Shkrimtari Çlirim Hoxha dhe romani “Bebi Skafisti” një sukses në Panairin e 17 të Librit në Tiranë.

786
Sigal

Skafistët, e pangopur me paranë e madhe, ndryshojnë taktikë: skafet ua dorëzojnë minorenëve, Bebi skafistin

Çlirim Hoxha është një shkrimtar dhe gazetar vlonjat, i cili është një emër i njohur i botës së letrave këto 15 vitet e fundit. Ka botuar 6 romane, ku më i fundit është “Bebi Skafisti”, i cili do të promovohet zyrtarisht ditën e premte në stendën e shtëpisë botuese “Toena” në Panairin e 17 të Librit “Tirana 2014”, i cili ngriti siparin në 12 nëntor në Pallatin e Kongreseve.

“Qëllimi i një shkrimtari është ta mbrojë qytetërimin nga vetëshkatërrimi”, -thoshte Albert Camus. Dhe vërtetë, Çlirim Hoxha nuk ka bërë pak në këto vite, po të arsyetosh periudhën kur ai nisi të merrej me letërsi dhe gazetari. Rrugëtimi i Çlirim Hoxhës drejtë artit zë fill qysh në moshën minorene, kur ai rrekej të mësonte aktrim në shtëpinë e pionierit me regjisorin dhe aktorin e njohur të ndjerin Ali Roshi. Teatri do të ishte talenti i tij i lindur në shumë plane, ku ai i humorit nuk do të kishte të krahasuar nëse dyert do ti hapeshin një ditë, por koha nuk donte. Padyshim futbolli do qe një tjetër pasion i shkrimtarit tonë të ardhshëm, kur vraponte mes pellgjeve të lagjes Varosh pas topit prej lecke duke prishur këpucët e reja që babai i tij oficer sapo ja kishte blerë dhe veshët do t’i shkuleshin, por pasioni për futbollin dhe numri 10 i Mexhid Haxhiut nuk do t’i shqiteshin nga memoria. Shkolla “Lef Sallata” dhe më pas shkolla “Industriale” do ishin kudhra e dijes, kur Garda e Republikës do ta thërriste në radhët e saj, duke i besuar shërbimin tek blloku, por jo shumë gjatë. Një kurs për radiotelegrafist do ta përgatiste Çim Hoxhën me alfabetin MORS dhe më pas një tjetër kurs do ti jepte atij patentën e motoçikletës dhe triçiklit në këtë repart elitë të asaj kohe. Këmbëngulja e tij për të studiuar në Institutin e Lartë të Arteve për aktrim, nuk do ta stepte asnjëherë Çimin dhe ai provon një herë, dy herë dhe STOP! Mehmet Shehu vritet, dhe gjërat marrin rrokullimën. Babai i tij kushëri i Mehmet Shehut “kryqëzohet” si komandant i repartit të Gardës në Vlorë dhe Çimit i bllokohet tentativa për të studiuar deri në fund për aktrim. Kthehet në Vlorë dhe punon teknik i mesëm në një nga parqet e qytetit, por aktivizohet si amator në Teatrin e qytetit, deri kur një ditë partia që ndiqte provat gjenerale të çdo premiere nuk do të ishte dakord me paraqitjen e tij si shërbëtor tek Berberi i Seviljes. Kjo i dha fund aktivizimit të tij në teatër dhe ai largohet në kërkim të fatit. Por jo vetëm kaq, një fejesë në prag do të prishej për shkak se Çimi na doli kushëri i Mehmet Shehut dhe Mehmet Shehu ishte shpallur armik i partisë së Enver Hoxhës?! Ndryshimet politike në Shqipëri në fillim të viteve ’90 krijuan premisa për studime dhe Çlirim Hoxha nis studimet në Fakultetin e Histori-Filologjisë në degën Histori në Tiranë, ku dhe diplomohet, por letërsia nuk do ti ndahej dhe ai nis të shkruaj në vitet ’93-94 romanin e tij të parë “Lëngata e shpirtit”, i cili e sheh dritën e botimit në vitin 2003 nga shtëpia botuese “Toena”. Një roman rrëqethës për kohën e para viteve ‘90, ngjarje të vërteta dhe shumë therëse të ngritura në artë, sepse letërsia artistike është arti më i bukur në botën e letrave. Çlirim Hoxha e ka pasur gjithmonë parasysh thënien e Remarkut, “Nëse nuk je i zoti të shkruash një libër për tu bërë dobi të tjerëve… Të paktën lexo ti bësh dobi vetes”! Dhe ai jo vetëm ka lexuar, por nisi të shkruaj me sukses për t’u bërë dobi të tjerëve. Po në vitin 2003 do të botohej edhe romani i tij i dytë “Rrugë e vithisur” që denoncon luftën e klasave, ku gruaja spiunonte burrin, ku sigurimi i shteti ngrinte baza spiunllëku në pallatet e qytetit, në të cilat spiunët e lagjeve raportonin për “armiqtë” që flisnin për mungesën djathit dhe preshit në dyqane. Në vitin 2005 Çlirim Hoxha del përpara lexuesve me romanin e tij të jashtëzakonshëm “Nëndetësja e plagosur”.  Një histori shqiptaro-ruse që sillet rreth viteve 60 të shekullit të XX dhe vjen deri në vitet e demokracisë, ku skenat magjike ja lenë vendin njëra-tjetrës në një gozhdim flagrantë të çdo lexuesi që pati fatin ta lexonte.  “Nëndetësja e plagosur” shkaktoi mjaftë nostalgji për të gjithë ata që kishin studiuar në Bashkimin Sovjetik, pasi promovimi i romanit u transmetua në një nga televizionet e qytetit shoqëruar me një këngë ruse si kolon zanore, çka bëri që të kërcasin telefonatat. Arben Zeneli dhe Svjetllana Taranova do ndiznin zjarre në tokën e veriut polar. Takohemi tek “Ura e Puthjeve” vëlla, atje mbi Lumin Neva në Leningradin e dikurshëm. Eh… Më vitin 2008, Çlirim Hoxha do të botonte nga “Toena” romanin e tij të katërt “Ushtarët e Botës”. Një vajzë nga Vlora donte të shkonte në Itali tek i vëllai, por situata e vitin ‘97 pas rënies së skemave piramidale dhe trazirave që pasuan mbylli të gjitha rrugët. Në qytet mbërrijnë forcat paqeruajtëse të Operacionit “Alba”. Vlonjatja e bukur shfrytëzon rastin dhe bënë për vete, jo një, por dy ushtar italian, të cilët marrosen pas saj. Ata i premtojnë dhe e marrin me vete në Itali pas përfundimit të misionit, duke e fshehur në karrocerinë e një kamioni. Por kur mbërrin në Itali plas xhelozia dhe lufta se kush nga të dy do ta marrte për vete…. Në vitin 2010 Çlirim Hoxha do të botonte romanin e pestë “Ditari i një murgeshe”, buja e të cilit do kalonte kufijtë e Shqipërisë dhe do të mbërrinte, ashtu si romanet e tjerë, në bibliotekat më të mëdha të botës, duke nisur nga ajo e Kongresit Amerikan në Uashington DC, tek ajo Kombëtare e Stokholmit në Suedi e me radhë. Dikush në Luksenburg ka marrë përsipër përkthimin e dy romaneve “Ushtarët e Botës” dhe “Ditari i një Murgeshe” nga shqipja në frëngjisht. Në fund të vitit 2013 Çlirim Hoxha do të nxirrte në dritë romanin e tij të 6-shtë “Bebi Skafisti”. Pikërisht ky roman i cilësuar nga kritika i jashtëzakonshëm, na sjellë në vëmendje ngjarje dhe histori të jetuara. Një vepër artistike dhe një dokument historik i arrirë, të cilin duhet ta lexoi çdo shqiptar, me qëllim që ngjarje të tilla të mos përsëriten më.

