“Shëndetësia falas” u “pi gjakun” shqiptarëve, koncesion 1.7 miliardë lekë për kontrollin e gjakut të kontrolluar

508
– Ndërsa për blerjen e gjakut që u duhet pacientëve, shteti shpenzon vetëm 38 milionë lekë – 
Duke nisur nga dita e sotme, po hapim rubrikën “Skandalet e pa ndëshkuara”, nëpërmjet së cilës do të ndalemi në skandalet që ka denoncuar gazeta “Telegraf”, por që janë lënë në heshtje prej organeve shtetërore. Sot po publikojmë skandalin e ish-ministrit Ilir Beqja, për sajimin dhe dhënien e koncesionit fiktiv të kontrollit të cilësisë dhe sigurisë së gjakut që blihet prej Qendrës së Transfuzionit të Gjakut, publikuar në datën 24 maj 2016
Akuzat dhe denoncimet e bëra për koncesionet në shërbimet mjekësore që sajon, shpall, financon dhe “dhuron” për klientët e tij ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja, shtohen edhe me një fakt tjetër skandaloz, që ka lidhje me një koncesion tjetër në miliarda lekë, që po jepet po në sektorin e shëndetësisë. Pas koncesionit të Dializës, të “Chek-up”, të projekt-koncesionit të laboratorëve e analizave mjekësore, të mbetjeve spitalore, të ushqimit, lavanderive në spitale, të parkingut në QSUT, të zhdukjes së urgjencës etj, sot në datën 24 maj 2016, lidhet kontrata për një koncesion tjetër në shëndetësi, që sipas informacioneve është “ideuar” e firmosur nga (ish) ministri Ilir Beqja. Ky koncesion jepet me këtë objekt: “Për kryerjen e testimeve me metodologjinë “NAT” për detektimin e HCV/HIV/HBV në gjakun e dhuruar pranë Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut”. Pra, sajohet koncesion për të kontrolluar gjakun që dhurohet, ose që blihet prej shtetit, për nevoja mjekësore! Ky koncesion i mbyllur si “pazar” prej Ministrisë së Shëndetësisë është publikuar në “Buletinin e Prokurimeve Publike” Nr. 19, datë 16 Maj 2016, publikuar zyrtarisht si “tender shërbimesh kalimtare”, por në fakt është koncesion mbasi ka shtrirje kohore prej 3 vitesh, ndërkohë që sipas ligjit, shërbimet jo-koncesionare jepen me afat vetëm për 1 vit kalendarik, madje të kufizuar brenda vitit kalendarik përkatës edhe nëse brenda vitit ka ngelur vetëm 1 muaj afat, duke mos kaluar as si fond dhe as si procedurë prokurimi për vitin pasardhës! Në rastin konkret, kemi një koncesion jo vetëm antiligjor, por edhe të “çuditshëm” për nga objekti i shërbimit. Ky koncesion është në vlerën koncesion afro 1.7 miliardë lekë për 2 vite! Çfarë ndodh? Sipas këtij koncesioni, firma private “Pegasus Shpk” me NIPT J62903750A, shpallur “fituese” nga KVO e Ministrisë së Shëndetësisë, do të kryej një shërbim absurd, që nuk ndodh në asnjë sektor shëndetësie shtetërore në botë. Madje as në vendet më të zhvilluar në këtë lloj shërbimi, nuk ka koncesione për të kontrolluar sigurinë dhe standardet e gjakut të kontrolluar e të futur në “Bankën e gjakut”! Por ky lloj koncesioni e shërbimi fiktiv është shpikur dhe sot në datën 24 maj 2017, legalizohet me kontratë që lidhet midis Ministrisë së Shëndetësisë dhe firmës fituese të këtij koncesioni! Çudia është, se është bërë koncesion 3 vjeçar, me vlerë afro 1.7 miliardë lekë nga taksat e shqiptarëve për kontrollin e sigurisë dhe cilësisë së gjakut, kur cilësia dhe siguria e gjakut kontrollohet përpara se ai të dhurohet e të blihet nga shëndetësia! Atëherë, përse duhet ky koncesion i “çuditshëm” privat me vlerë 1.7 miliardë lekë, kur marrja e gjakut kryhet nga punonjësit shtetërorë të Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, të cilët paguhen nga buxheti i shtetit?! Absurdi qëndron në faktin, se për blerje gjaku shpenzohen vetëm 38 milionë lekë, ose sa 1/6 e vlerës së koncesionit të kontrollit të gjakut!
Sigal