“Shpirti i Arbrit rron e gjallëron”

646
Sigal

Konferencë e përbashkët shqiptaro-arbëreshe

Ditën e shtunë, në mjediset e Universitetit Mesdhetar të Tiranës u organizua një Konferencë domethënëse, shqiptare-arbëreshe, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë dhe 140-vjetorit të bashkimit shtetëror të Italisë dhe në vazhdim të traditës sës veprimtarive, me emërtimin: “Ditët Gramshiote”. Nismëtarë ishin: Prof. Alfred Uçi-Akademik e kryetar i Shoqatës  atdhetare-kulturore “Lisi i Arbërit” (Tiranë); On. Mario Brunetti, President i Institutit të Studimeve Mesdhetare dhe personalitet i jetës politike e shoqërore (Kozenca-Itali) e Prof.Dr. Anastas Angjeli, rektor i Universitetit Mesdhetar (Tiranë) . Kishin ardhur akademikë e profesorë, studiues të fushave të ndryshme të jetës, punonjës të arsimit e kulturës, nga media e shkruar dhe ajo elektronike e të ftuar të tjerë. Konferencën e hapi  Anastas Angjeli, i cili theksoi rëndësinë e kësaj veprimtarie, që përkon me dy ngjarje të mëdha historike në  jetën e dy popujve tanë miq, shqiptar e italian. Pastaj e lexoi referatin e tij Mario Brunetti. Gjithashtu, ai u ndal në etapa të rëndësishme të lidhjeve, miqësisë e bashkëpunimit ndërmjet popujve tanë, sidomos të shqiptarëve me arbëreshët e Italisë së Jugut. Në këtë linjë ishte edhe referati prof. Alfred Uçit, i cili nënvizoi sidomos lidhjet e hershme shpirtërore ndërmjet shqiptarëve e arbëreshëve, të cilat vijojnë e gjallërojnë deri në ditët tona. Dëshmi për këtë gjë ishte edhe kjo Konferencë, me pjesëmarrjen e studiuesve nga të dyja anët e Adriatikut. Në vazhdim, prof. Neritan Ceka përmendi mjaft të dhëna, historike e arkeologjike etj., për lidhjet e pashkëputura të arbëreshëve me vendin e tyre të origjinës, pra me Shqipërinë. Mjaft emocionuese ishte përshëndetja dhe fjala e nipit të Antonio Gramshit, muzikantit po me këtë emër dhe me banim në Moskë të Rusisë, i cili kishte ardhur posaçërisht në Tiranë për këtë ngjarje të shënuar. Pas Konferencës, në një sallë tjetër, ai dha para të pranishmëve një koncert të bukur me vegla të ndyshme muzikore, disa nga të cilat ishin të ruajtura nga tradita e lashtë popullore, shqiptare ose e popujve tjerë të Ballkanit.. Po me kaq interes u ndoqën, në ketë Konferencë, edhe kumtesat e fjalët e mbajtura nga studiues të Shqipërisë e Kalabrisë: prof.Mario Balognori, prof.Pëllumb Xhufi, prof.Mikelanxhelo la Luna, akademik Gjovalin Skkurtaj e prof.Rocco Pangoro. Gjithashtu, u lexua përshëndetja e dërguar nga prof. Matteo Mondola dhe përshëndeti rektori i Universitetit “Zonja e Këshillit të Mirë” (Tiranë), prof. Paulo Ruatti. Të pranishmit në këtë veprimtari bënë mjaft fotografi të përbashkëta dhe vizituan një ekspozitë pikture, që ishtë çelur në një sallë të posaçme të Universitetit Mesdhetar, në kryeqytetin tonë.