Shqiptarët e Vankuverit

1192
Sigal

Është e vështirë për të thënë shumë në një shkrim të krijuar mbi shënime e përshtypje nga një vend që është ende i pashfaqur plotësisht. (Pas Rusisë, Kanadaja është vendi më i madh në botë për nga sipërfaqja.) Për më tepër, në ritme zhvillimi dhe norma emigrimi të mirënjohura; por që renditet gjithnjë në vendet e para – sa i takon mirëqenies dhe vlerave njerëzore e demokratike – në të gjitha llojet e statistikave. Ndërkaq, vetë komuniteti shqiptar në Kanada është në rritje, paçka se i vogël krahasuar me komunitetet e tjera që jetojnë këtu.

***

“Shoqëria Shqiptare e BC (British Kolumbia)” është pjesë e jetës në ritëm e mirëqenie të këtij qyteti të bukur. Shqiptarët janë pjesë e aktiviteteve, ndërtimeve dhe festimeve që karakterizojnë këtë metropol, të cilin bukuria natyrore dhe klima e qëndrueshme e kanë shndërruar në një qendër model bashkëjetese. Kështu, kujtojmë se në festimet për ditën e Kanadasë (Canada Day), edhe këtë vit u përfshinë gjallërisht edhe shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në Kanada. Duke pasur parasysh këtë eveniment, por edhe për të shprehur gëzimin për stinën e ngrohtë, ditë më parë, Shoqata e Shqiptarëve të Vankuverit  – e njohur edhe si “Shoqëria Shqiptare e BC (British Kolumbia)” – mblodhi në Parku Cresend, në një piknik në natyrë, dhjetëra shqiptarë që jetojnë e punojnë në Vankuver. Ata kishin ardhur nga Vankuveri dhe qytetet e tjera në rezen e tij, si Burnaby, Delta, Surrey, etj. Kryetari i Shoqatës Estref Resuli, nënkryetari Edison Heba, si dhe anëtarët e Këshillit Drejtues, por edhe veprimtarë të tjerë të kësaj shoqate, ishin kujdesur që organizimi i piknikut të shërbente edhe si një tubim i lirë i të gjithë shqiptarëve që banojnë dhe punojnë në Vankuver e rrethinat e tij.  Ashtu siç janë shprehur në shtyp edhe veprimtarë e zëdhënës të shoqatës, misioni i saj është organizimi, bashkimi dhe forcimi i frymës vëllazërore midis anëtarëve të komunitetit shqiptar që jeton dhe punon në B.C.; po ashtu, kultivimi dhe forcimi i marrëdhënieve miqësore të ndihmës dhe bashkëpunimit midis popullit shqiptar dhe atij kanadez, ndihma dhe përkrahja e emigrantëve të rinj në B.C., etj. Takimet e anëtarëve të shoqatës janë të herëpashershme, natyrisht edhe duke u motivuar nga kërkesa dhe ngjarje të rëndësishme. Më parë, shqiptarët e Vankuverit ishin mbledhur edhe për të kremtuar Festat e Nëntorit dhe, më pas, ato të Fundvitit. Gjithsesi, pikniku i verës, i motivuar edhe nga Canada Day, tregoi edhe njëherë se shqiptarët që tashmë jetojnë dhe punojnë në Vankuver, janë një komunitet në rritje; në të njëjtën kohë, ata po e konsolidojnë çdo ditë vetëdijen për trashëgiminë, por edhe perspektivat e jetës në një kontinent tjetër. Anëtarët e Shoqatës së Shqiptarëve në Vankuver, ku tashmë janë përfshirë disa breza, nga të posalindurit deri te më të vjetrit, bëjnë ç’është e mundur të mbajnë gjallë frymën e dashurisë për vendin e lindjes dhe të ushqejnë edhe fëmijët me gjuhën e vendlindjes dhe traditat e cilësitë më të mira të saj. Edhe në këtë piknik në natyrë, në traditën e vendit, krahas një dreke të pasur, si dhe bisedave për punën dhe problemet familjare, u zhvilluan lojëra tradicionale si tërheqja e litarit dhe vrapimi në thes.

Më parë, edhe në Tiranë, me rastin e ditës së Kanadasë (Canada Day), Instituti i Çështjeve Kombëtare  – INA (Albanian Institute of National Affairs) ka organizuar ngritjen e flamurit kombëtar të Kanadasë në sheshin përpara ”Hotel Tirana International”, (1 korrik 2012). Siç është pasqyruar në media edhe nga zëdhënësi i kësaj shoqate, ky aktivitet ka qenë pjesë e veprimtarisë së njohur të Institutit për të promovuar dhe forcuar më tej marrëdhëniet e miqësisë dhe të bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Kanadasë. Ai zhvillohet nën kujdesin e z. Kastriot Frashëri, Drejtor i Përgjithshëm i INA. Po ashtu, në po atë mbrëmje, në skenën e Teatrit të Kombëtar të Operas dhe Baletit do të ngjiteshin mbi 40 artistë të orkestrës sinfonike “West Coat” të Vankuver-it nën drejtimin e maestro Bujar Llapajt. Ky koncert vinte për publikun shqiptar pikërisht në Ditën e Kanadasë, por edhe në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë. (“West Coast Symphony”, është krijuar në vitin 1970 si një orkestër amatore harqesh dhe tashmë ajo është nga më të njohurat në Kanadanë Perëndimore, me mbi 20 koncerte në sezon dhe me një repertor të pasur.) Ndërkaq, asistenca dhe ndihma e qeverisë së Kanadasë për Shqipërinë nuk ka munguar në projekte të caktuara, duke përfshirë gjithë fushat e zhvillimit. Nga viti 1996 deri në vitin 2011, Kanadaja ka dhënë për Shqipërinë mbi 30 milion dollarë. Por një prezencë më e madhe e investimeve kanadeze në Shqipëri, do të bënte të mundur promovimin e imazhit të vendit në tregun ndërkombëtar, fuqizimin e ekonomisë dhe zhvillimin e potencialeve të vendit, duke sjellë shtrirjen e këtyre mundësive në hapësirën mbarëshqiptare. Në përmirësimin e mëtejshëm të këtyre raporteve e objektivave, luan një rol të rëndësishëm edhe “Shoqëria Shqiptare e BC”, që tashmë është duke e prezantuar gjithnjë e më mirë komunitetin shqiptar në Vankuver dhe më gjerë.