Shtëpia Botuese “Bota Shqiptare” vjen në këtë panair me këto libra

1521
1-Nicola Yoon 
NE JEMI GJITHÇKA
E përktheu nga origjinali: Irena Dono
Nr. i faqeve 312
ISBN 978-9928-00-267-9
Çmimi 1200 Lekë
Sëmundja ime ishte aq e rrallë, po aq sa ishte e dëgjuar. Kryesisht isha alergjike ndaj botës së jashtme. Nuk dilja nga shtëpia, nuk kisha dalë për shtatëmbëdhjetë vjet me radhë. Të vetmit njerëz që kisha parë ishin nëna ime dhe Karla, infermierja.
Por një ditë, në shtëpinë ngjitur mbërriti një kamion. Hodha vështrimin nga dritarja dhe pashë atë. Ishte i gjatë, i dobët, i veshur i tëri në të zeza: bluzë të zezë, xhinse të zeza, atlete të zeza dhe një kapelë të zezë të thurur, e cila i mbulonte flokët krejtësisht. Ai më kapi në befasi, tek po e vështroja dhe më nguli sytë. E pashë edhe unë ngulazi. Emri i tij ishte Olli.
Ndoshta ne nuk mund të parashikojmë të ardhmen, por ca gjëra, ama, mund t’i parashikojmë. Për shembull, unë sigurisht do të bija në dashuri me Ollin. Dhe sigurisht kjo do të ishte gati një katastrofë.
“Unë i jap të gjitha yjet e qiellit debutimit vezullues të Nicola Yoon-it. “Ne jemi gjithçka” është gjithçka, gjithçka: I fuqishëm, i bukur, shpirtcopëtues dhe përthithës, që lexohet me një frymë. Është një roman i rrallë që të ngre lart, të dërrmon dhe të mbush njëherazi”.
– Jennifer Niven, autore e librit bestseller të New York Times-it “Të gjitha Vendet e Ndritshme”.
“Ne jemi gjithçka” ka gjithçka:
Romancë, zemër dhe inteligjencë”.
– Danielle Paige, autore e librit bestseller të New York Times-it “Dorothi duhet të vdesë”.
“Një eksperiencë leximi unike dhe e bukur. Arti i mrekullueshëm i të shkruarit gërshetohet me ilustrimet origjinale, për të na rrëfyer një histori dashurie si asnjë tjetër. Nuk keni pasur rastin të lexoni ndonjëherë një libër si ky”.
– David Arnold, autor i librit “Vendi i Mushkonjave”.
NICOLA YOON u rrit në Xhamajka dhe Bruklin. Ajo jeton aktualisht në Los Angeles me të shoqin, që krijoi ilustrimet e këtij libri dhe të bijën. “Ne jemi gjithçka” është romani i saj i parë.
2-Zülfü Livaneli
SERENATA
E përktheu nga origjinali: Stefan Vuçani
Nr. i faqeve 472
ISBN 978-9928-00-273-0
Çmimi 1300 Lekë
Fundi i viteve 30’… Maksimilian Vagner, një gjerman me gjak të pastër arian dhe pedagog në universitet, bie në dashuri me vajzën e bukur hebreje të quajtur Nadia. Pas martesës, për të fshehur identitetin hebre të Nadias, ajo mori emrin Deborah… Presionet dhe dhuna e hitlerianëve ndaj hebrenjve bëhen të padurueshme dhe nga frika se mos zbulohet identiteti i vërtetë i vajzës, Maksi dhe Nadia vendosin të shkojnë në Paris dhe të jetojnë atje në qetësi. Gjatë udhëtimit me tren për në Paris, Maksi largohet për një çast…
Viti 2001… Maksimilian Vagner, 87 vjeç, një shtetas amerikan me origjinë gjermane, i cili në fund të viteve 1930 ka dhënë leksione në Universitetin e Stambollit, kthehet në Stamboll pas 59 vjetësh. Për të shoqëruar atë nga universiteti mikpritës është caktuar Maja Duran, 36 vjeç, specialiste për marrëdhëniet me publikun. Profesori vjen në Stamboll, jo vetëm për të mbajtur leksione, por edhe për të kujtuar fundin tragjik të historisë së tij të dashurisë me Nadian. Maja jo vetëm përfshihet në një histori dashurie mbresëlënëse gjashtëdhjetëvjeçare, e cila shpaloset ngadalë-ngadalë, por edhe mëson shumë sekrete të historisë botërore dhe të familjes së saj.
3-Albert Z. Zholi
IKJA E MADHE
“Ikja e madhe”. Tani është bërë me prekshme. Janë pikërisht këto faqe libri të autorit Albert Zholi që na sjellin kaq afër, kaq përmbledhtas, atë epope mërgimi që përfshiu gjithë tokat e Shqipërisë me fillimin e dekadës ’90. Fundshekulli XX e rrudhi edhe njëherë Atdheun tonë. Edhe ashtu i pakët siç ka qenë, me pjesë të tëra territori e popullsie të ndarë nga trungu, kur priste t’i rritej shtati duke u bashkuar me Kosovën martire, ky dhe u mpak nga njerëzit që po i iknin, shumica pa kthim. Kjo lëvizje popullsie në drejtim të shteteve të perëndimit e kryesisht, drejt Greqisë, në fillim ngjau si gëzim pas ndrydhjes së gjatë nga shteti totalitar, pastaj kuptimi i mërgimit e ktheu ikjen në tragjedi, ndërsa tani, gëzimi dhe tragjedia kanë depërtuar te njëra-tjetra fatalisht dhe përjetohen me ankth. Sepse të shumta kanë qenë humbjet, vdekje të ndryshme, por më shumë tragjike e të parakohshme. Vdekje nga krimet, por edhe nga përpjekja e stërmundimshme për të arritur “Tokën e premtuar”. Autori me një analizë të plotë të të gjitha shkaqeve që çuan këtë shkulje të rrënjëve shqiptare, na sjell pamje, episode e ngjarje rrëqethëse, që shoqëruan dhe vazhdojnë të shoqërojnë këtë emigracion të paparë në histori për përmasat, popullsinë e vendit dhe kohën e shkurtër.
Libri “Ikja e madhe “është gjithashtu një pasqyrë e historisë së marrëdhënieve të vjetra e më të reja midis Shqipërisë dhe Greqisë, këtyre dy vendeve ballkanike të cilat vërtetë shumë ngjarje i kanë bashkuar, por kanë mjaftuar edhe pak syresh që të inspirojnë ndjenja armiqësore e skepticizmi. Vetë dyndja e emigrantëve drejt Greqisë krijoi përsëri një klimë të re, diku mirëkuptimi, diku mosbesimi, thotë autori por ai ka shpresën se ashtu si shtrëngatat e qindra shekujve nuk i shpunë kurrë këta banorë të vjetër në luftë midis tyre, edhe kjo lëvizje e re do të jetë vetëm një urë miqësie. 
4- Pedro Chagas Freitas
PREMTOJ TË GABOJ 
– Libri konsiderohet “fenomen i lindur” dhe lexuesit e dashurojnë çmendurisht…
“Të dashurova para se ta merrja vesh dhe ndoshta vetëm kështu dashurohet” – këtë ndjesi rrok mjeshtërisht romani i konsideruar fenomen letrar, dhe që pati rekord absolut shitjes, fillimisht në Portugali dhe më pas në të gjitha tregjet botërore. Që sot vjen edhe në shqip përmes përkthimit të Taulant Hatisë. 
Sigal