Shqipëria, gjithnjë e më tërheqëse për vizitorët e huaj

200
Shqipëria po shihet gjithnjë e më shumë nga vizitorët e huaj dhe pushuesit vendas si një vend mjaft tërheqës që ofron turizëm bregdetar, malor, kulturor dhe të aventurës 
Ditën e martë me datë 21 Prill 2015 u organizua në Tiranë Konferenca e VII-të Kombëtare për Turizmin. Shoqata Shqiptare e Turizmit, (ATA) me mbështetjen e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes (MZHETTS), dhe Agjencisë Kombëtare të Turizmit (AKT) mbajti këtë konferencë në vigjiljen e vitit të 7-të të krijimit të kësaj shoqat, e para shoqatë ombrellë në vend ngritur me mbështetjen teknike të GIZ dhe USAID, i konsideruar si samiti më i rëndësishëm për industrinë e turizmit 
Tema për këtë vit ishte “Turizmi, rruga e sigurt drejt zhvillimit ekonomik” dhe bashkoi mbi 150 sipërmarrje, individë dhe organizata nga mbarë vendi që veprojnë në këtë fushë. Në konferencë u prezantuan arritjet në shërbim të industrisë qe u shënuan nga operatorët turistikë shqiptarë gjatë veprimtarisë së tyre gjatë vitit 2014, sfidat dhe plani i punës për vitin 2015. Gjithashtu në kuadër të bashkëpunimit të sektorit publik-privat, u nënshkrua për herë të parë një marrëveshje bashkëpunimi mes AKT-së dhe ATA-s. 
Duke folur në këtë konferencë znj. Julinda Dhame, Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Turizmit tha se “Shqipëria po shihet gjithnjë e më shumë nga vizitorët e huaj dhe pushuesit vendas si një vend mjaft tërheqës që ofron turizëm bregdetar, malor, kulturor dhe të aventurës. Vendi ynë paraqet interes jo vetëm duke eksploruar mjediset shqiptare me potencial për turizmin, por në mënyrë që e ardhmja e këtij sektori të adresojë sa më shumë turistë e vizitorë nga vende të ndryshme të botës, si vendi që ngjall trend dhe mundësi të pafundme eksploruse. Jemi optimiste, u shpreh ajo, se nismat per promovimin e turizmit shqiptar në botë do të japin rezultate duke filluar që këtë sezon, ndërsa shumë institucione të huaja e konsiderojnë turizmin shqiptar, potencial dhe risi të veçantë pushuese e shlodhëse, që duhet vizituar.
Ndërsa drejtoresha ekzekutive e ATA-s, znj.Matilda Naço, prezantoi momentet më të rëndësishme të fushës së turizmit gjatë vitit 2014 dhe u ndal tek kërkesat që ky sektor i adreson politikëbërjes për ekuivalentimin e TVSH-së në raport me vendet e tjera të rajonit, heqja e regjimit të vizave për turistët e disa vendeve që duhet të kenë një të tillë për të ardhur në vendin tonë, standartizimi dhe klasifikimi i tregut të turizmit. 
Këtë konferencë e përshëndeti edhe Zv.ministri i Ekonomisë Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, z. Ervin Mete duke shprehur se, turizmi gjithnjë e më shumë po shndërrohet në furnizuesin kryesor të ekonomisë së vendit.