Shoqata Kulturore Atdhetare “Labëria”, po rend drejt Kuvendit të V-të të saj

624
Sigal

Kryetari Shoqatës, Prof. Ago Nezha: Ky Kuvend do të ketë Akademikun Rexhep Qosja, Dr. Alfred Moisiun, Profesor Paskal Milon, Pëllumb Xhufin…

Edhe pak ditë na ndajnë nga Kuvendi i V-të, i Shoqatës Kulturore, Atdhetare “Labëria”, e cila do të mbahet në datat 24-25 maj 2014, në qytetin historik të Gjirokastrës. Ky Kuvend është një Kuvend tepër i veçantë për shumë arsye për vetë synimin e këtij Kuvendi që të ngrejë në një nivel më të lartë  misionin që ka shoqata për të promovuar vlerat më të mira të komunitetit lab. Ky Kuvend do të zhvillohet në qytetin e Çerçizit, Bajos, e intelektualëve të shquar gjirokastrit që i kanë dhënë aq shumë Shqipërisë. Për këtë arsye, Forumi i Shoqatës Kulturore Atdhetare “Labëria”, mblodhi dje në Tiranë gjithë kryetarët e degëve, nga ekstremi jugor, Sarandë, Gjirokastër, Tepelenë, Himarë, Orikum, Vlorë, Fier, Patos dhe Tiranë, për të diskutuar rreth formave të organizimit, problematikave dhe freskimit të forumeve qendrore të shoqatës. Në këtë takim fjalën e hapjes e mori Kryetari i Shoqatës, Prof. Ago Nezha, i cili bëri një pasqyrë të punës parapërgatitore për të shkuar me detyra konkrete dhe të realizuara në Kuvendin e V-të. Prof. Nezha theksoi se, Kuvendi i V-të i shoqatës që do mbahet në Gjirokastër nga data 24-25 Maj, është një ngjarje historike në jetën e saj,  se shënon një pikë kulmore në aspektin sasior dhe cilësor të rritjes, zhvillimit dhe konsolidimit të këtij aseti të vyer të Labërisë.  Në fjalën e tij u evidentua një dukuri e veçantë që se kanë shoqatat e tjera, siç është vazhdimësia në rritje e funksionimit të pa ndërprerë të veprimtarive të saj që e kanë ngritur prestigjin e shoqatës në nivele të institucioneve më prestigjioze të vendit. Kjo ka ardhur nga puna, përkushtimi dhe angazhimi i tërë strukturave të shoqatës në qendër dhe në bazë që ka bërë të mundur të realizohen aktivitete madhore për çështje patriotike kombëtare dhe kulturore. Synimi i këtij Kuvendi është që të ngrejë në një nivel më të lartë  misionin që ka shoqata për të promovuar vlerat më të mira të komunitetit lab. Të zgjedhurit në Labëri janë ndërgjegjësuar për të pasur një ndjenjë të lartë përgjegjësie dhe marrin përsipër angazhime për të forcuar rolin aktiv të degëve. Ky Kuvend do shënojë një hop cilësor në përbërjen e strukturave të forumit duke ofruar shumë intelektualë të shquar lab, personalitete të fushave të ndryshme të artit, kulturës, sportit dhe  ekonomisë. Në këtë takim u evidentuan prurjet e reja që i janë ofruar shoqatës në fushën e biznesit siç është rasti i personalitetit të shquar të Labërisë biznesmenit Agim Çiraku, ku shembullin e tij duhet ta ndjekin edhe biznesmenët e tjerë Lab për të rritur frymëmarrjen e saj për një jetë më aktive. Të gjithë të pranishmit në këtë takim, në cilësinë e kryetarëve të degëve në rrethe sollën specifikat e tyre që do trajtojnë në diskutimet dhe përshëndetjet që do i transmetojnë këtij kuvendi. Një nga synimet që ka Labëria për të ardhmen është për të ofruar sa më shumë të rinj dhe gra për t’ju lënë stafetën në të ardhmen. Ky objektiv kërkon që të përfshihen të gjithë të zgjedhurit me shembullin e tyre personal duke qëndruar larg moralizimeve boshe. Ajo që spikati në frymën e diskutimeve është për të arritur një Kuvend me nivel të lartë për të ruajtur imazhin dhe performancën që ka shpalosur Shoqata Labëria nga njëri kuvend në tjetrin. Punimet e këtij Kuvendi do t’i ndjekin dhe personalitete të larta të Kosovës dhe të Shqipërisë si Akademiku Rexhep Qosja, Dr. Alfred Moisiu, Profesor Paskal Milo, Pëllumb Xhufi, e shumë të tjerë. Ky kuvend ka ngjallur interes të veçantë në mbarë Labërinë e më gjerë. Sukseset e tija janë të padiskutueshme dhe ato do shënojnë një etapë të re në jetën dhe veprimtarinë e shoqatës. Ditët që vijnë janë një maratonë e përgatitjes dhe interesimit që shfaqin jo vetëm të zgjedhurit, por mbarë komuniteti lab.   Në këtë takim diskutuan dhe Sekretari i Përgjithshëm z. Xhemil Çeli i cili u ndal në anët organizative të punimeve të Kongresit, mënyrën e zhvillimit, kandidaturat për Kryetar dhe Sekretar të Përgjithshëm, etj…  Sipas tij, problemet organizative janë pjesë e rëndësishme për të mënjanuar keqkuptimet, mëdyshjet dhe debatet e panevojshme. Nënkryetari i shoqatës z. Sejmen Gjokoli theksoi se, jemi në momentin që të gjithë duhet të punojmë në grup që ky Kuvend të dalë me shumë sukses. Kandidaturat e paraqitura janë ndër më të besueshmet pasi të tillë duhet t’i ketë Shoqata Labëria për vetë peshën e përgjegjësisë që ka marrë mbi vete. Kryetari i Shoqatës dega Gjirokastër, z. Muho theksoi domosdoshmërinë e shtimit të radhëve të shoqatës me të rinj, por dhe me gra. Kjo është një domosdoshmëri që e cakton koha. Në këtë takim folën të gjithë përfaqësuesit dhe kryetarët e degëve, nga ekstremi jugor, Sarandë, Gjirokastër, Tepelenë, Himarë, Orikum, Vlorë, Fier, Patos, të cilët sollën në vëmendje punën e bërë, kandidaturat e paraqitura, mënyrën e organizmit për të shkuar në Gjirokastër, si në një festë, për të çuar më lart misionin fisnik që ka marrë kjo shoqatë.