Shkrimtari vizionar që ka lënë gjurmë befasuese në dy kohë

1223
Sigal

Nga Gëzim LOKA

Në 75-vjetorin e lindjes së fabulistit Gjikë Kurtiqi

Gjikë Kurtiqi është një nga individualitetet më të spikatur të letrave tona kombëtare, në udhëtimin e tij në dy kohë, gjatë dhe pas epokës komuniste, që ka lënë gjurmët e veta në shkrimin estetik shqiptar. Me emrin e Gjikë Kurtiqit lidhet një pjesë e rëndësishme e trashëgimisë së letrave të humorit, satirës e veçanërisht të fabulës, ku ai u angazhua dhe vazhdon të kontribuojë në një një periudhë për mbi pesëdhjetëvjeçare, me prurje cilësore dhe kualitete estetike të larta. Në fakt ai nuk është vetëm mjeshtër i satirës dhe humorit me shije të hollë e perceptime krejt të veçanta të realiteteve që bën objekt të shqyrtimit të tij estetik, por dhe një shkrimtar i thellë dhe vizionar, me një mënyrë unikë se si ai e paraqet botën në artin e fjalës. Shqetësimet e tij fokusohen në raportin e moçëm filozofik-etik mes fjalës dhe veprës, mes të thënës dhe të bërës, mes asaj që ikën si fllad dhe asaj që mbetet e patundur, si gur i rëndë themeli. Sepse, e para ishte fjala, thotë Bibla, ajo priu dhe ndërtoi vetë botën dhe u bë e pavdekshme nga veprat që e pasuan atë. Befasia që sjell satira dhe humori i Kurtiqit buron nga dy elemente: Nga konfigurimi i ri i imazhit si kujtesë dhe perceptim dhe nga strukturimi modern estetik, jashtë skemave dhe shablloneve të njohura të procedimit estetik. Anekset, rrugicat e udhët nga vjen dhe frymon liria e individit dhe liria globale janë të shumta e të larmishme, por të gjitha mblidhen në të njëjtin emërues të përbashkët, në atë të sendërtimit të atij pjalmi gjenetik, psikik e filozofik, etik dhe mbi të gjitha estetik, që e nxjerr njeriun nga kufizimet e të qenit dikush i zakonshëm dhe e ul në fronin e krijuesve. Këtë përjetim po e bluaja në mendje ndërsa lexoja veprën e plotë, të gjerë e të larmishme të Kurtiqit, të shoqëruar me portrete dhe gjurmë në kohë, me epigrame – grimca kritike, akuarele poetike shqetësimi qytetar, teksa gjurmoja atë plazmim estetik të dendur e të ngjeshur në përfytyrime, imazhe, mesazhe, tekst e nëntekst, që përftohet prej një leximi të kujdesshëm të fabulës së tij dhe përcillet vetëm nga letrarë identikë me veten e tyre. Duke e thyer përditshmërinë në grimicime gjërash të prekshme, të imëta e konkrete, shkrimtari e rindërton atë me anë të nëntekstit të fortë, pjesëton e shumëzon çastin në kohën e përditshmërisë, duke na dhënë me një fuqi mesazhi të dëlirë vizatime dhe gjendje sa reale e konkrete aq dehëse e trallisëse, ku në fokus është kriticizmi, alegoria, simboli dhe grotesku:

“Pyet burimin me xhelozi

Një pellg me ujin këllirë:

– Përse tek unë kushëri

Askush nuk vjen për të pirë?

– Sepse tek ti nuk bëhet qarkullimi,

U përgjigj burimi !”

