Shpendi Topollaj/Stefan Cvajg bëri të pavdekshëm 2 mijë personazhe dhe ringjalli Aleksandër Moisiun

1118
Sigal

 Shkrimtari austriak që tronditi botën me kryeveprat e tij, në fund u vetëhelmua bashkë me gruan

Stefan Cvajgu ishte një ndër shkrimtarët më të shquar të Austrisë dhe të botës. Ai lindi më 28 nëntor, të vitit 1881 në Vjenë dhe vdiq më 23 shkurt, 1942, në Petro Polis, afër Rio Di Zhenjeros, në Brazil. Shtatëdhjetëenjë vjetët që kanë kaluar nga vdekja tragjike e Stefan Cvajgut edhe sot e kësaj dite nuk e kanë fashitur pikëllimin që shkaktoi humbja e një gjigandi të papërsëritshëm si ai. Duke e nisur karrierën letrare me librin me poezi “Telat e argjendtë” në vitin 1901, çka u bë shkas edhe për një miqësi të sinqertë me bashkëatdhetarin e tij të adhuruar R.M.Rilke i cili u entuziasmua nga talenti i këtij djaloshi, ai edhe pse nisi të shkruante novela, pas Gi de Mopasanit, Anton Çehovit, Prosper Merimesë, Xhek Londonit, etj, pra, kur mendohej se magjia e këtij zhanri kishte shterur, arriti të bëhej i barabartë me ta, për të mos thënë se me erudicionin, ndjenjat e holla dhe analizat e tij frojdiane, ua kaloi atyre. Edhe vetë ai, kur mbërriti në Brazil, pas largimit nga Austria e kohës së nazizmit, gati u befasua kur pa se njihej ngado.  “Fama ime në këtë vend është e pabesueshme, ajo është e përhapur në të gjitha mjediset, që nga më të ngriturat e deri te më modestet, dhe jo për këtë apo atë libër, po për të gjithë pa dallim”, shkruante ai. Kritika botërore njëzëri ka pranuar si kryevepra të tij, “Novela e shahut” dhe esenë, “Triumfi dhe tragjizmi i Erazmit të Roterdamit”, por e vërteta është se edhe vetë, Apolonit, po t`ia vinin si detyrë, do ta kishte të vështirë, ta diferenconte të gjithë krijimtarinë e këtij kryemjeshtri. Ato, në çdo gjini që u shkruan mbeten kryevepra të padiskutueshme të letërsisë. Kush i lexoi dhe nuk u trondit deri në përlotje me fatin e heronjve dhe heroinave të novelave brilante “Amoku”, “Njëzetekatër orë nga jeta e një gruaje”, “Letra e një të panjohure’, “Guvernantja”, “Bukinisti Mendel”, etj. A nuk ngjisnim edhe ne kur ishim të rinj me ata anglezët e shekullit të nëntëmbëdhjetë, teksa prisnim “diligjencën e postës” për të marrë librat e tij? Dhe Cvajgu, shumë shpejt u bë zot i gjithçkaje që shkroi, gjersa falë një pune të mbinatyrshme arriti të krijojë mbi dymijë personazhe dhe të ngjallë e t`i bëjë të pavdekshëm figura të shquara si Maria Stjuart, Maria Antuaneta, Erazmi i Roterdamit, Magelani, Mishel Montenji, Honore Balzak, Çarl Dikensi, Jozef Fushe, Fjodor Dostojevski, Hanri Bejli, Romen Rolani e deri te Aleksandër Moisiu ynë. Ai ka shkruar kujtimete më të bukura për aktorin tonë me origjinë shqiptare. Mbeti i pastër në gjithçka shkroi, sikurse edhe pse gjeti shtigje të pashkelura, përsëri, duke përjashtuar “Dashuria e Erika Evaldit”, nuk ra në grackat e rrymave dhe tendencave të kohës. Shpirtmadh siç ishte në jetë, ai dinte të vlerësonte këdo që e meritonte; si Maksim Gorkin që thoshte se u ngrit aq lart nga asgjëja, si kontin Leon Tolstoi që e quante vetëshprehësin më të sinqertë dhe më të madhërishëm, si R. Rolanin që e konsideronte “nderin e Evropës.” Shumë nga monografitë e tij që kritika me të drejtë i ka quajtur biografi të letrarizuara, fare mirë mund t`i quajmë edhe romane psikologjikë. Por një ditë ai gaboi..Sepse edhe Zotat kanë anët e tyre të dobëta; ndodh që në një çast dëshpërimi të gabojnë dhe të nguten. Se po të kishte pritur edhe një javë, sikurse porosiste Volteri, ai nuk kishte pse t`i pinte së bashku me të shoqen, Lote Altman, në Petropolis, atë 22 shkurt të vitit 1941, ato të flamosura doza qetësuesish. Se Cvajgu ishte në kulmin e pjekurisë artistike: sa kishte mbushur të gjashtëdhjetat dhe në duart tona, patjetër që do të kishim të tjera kryevepra letrare. Ai u vetëhelmua. Teksa fliste për Balzakun, ai na mëson se çdo pengesë është një shkallë që e lartëson gjeniun, por vetë, për një çast e harroi këtë. Ndaj dhe pikëllimi që la pas ikja e tij, nuk është fashitur edhe sot e kësaj dite, pavarësisht, se na duket se teksa jepte frymë, përsëriste fjalët e Horacit “Non omnis moriar”, pra “Nuk do të vdes i tëri.”