Shpëtim Çekrezi:Prestigjatorit i japin vlerë balerinat e bukura dhe artistet e cirkut

1239
Sigal

INTERVISTA/ Flet iluzionisti dhe prestigjatori Shpëtim Çekrezi

Ka më se 17 vjet që ushtron profesionin e iluzionistit, dhe prestigjatorit dhe ndihet i kënaqur. Dhe pse puna në të gjithë profesionet e tjera ka rënë, ai duke qenë specifik është i kërkuar, kryesisht në Maqedoni dhe Kosovë. Sipas tij ky profesion kaq delikat, por shumë i kërkuar në spektakle, apo në koncerte kërkon punë, durim, përqendrim, seriozitet. Shpëtimi për 17 vjet me radhë po pushton të gjitha skenat e Ballkanit duke korrur suksese të njëpasnjëshme. Asnjëherë nuk e gjen në një vend, asnjëherë nuk e gjen në një shtet. Gjithë vendet Ballkanike janë bërë për të si Shqipëria, por ai nuk harron Greqinë si vendin e parë ku mësoi profesionin. Po ai ndalet më gjatë në Maqedoni, ku sipas tij profesioni që ai zotëron është më i kërkuari.

 Ju në shumë biseda jeni shprehur se Maqedonia është vendi ku ju jeni më i kërkuari dhe më i paguari. Sa e vërtetë është kjo?

 Ajo është aq e vërtetë sa pyetja që ju bëtë. Unë kam tre vjet që pjesën më të madhe të kohës, apo ftesat më të mëdha i kam në këtë vend. Në Tetovë janë disa lokale shumë serioze që ditët e fundit të javës zhvillojnë koncerte, ose Party, ku kërkohet shumë profesioni im, ku si plotësuese ose ndihmëse mbaj një ose dy femra të bukura. Prania e tyre, afrimi që i bëjnë ato veglave apo materialeve të shfaqjes sime është art më vete. Pa delikatesën e femrave, pa sharmin e tyre edhe puna ime do të ishte e vakët. Pra në këto lokale shkoj thuajse çdo fund javë duke dhënë apo shfaqur numra nga më të ndryshmit. Pronarët janë shumë korrekt dhe punoj me kontrata mujore. Jam shumë i kënaqur për vlerësimin.

 Po në Shqipëri nuk ka lokale të tillë?

Ka, por jo të kësaj natyre dhe të këtyre parametrave me spektakle të tilla ku iluzionisti dhe prestigjatori të vlerësohet kaq shumë. Si duket s’i njohin ende shijet e publikut dhe nuk i marrin në konsideratë kërkesat e tyre. Çdo profesion i veçantë ka vlera specifike që duhet performuar.

 Pse këmbëngulët tek femrat në rolin e ndihmëseve në punën tuaj?

Thjesht nga praktika. Kur kam dalë ndonjëherë vetëm, i detyruar, nuk kam pasur atë sukses se kur kam performuar me një femër. Femra ka magji, ka forcë elektrizuese, ka vrull, makth. Ajo të mbërthen dhe e rrit 50 përqind suksesin. P.sh. kur kam numrin që nxjerr brisqet nga goja, vetëm prania e femrës, heshtja disa sekonda e saj, japin tek spektatori një frikë. Shikimi i tyre, veshja. Elasticiteti i trupit të japin një dëshirë për të realizuar numra shumë të bukur.

 Ju thoni femra me trup elastik, domethënë, ose duhet të jenë balerina, ose duhet të jenë artiste cirku?

Po. Kjo është e vërtetë. Vetëm me femra të tilla mund të realizoj numra të bukur dhe të vështirë. Por duhet të jenë dhe të reja dhe të bukura. Të gjitha këto elementë plotësojnë punën time, e bëjnë më të lehtë, e bëjnë më të bukur.

 Ku janë fillimet e tua të para si iluzionist (magjistar)?

Unë me përmbysjen e regjimit komunist emigrova në Greqi. Dhuntitë e mia për  magjinë dhe iluzionin ishin shfaqur që fëmijë, por morën formë dhe perfeksion në këtë vend. Bëja numra të ndryshme me shokët dhe me fëmijët e lagjes. Jam nga Librazhdi, një vend i pastër, i qetë që të fal imagjinatë të zhvilluar. Por në Greqi, unë pata fatin të takoj një prestigjator rus në Kalkidhiqi. Ai ishte profesionist dhe më dha mundësinë që ta perfeksionoja më shumë këtë art. Fillimet si profesionist ishin të vështira, por dhanë menjëherë rezultat. Në Kalkidhiqi kam dhënë shfaqjen e parë si profesionist në këtë fushë, pas Kalkidhiqis dhamë shumë shfaqje në shumë vende të tjera turistike në Greqi. Ishte viti 1993. Pra ky vit shënon daljen time në skenë. Greqia më hapi dyert e këtij profesioni. Nga Kalkidhiqi vazhdova punën në një qytet më të madh dhe më me kulturë. Në Selanik  ekzekutova një numër shumë të rrezikshëm, ngritja e vajzës në këmbë të karriges. Është një numër i vështirë.