BEBI SKAFISTI: titulli i romanit të intrigon. Për një çast lexuesi i thjeshtë mendon se ka të bëjë me një roman për fëmijë e, ndoshta, do të thotë “e gjithë ky voluminoz për një bebi”? … Këtu është çështja: romancieri me “Bebi skafisti” ka thënë shumëçka jo për një “bebi”, po për një brez të tërë, i cili lind e rritet në vitet e ndryshimeve të mëdha të sistemit politik, këto ndryshime regjistrohen në kujtesën e Altinit 12 – vjeçar, Landit, Vilsonit …, brezit që përfaqësojnë – njolla plage e dhimbe, nga njëra anë shkatërrim e varfëri e pa matë, nga ana  tjetër: njerëz të shfrenuar që, çmendurisht, pas rënies të firmave piramidale … “E premtja e zezë e 1997”… vrasin, shkatërrojnë, rrëmbejnë, dhunojnë: “maskat e zeza” të vënë para të pista në rrugët më të papara, vjedhin bankat, hedhin në erë dyert e tyre: njeriu i pa fre merr rrugët e emigracionit, në kërkim të një tjetër jete, edhe duke sakrifikuar vetveten … Altini mbetet jetim me humbjen e babait, në detin e pa anë. Me mamanë – Silvanën, të cilët i tmerron uria e një ekonomie të rrënuar, ai do të përballet me gjendjen: do të marrë mbi shpatullat njomëzake barrën e rëndë të drejtimit të skafit 11 metrësh, gomonia “Yamaha” me 250 kuaj fuqi secili… Pronë e skafistit Qazo … Romani merr tjetër drejtim: lulëzimi i trafiqeve me klandestinë – mishi i bardhë – kanabis-sativa … Trafikantët skafistë pushtojnë Adriatikun – Mesdheun, pushtojnë brigjet e Pulies…

