Shtëpia e Fishtës në gërmadhë, ofrohen donatorët, ministria hesht…!

512
Sigal

Shtëpia ku ka jetuar poeti, predikuesi shpirtëror dhe patriotit “At Gjergj Fishta” është kthyer në një gërmadhë dhe nga dita në ditë pritet të shembet. Mungesa e vëmendjes nga strukturat e shtetit, ka bërë që kjo banesë e cila ndodhet në fshatin Fishtë të Lezhës të lihet në harresë prej vitesh. Atë që nuk mundi dot ta bëjë shteti shqiptar prej 23-vitesh tashmë e kanë përsipër ta bëjnë disa biznesmenë kosovarë. Sabri Maxhuni është njëri prej tyre, i cili ka ofruar financimin e plotë të ndërhyrjes që duhet kryer për ta bërë këtë banesë të vizitueshme. Ai ka paraqitur kërkesën dhe projektin e tij  pranë Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare në Shkodër si dhe Ministrisë së Kulturës që me datë 19 shtator por nuk ka marrë asnjë përgjigje dhe për këtë ai shprehet i habitur.

“Jam një dashamirës i “At’ Gjergj Fishtës”, por kur kam parë rastësisht shtëpinë e tij në fshatin Fishtë jam traumatizuar. Gjendja e sajë ishte katastrofike pa dyer pa dritare dhe muret duke u shembur. Kjo me nxiti që unë të marr kontakte me Përgjegjësin e Monumenteve të Kulturës në Lezhë Paulin Zefi  dhe i shpreha dëshirën time për të financuar për restaurimin dhe konservimin e kësaj banese. Menjëherë kam angazhuar arkitektët e mijë dhe kanë bërë projektin e plotë për restaurimin e kësaj shtëpie. Në bazë të këtij projekti ruhet origjinaliteti ashtu siç ka qenë. Kemi mundësitë për të bërë financimin për restaurimin e saj, prandaj shpresoj që nuk duhet të kemi asnjë pengesë. Jam i gatshëm të pres dhe ndryshimet e projektit dhe sugjerimet që mund të japë Ministria e Kulturës dhe pastaj ta financoi sado që ajo të kushtojë dhe pastaj t’ja dorëzoj shtetit shqiptar. Kam dorëzuar kërkesën dhe projektin prej disa kohësh dhe nuk kam marrë asnjë përgjigje, nuk e kuptoj këtë neglizhencë të Ministrisë së Kulturës e cila po hesht”,- tha Sabri Maxhuni Donator nga Kosova Nga ana tjetër edhe vetë të afërmit e Fishtës kërkojnë restaurimin e shtëpisë, e cila është premtuar disa herë nga pushtetarët por qe edhe në ditët e sotme shtëpia është kthyer në një gërmadhë dhe nuk është marrë asnjë hap konkret për ndërhyrje. “Na kanë premtuar disa herë që do të ndërhyjmë për restaurimin e kësaj banesë, por nuk është ndërmarrë asnjë veprim konkret. Janë disa biznesmenë kosovarë që po vinë disa herë dhe janë të interesuar për restaurimin e shtëpisë ku ka jetuar Fishta. I bëjmë thirrje shtetit Shqiptar që t’ju japë përgjigje dhe këta të nisin punën sa më parë. Ministria nuk ka një projekt për restaurimin e kësaj banesë dhe nuk e kuptoj pse po bëhen pengese për interesin që kanë shfaqur vëllezërit tanë Kosovarë për restaurimin e kësaj shtëpie”,-tha Gjergj Ndoka Sternip i “At’ Gjergj Fishtës” Nga ana tjetër edhe vetë Përgjegjësi i Monumenteve të Kulturës për Qarkun e Lezhës në “DRKK-Shkodër” Paulin Zefi është shprehur se është e dyta herë brenda 6 muajve  janë ofruar donatorët për restaurimin e shtëpisë muze, por burokracitë dhe mos koordinimi ka bërë që ende nuk është gjetur një zgjidhje përfundimtare.