Kur u larguat nga Greqia?
Në vitin 2000. Tashmë unë kisha hyrë si duhet në profesionin tim. Greqia kishte shumë hapësira për ta ushtruar këtë profesion. Menjëherë në Shqipëri u lidha me iluzionistin (magjistarin) Nadir Mura si asistent i tij. Me të kam dhënë shumë aktivitete, në shumë qytete të Shqipërisë.

Po jashtë Shqipërisë keni pasur kërkesa?
Për të dhënë numra të ndryshëm, kërkesat janë të pa fundme, por unë kam pasur një kërkesë dhe një eksperiencë interesante në Prishtinë. Kam punuar dy vjet si iluzionist në Lojërat e Fatit në këtë qytet. Aty kam fituar shprehi dhe përvojë që kanë rritur aftësitë profesionale dhe mënyrën e komunikimit me publikun. Eksperienca të tilla, rrallë të jepen dhe duhen shfrytëzuar. Televizioni është po aq magjik sa dhe vetë arti im i iluzionit (magjisë).

Kjo eksperiencë sa ndikoi në të ardhmen tuaj ?
Shumë. Pas Prishtinës, pata disa kërkesa në Maqedoni ku kam dhënë jo vetëm spektakle, por edhe numra specialë në televizionin ALSAT si dhe në shumë shkolla të mesme. Shkupi u bë vendi i dytë më i rëndësishëm për aktivitete dhe spektakle. Edhe këtu lidha një kontratë.

Po lidhjet me Shqipërinë në këtë kohë i ndërpreve?  
Fill pas ardhjes nga Greqia, unë këtu dhashë shfaqjet e para. Tashmë u bënë dy vjet që unë së bashku me Rita Latin dhe Behar Meren kemi dhënë spektakle në të gjithë Shqipërinë. Kemi pasur kërkesa nga shumë bashki apo komuna sidomos në stinën e verës kur vijnë emigrantët apo në festat e fundvitit.

A jeni ftuar kohët e fundit në Greqi?
Sigurisht. Asnjëherë nuk i kam shkëputur lidhjet me Greqinë. Shpesh herë ftohem në diskotekat kryesore në Kalkidhiqi, Patra, Selanik, etj… Greqia ka një shtrirje gjeografike të madhe të aktiviteteve

Përtej Ballkanit ku shtrihet veprimtaria juaj?

Në gjithë Europën. Ballkani ka qenë si fillim. Tashmë unë kam shumë kërkesa në të gjitha vendet europiane, ku ka emigrantë shqiptarë dhe kryejnë aktivitete shoqata të ndryshme kulturore artistike. Këto ditë më kanë ardhur ftesa nga disa shoqata në Gjermani, Itali, Mal i Zi  etj..

Kush është aktiviteti juaj i fundit ?
Kam shumë, por atë më të spikaturin e kam bërë vjet në Tetovë. Isha i ftuar special në një diskotekë të madhe për fillimin e vitit të ri shkollor studentor. Aty ishte ftuar Adelina Ismajli  dhe shumë humoristë kosovarë, një trupë e vogël baleti. Kohët e fundit, unë kam një bashkëpunëtore ose asistente, Laura Cufaj, e cila është njëkohësisht balerinë. Mirëkuptohemi dhe ajo ma ka lehtësuar punën.

Aktualisht çfarë bashkëpunimi kryen dhe me kë?
Po përgatis disa numra të rinj për aktivitetet e fundvitit me qëllim që të jem me një performancë të re. Numrat unë i ideoj, punoj, përgatis vetë, mbasi luaj dhe vetë rolin e menaxherit. Për një numër të ri do kohë, do profesionalizëm dhe përqendrim. Dështimi në këtë profesion nuk mund të korrigjohet. Këto isha ftuar në emisionin e ri special që po organizon Top- Channel “Edhe ti vlen”, një emision serioz që promovon talente në formë konkursi (apo spektakël). Ideator është një regjisor gjerman që merret me projektimin e një performance krejt të re në dimensionet e deritanishme televizive shqiptare. Këtu unë demostrova disa numra të rinj me nxjerrjen e brisqeve nga goja, pëllumbat dhe nguljen e thikës në dorë në një mënyrë të re. Në numrin e ri do të realizoj ngritjen në lartësinë 1.5 metra nga dyshemeja të një femre. Është një numër i vështirë, por do ta realizoj.

Çfarë kërkon profesioni juaj. A mund të merret me shkollë?
Jo. Ky profesion është dhunti. Është diçka e brendshme. Ajo kërkon imagjinatë dhe kurajo. Janë disa dhunti specifike që zoti dhe natyra ja fal pakkujt,

Kush ka qenë numri që ka pasur më shumë tronditje në sallë?
Kur kam ngulur thikën në dorën time. Gjaku dhe shikimi i thikës tejpërtej dorës ngjalli klithma në sallë.