Shqipëri, atdheu im, gati një e treta e vitit kalendarik. I festojmë të gjitha ditët e shënuara për të gjitha sektet fetare që bashkëjetojnë në Shqipëri, madje dhe festat pagane. Por një ditë të caktuar homazhi e përkujtimi për Atë burrë që bëri historinë më të lavdishme që dhe sot mendja e njeriut nuk i kap dot, e jo atëherë 550 vjet më parë nuk është caktuar. Ne nuk e kemi kuptuar akoma se Ai ishte lindur për jashtë kohën që ai jetoi.

Se kush mund të jetë ajo ditë, këtu nuk mund të japë dot përgjigje të saktë se, nuk jam historian e as politikan vizionar. Ka shumë pika referimi që mbështillen rreth kësaj figure emblematike. Janë dy qytete dhe një njeri që i mban të lidhura fort. Është Kruja si kryeqytet dhe kështjella e rrethimeve të mëdha, por është edhe Lezha, vendi i Besëlidhjes së madhe dhe i dhimbjes së madhe që e përjetoi Kisha e Shën Kollit. Këto vende, i bëri të njohura vetëm një njeri, Gjergj Kastrioti që Selia e Shenjtë i hapi portën si “bir për shpirt” 550 vjet më parë. I dëgjuam dy arsyet e ardhjes suaj në Shqipëri.

Hirësia juaj!  Vini dorën mbi kokën e kombit tim dhe na bekoni një “Ditë të Madhe” për atë kohë të madhe të njeriut të madh dhe të plotësohen tre arsyet e mëdha.