Kurtiqi është i natyrshëm në aktin e tij shkrimor; gjithashtu, duke e thyer shtratin e tradicionalizmit letrar, me origjinalitetin e zërit të tij, me stilin e veçantë, me befasimet strukturore dhe konceptuale të shkrimit letrar. Gjikë Kurtiqi lindi më 3 qershor 1943, në Vithkuq – Korçë. Ka botuar librat me fabula: “Thëngjilli mbuluar”, “Ëndrra e dhelprës”, “Korbi pallua”, “Guri që thyen çekanë”, “Hija e mëngjesit”, “Dhe gomari behet mbret”, “Gjashtëdhjetë fabula”, “Toka dhe reja”, “Lopa dhe pula, “Hedhin valle minjtë”, “Dy pëllumba”, “Sani me zot”, “Një qind fabula”, një përmbledhje me fabula të zgjedhura, qindra shkrime, fejtone e qëndrime opinione për probleme që lidhen me letrat dhe artin shqiptar. Gjithashtu ai ka botuar dy libra studimore: “Vithkuqi i 100 krojeve dhe 24 kishave” dhe “Vithkuqi afër dhe larg”. Ka shkruar komedinë : “Miq të paftuar”, vënë në skenë nga Teatri Popullor – 1979, skenarin e filmit “Ëndërr për një karrige” realizuar nga Kinostudioja “Shqipëria e Re” dhe shume pjesë teatrale për Estradën dhe Teatrin e Kukullave. Për kontributet e çmuara në gjininë e humorit dhe satirës, të cilave iu ka dhënë një impuls të ri, është dekoruar me urdhra e medalje dhe ka marrë çmime kombëtare e ndërkombëtare. Veprimtaria e tij në jetë dhe profesion ka përkuar me pasionin e tij si shkrimtar dhe krijues novator. E ka nisur me gazetën “Studenti, që kur ishte student në fakultetin e Shkencave Politiko-Juridike, për të vijuar në gazetën “Mësuesi”, në gazetën “Dielli”, në gazetën “Finoku”, si botues i saj prej tre vitesh në kohën e tranzicionit. Aktualisht punon si kryeredaktor në gazetën “Kushtim brezazh”. Pas karrierës së beftë gjatë viteve 71-77 tek “Hosteni”, emërohet drejtor i Teatrit të Kullave të Tiranës gjatë viteve 77- 83, për të vijuar më vonë drejtor në Drejtorinë e Arteve në Ministrinë e Arsimit dhe Kulturës, si këshilltar në ministrinë e Informacionit dhe më pas në Kryeministri, në sektorin e Marrdhënieve me Publikun, ku edhe doli në pension. Autori e tejshtrin botë vështrimin e tij në hulli të njohura përjetimesh, por mënyra se si ai vështron në këta hulli është befasuese; duke sjellë trazime jetësh në hije, trazime shoqërie në hije, duke stigmatizuar vesin dhe duke nxjerrë në pah, në mënyrë nëntekstuale virtytin dhe modelet sociale në jetë. Me fabulat e tij shkruan për moralin në një jetë pa moral. Në fabulën “Ndershmëria dhe Korrupsioni” ai shkruan:

Një i pasur nga pushteti,

Me sejmenë rreth e qark,

Takon në një rrugë qyteti

Një të ndershëm varfanjak.

 

E sheh nga koka në këmbë

Edhe flet me qesëndi:

“Nga mbinë këta varfanjakë,

Që të ngjallin neveri ?”.

 

“Ne kemi mbirë nga dheu,

Që gjithë jetën gjallëron,

Kurse ju mbini nga plehu

Që ka emrin korrupsion”!

Ndoshta e veçanta e artit shkrimor të Kurtiqit ka të bëjë me përjetimin e thellë që i bën gjendjes së fabulës narrative, ku në llavën që i zien nga brenda dhe nuk mund ta lerë pa e nxjerrë jashtë, ai gjen modelin e procedimit letrar. Ky ishte vetëm një vizatim i çastit për një shkrimtar me një profil tepër të detajuar si ai i Gjikë Kurtiqit, pasi arti i tij shkrimor meriton shqyrtime të kujdesshme, përqasje krahasuese e analiza më të holla, por në analizë të fundit, mund të themi se tek ky shkrimtar shohim një autor jo vetëm të formuar plotësisht e me një profil krejt të vetin, por mund të themi, dhe me një zë përfaqësues te një shkolle letrare të konsoliduar dhe në veprim, duke na përcjellë vrullet dhe ritmet e botës shqiptare, me një fuqi krijuese të thellë, të beftë, sugjestive e tronditëse.