“Shtëpia Muze e “At Gjergj Fishtës” është marrë në mbrojtje nga shteti që në vitin 1991 dhe është shpallur monument kulture i kategorisë së dytë me dt. 5 maj 2008. Është një banesë dykatëshe me një sipërfaqe prej 64.8 metër katrorë dhe sipërfaqe trualli së bashku me oborrin shkon 550 metër katrorë që është në pronësi të zotit Agron Ndoka stërnip i “At Gjergj Fishtës”.Sipas dëshmive të të moshuarve familja e “At Gjergj Fishtës” e ka ndërtuar këtë banesë në vitin 1877 kur Fishta ishte 6-vjeç, pikërisht në kohën kur u regjistrua në seminarin Françeskan të Shkodrës. Pasi është hapur seminari Françeskan i Troshanit në vitin 1880 Fishta u transferua në Troshan si student dhe gjatë periudhës së verës qëndronte pranë familjes së tij deri të vitin 1886 kur vazhdoj studimet në Bosnje. Shtëpia muze është në një gjendje vërtet për të ardhur keq pasi degradimi i çatisë po sjell si rezultat edhe dëmtimin e mureve në të dy katet. Gjithashtu, mungojnë dyer dhe dritare, pasi pronarët e shtëpisë jetojnë në emigracion prej 20-vitesh dhe kjo ka sjellë amortizimin e plotë të kësaj banese. Pas përpjekjeve të mia bëra të mundur që të gjej donatorët për restaurimin e shtëpisë muze të Fishtës dhe menjëherë sapo kontaktuan me mua ato i kanë nisur kërkesë me shkresë zyrtare si DRKK Shkodër ashtu dhe Ministrisë së Kulturës që nga dt. 19 shtator. Gjithashtu, me dt. 23 tetor me rastin e 143-vjetorit të Fishtës unë i kam dërguar kërkesën zyrtare Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare në Shkodër dhe nëpërmjet postës i kam dërguar edhe projektin restaurues të kompanisë “Dardania SHPK”. Akoma nuk kemi marrë përgjigje dhe desha të theksoj se përveç burokracive të panevojshme, edhe vetë pronarët e shtëpisë gjatë negociatave që kam bërë me to kërkojnë nga shteti shqiptar që t’i rimbursohen për truallin dhe shtëpinë me vlerën 30 mijë euro në mënyrë që të ndërtojnë një shtëpi tjetër për të banuar. Dokumentacioni i shtëpisë është i gatshëm pasi e ka marrë përsipër vetë personalisht  nëpërmjet direktivave të zv/ministri të Kulturës Zef Çuni. I bëj apel DRKK Shkodër, Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe vetë ministrisë që procedurat të përshpejtohen duke i dhënë leje zotit Sabri Maxhuni, i cili garanton restaurimin e plotë të shtëpisë dhe hapësirës që e rrethon. Nuk mund të ketë rilindje të  fshatit Fishtë dhe as për trevën e Zadrimës në qoftë se nuk vlerësohet figura emblematike e të madhit “At’ Gjergj Fishta” dhe kjo për mua është një sfidë personale që dua ta bëj realitet sa më parë”,- tha Paulin Zefi.

Ndonëse ka interes nga vizitoret të cilët shkojnë për ta parë shtëpinë e Patër Gjergjit, gjithçka tkurret dhimbshëm në këtë banesë modeste por që fsheh kaq shumë vlera pas historisë së saj. Në shtëpi ka patur brenda ka patur edhe mjaft sende të “At Gjergj Fishtës” ndër të cilat siç tregojnë edhe pasardhësit e tij edhe krevati i thjeshtë që tashmë nuk është më. Ato janë grabitur nga persona të papërgjegjshëm që hynë brenda në banesë pa u shqetësuar nga askush. Vitet po kalojnë, ndërsa banesa ku ka jetuar homeri shqiptar “At’ Gjergj Fishta” është kthyer në një gërmadhë, ndonëse donatorët janë ofruar për restaurimin dhe konservimin e shtëpisë së tijë për çudi ata  kanë gjetur vetëm gatishmërinë e Përgjegjësit të Kulturës Kombëtare në Lezhë Paulin Zefi, dhe këtu mbaron historia e deritanishme, kjo në pritje për një veprim konkret të Ministrisë së Kulturës, e cila siç duket nuk ka asnjë interes për restaurimin e kësaj shtëpie