Shqipëria, plazh dhe histori, e gjitha për t’u zbuluar

2108
Promovimi i turizmit është një çështje me një rëndësie shumë të lartë për zhvillimin ekonomik të një shteti, sidomos kur bëhet fjalë për një shtet që është drejt integrimit ekonomik, siç është edhe vendi ynë. Shqipëria është një vend i vogël, por që mbart shumë vlera të mëdha kombëtare, historike dhe kulturore. Përsa i përket turizmit, vendi ynë përfshin turizmin malor edhe atë bregdetar. Bregdeti i Jugut të Shqipërisë është cilësuar si një ndër perlat më të bukura që ajo ka. Mirëpo burimet dhe pasuritë e saj kombëtare, tashmë promovohen edhe nga vende dhe shtete të tjera, të cilat ndihmojnë shumë në rritjen e numrit të turistëve në bregdetin shqiptar dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Shumë agjenci të huaja i sygjerojnë turistëve që të vizitojnë vendin tonë, duke ju shpalosur atyre, gjithë vlerat dhe bukuritë që e karakterizojnë Shqipërinë, si vend turistik. Madje ajo njihet si “sekreti i fundit i Europës”. Së fundmi për të ka shkruar edhe një nga websitet e vendit fqinj, Italisë. 
Ja çfarë shkruan “Tgcom”, për turizmin në Shqipëri
Akoma e paprekur nga turizmi masiv, Shqipëria rezervon peisazhe me bukuri të rralla dhe një det të pacënuar. Shqipëria, misteri i fundit i Europës, një vend fantastik, sot e gjitha për tu zbuluar: plazhe magjepsëse, natyrë e paprekur ende dhe shpesh e egër, dëshmi historike dhe artistike të mahnitshme të cilat përmbledhin vetë historinë e kontinentit tonë. Shqipëria, të cilën romanët e quanin Iliri, është një vend i gjithi për tu zbuluar, projektuar drejt modernizimit dhe në të njëjtën kohë e lidhur me të shkuarën e saj shumëdimensionale. Florinjtë vezullues të manastirëve bizantinë bashkëjetojnë paqësisht me minaretë e xhamive dhe me kujtimet greke të Butrintit dhe Apollonisë. Nga Berati, një trashëgimi botërore, deri në Durrës, duke kaluar nga rruga që të çon nga Saranda për në Gjirokastër, për të zbuluar më pas “sekretin e fundit të Europës”, apo plazhet dhe limanet shkëmbore, që nuk kanë çfarë t’u lakmojnë vendeve të tjera të Mesdheut. Plazhe “si në Karaibe”
Jo vetëm kulturë
Plazhe dhe limane shkëmbore të paprekura ende nga turizmi masiv, mrekulli natyrore si ai i burimit të Syrit të Kaltër. Për më tepër një kuzhinë që përzien njëmijë shijet e forta të kuzhinës ballkanike dhe turke me ato më të rafinuara, me ndikim italian dhe grek.
Vendi turistik kryesor është Saranda, një gji i shtrirë me plazhe të këndshme me guraleca, ku shfaqet qendra e qytetit me shëtitoren. Rreth 15 km nga Saranda, ndodhet Ksamili, me të vërtetë një “parajsë e humbur”, e rrethuar nga ishuj të vegjël të cilët mund të arrihen edhe duke notuar (një prej tyre kalohet edhe në këmbë). Këtu mund të gjejmë plazhe me ujë transparent e të kristaltë, rërë të artë dhe thellësi që shtohet ngadalë. Ksamili lidhet me Sarandën me autobuzët e linjës. 
Shqipëria, një vend i sigurt dhe i plotësuar 
Iliria e lashtë, është një destinacion me kosto të ulët që zbulon plazhe të bukura me një trashëgimi të pasur kulturore, po aq të pasur sa dhe të panjohur. Sot është një vend i sigurt, dhe i gatshëm për të tërhequr turistë, aq sa “CartOrange” e ka përfshirë në katalogun e saj “Udhëtime në kohë”, duke propozuar edhe “fly&drive”, ku përfshihen antikiteti klasik dhe bizantin i Butrintit dhe Apollonisë, qyteti i Beratit, një trashëgimi kulturore e UNESCO-s, Durrësi, Saranda dhe Gjirokastra.
Për ata të cilët dëshirojnë një udhërrëfyes, më në fund ka dalë edhe një formulë “fly&guide”, që shoqëron vizitorët me guida të specializuara dhe arkeologë.
Sigal