Shqipëri-Vatikan, 25 vjet marrëdhënie diplomatike

532
Sigal

Konferenca “Çerek Shekulli Marrëdhënie Diplomatike”,  me rastin 25-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë bëri bashkë politikanë, diplomatë, përfaqëuses të Vatikanit dhe të Kishës Katolike. Ministrat Bushati dhe Klosi vlerësuan harmoninë dhe bashkëjetesën fetare, si simbol unik i Shqipërisë.

Marrëdhënia diplomatike Shqipëri-Seli e Shenjtë shënoi plot një çerek shekulli, pas rënies së regjimit komunist, edhe pse lidhjet shpirtërore datojnë shekuj më përpara.

Kjo datë jubilare u përkujtua me një konferencë të posaçme në Ministrinë e Jashtme, ku Ministrat Bushati dhe Klosi e vunë theksin tek simboli unik i bashkëjetesës dhe harmonisë fetare.

Klosi: Institucionet tona shtetërore apo klerike kanë bërë që harmonia fetare që të jetë dhe të mbetet një nga simbolet e europianizmit shqiptar. Toleranca fetare të jetë dhe të mbetet një nga simbolet e vëllazërisë.

Bushati: Shqipëria përbën një simbol unik të kësaj filozofie të paqes. Bashkëjetesa dhe harmonia fetare që përshkon në shpirt e Kushtetutë mbarë shoqërinë, botën dhe historinë shqiptare, përbën bazamentin e patjetërsueshëm të humanizmit dhe dimensionit moral që siç nënvizohet me të drejtë nga selia e shenjtë duhet të udhëheqë sot e gjithmonë marrëdhëniet ndërkombëtare.

I dërguari i posaçëm i Selisë së Shenjtë, Mons. Diego Causero, në fjalën e tij përshëndetëse nënvizoi se marrëdhënia e Vatikanit me Shqipërinë sot është e konsoliduar.

Selia e Shenjtë, Shqipëria dhe shteti shqiptar i kanë konsoliduar gradualisht lidhjet e tyre të lashta. Në të njëjtën kohë vërejmë angazhimin e Kishës Katolike për te dhenë  kontributin e saj në ndërtimin e Shqipërisë” tha ai.

Shqipëria në Vatikan përfaqësohet nga i ngarkuari me punë Visar Zhiti.

Ndërkohë, kanë qenë disa zhvillimet kulmore në marrëdhëniet me Vatikanin, që nisin nga shtatori i kaluar kur Nënë Tereza u shpall shenjt nga Papa Françesku dhe më pas me lumnimin e 38 martirëve dhe shpalljen e Kardinalit Ernest Troshani.