Tema e romanit: Lufta për ndalimin – minimizimin e trafiqeve skafistë. Skafistët, e pangopur me paranë e madhe, ndryshojnë taktikë: skafet ua dorëzojnë minorenëve, Bebi skafistin …

Subjekti i romanit: Skuadrilia e skafistëve rrezikon të humbasë përballë pritës së Guardia di financa … Pulje … Otranto … Patricia Matuçi – Ministër i brendshëm i shtetit Italian, në portin e Brindsit, Donato Sambati – komandanti i  “Guardia di financia” …, rezistencë e pathyeshme. Qazoja, që e kupton rrezikun, eksperimenton minorenin bebin 14 vjeçar, i dorëzon skafin (vetë grumbullon paratë në breg).  Gazetat italiane  trumbetojnë aventurën e Bebi skafistit) … Në qytetin e revoltave komisari Albin Sulo përballet me Drejtorin e policisë së qarkut … Atë e vrasin pabesisht … (Lufta brenda llojit)… Bebi skafisti ndryshon taktikë lundrimi drejt Puljas. Ai rrezikohet, po nuk tërhiqet. Bie në pritën e Guardia di financa … Në burgun e minorenëve … Qazoja është zhdukur në Greqi. Të dy dashnoret: Ilda dhe Anisa e kanë harruar, ato kanë ecur në rrugët e jetës. Silvana, nëna e Altinin pret me ankth të trokas dera. Pret një ditë, dy, tre, pret një jetë, por…

Romani madhor “Bebi skafisti” është vepër gjigante, mbresëlënëse.

Plani historik: Është viti 1997. Qyteti bregdetar. Rrëzimi i firmave piramidale. Demonstruesit, paqësisht, kërkojnë paratë e humbura. Shteti shtyp demonstratën. Shfaqen maskat e zeza. Shpallet lufta disamuajshe. Sulmohen depot e armëve – armatoset populli, deri edhe minorenë e adoleshentë. Plas lufta midis bandave. Qyteti pa drita, ujësjellësi rrezikon të hidhet në erë, jeton në ankth: vriten njerëz të pafaj. Alberti, komandanti i policisë, del jashtë loje. Krijohet komiteti i normalizimit e menaxhimit të situatës. Detyrohet Presidenti i Republikës, bën dorëheqjen. Lideri i opozitës premton kthimin e parave – mashtron … Qyteti i revoltave përjeton katrahurën kohore. Nis apo vazhdon eksodi më i paparë. Skafistët, duke grumbulluar milionat, bëhen zotëruesit e detit …

Pikëlidhja: Altini minoren, ka humbur babain në një lundrim klandestin me skafe. Jetimi jeton varfërinë ekonomike, me Silvanën, edhe Landi e Vilsoni – bashkëmoshatarë të tij. Altini vazhdon edhe stërvitjen për sport. Përgjatë mbrëmjeve, ai shëtit bregdetin, nga ku përfytyronte gjurmët e babait të vet. Altini minoren e tërheqin skafet e bukura, të forta, prej 250 kuaj fuqi. Si minoren, i bën shoqëri skafistit Qazo. Skafisti i vjetër kërkon rrugë të reja, për të mos rënë në duart e ndjekësve: eksperimenton. Minoreni hyn në lojën e skafeve.

Kompozicioni i veprës: Romani ka një paraqitje të qartë, të kuptueshme, hallkat e zinxhirit, d.m.th. të pjesëve apo të njëzet e tetë njësive (kapitujve) lidhen natyrshëm për midis tyre, si: por unë do të doja që në kapitujt e fundit të hiqej ndonjë skenë që bie ndesh me mentalitetin e popullit tonë.

Në përfundim dua të them që, Shkrimtari vlonjat, Çlirim Hoxha, me 6 romanet e tij po ecën, i vendosur, në rrugën e vështirë dhe të bukur të artit. Sot, ai radhitet ndër penat serioze në lëmin e letërsisë artistike. Romani “Bebi skafisti” është një prurje i cili u reziston kohërave dhe lexohet me interesim.

                                                                                                                       Eqerem Canaj  -Kritik-